1990: Tentativë për rivendosje marrëdheniesh me Rusinë

aliaa

Nga Admirina PEÇI

Në fillim vjeshtën e 1990-ës Ramiz Alia ishte angazhuar seriozisht për ‘hapjen me Perëndimin” dhe “demokratizimin vendit” që ai drejtonte që pas vdekjes së Enver Hoxhës në prill 1985. Në jetën e regjimit diktatorial, prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik kishte lënë gjurmë të thella. Nga viti 1961, kur kësaj marrëdhënieje i ishte dhënë fund në të gjitha drejtimet, kishin kaluar afro 30 vite ftohje.

Por Ramiz Alia e rishihte si shumë të rëndësishme rivendosjen e marrëdhënieve politike në fund të vitit 1990, kur po përpiqej t’i ndërronte fytyrën regjimit të tij. Gjatë vizitës së tij në OKB, Alia bëri një varg takimesh me kryetarë shtetesh e ministra të jashtëm, duke synuar të vendosë miqësia të reja, por edhe të rifitojë ndonjë mik të vjetër. Me një synim të tillë ishte realizuar takimi në Hotel Plaza në nju Jork me 27 shtator 1990 me ministrin e Jashtëm të Bashkimit Sovjetik Eduard Shevarnaze.

Pas një keqardhje për gabimin e vitit 1961 dhe nevojën për pajtim, Alia tenton që këtë përpjekje Shevarnaze ta përcjellë deri në zyrat e Gorbaçovit në Moskë. Fakt është se Shqipëria pas 45 viteve izolim nën regjimin komunist, ndër vendet e para me të cilat vendosi marrëdhënie diplomatike ishte pikërisht Moska. Në këtë dokument zbulohet se para këtij takimi Moska kishte nisur të kërkonte një ndërtesë për ambasadën që do të kishte në Tiranë.

Më poshtë e sjellim të plotë procesverbalin e bisedimeve mes Ramiz Alisë dhe Eduard Shevarnazes në takimin e 27 shtatorit 1990 në Hotel “Plaza” New Jork.

Është në të mirën e popullit shqiptar e të popullit sovjetik Që marrëdhëniet midis dy vendeve të forcohen. Më 27.09.1990, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia, u takua në hotel “Plaza” në Nju Jork me ministrin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Eduard Shevarnaze. Midis shokut Ramiz Alia dhe Eduard Shevarnazes u zhvillua kjo bisedë:

Shoku Ramiz Alia: Gëzohem shumë që takohem me ju. U bë shumë mirë që marrëdhëniet tona u rregulluan.

Eduard Shevarnaze: Jam shumë i gëzuar që më jepet rasti të takohem me ju. Ky takim ka një kuptim të veçantë. Ju transmetoj përshëndetjet e nxehta nga ana e shokut Gorbaçov dhe dua t’ju siguroj se te populli sovjetik ka ndjenja miqësore për popullin shqiptar. Ajo që ndodhi midis nesh është e hidhur. Nuk duhet të kishte ndodhur, por unë i përkas një brezi të ri. Me shumë kënaqësi ju ftoj të vini në Bashkimin Sovjetik, të bisedojmë konkretisht për marrëdhëniet tona.

Shoku Ramiz Alia: Jam shumë i gëzuar që takohem me ju. Gjithashtu jam dakord me ju për mendimet që shprehët. Kaloi një kohë mjaft anormale midis dy vendeve tona. Tashmë është e rëndësishme që të mos kujtojmë se si u shkaktuan ngjarjet midis dy vendeve tona. Unë kam lexuar deklaratën e shokut Shevarnaze në kohën e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe e kemi vlerësuar atë të drejtë. Prandaj me kaq do ta mbyll këtë pikë.

