25 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

wilsonbusti01

Nga Rigels Lenja

Para disa ditësh u kremtua jubileu i 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Por si kanë evoluar këto marrëdhënie? Kur u njoh për herë të parë Shqipëria nga SHBA? Ky shkrim ka si synim kryesor të analizojë evoluimin e lidhjes mes Shqipërisë dhe SHBA në vite.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ndër vite, kanë marrë drejtime dhe rrjedha të ndryshme. Këto marrëdhënie mund të ndahen në 3 faza kryesore:

Faza e parë, 28 korrik 1922 – 5 qeshor 1939. Në këtë fazë marrëdhëniet qenë pa ndonjë bashkëpunim të madh. Kjo pasi SHBA, me mbarimin e Luftës Parë Botërore, iu rikthyen politikës së izolacionizmit. Ndërkohë në periudhën mes dy luftërave botërore, e sidomos  nën qeverisjen e Zogut, Shqipëria u kthye pothuajse në një protektorat të Italisë.

Faza e dytë, nëntor 1946- 14 mars 1991, kjo fazë karakaterizohet nga niveli më i dobët i lidhjeve diplomatike mes dy vendeve. Me fundin e Luftës së Dytë Botërore, por veçanërisht me nisjen e Luftës së Ftohtë, Shqipëria u bë pjesë e kampit Komunist të udhëhequr nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Propaganda e kishte deklaruar në mënyrë absurde gjithë botën demokratike perëndimore në përgjithësi dhe SHBA në veçanti, se qenë një kostelacion i armiqve të lirisë.

Faza e tretë, 15 mars 1991 e në vazhdim. SHBA dhe Shqipëria i rivendosën, marrëdhëniet e tyre diplomatike në 15 mars 1991. Në këtë datë u nënshkrua në Uashington D.C., Memorandumi i Mirëkuptimit, mes Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Muhamet Kapllani dhe të Ndimës-sekretarit Amerikan të Shteitt, Raymond Seitz. Në këtë fazë është arritur një bashkëpunim bilateral i niveleve më të larta mes palëve. Kjo është dëshmuar nga asistenca e pakursyer e qeverisë amerikane, në zhvillimin ekonomik, përqasjen e legjislacionit bashkëkohor dhe integrimin euro-atlantik. Dëshmi e qartë e kësaj është mbështetja pa ekuivoke e SHBA-së ndaj shqiptarëve, ku mund të përmendim: ndërhyrja 78 ditëshe e bombardimeve (25 mars 1999-12 qeshor 1999), ndaj forcave ushtarake serbe që po kryenin genocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu SHBA, dhanë një ndihmë të pakursyer në anëtarsimin e Shqipërisë në NATO, në 4 prill 2008. Në këto 25-vite, Shqipëria është vizituar nga shumë përfaqësues të institucioneve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore amerikane si: kongresmenë, senatorë, Sekretarë të Shtetit (James Baker-23 qeshor 1991, Madeleine Albright -1998, Colin Powell-2 maj 2003, Hillary Clinton-1 nëntor 2012 dhe John Kerry-14 shkurt 2016) si dhe nga vizita e Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush në 10 qershor 2007.

Për herë të parë SHBA do ta njihnin Shqipërinë në 28 korrik 1922. Ndërsa zyrtarisht marrëdhëniet mes dy vendeve, u vendosën në  dhjetor 1922, kur i dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë, Ulysses Grant-Smith paraqiti letrat kredenciale përpara qeverisë së Tiranës.

Menjëherë mbas kësaj u vendosën marrëdhëniet diplomatike me Fuqitë e Mëdha. Anglia dërgoi si përfaqësues të saj Sir Eyres  Harry, Franca dërgoi Beguin Billecock dhe Italia u përfaqësua nga Carlo Durazzo. SHBA akoma ngurronin të njihnin Shqipërinë dhe të vendosnin marrëdhënie diplomatike me të. Në fakt kjo qe një situatë e përkohshme. SHBA kishte qënë mbështetësja kryesore në Konferencës e Paqes në Paris, e shprehur kjo me 14 pikat e famshme të presidentit Uilllsonit. Idetë e Uillsonit përmbanin: kontrata të hapura, vetvendosje, liri e lundrimit në dete, ngritja e Lidhjes së Kombeve dhe dhënien fund diplomacisë së fshehtë të pazareve në kurriz të kombeve të vogla.

Kjo vonesë, vinte për një mori arsyesh, ku më kryesoret qenë:

1) Akoma nuk qenë vendosur në mënyrë përfundimtare se cilat do të ishin kufijtë e Shqipërisë.

2) Shqipëria kishte një paqendrueshmëri politike, pasi për dy vite qenë ndërruar 5 qeveri.

3) Problematik ishte dhe fakti që kishte pasur dy kryengritje të amatosura, pa harruar edhe shpalljen në 17 korrik 1921, të “Republikës së Mirditës” nga Gjon Markagjoni.

