1946 / Qëndrimi burrëror i opozitarëve para pushkatimit

Vullneti i fundit i të dënuarve

Nga Kastriot Dervishi

Tri organizata opozitare të cilat ishin të paimplikuara me ideologjitë fashiste, naziste apo komuniste u goditën nga regjimi komunist në vitin 1946. Ngjarjet zhvillohen në vitet 1945–1946. Bashkëpunëtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit “Dara” (i legalizuar më vonë) erdhi nga Korça e nisi takimet me krerët e organizatave në Tiranë. Ai është personi i parë që raportoi emrat e anëtarëve të organizatave. SEMP-et (seksionet e mbrojtjes së popullit) e Tiranës, Vlorës, Korçës dhe Beratit u vunë në lidhje me qendrën për të pasur të gatshëm goditjen e grupit në fjalë, grup i cili pretendonte të merrte pjesë në zgjedhje. “Dara” në gusht 1945 u takua me Ivzi Golen, Sami Çeribashin, Tut Mënikun, Ali Kavajën etj. Grupin e Musine Kokalarit e bëri të njohur bashkëpunëtorja “Shkrimtarja” etj. Pasi të tri grupet i çuan një notë të përbashkët misioneve anglo-amerikane në Tiranë, në të cilën kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve dhe garantimin e tyre, në janar 1946 nisën arrestimet masive të pjesëtarëve të tri organizatave, por edhe të personave të tjerë pa lidhje me to. Pas 6 muajsh tortura në shtëpinë e Qorraliut në Tiranë, procesi gjyqësor u zhvillua në Tiranë më 17 qershor–2 korrik 1946. Nga 37 të pandehur, 4 ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Në përfundim, gjykata dha dënimet, ndër të cilat edhe ato me vdekje. Në ekzekutim, të ndjerët mbajtën qëndrim dinjitoz.

Deklarimet e fundit

Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga major Frederik Nosi dhe anëtarë kapitenët e parë Veledin Zeneli dhe Nexhat Hyseni, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten I Nevzat Haznedari, gjykoi më 17–30 qershor dhe më 2 korrik 1946 dha vendimin për grupin e madh që po gjykohej. Gjykimi i grupit bëhej në kushtet kur akoma nuk kishte filluar lufta e hapur kundër Britanisë së Madhe dhe SHBA-së. Procesi në fjalë është i pari që dha shenjën se këtej e tutje marrëdhëniet me këto vende do të prisheshin dhe Shqipëria do kishte lidhje më shumë me kampin e Lindjes. Në seancën e fundit, disa të pandehur shprehën hapur procesin e manipuluar. Musine Kokalari filloi të hedhë poshtë akuzat e ngritura ndaj saj, por kur e panë se kjo mbrojtje hidhte poshtë të gjitha ato që ishin thënë për të, nuk e lanë ta mbaronte, por iu dha fjala se fjalën do ta administronte trupi gjykues. Musineja tha:

“Kam punuar me Ballin Kombëtar. Xhelal Staraveckën s’e njoh fare. Me Ballin kam qenë si grup socialdemokrat. Anëtare e thjeshtë kam qenë… Kam qenë redaktore e gazetës “Zëri i lirisë”. Me Suat Asllanin kam pasur vetëm një bisedë e asgjë tjetër. Me Sami Çeribashin, Qenan Dibrën e Shaban Ballën kam pasur kontakt vetëm në mbledhjen për përpilimin e notës. Nuk kemi pasur qëllim të rrëzonim pushtetin me dhunë. Nuk kam bashkëpunuar me kriminelët e luftës. Kemi bërë një notë vetëm për shtyrjen e zgjedhjeve dhe asgjë tjetër. Kërkoj drejtësi.”

Gjergj Kokoshi pohonte: “Nuk kam sabotuar e tradhtuar popullin shqiptar kurrë.” Këtu ndërhyn prokurori Nevzat Haznedari, i cili e quan mbrojtjen e “kalbët” të avokatëve të cilët i quajti “hipokrite”, se Partia Socialdemokrate ishte në të vërtetë partia social-kriminale.

