1966-1970: Pionerët gurëskalitës të Beratit

gureskalitesit

Nga Ylli Polovina 

Agim Mero, shef i rinisë në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë, na ka treguar në një bisedë vetëm për vetëm një mister të kohës. Ramiz Alia i ka pohuar se për nismën revolucionare të gjimnazit “Naim Frashëri” të Durrësit kundër institucioneve dhe besimeve fetare, rreth drekës qe takuar me Enver Hoxhën dhe të dy arritën në një mendje që asaj iniciative të mos i jepej reliev i madh. Duhej të mbahej nën frenim.

Hoxha kishte qenë madje këmbëngulës që nismëtarëve t’u tërhiqej vëmendja për të mos shkuar larg. Ata, që nisma të mund të shpërndahej në të gjithë vendin, lipsej t’i bënin asaj dhe vetes disa korigjime. Në fund të bisedës Enver Hoxha pati porositur që Agim Meros t’i përcillej direktiva që rinia të ishte shumë e kujdeshme në veprimet e saj veçanërisht në krahinën e Shkodrës dhe të minoritetit. Këtu ndaj foltoreve dhe klerikëve të vepronte më pak se në pjesë të tjera të vendit.

Në darkë, ndërsa nuk qe takuar me asnjë bashkëpunëtor tjetër të lartë, Hoxha e pati telefonuar Ramiz Alisë të vinte tek ai. Sapo ky pati mbërritur, i kishte thënë menjëherë: “Biseduam për atë çështjen e fesë, po le ta zhvillojmë, ta lidhim një çikë edhe me emancipimin e grave se i kanë fejuar që në djep. Me këtë rast i kapim të dyja këto probleme”. Kështu edhe u la, e kundërta e asaj që patën gjykuar dhe vendosur pak orë më parë. Nisma e gjimnazistëve të Durrësit duhej nxitur të hovte. Sipas Alisë, pohuar kjo pas viteve nëntëdhjetë Agim Meros, Enver Hoxha për këtë temë duhej të qe këshlluar me të shoqen, Nexhmijen.

Mero ndërkohë dëshmon edhe një detaj tjetër të historisë tronditëse të kësaj “nisme revolucionare”, më namkeqja e të gjithave që ndërmori Partia e Punës e Shqipërisë dhe drejtuesi e saj gjatë gjysmëshekullit realkomunist: të rinj të Durrësit, gardistë të kësaj fryme, kishin shkuar në Shënavlash, e patën kapur prej mjekre priftin dhe nxjerrë jashtë nga kisha. I kishin thënë se foltoren e tij do ta bënin shtëpi rinie

Kjo ngjarje u botua të nesërmen në gazetë. Pasi Mehmet Shehu e pati lexuar shkrimin e kishte telefonuar Agim Meron dhe i qe shprehur:

“Mirë ka vepruar rinia e Durrësit! Po këtë xhaminë në qendër të Tiranës do ta lini këtu?”

“Nuk e kemi menduar akoma, shoku kryeministër”, i qe përgjigjur Mero.

“Mendojeni, mendojeni, po ajo dhjetë vetë dhe nja dy kazma do”.

“Do ta shikojmë, shoku Mehmet”.

Pas kësaj Agim Mero mori në telefon Ramiz Alinë dhe ky i tha shkurt: “Prit njëherë ta bisedojmë me shokun Enver”. Shkoi menjëherë tek Hoxha. Ky iu përgjigj prerë: “Në asnjë mënyrë!” Pastaj kish shqiptuar: Kujdes në Shkodër dhe në Dropull! (Por në 9 qershor 1973 PPSH, në një marrëzi dhe provokim politik të pashëmbullt, e kreu pikërisht në Shkodër gjestin më radikal të ndalimit të institucioneve dhe besimit fetar: ngriti muzeun ateist të Shqipërisë).

“Revolucioni kulturor shqiptar”, shpërthejnë nismat Iniciativa të tjera “revolucionare”, jo aq shumë famëkeqe siç ajo e ndezur në gjimnazin e Durrësit, do të merrnin jetë në Shqipëri, duke e kthyer atë edhe më shumë në një vend çudirash të pashëmbëllta. Kur shpërtheu ajo kundër burokracisë, thua e keqja kryesore e regjimit qe nëpunësi dhe jo vetë sistemi shoqëror politik i zgjedhur, nëpër shkolla u flakën në ajër fletoret dhe shpesh edhe u grisën nëpër oborret e tyre. Prej atij çasti nuk do të kishte detyra shtëpie, se ato ishin “burokraci”!? Në Berat, qytetin e lindjes së autorit të këtij shkrimi, ndodhi që pothuaj tërë fondi shkresor i Komitetit Ekzekutiv u ngarkua me kamion dhe u hodh në një zallishte në breg të lumit Osum. Aty nisi djegia e dokumenteve dhe sikur të mos kish ndërhyrë një nëpunës i vjetër arkivash gjithçka do të qe shfarrosur. Më pak e çoroditur nga e mësipërmja qe iniciativa e shndërrimit të tokave të kodrave dhe maleve në pjellore si edhe fushat. Dëmet e mëdha që u shkaktuan, nëpërmjet hapjes pa fre të tokave të reja, me përdhunën mjedisore ndaj pyjeve dhe bimësisë, diçka e kompensonte, për të lënë një gjurmë të mirë, sistemi i plantacioneve të agrumeve në buzë të detit Jon

