1990 / Krim në kufi, si u pre ëndrra australiane e djaloshit

Nga Kastriot Dervishi

Mbrëmjen e datave 9-10 qershor 1990, dy shokë nga Orman Pojani i Korçës, përkatësisht 25 dhe 27 vjeç, u orvatën të arratisen nëpërmjet Postës Kufitare të Shelegurit të Rrethit të Kolonjës. Të rinjtë kishin dëgjuar se kalimi i kufirit nuk quhej më “tradhti ndaj atdheut”. Fatmir Duro synonte të largohej sepse kishte njerëz në Australi, ndërsa shoku i tij që martohej pas disa ditësh, synonte të mëkëmbej ekonomikisht. Pikërisht në orët e para të datës 10 qershor 1990 (ora e vrasjes është kontradiktore me synim manipulimi), ushtarët e kufirit i pikasën. Ata vranë 27-vjeçarin Fatmir Duro. Gjithë posta me në krye komandantin është ngritur në këmbë. Nuk e kanë fshehur kënaqësinë se “e vranë njërin”. I ndjeri Fatmir shihet në foto i masakruar me një prej plagëve më të çuditshme që mund të sjellë një vrasje. Personi tjetër mundi të largohej nga vendi i krimit, por u arrestua nga një polic në Barmash. U dënua me 3 vjet e gjysmë burgim për orvatje të paligjshme të kalimit të kufirit.

Komunikata e MPB-së nr.136, datë 11.6.1990

Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27 banues në Orman Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës kufitare Shelegur. Në përpjekjen e orës 8.00, 10.6.1990, u vra për tentim të paligjshëm kufirit Fatmir Ismail Duro, banues në Orman – Pojan të Korçës.

* * *

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Hetuesia e Përgjithshme

Lënda: Për Fatmir Duron nga Korça u vra duke kaluar kufirin në mënyrë paligjshme

Ministrit të Punëve të Brendshme

Simon Stefani, Tiranë

Në datën 9.6.1990 në pikën kufitare Shelegur në Ersekë tentuan të kalojnë kufirin për në Greqi, Fatmir Smail Duro vjeç 25 dhe Irfan Sali Liçi vjeç 27 të dy banues në fshatin Orman të rrethit të Korçës. Hetuesia e rrethit filloi çështjen penale për kalim të paligjshëm të kufirit. Në datën 9.6.1990 rreth orës 24.00 Irfani në bashkëpunim me Fatmirin tentuan për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Të dy këta persona afërsi të kufirit në sektorin e postës kufitare të fshatit Shelegur u ndeshën me njësitin kufitar. Ju është bërë thirrje për t’u dorëzuar, por ata nuk kanë ndaluar. Njësiti i kufirit ka shtirë me armë duke vrarë Fatmir Duron. Kufoma e tij iu dërgua familjarëve. Irfani ka mundur të largohet përkohësisht, por u kap pas disa orësh dhe u arrestua. Më 17.6.1990 u dërgua në gjykatë.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme.

Dëshmitë e hetimit, Irfan Lici, nga dasma, në kufi e … në burg

Trupi i Fatmir Duros ka qenë i masakruar nga plumbat e shumtë që e kanë përshkruar atë. Në mes të gjoksit madje këqyrej një plagë shumë e madhe. I shpëtuari nga atentati, shoku i tij Irfan Lici u arrestua dhe iu dha gjyqit. Në muajin korrik ai kishte ditën e martesës. Në fillim ai nuk tregon të vërtetën, pastaj në rrëfimin e dytë tregon historinë e ngjarjes në kufi.