Është me rëndësi të madhe të shkojmë përpara. Normalizimi i marrëdhënieve tona diplomatike koincidon me zhvillimet e reja të marrëdhënieve në Evropë dhe në botë. Pa dyshim, në këto rrethana, Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria nuk ka përse të mbeten larg njëri-tjetrit, përkundrazi, duhen gjetur të tëra mundësitë që midis dy vendeve tona marrëdhëniet të zhvillohen sa më mirë që të jetë e mundur. Jam plotësisht dakord me mendimin e shokut Shevarnaze që në popullin sovjetik dhe në popullin shqiptar, pavarësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur, është ruajtur miqësia dhe dashuria për njëri-tjetrin.

Por, duhet të jemi realistë që disa njolla edhe kanë mbetur. Detyra jonë është t’i zhdukim ato. Nuk duhet ndenjur duarkryq, por të veprojmë me mentalitet të ri, duke iu përshtatur kushteve të reja. Duhen pasur parasysh mësimet e historisë, sepse edhe shumë gjëra të mira ka pasur midis dy vendeve tona. Nga kjo pikëpamje ne mendojmë se ka mundësi të gjejmë rrugë për zhvillim të marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona, të marrëdhënieve ekonomike, kulturore etj. Unë nuk kam ndonjë program konkret, nuk është as rasti për një bisedë të tillë konkrete. Mendoj se sot është e mjaftueshme njohja jonë, por do të ishte mirë të jemi dakord për t’u dhënë shtytje përpara marrëdhënieve midis nesh.

Nga ana jonë jemi të dispozuar të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, jemi të interesuar që marrëdhëniet me BS të përmirësohen e të zgjerohen. Nuk dua të tregohem egoist, por Shqipëria është një vend i vogël, prandaj kuptohet që ne jemi më shumë të interesuar të kemi marrëdhënie të mira me BS. Me këtë rast dëshiroj t’ju siguroj se asnjë e keqe nuk ju ka ardhur dhe kurrë nuk do t’ju vijë nga Shqipëria, përkundrazi, të mira do ju vijnë. Këto rrugë urojmë që t’i hapim.

Eduard Shevarnaze: Të gjitha këto sa më thatë do t’ia transmetoj shokut Gorbaçov. Jam plotësisht dakord me mendimet tuaja. Nga ajo që ndodhi kemi nxjerrë mësime. Është turp. Nuk duhej të ndodhte. Pasojat e rënda i dimë. Ne harruam të vërtetën, se si duhet të rregulloheshin marrëdhëniet. Ishin kohëra shumë të vështira, megjithatë ne gëzohemi që tani gjërat po vihen në vend dhe marrëdhëniet po normalizohen. Ka një bazë të mirë për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Kohët kanë ndryshuar. Evropa nuk është më ajo që ishte. Ajo po ndryshon. Çdo shtet, i madh apo i vogël, ka vlerën e tij. Në një bisedë me Bejkerin ra fjala edhe për Shqipërinë. Edhe ajo do të futet në familjen evropiane. Mund të vonohet një muaj ose një vit, kjo nuk ka rëndësi, por ajo do të futet. Marrëdhëniet me Shqipërinë do t’i zhvillojmë. Gorbaçovi është i qartë që marrëdhëniet midis dy vendeve tona duhet të ecin.