Prej një shtyse pozitive u përhap politikisht në të gjithë Shqipërinë furtuna e luftës kundër zakoneve prapanike, veçanërisht atyre që vepronin negativisht ndaj gruas, një emancipim i tipit ultramajtist ky, por gjithsesi me disa rezultate të mbara për kohën. Sidoqoftë edhe këtu iu bashkëngjitën lëvizjes revolucionare e quajtura “lufta kundër shfaqjeve të huaja borgjezo-revizioniste”, e cila u duk prej fillimit të vet si një progrom i vërtetë kundër lirive të njeriut. Të gjitha këto “nisma” që nxiteshin nga lart, por për publikun sajoheshin sikur lindnin mes popullit, shtratin e shumimit e kishin në Kongresin e 5-të të PPSH. Kjo qe fidanishtja e tyre.

Delegacione të 25 partive marksiste-leniniste

Ky kongres i zhvilloi seancat e tij nga 1 deri 8 nëntor 1966 dhe kish profil të dukshëm ideologjik. Ai u kujdes të manifestonte “unitetin e fuqishëm” të partisë dhe spikati me sa mundi para opinionit publik vendas dhe sidomos atij të huaj praninë 25 delegacioneve të “partive motra” (“komuniste punëtore” cilësoheshin. Trembëdhjetë prej të cilave qenë nga Azia, njëmbëdhjetë nga Afrika, Oqeania dhe Amerika (kryesisht ajo e jugut), të tjerat nga Evropa. Në pushtet prej këtyre të fundit ishte vetëm ajo Rumune, çfarë mbetej përfaqësonin fraksione “marksiste-leniniste të vërteta”. Kongresit V-të të PPSH i kishin dërguar mesazhe urimi edhe 11 parti të tjera.

Me pak fjalën ajo paraqiti solidaritetin e 36 të tillave. PKK ishte e tridhjetë e shtata, parti e fuqishme në pushtet. Nga Kina pati ardhur anëtari i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, Kan Shen. Ky njihej si revolucionar i vjetër por dhe ideolog. Para se të mbante fjalën e tij përshendetëse lexoi mesazhin e Mao Ce Dunit, i cili qe tepër i nxehtë dhe dukshëm në mbështetje politike dhe ekonomike për planin e katërt pesëvjeçar të zhvillimit të Shqipërisë. (Kredia e madhe kineze do të vinte pas kësaj menjëherë dhe do të nisnin ndërtimet e hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit, shumë objekte për industrinë mekanike dhe atë metalurgjike).

Në kongres Enver Hoxha mbajti raportin e tij direktiv në ditën e parë të 1 nëntorit. Ai përbëhej prej pesë pjesëve, ku sipas rregullit “Gjendja ndërkombëtare dhe politika e jashtme e Shqipërisë Socialiste” qe parashtrimi i parë. E dyta pjesë përfshinte shqyrtimin e gjendjes ekonomike (plotësimi i planit të tretë pesëvjeçar dhe drejtimet kryesore për të ardhmen). E treta ishte “Forcimi i mëtejshëm i Partisë dhe i rolit të saj udhëheqës”, e katërta “Thellimi i mëtejshëm i revolucionit ideologjik dhe kulturor”. Pjesa e pestë dhe e mbylljes vendoste në qendër luftën e Partisë së Punës të Shqipërisë kundër revizionizmit modern “për mbrojtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit”.

Ndërsa katër prej tematikave të fjalës kryesore të Enver Hoxhës shkonin në përputhje të zakontë me modelet e mëparshme të raporteve kongresuale, e pesta, e pozicionuar në rreshtim si e katërta, qe lëndë shumë pak e dëgjuar në fjalorin politik të deri atëhershëm të regjimit. Cilët e kanë jetuar këtë çast, por edhe shumëkush tjetër që ka vëmendje ndaj historisë botërore, e kuptojnë fare qartë se çështja e thellimit në Shqipëri e revolucionit ideologjik dhe kulturor ishte rrjedhojë e ndikimit të Revolucionit të Madh Proletar Kinez dhe e detyrimit shpërblyes që Hoxha kishte kundrejt mbështetjes së dhënë nga Kina Popullore pas ndarjes me Bashkimin Sovjetik dhe tërë kampin socialist.

Tre muaj më parë nga fillimi i kongresit të pestë të PPSH, në 1 gusht 1966, Mao Ce Duni nisi në plenumin e njëmbëdhjetë të komitetit qendor të Partisë Komuniste të Kinës betejën kundër Katër Vjetërsirave. Edhe pse në thelb kjo qe një manovër për të ruajtur pushtetin e tij absolut prej reformistëve të shkathët Ten Siao Pin dhe Liu Shao Çi, për ta maskuar këtë rrethanë nxiti frymë lufte të masave popullore kundër korrenteve të vjetra të të menduarit, të kulturës, të zakoneve dhe të traditës. Sipas tij, këto “katër vjetërsira” e minonin shndërrimin e Kinës në një vend socialist. I mbështetur nga ushtria me në krye Lin Biao-n, Mao Ce Duni në 18 gusht 1966, nëpërmjet “gardistëve të kuq”, shpërtheu një sulm të përgjithshëm mbi krerët “revizionistë”. Manifestimet kryesore të revolucionarëve mbaheshin në Sheshin Tienanmen, por dhuna e tyre u shtri në të gjithë vendin, hapur kundër intelektualëve. Këto protesta të komanduara përfunduan pas tre muajsh, në 25 nëntor.