I ndjeri Fatmir Duro, i vrarë në kufi

I ndjeri Fatmir Duro, i vrarë në kufi

Irfan Lici: Mbasi u bënë ndryshime të ligjit nga Kuvendi Popullor (të majit 1990 — shënim), mua më kapte vazhdimisht dhe më bënte muhabet Fatmir Duro. Me të kisha muhabet si me fshatarët e tjerë. Pas ndryshimit të ligjit ai më rrinte afër. Ai më kishte thënë se kishte njerëz në Australi, gjë që unë e dija, pasi ai kishte marrë vazhdimisht dhurata. Ai më tha se kushëriri i tij në Australi kishte vdekur dhe pasurinë e tij do ta trashëgonte Fatmiri. Në këtë kohë ka ardhur në shtëpi Fatmir Duro. Ai nuk hyri brenda, por vërshëllente nga jashtë. Ka ardhur dy herë në mbrëmje e pastaj ka ardhur në mëngjes. Mëngjesin e 9 qershorit 1990 unë kam marrë në një valixhe nga shtëpia rreth 1 000 lekë. I kam thënë babait se do shkoj të blej rroba dhe ushqime për dasmën time që ishte caktuar më 29 korrik 1990. Fatmiri me tha të gjeja një biçikletë e të nisesha, se na vajti vonë. Nga Luboniku në Korçë erdhëm me autobus urban. Mendimi i Fatmirit se do të mund të iknim e do i sillnim para familjes, ma prishi mendjen. Unë nuk kisha ardhur asnjëherë në Rrethin e Kolonjës, ndërsa Fatmiri kishte ardhur disa herë, kishte parë vendin e piramidën që dukej nga rruga. Meqenëse më datën 9 qershor 1990 me Fatmir Duron do kaloja kufirin u kam thënë njerëzve të shtëpisë se do therja cjapin që kisha blerë e do thërrisja vjehrrin tim Nizam Berberi dhe të fejuarën Ardiana. Në darkë erdhi edhe vëllai që është ndarë nga ne, Nazmiu. Atë natë hëngrëm dhe pimë në shtëpinë time. Unë nuk iu kisha thënë gjë njerëzve të shtëpisë, që do kaloja kufirin. Deri në orën 17.30 kemi qëndruar vërdallë në Ersekë. Më pas i kemi hipur autobusit të Lekovikut. Nga autobusi kemi zbritur në fshatin Radanjë. Kemi zbritur deri te vendi ku dukej piramida. Fatmiri më tha se do prisnim deri sa të errej mirë. Jemi nisur nëpër pyll. Rreth orës 23.30 kemi dëgjuar një të shtënë arme. Me të dëgjuar këtë nuk kemi ecur më, por kemi qëndruar në një vend të fshehtë. Unë aty ku qëndruam, kam fjetur dhe gjumë. Fatmiri nuk fjeti, se mërdhinte. Ai ishte veshur hollë, ndërsa unë trashë. Ai më tha të iknim, pasi nuk e dëgjonte më zhurmën, por dëgjoheshin vetëm disa të lehura qeni. Rreth orës 2.00 te datës 10 qershor 1990 u nisëm përsëri, pasi ikëm ca në drejtim të kufirit ku dukej piramida. Aty kemi qëndruar derisa zbardhi drita. Me t’u gdhirë Fatmiri më tha të vazhdonim rrugën. Kemi kaluar në një vend me tela që bënin zhurmë. Dëgjuam zëra ushtarësh dhe u kthyem para. Qëndruam të tërhequr, derisa nuk u dëgjuan më zhurma. Ora ishte 7.00. Kemi ikur në krahun e djathtë për t’iu shmangur ushtarëve. Pamë një arkë aty, por Fatmiri më tha të mos e shkelja, se jepte sinjal. Kemi kaluar në brezin e butë duke kaluar mbi gurë, qe të mos linim sinjal. Aty ishte një gardh me shkurre. Fatmiri më mbajti në krah, se jam me nerv shiatik. Pastaj kemi kaluar një tel të hollë, që ishte i lidhur me disa hunj. Sa u ngjitëm në majë të malit, Fatmiri më tha se këtu duhej të ishte kufiri, por duhej bëre kujdes se ishte vend i zhveshur. Në kohën që ne filluam të ikim me vrap, na kanë qëlluar ushtarët. Unë kam ikur me vrap, Fatmirin nuk e pashë nga iku. Kam dalë në një arë me dru, ku një fshatar po korrte bar. I kërkova drejtimin e Leskovikut. Pastaj kam ikur rrugës për të ardhur në Ersekë. Kam ecur ne këmbë. Në Barmash një polic më pyeti se kush isha. Më kërkoi letërnjoftimin. Ia tregova dhe e gënjeva, por ai më çoi në Degën e Punëve të Brendshme, Ersekë.

Gazeta 55, 20 qershor ’18

Postime të ngjashme