Sami Çeribashi deklaronte:

“Them me krenari se gjatë jetës sime i kam shërbyer shumë çështjes shqiptare duke e quajtur Shqipërinë si nënë e babë. Këtë e dëshmojnë plagët që kam në trup. Si njeri i moshës së kaluar, mjerisht s’munda të adoptohem me gjendjen e re dhe fatkeqësisht u përpiva nga rrymat e brendshme e të jashtme. Prokurori kërkoi dënimin tim kapital duke e përmbledhur në aparencë sikur këtu ekzistonte një grup klandestin, në lidhje me kriminelët e luftës. Për aplikimin e drejtësisë duhet të shqyrtohen të gjitha akuzat nga të cilat do të konstatohet se qëllimi për të cilin akuzohem, për mungesë organizimi mjetesh e rrethanash të tjera, ishte krejt i parealizueshëm.”

Vendimi

Ata akuzoheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesit gjatë luftës si edhe se ishin përpjekur të rrëzonin regjimin, të lidhur edhe me “kriminelë lufte”, se do të bënin “akte sabotazhi”, se ishin “agjentë anglo-amerikanë”, se ishin në bashkëpunim me “reaksionin e brendshëm” etj. Më 2 korrik 1946, u dhanë vendimet:

  • Me vdekje: Sami Çeribashi, Qenan Dibra, Telat Drini, Hivzi
    Golja, Mëniku, Xhahit Koka, Mehmet Beshiri, Shaban Balla, Ali Kavaja.
  • Me burg të përjetshëm: Prof Çoka, Anton Dukagjini, Lluka Bibi, Abdulla Musa, Enver Hasa.
  • Me 30 vjet burg: Gjergj Kokoshi, Kolë Rodhe, Mefail Skikuqi, Reiz Hasho, Qemal Biçakçiu.
  • Me 25 vjet burg: Nesti Orollogaj, Myrteza Beli.
  • Me 20 vjet burg: Musine Kokalari, Haki Gjinishi, Stefan Bumçi, Hasan Kalaja, Vahit Vervova.
  • Me 15 vjet burg: Suat Asllani.
  • Me 10 vjet burg: Musa Dizdari, Haki Karahoxha, Niko Beça, Llazar Papastoli.
  • Me 5 vjet burg: Semiras Vërlaci.

Të gjithë personat dënoheshin me konfiskimin e pasurisë, ndërsa ata që do të jetonin edhe me punë të detyruar dhe heqjen e të drejtës zgjedhore. Nesim Starova u dënua me 2 vjet burgim me kusht (u lirua menjëherë), Pjerin Shala me me 1 vit burgim me kusht (u lirua menjëherë). Taq Ruço dhe Xhevat Miluka u deklaruan të pafajshëm. Po brenda të njëjtës ditë, Presidiumi i Kuvendit Popullor la në fuqi vendimet me vdekje.

***

Procesverbali i ekzekutimit është si më poshtë:

Vullneti i fundit i të dënuarve

Vullneti i fundit i të dënuarve

Sot më datën korrik 1946 në orën 5 të mëngjesit u ekzekutuan të dënuarit me vdekje Qenan Dibra, Hivzi Golia, Sami Çeribashi, Talat Drini, Tut Mëniku, Xhahit Koka, Mehmet Ali Beshiri, Shaban Balla dhe Ali Kavaja.

Fjala e fundit e secilit në çastin e ekzekutimit ishte:

  1. Talat Drini: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
  2. Hivzi Golia: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
  3. Tut Mëniku: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
  4. Xhahit Koka: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
  5. Qenan Dibra: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
  6. Mehmet Ali Beshiri: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
  7. Shaban Balla: Ju lë kujdes fëmijën.
  8. Ali Kavaja: Rroftë Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve! Rroftë Shqiprija me Kosovën!
  9. Sami Çeribashi: Më në fund t’u plotësua dëshira o Prokuror. Edhe ti një ditë do ta paguash si unë. Rroftë Shqipërija me Kosovën!
  10. Qenan Dibra dorëzoi një letër të drejtuar familjes, me lutje që t’i dorëzohet.

Gazeta 55, 5 korrik ’18

Postime të ngjashme