Kur në Tiranë mbahej Kongresi i 5-të i PPSH Revolucioni i Madh Proletar Kinez qe në kulm.

Thashetheme në Perëndim

Perëndimi që në çdo prag kongresi të PPSH-së vëzhgonte nëse më në fund Enver Hoxha do të hapej drejt tyre dhe pas prishjes fatlume në 1961 me sovjetikët mbase e përsëriste këtë edhe me kinezët, kapi të vinte nga Tirana një sinjal shprese. Lajmi që u formulua nga BBC, pa u mbyllur dita e 1 nëntorit 1966 thoshte se “Fjalimi hapës gjatë Kongresit të Partisë së Punës të Shqipërisë, i mbajtur nga udhëheqësi i PPSH-së Enver Hoxha, nuk e përmendi “Revolucionin e Madh Kulturor” kinez sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), e cila transmetoi fragmente të fjalimit të Hoxhës”.

Më tej: “…përmendjet e fundit të “Revolucionit Kulturor” në fjalimet zyrtare shqiptare kanë qenë shumë të rralla këto muajt e fundit dhe, me sa duket, shmangia e lëvdatave për Rojet e Kuqe sugjeron se edhe udhëheqësit shqiptarë mund të kenë pakënaqësitë e tyre për atë se çfarë po ndodh në këto momente në Kinë”. Po ashtu: “Shkalla e plotë e mosmarrëveshjeve të Shqipërisë me Kinën mund të bëhet e dukshme vetëm kur teksti i plotë i fjalimit të Hoxhës të bëhet publik (deri tani nuk ka ndodhur). Por nëse ai e përmendi “Revolucionin Kulturor” apo jo, fakti që agjencia zyrtare e lajmeve nuk e transmetoi atë gjatë përmbledhjes së fjalimit do të thotë shumë politikisht”.

Sipas BBC, Hoxha pati përshëndetur provat bërthamore të Kinës. Pasi përshkruante praninë në kongres të Kan Shenit dhe se atje “të vetmet vende komuniste që ishin të pranishme …janë ato që e konsiderojnë veten “neutrale” në debatin e fundit kino-sovjetik (Rumania, Koreja e Veriut dhe Vietnami Verior), analiza britanike vinte në dukje se “PPSH-ja bëri disa lëvizje që kishin ndërmend të afronin më shumë lidhjet mes Partisë dhe popullit”.

Në vëmendjen e Enver Hoxhës për nxitje “nisme revolucionare” hyn Berati

Atë fundviti 1966 muaji nëntor do të mbyllej me zbërthmin në bazë të direktivave të kongresit të pestë, po ashtu edhe dhjetori. Në 21 janar 1967 papritur nën qendërzimin e ciklonit enverist për nxitjen e nismave revolucionare hyri qyteti i Beratit. Këto ditë Hoxha pati bërë në Tiranë një bisedë me një grup të rinjsh e të rejash të brigadave vullnetare të aksioneve. U kishte komunikuar mbështetje rinisë së kooperativës bujqësore të Lapardhasë në rrethin e Beratit (zonë fushore), e cila pati shkuar vullnetarisht në Tërpan (zonë malore po në këtë rreth), për të ndihmuar fshatarët në hapjen e tokave të reja e për të ndërtuar terraca.

Gjashtë ditë më pas, në 27 janar, Enver Hoxha do të firmoste një letër të tij me adrese sërish Beratin. Ajo thoshte: “Té dashur pionierë, U gëzova pa masë sot kur mora vesh se Ju, të dashur djem dhe vajza të shkollave tetëvjeçare të qytetit, u organizuat, u armatosët me çekiçë e dalta dhe, nën drejtimin e mësuesve e gurgdhëndëtësve pensionistë filluat të ndërtonit në kohën Tuaj të lirë kalldrëmet e qytetit. Ju lumtë! Ju mësoheni që të vegjël të veni në rrugën e muratorëve e gurgdhëndësve të lavdishëm të vendit tonë që shekuj me rradhë e deri më sot kanë ushtruar një nga mjeshtëritë, një nga artet më të mrekullueshëm të njerëzimit. Veprat e këtyre baballarëve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë janë të pavdekshme, ne i shohim ato kudo në vendin tonë dhe i admirojmë, sidomos në qytetin Tuaj muze”.

E vijonte Hoxha, me frymëzim të dukshëm dhe elegancë komunikimi publik, letrën e tij: “Ju e filloni me gurët e kalldrëmeve dhe me këtë do t’ju ngjallet një dashuri e madhe për gurin, me të cilin do të bëni vepra të mëdha e të mrekullueshme për vendin. Në gur, si gjatë gjithë historisë së njerëzimit, Ju do të fiksoni për jetët veprën madhështore të partisë dhe të popullit tonë”.

