Ditëlindja e Musine Kokalarit: një qortim kujtesës kolektive

M-Kokalari1

Në çdo 10 shkurt, në kohën kur sapo nisin të çelin mimozat e para, të cilat në mes të dimrit paralajmërojnë ardhjen e pranverës, shënohet datëlindja e disidentes së parë shqiptare, martire dhe Nder i Kombit, Musine Kokalari. E përkujtuan njerëzit e afërt të saj, ndonjë bashkëvuajtës… dhe kaq. Po shoqëria dhe mediat? Për ta edhe ky 10 shkurt kaloi në heshtje. Duke dëshmuar dobësinë e kujtesës sonë kolektive…

“Duhet përkujtuar nga të gjithë. Por gjithsesi çdo ditë mund të ndihet dhe si datëlindje e vlerave njerëzore, pra dhe e emrit të ylltë të Musine Kokalarit. Jeta dhe vepra e saj, bëmat, vuajtjet, qëndrimi, bukuria, pamposhtmëria janë një përvojë e vyer, një pasuri e paçmuar morale për të gjithë, rrezatim virtytesh, kulture, një apel i përhershëm për të qenë të denjë për jetën, të dobishëm për vendin” – shkruhet në një shkrim të disidentit tjeter shqiptar, Visar Zhiti. Më poshtë është vijimi i shkrimit të këtij autori, të botuar në mediat online:

“Gjirokastritja e mrekullueshme Musine Kokalari, pasi kryen shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, më 1937, shkon për studime në Universitetin e Romës, në Itali, del me rezultatet më të larta. Qysh studente boton librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë”, me rrëfime magjepsëse. Njihet dhe do të ketë dhe vlerësimet e një nga shkrimtarëve më të mëdhenj italianë Alberto Moravia. Së bashku dhe me disa shokë të tjerë, më 1943 formon Partinë Socialdemokrate dhe nxjerr gazetën “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë me tregime “Si u tund bota”348 faqe, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti pushkatuhen pa gjyq vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Fitimitarët e ardhshëm po futeshin në kryeqytet me terror të llahtarshëm. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe shkrimtaren e parë shqiptare, e mbajtën 17 ditë në burg. Ajo boton libri i tretë pas një viti “Rreth vatrës” duke u bërë shkrimtare e vërtetë me autoritet, por më më 23 janar të vitit 1946, e arrestojnë për së dyti dhe gjyqi terrorist i fitimtarëve e dënoi me 20 vjet burg.

Nga thëniet e saj në gjyq:

“Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës `Zëri i Lirisë`, në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut…. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.

“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.

Kur dikush i vënë thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, tha se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat”.

Në vitin 1961 lirohet dhe e internojnë në Rrëshen, bën punë të rënda fizike, llaç dhe mur. Vetmia si dënim dhe libra, libra, këta ishin miqtë e saj. Megjithatë ajo do të jetë mecenatja shpirtërore e shkrimtarit të ardhshëm Bilal Xhaferri, që do të arratisej në SHBA për t’i shpëtuar përndjekjes, nga që ishte me baba të pushkatuar. Në vitin 1981 Musineja sëmuret rëndë, pashërueshëm dhe vdes dy vjet më vonë. Makina e zhavorrit e hodhi në gropën ku mbuluan atë dhe veprën që nuk e lanë ta shkruante.

Në fundin e jetës. Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli… nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”.

M-Kokalari2Përfundim i trishtë:

“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike.”

Porosia e saj:

“Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.

Porosia e Musine Kokalarit është shumë më e madhe, e dhëmbshme, me rëndësi dhe e përhershme. Është thirrje kujtesës kolektive, veprimit, jetës, atdheut…. Porosia është që ne duhet të jemi të lidhur si një vazhdim i domosdoshëm me rilindasit tanë shpirtërore, t’i kemi në kalendarin e veprimeve tona, përherë. Pa një kalendar të tillë qytetaria jonë do të jetë e mangët, po kështu edhe drita e së ardhmes. Kremtime të tilla duhet të kemi patjetër dhe nuk duhet të jenë thjesht ceremoniale të harrueshëm, as rutinë zyrtare, por pjesë e gjallë e kujtesës kolektive, e përditshmërisë tonë. Të jenë të natyrshëm dhe t’i ngjajnë, si të thuash, ndezjes së një qiriri metaforik, për të cilin një grua tjetër e madhe shqiptare, Nënë Tereza, thoshte: Më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën.

Që harresa të mos bëhet errësirë.

Marrë me shkurtime nga: http://www.albanianews.it/cultura/2346-musine-kokalari-ditelindja

Postime të ngjashme

Bëj një koment