Shoku Ramiz Alia: Unë mendoj që ka mundësi të zhvillohen mirë dhe më tej marrëdhëniet. Por punë do të duhet shumë. Për këtë vullneti i mirë ekziston. Për sa i përket atmosferës së përgjithshme në Evropë, nuk do të bëj analiza. Nuk ka dyshim se për vende si Shqipëria, situata nuk është e thjeshtë. Këtu kam parasysh presionet që bëhen. Unë ju flas hapur, nuk mbaj rezerva. Presionet janë të shumta, në kuptimin që Shqipëria të bëjë ndryshime, për të drejtat e njeriut, të ketë këtë apo atë lloj sistemi shoqëror etj. Bile, do të thosha, presionet shkojnë deri atje sa vendosen edhe bllokada. Kuptohet jo si kundër Irakut se ato duken, atje shkojnë ushtri, anije etj. Në Shqipëri këto nuk vijnë, por arrin puna që nga ana e Italisë, e RFGJ-së dhe e Francës të bllokohen të gjitha marrëdhëniet. Pra, janë bllokuar marrëdhëniet politike, ekonomike gati si me Irakun, vetëm me një ndryshim, që kur takohemi me italianët dhe francezët, buzëqeshin, dhe të dyja palët ngrenë supet sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Deri para pak kohe thuhej që Shqipëria duhet të bëjë deklaratë për në KSBE. Ne e bëmë këtë deklaratë, ndërsa tani thonë që Shqipëria duhet të bëjë edhe gjëra të tjera. Unë do të dëshiroja të lexoja një dokument se çfarë kushtesh ka për t’u pranuar në KSBE. Një dokument i tillë nuk ekziston. Dhe ai nuk mund të ekzistojë, se do të ishte një absurditet. Edhe kur dikush do të pranohet në parti (parti komuniste), ka një statut të cilit i duhet përmbajtur, por anëtari që pranohet nuk i plotëson të gjitha kushtet. Ai premton se duke qenë anëtar partie do të bëhet një komunist i mirë. Megjithatë, statuti i një partie është një dokument më rigoroz, sesa një proces zhvillimi të vendeve që u i cilësuar “stravo…”. Ne nuk do të biem në pozita të tilla të presioneve. E dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Ne nuk kërkojmë atë çka nuk na takon, por do të bëjmë atë që është me interes. Zoti Bejker mund të vendosë ta shtyjë një ose dy vjet pjesëmarrjen tonë të plotë në KSBE. Por neve nuk na prish punë. Shqipëria ka mbi tremijë vjet që ekziston dhe aty ku është dhe aty ku është dhe do të ekzistojë edhe në të ardhmen.

Thashë se momenti nuk është i thjeshtë. Të marrim, p.sh. Ballkanin. Zëvendëskryeministri grek bën deklaratë zyrtare se tani me bashkimin e Gjermanisë krijohen kushte për të ndryshuar kufijtë, prandaj mundet që Korçën dhe Gjirokastrën ta marrë greku, megjithëse Greqia është pjesëtare e procesit të Helsinkit. Kosova është një tragjedi me konsekuenca tepër të rrezikshme. Aty banojnë tre milionë shqiptarë, të cilët në këtë Evropë që nuk është më në stadin e projekteve, por ka filluar të ngrejë katet e apartamenteve, po vriten e po burgosen. Televizioni në gjuhën shqipe u mbyll, shtypi në gjuhën shqipe u mbyll, qeveria shqiptare u shpërnda, parlamenti shqiptar në Kosovë u shpërnda dhe u arrestua. Ju jeni malësor si ne dhe e dini mirë se ç’ndodh kur thika shkon në kockë, prandaj them se situata është e rrezikshme. Unë jam shqiptar dhe e di karakterin e popullit shqiptar në Kosovë. Jugosllavia është gjithashtu pjesëtare e procesit të Helsinkit. Pra ka dy kute për vlerësimin e ngjarjeve: një për Shqipërinë dhe një për të tjerët.

Eduard Shevarnaze: Evropa është në proces. Po bëhen hapa përpara drejt krijimit të një Evrope të re. Rëndësi ka që luftë të mos ketë. Rregullat e reja në Evropë nuk është e lehtë të zbatohen. Unë besoj në paqen në Evropë. Edhe Shqipëria do të përfshihet në KSBE. Futja në KSBE dhe në tërë proceset evropiane duket më e lehtë se sa për Bashkimin Sovjetik që kalon vështirësi. Elementi themelor që ngrihet në KSBE është respektimi i zgjedhjeve të lira.

Shoku Ramiz Alia: Për sa u përket marrëdhënieve midis dy vendeve tona, jam dakord që diplomatët tanë, ambasadorët, të merren më konkretisht me këtë punë. Sigurisht që ka një vështirësi teknike për ambasadën sovjetike në Tiranë.