Duke e kapërcyer sadopak këtë cen propagandistik të himnizimit të Partisë së vetme në pushtet dhe zakonit të keq të rreshtimit të veprave të saj para atyre të krijuara nga populli, Enver Hoxha shkon më tej: “Unë i kam dashur, i dua dhe i respektoj muratorët dhe punonjësit e gurit, prandaj vij sot tek Ju, të dashur të vegjël dhe vogëlushë, t’Ju përqafoj dhe t’Ju puth me dashuri që morët këtë inisiativë kaq të mirë. Ju siguroj se kur të vi në Berat, gjëja e parë që do të bëj, është të piqem me Ju dhe të shoh punën Tuaj.

Ju puth me mall të gjithëve

Enver”.

Poema e Ismal Kadaresë

Nisma kishte qenë ide e vetë pionierëve beratas të klasës së së tetë të shkollës “7 Nëntori” me ndërtesë ngjitur me muzeun e rrethit, atje ku qe formuar edhe Qeveria e Përkohshme Demokratike me kryeministër Enver Hoxhën. Nëndrejtoreshë qe një veprimtare shoqërore mjaft energjike, Gjena Toromani, si edhe mësues si Athina Kona, Ramadan Ago, Ermal Përmeti, Sidorinko Zaharia, Liljana Gora, Afife Mezini, Flamur Nallbani, etj

Iniciatorë prej pionierëve qenë nxënës të klasës së shtatë dhe të tetë, Piro Haxhistasa, Evelina Ziu, Luljeta Pasku, Persefoni Deçolli, Kozma Vrusho… Nisma titullohej “Të bëhemi gurskalitës, të shtrojmë rrugët me kalldrëm dhe ta bëjmë më të bukur qytetin tonë muze”. Shkurt: Gurëskalitësit. Për këtë aksion vullnetar gurgdhendjeje, i cili po përhapej në të gjitha tetëvjeçaret e Beratit, pionierët e kësaj shkolle e të tjerë i kishin dërguar më parë një letër Enver Hoxhës. Ky veprim shkaktoi një fjalënajë se në të gjithë këtë kishte diçka të organizuar që më herët. Sipas kësaj thashethemnaje, nxitës kryesor qe Komiteti i Rinisë së rrethit të Beratit, drejtues të të cilit patën përfituar nga një mërzitje e Enver Hoxhës me qytetin e vet të vendlindjes, Gjirokastrën. Ky gjendjen e kalldrëmeve e kishte keq. Madje nuk mjaftonte kjo, por edhe nuk lëviznin nga vendi ta korrigjonin atë. Dhe duke qenë se pionierët gjirokastritë ende dremitnin, Hoxha u hapi krahët të vegjëlve shamikuq beratas.

Ndërkohë në qytetin e “një mbi një dritareve” pati ndodhur edhe një rrethanë lumturuese: me nismën e pionerëve ishte bashkuar edhe Vasil Karakashi, një usta i vjetër dhe duarartë me origjinë nga Mbreshtani, fshat i dalluar për ndërtimin e kalldrëmeve me gurë të gdhendur. Xha Vasili ato kohë pati dalë në pension. Ky punëtor i palodhur banesën e familjes së vet e kishte ngjitur me oborrin e shkollës “7 Nëntori”. Ai qe edhe baba dëshmori: Gaqi Karakashi, pati rënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Bashkë me xha Vasilin, por jo vullnetarë si ai, gurgdhendesit e vegjël i ndihmonin disa teknikë dhe punëtorë të Shërbimeve Komunale të qytetit, sepse shtrimi i kalldrëmeve ishte një mjeshtëri jo e lehtë.

Ndërkaq me një letër të tejngarkuar me gjuhë të politizuar, formulim në zyrat partiake të Beratit, ndryshe nga stili i Hoxhës, i cili qe më i çlirët, pionierët e qytetit i kthyen përgjigje Enver Hoxhës. Ajo thoshte: “Sot rrugët e qytetit tonë oshëtinë nga brohoritjet dhe këngët tona për Partinë, për Ju, udhëheqës i dashur i popullit tonë. Ne, gurskalitësit beratas, shkuam në takimin tonë të parë, për të shkëmbyer përvojën tonë të punës dhe s’ishim pak, por qindra djem e vajza pionierë: të gjithë mbajmë emrin “gurskalitësa”. Shkëlqejnë sot në duart tona çekanët dhe daltat, sa hije na kanë përparëset e punës!”

Në mbyllje të saj: “Letra juaj e ngrohtë na dha fuqi, na shtoi vrullin dhe dashurinë për punë. Ja si u shpreh në poezinë e saj një shoqja jonë guskalitëse:

Do të rritem unë

Me letrën në gji,

E gatshme për punë,

E fortë nënë Parti”.

Ju dërgojmë përqafimet më të ngrohta. Përshëndetje të zjarrta pionieri!”

Përafërsisht në këtë kohë, në 6 shkurt 1967, Enver Hoxha kishte mbajtur fjalimin e tij direktiv “Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit”. Në 27 shkurt pati vijuar me “Praktikat fetare t’i luftojmë” dhe në 2 mars “Komunistët të udhëheqin me shëmbullin e tyre”.

