1986 / Vrasja në kufi e Bebi Shametit

bebi shameti

Nga Kastriot Dervishi | Gazeta 55, 9 qershor 20

Kishte vazhdimisht një ëndërr, të shkonte jashtë shtetit e të përkushtohej në filmografi apo diçka e përafërt me të. Dy herë u orvat në të njëjtin rreth, atë të Librazhdit. Herën e dytë, vetëm, por u vra. U burgos 20 vjeçar. Doli prej burgut 30 vjeçar. Pas 10 vjetësh provoi të arratisej sërish.

Dënimi i parë për arratisje

Bebi Xhelo Shameti, lindur më 6.4.1946 në Delvinë, banues në Tiranës së bashku me shokun e tij Vladimir Aleko Kosturi, lindur në Hoshtevë të Gjirokastrës më 10.7.1947, tentuan të arratisen. Dy të rinjtë, në moshën 20 dhe 19 vjeçare ëndërronin jetën e lirë në Europë dhe Amerikë. Fillimisht ata u larguan nga Tirana në Durrës. Pastaj nga Durrësi udhëtuan me tren deri në Elbasan. më pas vazhduan rrugën me makinë deri në Qukës. Nga këtu, duke ecur natën, arritën në fshatin Rrajcë Skëndërbeg. Kur ishin vetëm 2 kilometra lar kufirit më 23.6.1966 u kapën nga banorët Rakip Riza dhe Tahir Hana. Gjykata e Qarkut Tiranë, me vendimin nr.37, datë 15.9.1966, në bazë të nenit 64/10/13, të Kodit Penal i deklaroi fajtorë dhe i dënoi: Bebin me 10 vjet burgim dhe Vladimirin me 8 vjet (i cili u ridënua edhe dy herë të tjera në burg). Dënimi jepej me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.178, datë 18.10.1966 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Bebi u lirua më 28.3.1976 nga Reparti 303 Spaç.

Përpjekja e dytë për arratisje

Më 8.6.1986 Bebi u orvat për herë të dytë të kalojë kufirin. Këtë herë ishte i vendosur të arratisej me çdo mjet, por të mos kapej e burgosej. Për këtë kish gjetur një pistoletë. Ishte 40 vjeç. Sërish zgjodhi Rrethin e Librazhdit, sektorin e Hotolishtit. Në orën 5.25 pengesa elektrosinjalizuese jep sinjalin në postën kufitare për prekjen e telave. Nënoficerët Hazis Ngjelina (i qenit), Agim Shebegu dhe ushtarët Luan Kodra, Fakir Çelepia dhe Viktor Manellari, iu vunë në ndjekje. Kur iu afruan 30 metra, Bebi i bëri thirrje të mos ta ndiqnin dhe qëlloi Shebegun dy herë në dorë me pistoletë. Njësiti kufitar qëlloi në drejtim të Bebit nga disa drejtime dhe e vrau. Sipas komunikatës ditore të MPB-së, grupi operativ kish shkruan në vendngjarje me 7 orë vonesë.

Postime të ngjashme