Shoku Reis po më thotë se kanë ardhur specialistët sovjetikë për të gjetur një ndërtesë për ambasadën, dhe se tanët do të venë së shpejti në Moskë. Por, mendoj se edhe pa gjetur ndërtesë nuk ka përse kjo çështje të zgjasë shumë. Për shembull, edhe në aspektin politik nuk ka përse të na pengojë mungesa e ndërtesës së ambasadës. Midis dy vendeve tona të ketë takime dhe konsultime më të shpeshta. Eduard Shevarnaze: Le të ecin marrëdhëniet midis të dy vendeve tina. Për këtë gjë duhen konkretizuar gjërat. Me kënaqësi ftoj ministrin e Jashtëm të vizitojë Bashkimin Sovjetik. Pastaj edhe unë do të vij në Shqipëri. Të krijohet një komision i përbashkët dhe të ecin marrëdhëniet tona përpara.

Shoku Ramiz Alia: Nga ana ime dëshiroj të përshëndes shokun Gorbaçov dhe gjithë shokët e udhëheqjes sovjetike. Nuk ka dyshim se do të vijë puna edhe për shkëmbimin e vizitave për të cilat ju folët. Në parim jam plotësisht dakord. Ministri i Punëve të Jashtme e ka më të lehtë. Ne kemi një fjalë që edhe shoku Shevarnaze do ta vizitojë Shqipërinë, jo tani shpejt, sigurisht. E di se keni shumë punë sepse shoh që avioni fluturon shpesh, bile edhe afër Shqipërisë. Prandaj, nuk them që kjo vizitë të realizohet shpejt, por ta keni në kalendar, sepse gjë e mirë do të jetë.

Një gjë duhet të kemi parasysh. Populli shqiptar dhe popujt sovjetikë kanë simpati për njëri-tjetrin. Duhet dhënë besim kësaj miqësie. Kjo është e nevojshme. Kaloi gjithë kjo kohë dhe, për të qenë realistë, disa njolla, siç e thashë, kanë mbetur. Ne mund të mos jemi dakord për disa gjëra, por prapë vazhdon komunikimi, biseda. Ndërsa njeriu i thjeshtë nga ana e tij, po nuk qe dakord, i thyhet besimi. Do të më falsi se u futa në psikologji. Pra, pse është në duart tona ne duhet të bëjmë që të fitohet besimi. Shqipëria ka qenë mikja më e mirë e BS.

Populli shqiptar ka qenë populli që e ka dashur më shumë se askush tjetër B. Sovjetik. Këtë nuk e them se jam shqiptar, por sepse është një realitet. Për ne ka qenë e dhimbshme ajo që ka ndodhur. Prandaj them se duhet krijuar besimi, në qoftë se më lejoni, dua t’ju bëj një këshillë të vogël fare: kur të japë TASS-i lajme për Kosovën, të jetë i kujdesshëm, të mos i shajë shqiptarët. Kaq ishte, nuk dua gjë tjetër. Shumë epitete përdoren për shqiptarët në Kosovë, si separatistë, nacionalistë, irredentistë, që janë epitete serbe. Unë nuk mund të ndërhyj në marrëdhëniet sovjetojugosllave. Kjo është puna juaj, por ndaj shqiptarëve në Jugosllavi duhet pasur kujdes, se ndikon edhe në Shqipëri.

Shoku Ramiz Alia: Është në të mirën e popullit tonë dhe atij sovjetik, dhe besoj se të gjitha premisat janë, që marrëdhëniet tona të forcohen. Besoj se edhe takimi i sotëm ishte i dobishëm. Është mirë kur flasim hapur, midis shokësh. Një nga të këqijat ka qenë se në të kaluarën nuk u fol hapur. Fjalë të tjera thoshte mendja dhe tjetër gjë nxirrte goja.

Eduard Shevarnaze: Shumë faleminderit, ishte një kënaqësi që u takuam së bashku, shoku Ramiz. Ju faleminderit!

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/takimi-i-ramiz-alis–n–new-jorkku-u-rivendos-n-marr-dh-niet-me-rusin–452862.html

 

Postime të ngjashme