Revolucioni kulturor shqiptar, me një dallim të dukshëm nga ai kinez, por brenda të njëjtës frymë, ndërsa e kishte ndalur vrullin në Pekin, në Tiranë i pati ndezur motorrat. Marsi ishte edhe muaji kur në faqet e gazetës “Pionieri” u publikua poema e Ismail Kadaresë “Gurgdhendësit”. Vizatimet e saj shoqëruese qenë bërë nga piktori Bujar Zajmi. Thoshte poema: “Keni qenë kudo por mbase jo në Berat”, pastaj strofa “Ky qytet është i bukur, /Ky qytet është i vjetër/Shtëpitë i kanë hypur/Mbi kurriz njëra-tjetrës”. Kadare shprehej si gurët qenë pjesë shkëmbinjsh të fortë, se ata qëndruan aty ku i vunë. Mbi to, zhdërvjelltësonte përfytyrimin e tij poetik, njerëzit kalonin të gëzuar apo të brengosur, ndërkaq që ata gurë të fortë kishin duruar t’u kalonin sipër qeret, por edhe tanket. Veç erdhi një ditë, thoshte poema, me këtë rast duke e bërë rrëfimin mjaft të bukur dhe të afërt me psikologjinë e fëmijëve, “Boshllëqet e mira/Nuk sjellin, veç dëme/Qoftë në mësime,/Qoftë në kalldrëme”.

Pastaj rrjedhshëm si ujë kroi: “Kalldrëmi i rralluar/Kalldrëmi q’u plak/Seç zgjoi një trishtim/Në qytetin Berat.

Poema “Gurgdhendësit”

Thoshte në vijim poema “Gurgdhendësit” e Ismail Kadaresë, e botuar në gazetën “Pionieri” në mars 1967: “Aherë pionierët/U ngritën e thanë/Në qytetin Berat/Trishtimet vend s’kanë.

A do lemë ne vallë/Kalldrëmet të prishen/Të mbushen me gropa/Të tilla, të përzishme?

Jo. Gurëve që ranë/Si ushtarë në shërbim/Vëndin t’ua zënë/Me gurë të rinj.

O burra çekiçët/T’i kapim me vrap, /Të gjëmojnë prapë lagjet/E qytetit Berat.

Kështu ata thanë/Dhe u vunë në rradhë/Por befas dëgjuan/ një të qeshur të madhe.

Po qeshte qyteti/Sikur do të shëmbesh/(Ju s’dini çdo të thotë/E qeshur kalldrëmesh!)

O çuna të vegjël/ Ç’po bëni kështu/ Kjo punë është e rëndë/Kjo punë s’është për ju.

Ne na kanë gdhendur/ E na kanë shtruar/Mjeshtra me nam/Të kohës së shkuar.

Po ku dini ju/Të fshehtat e gurit/Djema me kokë/ S’i bihet murit.

T’i latosh gurit/qoshet e egra/Ësht’ gjë m’e zorshme/Se sa algjebra.

Në vend që shpinën/Të na e ndreqni/Do na shëmtoni/Do na marrë dreqi

Kjo punë s’është për ju/Kjo punë do thinja/Shkoni lozni, më mirë/Me top në lëndina.

Aherë pionierët/Ju thanë me inat/Kalldrëme, ju flisni/Si burokratë.

Ne mjeshtërinë/ e të parëve/Do ta mësojmë/Prej ustallarëve.

Dhe vrapuan të gjithë/Dhe u vunë në garë/Mjeshtërinë e gurgdhëndësit/Të mësojnë sa më parë.

Çak-çuk po i binin/Gurit të fort/Pa nisi të bindej/Çdo gur kokëfortë”.

77 strofa të Ismail Kadaresë

Më tej: “Çak-çuk çekiçi/Kalldrëmeve bije/Postjeri një letër/ të dashur po bije.

Po ç’është kjo letër/Që e sjellin me vrap/në qytetin e vjetër/ Me emrin Berat?

“Të dashur fëmijë/Ju puth me mall/Ju sot më dërguat/ një gëzim të madh.

Çekiçët tuaj/Që në Berat ranë/Gjer tek unë u dëgjuan/Këtu në Tiranë….

” Poema e Ismail Kadaresë do të vazhdonte me vargje të tjera të ndjera dhe entuziaste:

“Kur çekiçi troket/Ritmikisht mbi gurë/Kjo është muzikë,/Kjo është skulpturë”.

Gjithnjë duke perifrazuar me një të shkruar të këndshëm vetë letrën e Hoxhës, e cila në stilin e saj të komunikimit me të vegjëlit ishte me të vërtetë e bukur, poema thurrte harmoninë e fjalëve me rimë të gëzueshme: “Me çekiç mjeshtrit/Në gur duke goditur/Mbi portat e shekujve/Njëkohësisht kanë trokitur./Mjeshtërinë e gurgdhendësit/E kam dashur un’ shumë/Nga zemra ju uroj/ Suksese në punë”.

