1946: Periudha gjakatare e epokës komuniste

koci xoxe enver hoxha

Fushata e vrasjeve dhe arrestimeve të bujshme në fillim të vitit 1946, do të shënonte një prej periudhave me gjakatare të epokës së komunizmit në Shqipëri. Në këtë periudhë u eleminuan me metodat më të përgjakshme të gjithë kundërshtarët e komunizmit dhe u sigurua përmes forcës jetëgjatësia e regjimit komunist.
Dokumentet që sjellim sot i takojnë shkurtit të vitit 1946 dhe zbulojnë përmasat e vërteta të këtij mobilizimi, pasojat e përgjakshme të të cilit do të ndiheshin përgjatë gjithë muajve në vijim.
Shkresa e parë, konspirative, e firmosur nga Koçi Xoxe, (drejtuesi i parë i Sigurimit të Shtetit), ëhstë një urdhër që dilte nga dyert e komitetit qendror për nisjen e operacionit në të gjithë Shqipërinë, për kapjen dhe eleminimin e të gjithë elemntëve kundërshtarë dhe të arratisurve. Shkresa e Xoxes pasohet me një përgjigje 13 ditë më vonë, ku përsoni përgjegjës (Peço Kagjini) të cilit i shkruante Xoxe, i raporton këtij të fundit disa rezultate pas nisjes së operacionit. Dy dokumentet zbulojnë vetëm një pjesëz nga kjo fushatë e përgjakshme, e cila kulmoi në veri të vendit sidomos në malësitë e Shkodrës e të Dibrës.

Dokumenti 1
Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare
Nr. Extra
më 6 Fror 1946
PERSONALE – KONSPIRATIVE
Shokut PEÇO KAGJINI
Tiranë
Më 10 Shkurt 1946, fillon operasjon në gjithë Shqipërinë. Organizata e Partisë, të gjithë antarët e Partisë dhe miqtë t’onë duhet të mobilizohen për të ndihmuarë në këtë veprim me kaq rëndësi. Qëllimin e këtij veprimi e dini, prandaj të mos neglizhoni punën. Na mbani në korrent të zhvillimit. Ky është një veprim i zakonëshëm; por në një shkallë të gjërë. Të mos bëhet bujë, në shtypin lokal do të vihen vetëm rezultatet: sa u dorëzuan, sa u vranë ose u kapën, etj. Juve duhet të jini në lidhje direkt me Seksjonin e Mbrojtjes së Popullit, Komitetet e partisë në N/Prefek. me të besuarit e Mbrojtjes aty dhe në rast se nuk ka Mbrojtja njerëz të sajë, me përgjegjësat e reparteve që operojnë andej.
Për KOMITETIN QËNDROR TË P.P.SH.
SEKRETARI ORGANIZATIV
(KOÇI XOXE)

Dokumenti 2
Rezervat
Tiranë, më 19/II/46
KOMITETIT QENDROR
Në lidhje me shkresën t’uaj Nr. extra dt. 6 Fror 1946 konspirative-personale. Për të ndihmuar në operacjonin që bëhet kundër t’aratisurve nga forcat e mbrojtjes i janë dhënë udhëzimet e duhura organizatës.
Në qytet të gjitha informatat që na vinë në lidhje me elemente reaksionarë i a japim Seksionit të M.P. Gjer tashti na kanë ardhë mjaftë.
Nga N/Prefektura e Valijasit kemi këto informata në lidhje me operacjonin: Është dorëzuar krimineli Hajdar Muja në Krujë i cili ka vrarë Hasan Adem Hoxhën nga Herraj.
Është dorëzuar në Tiranë tek Myslim Peza Rap Vraja nga Tapiza i cili bashkë me kushërin e tij Sinan Vraja vran në Valijas për gjak Qazim Dokun. Ky është dorëzuar tek Myslim Peza me anën e Xhafer Bajramit kryetar i këshillit Valijas.
Ali Hoxha nga Qinani bashkë me Asllan Topallin dhe Ram Dokun nga N/Prefektura e Krujës para katër ditësh kanë qënë në Qinan dhe kanë ngrënë bukë tek Afmat Xhaja.
Para disa ditësh ka qënë në shtëpi të Lik Toptanit në Yrshek Bubareq Toptani bashkë me një të pa njohur. Shërbëtori i Lik Topanit Dalip Matja i ka shoqëruar natën gjer në Qiraxhijas (Çërkezë) në shtëpin e Lik Bojës. Bubareq Toptani ka qënë i veshur oficer gjerman në kohën e okupacionit dhe dihej sikur ka qënë i larguar bashkë me gjermanët. Bubareqi ka vëllezërit e tij bejler në katundin Kamëz
Peço Kagjini
(firma)

koci xoxe

koci xoxe 2

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/urdhri-i-xox-saksioni-i-sigurimit-p-r-t–eleminuar-kund-rshtar-t-439585.html

 

Postime të ngjashme