Poema me 77 strofa, e cila menjëherë do të bëhej popullore jo vetëm mes pionierëve të Beratit, por gjithkund edhe në qytete të tjera, mbyllej kështu: “Po ndreqni kalldrëmet/Apo veshët më bënë?/Po ç’mjeshtra me nam/Gurët po vënë?”/”Këto zhurrma çekiçësh/Që veshi të kap/Janë të pionierëve/Të qytetit Berat”./”Çak-çuk, çak-çuk/Zhurrma nuk sos/Shekujt e kanë qejf/Alfabetin Mors./ Çak-çuk, çak-çuk/Në qytetin Berat/Gjëmojnë kalldrëmet/”Kemi lindur me fat”./Shtrënguar krejt/Të vjetër të rinj/Gurët në rresht/ si ushtarët rrijnë”.

Për Ismail Kadarenë pionierët e shkollës 8-vjeçare “7 Nëntori”, ku në fillim të vitit 1966 lindi nisma “Të bëhemi gurskalitës, të shtrojmë rrugët me kalldrëm dhe ta bëjmë më të bukur qytetin tonë muze”, nuk e kishin një shkrimtar të largët, por mjaft të afërt. Ai qe lidhur me Beratin në zbatim të komanduar të një nisme tjetër për t’i vendosur në bazë shkrimtarët dhe prej andej të shkruanin për transformimet që po bëheshin nëpërmjet revolucionit kulturor shqiptar, i cili, e spikatëm në shkrimin e mëparshëm, ishte në solidarizim me atë kinez, maocedunist, por jo i ngjashëm. Qe sadopak më liberal. Ismail Kadare para se të thurrte poemën e tij “Gurgdhendësit”, më të dukshmen krijimtari për Beratin, (sepse më të famshmen dhe më artistiken ka pasur poezinë “Mësueset e fshatit”), kishte ardhur në shkollën “7 Nëntori” në takim me rrethin letrar të saj.

“Do të plehërojmë me pleh të lagët fekale 20 ha grurë, do të prashisim 5 ha grurë, do të grumbullojmë 20 kv glasë”… Ndërkaq që poema filloi të mësohej përmendësh dhe recitohej në qytetin e “një mbi një dritareve”, në 7 prill 1967 Enver Hoxha pati mbajtur fjalimin e tij “Në luftë kundër besimeve fetare ka një rrugë”. Sigurisht këtë shteg ai e kish gjetur me veprimin më të pandodhur në botë, të cilin e bëri pa iu dridhur dora: mbylli të gjitha institucionet e besimeve muslimane apo të krishtera, ortodokse dhe katolike.

Berati ishte një qendër e madhe e tyre, me traditë historike shumë të gjatë e të fortë.

Ismail Kadarenë dhe pionierët gurgdhendës, të cilët pak nga pak po bëheshin të rinj dhe anëtarë të BRPSH-së, kjo gjendje e re “revolucionare” i gjeti aty, në qytetin e “një mbi një dritareve”. Por këtij subjekti në këtë cikël me dy shkrime po i mënjanohemi.

Në verën e motit 1967, ndërsa brezi i nismëtarëve të kalldrëmeve të shtruara me gurë të gdhendur pati mbaruar klasën e tetë dhe do të regjistrohej në gjimnaz, ndërkohë që iniciativën e patën mbështetur edhe klasat më të ulta, pionierët beratas pushimet mes të viteve mësimorë i përdorën për të ripërtërirë kalldrëmet e lagjes së tyre të vjetër të Mangalemit, por dhe të Kalasë, të kodrave të tjera të populluara të qytetit. Të parën rrugë që e kishin bërë gjer më tani, e patën quajtur “Pionieri”.

Kjo fushatë aksioni veror në të tre muajt pushimeve dha një rezultat befasues: në të gjitha anët e lagjes “13 shtatori”, siç quhej Mangalemi, u shtruan 2722 metra katror kalldrëme. Shkolla “7 Nëntori” shtroi edhe kalldrëmin e sheshit para muzeut, selisë së dikurshme të Qeverisë së Përkohshme Demokratike. Ndërkohë letra Enver Hoxhës, në mbështetje të nismës së beratasve, i dërguan edhe pionierë nga Lushnja dhe Kruja. Madje edhe pionierët e shkollës “Thimi Tani” të qytetit të Beratit i patën dërguar një letër Enver Hoxhës.

Tashmë nisma qe përhapur edhe në fshatrat e rrethit. Pionierët e Poshnjës edhe ata i bënë letër Hoxhës, në të cilën mes të tjerash i shkruanin me numër rendor detyrat që i kishin vënë vetes: “I dashur Xhaxhi Enver, pasi u njohëm me …”, “Do të plehërojmë me pleh të lagët fekale 20 ha grurë, do të prashisim 5 ha grurë, do të grumbullojmë 50 kv hi, do të grumbullojmë 20 kv glasë, do të pastrojmë, mirëmbajmë dhe ndërtojmë 3 km rrugë…”

Nismën e bukur të pionierëve të Beratit “fryma revolucionare” dhe dogmatizmi politik po e bastardonin. Historia e grumbullimit të hirit nëpër familje nga sobat e tyre dhe e dorëzimit të tij çdo ditë kur nxënësit vinin në mësim, u bë e zakonshme edhe nëpër shkollat e qytetit të Beratit.

Politika kërceu në plan të parë.

Në 12 korrik Enver Hoxha kishte mbajtur fjalimin tjetër të tij: “Në revolucion partia i bën të ndërgjegjshme masat”. Në 16 shtator erdhi fjalimi i radhës: “Të çojmë në masat frymën e kongresit”. Në 30 tetor Hoxha shpërtheu tjetrin: “Revolucioni ecën kur merr pjesë rinia” dhe një ditë më pas “Nxënësit dhe mësuesit tanë janë revolucionarë”. Ndërkohë gazeta “Pionieri” pati botuar një skicë të nipit të mjeshtrit gurgdhendës Vasil Karakashi, Gaqit, i cili pati marrë emrin e dëshmorit. Titullohej “Kështu si gjyshi”. Niste me fjalët e treguara thjeshtë: “Që kur isha i vogël më bënte përshtypje gjyshi im. Gjithë ditën me çekiç në duar rrinte. Herë rregullonte në mur ndonjë gur të rrëzuar, herë skaliste një tjetër dhe mundohej ta vendoste në rrugicën përpara shtëpisë. Në një cep të oborrit qëndronte e varur torba me veglat e tij të punës. Sa hynte gjyshi brënda, vrapoja fshehtas tek torba, merrja njërën prej veglave dhe me gëzim të madh i bija gurit të lënë në mes. Gjyshi që brënda në dhomë qeshte…

Nipi gurgdhendës i ri i gëzohej ndihmës që u jepte pionierëve gjyshi i tij, xha Vasili, ato kohë një pensionist 70 vjeçar, të cilit nga roli i ri që pati marrë ishte rinuar, çelur shumë në fytyrë. Gaqi i vogël kishte dy modele jete, gjithsesi pjesë të njëra-tjetrës. Përveç gjyshit me atë shpirt të madh përkushtimi për të zbukuruar rrugët e kalldrëmta të pjesës së vjetër e të lashtë të qytetit të Beratit, qe edhe dëshmori. Jeta e tij ishte për katërmbëdhjetë vjeçarin edhe më shumë frymëzuese. Djalin e tij të madhe, Gaqin, dëshmorin e mëvonshëm, të lindur në katundin Mbreshtan në 1927, i jati marangoz e pati nxjerrë në punë për nevoja familjare që fare të vogël, sapo mbaruar katër klasat e fillores. Në fillim punoi çirak tek një kazanxhi në Berat dhe pastaj çirak te një rrobaqepës në Urën Vajgurore. Më pas u punësua në mencat e shoqërisë italiane të nxjerrjes së naftës, AIPA, ku duke qenë fshehtas i ri antifashist, punoi deri në prill 1943. Këtë kohë mori pjesë në atentate kundër dy spiunëve, u arrestua nga karabinierët dhe për mungesë provash u lirua.

Afishoi trakte në mencën italiane të fshatit Polovinë dhe pastaj në kazermat e batalionit fashist që quhej EM. Në fillim të muajit korrik 1943 u hodh në rreshtat partizane. Në fillim shkoi në çetën e Shpiragut, më vonë në batalionin e rinisë së Beratit. Kur u formua Brigada VII-të u rreshtua në kompaninë e parë të saj, batalioni tretë. Në operacionin gjerman të qershorit u plagos dhe u shtrua në spitalin e Dobrushës. Këtu u kap nga forcat e amatosura të Ballit Kombëtar, por gjatë rrugës, ndërsa po e sillnin në Berat, u iku. Megjithatë duke e ndjekur ballistët e riplagosën. Nuk vdiq, por vijoi luftën partizane, duke e dhënë jetën në 4 shtator 1944 në sektorin Polovinë, ndërsa po bëhej beteja për çlirimin e Kuçovës.

Mehmet Shehu vjen për gurgdhendësit dhe përfundon në akuza politike kundër një piktori.Ai dërgohet në prodhim.

1968-ta ishte moti i 60-vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës. Kjo rrethanë parashikonte ngritje më të hovshme të revolucionit kulturor shqiptar. Në 13 shkurt në Berat, qytetin e përfshirë në të, u shfaq Mehmet Shehu. Kishte ardhur posaçërisht për t’u takuar me pionierët e nismës së shtrimit të kalldrëmeve me gurë të gdhendur. U kuptua qartë se në qytetin e “një mbi një dritarave” po përgatitej një vizitë e ardhshme e Enver Hoxhës.

Në mbledhjen e posaçme që u bë, kryeministri tha se “duke marrë parasysh atë që kanë bërë pionierët beratas, Presidiumi i Kuvendit Popullor ka dekoruar me medaljen e punës 14 pionierë gurskalitës dhe të tjerë me fletë lavdërimi”. Atëherë prej pionierëve të dekoruar, në shtyp zuri vend Thëllëza Kanani, bijë e një familjeje të thjeshtë punëtore. Ishte esmere. Midis gurëskalitësve të dekoruar ishin dhe Elda Vera, Agustina Aleksi, Kujtim Drini, Jeta Myzeqari, Kozma Vrusho, etj U dekorua edhe xha Vasili, si edhe një mjeshtër tjetër që për gurgdhendje ndihmonte pionierët e shkollës “24 maji”.

Emri i tij qe Mustafa. Pas kësaj veprimtarie me kryeministrin të gjithë pionierët dolën nëpër qytet, duke parakaluar dhe brohoritur. Prej gëzimit u bë festë. Por që prej të nesërmes kjo u spraps nga kureshtja e qytetit. Qe një ngjarje tjetër që kishte përpirë tërë vëmendjen e beratasve, përfshi edhe pionierët gurskalitës.

Gjatë vizitës që bëri në një ekspozitë në pallatin e kulturës, ku u mbajt edhe takimi me gjestin e dekorimit, Mehmet Shehu qe zemëruar me vizatimet e një piktori dhe skenografi vendas, i quajtur Yzedin Shelegu. Kishte bërtitur me të madhe “Ky nuk është sheleg, por një çakall”. Kjo do t’i kushtonte jo pak represion artistit, i cili menjëherë u dërgua të punonte punëtor në ndërmarjen komunale të qytetit “për të njohur klasën punëtore” dhe iu desh kohë të normalizonte marrëdhëniet me regjimin e të rikthehej në profesion.

Ndërkohë aksioni i gurgdhendësve të vegjël do të bëhej qendër tërheqjeje edhe për funksionarë të tjerë të lartë të asaj kohe. Erdhi në Berat Spiro Koleka dhe kërkoi ta shoqëronin në lagjen e Mangalemit, tek kalldrëmet e shtruara nga pionierët vendas. Ai një çast bëri vërejtjen për një pjesë të pashtruar mirë: “Rregullojeni mirë se do të vijë shoku Enver!” Pas kësaj kishte dalë në foto me gurskalitësit. Nuk mungoi me vizitën e saj në Berat, siç dëshmon me një foto ustai gurgdhendës Kujtim Çifliku, edhe Vito Kapo. Për çdo ngjarje tjetër që vinin, qoftë edhe për një mbledhje të zakonshme me drejtuesit e rrethit, të gjithë funksionarët e lartë do të takoheshin me pionierët gurskalitës dhe do të shihnin kalldrëmet e tyre.

Duke mbledhur zaje për të shtruar kalldrëmet mbytet një pioniere

Ndërkohë makina e madhe propagandistike e shtetit punonte për t’i popullarizuar kalldrëmshtruesit e vegjël. Nuk munguan jo vetëm artikujt, emisionet radiofonike, por edhe dokumentarët. Njërin prej tyre Kinostudio e Re e bëri në Belsh, ku në atë pejsazh të bukur liqenor, për t’u xhiruar, pionierët e Beratit qëndruan dy ditë, shkëmbyen eksperiencë për inisiativën dhe lidhën miqësi me pionierë nga Elbasani. Ndërkaq në Berat, me tekst të poetit Sulejman Mato dhe muzikë të kompozitorit Sotiraq Konçi filloi përgatitja e një operete për gurskalitësit. Aktorë e këngëtarë qenë vetë pionierët. Ishin mes tyre edhe emra që më pas u bënë shumë të njohur si Ruzhdi Karaj dhe Kozma Dushi.

Opereta niste me episodin e ardhjes së letrës së Enver Hoxhës.

Ndërkohë një përfaqësie të gurskalitësve u ndodhi të bënin të anasjellën e vizitave të të mëdhenjve të regjimit: të shkonin ata në Tiranë për t’i takuar dhe raportuar mbi punën e tyre. Po të qe e mundur do të përpiqeshin të hynin edhe në paradhomën e zyrës së Enver Hoxhën. Qenë në krye të këtij veprimi Kozma Vrusho, ndër më të spikaturit e gurgdhendësve si edhe komandanti i çetës së pionierëve të shkollës “Thimi Tani”, nxënës i klasës së shtatë, por që tashmë po fitonte njohje të madhe për zgjuarsinë dhe oratorinë e tij: Abdyl Pilafi.

Doemos me ta edhe Gaqi Karakashi. Ishte ai që bënte kujdes të mos u dëmtohej një gurgdhendje e posaçme e fjalëve “Parti-Enver”, punuar me “gushë pëllumbi”. Ky qe një gur me ngjyrë të butë e të ëmbël gri. Por në Komitetin Qendror një instruktor që doli tek dera e hyrjesturrte , u tha se Enver Hoxha ato çaste ishte i zënë. Kështu gurgdhendjen e bukur e morën me vete. Xha Vasili e kish skalitur atë gjatë tërë një nate para se pionierët të merrnin udhën drejt Tiranës. Ishte ende dimër kur ndodhi kjo, çfarë doemos u solli të vegjëlve një trishtim që mezi e fshihnin. Në verë ata do t’i përfshinte si dallgë një ngjarje shumë e dhimbshme. Duke mbledhur zaje buzë Osumit për të shtruar kalldrëmet njëra nga gurskalitëset, Polikseni Cilivriqi, do të rrëshqiste në ujë dhe e rënë papritur në thellësi të madhe, do të mbytej.

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/1966-1970-si-i-futi-enver-hoxha-ne-histori-gureskalitesit-e-vegjel-te-beratit-460339.html

http://shqiptarja.com/dossier/2711/berat-1967-1968-nga-gur-gdhendja-artistike-tek-mbledhja-e-fekaleve-460604.html

Postime të ngjashme