4) SHBA nuk kishin dëshirë të përfshiheshin në çështjet Europiane, e aq më shumë të ishte iniciatore në një vend si Shqipëria, ku përplaseshin një mori interesash të disa vendeve.

5) Senati Amerikan, në nëntor 1919 dhe në mars 1920, nuk e miratoi Traktatin e Versajës, duke i dhënë një goditje të fortë planeve të Uillsonit. Amerika nuk qe akoma gati për rolin e superfuqisë botërore, ajo ndihej komode në izolacionizmin e vet, duke u interesuar vetëm për çështjet që kishin të bënin me kontinetin Amerikan.

Këto ishin arsyet se pse SHBA ngurronin ta njihnin Shqipërinë. Por cilat ishin disa nga arsyet që e nxitën SHBA të vendoste lidhje diplomatike me Shqipërinë?

1) Në SHBA kishte një komunitet të madh emigrantësh shqiptarë, që nuk mund të neglizhoheshin. Mendohet se në fund të Luftës Parë Botërore, në SHBA qenë vendosur rreth 50.000 shqiptarë.

2) SHBA, që ishin fituese të Luftës Parë Botërore, kishin tashmë edhe interesat ekonomike në botë dhe më gjerë. Për burimet nëntokësore shqiptare (naftë, bakër, qymyrgur dhe hekur) kishte shfaqur interes kompania amerikane e naftës Standard Oil Company. Përveç naftës Shqipëria, vlerësohej si vend i përshtatshm për të kryer investime në sektorët: hekurudha, rrugë apo në industrinë e drurit.

3) Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve në 17 dhjetor 1920. Ky pranim në Lidhjen e Kombeve kishte një impakt jo të vogël mbi diplomacinë amerikane pasi kjo organizatë qe krijuar me kontribut të veçantë të presidentit Uillson. Ky anëtarësim kishte dy pasoja kryesore: a) Ishte një akt njohje i qeverisë së Tiranës. b) U ripohua njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar, e cila qe vënë në pikëpyetje mbas largimit të princ Vidit nga Shqipëria në 3 shtator 1914.

4) Në shumë raporte të Departamentit të Shtetit, Shqipëria vlerësohej me nota të larta për tolerancën e madhe fetare apo edhe për faktin që disa nga njerëzit më të zotë e të aftë në 400 vite të Perandorisë Osmane qenë shqiptarë.

5) Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të datës 9 nëntor 1921, i dhanë fund dy problemeve kryesore: a) Problemit të kufijve me dy vendet fqinjët ballkanikë (u njohën kufijtë e Protokollit të Firencës me disa ndryshime të vogla në verilindje, në dobi të Jugosllavisë) dhe b) U vendos në mënyrë përfundimitare statusi juridik i Shqipërisë (u saksionua pavarësia dhe sovraniteti i Shqipërisë, por një rol i veçantë në mbrojtjen e sovranitetit të Shqipëris iu delegua si kompetencë Italisë).

6) Në prill 1912, qe themeluar organizata më e madhe e  emigracionit shqiptar, Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”. Kjo organizatë kishte dërguar rreth 3.000 vullnetarë shqiptarë në radhët e ushtrisë amerikane,mbas hyrjes së SHBA në vjeshtë të vitit 1917 në luftë. Kjo gjë kishte lënë përshtypje tek diplomatët amerikanë duke qënë se SHBA deri ateherë nuk kishin vendosur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.

Rol ndërmjetës në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë do të luante Ambasada e SHBA në Romë dhe sidomos ambasadori i akredituar atje, Richard W. Child. Child i druhej një përfshirje të Britanisë në çështjet ekonomike shqiptare, e sidomos në industrinë e naftës. Ndaj ai ishte ndër pionerët e parë, për njohjen sa më të shpejtë të Shqipërisë. Child kishte nuhatur se britanikët, po lobonin që kompania angleze e naftës Anglo-Perisane të merrte koncensionet për kërkimet dhe nxjerrjen e naftës në territorin shqiptarë. Ndaj këto interesa britanike rrezikonin të nxirrnin jashtë loje interesat amerikane.

Nuk mund të neglizhohet roli që pati  në vendosjen e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë Kisha  Metodistike Amerikane, e cila e kishte vlerësuar publikisht me tone të larta, tolerancën e madhe fetare të shqiptarëve dhe kërkonte të ngrinte në Shqipëri një kolegj amerikan. Kryesia e Kishës Metodistike, miratoi një fond prej 100.000 $ për nxitjen dhe zhvillimin e arsimit dhe kulturës në vend. Figurat drejtuese të kësaj kishe, si peshkopët Xhon Hamilton dhe Maksvell Blejk, deklaruan se Shqipëria, ishte një vend i përshtashëm për të hapur shkollat dhe kishat amerikane. Të dy këta klerikë, treguan një interes të madh për statusin diplomatik të Shqipërisë.

Blejku u dërgua me mision në Shqipëri për të parë gjëndjen në terren. Me të mbërritur në Vlorë në 10 qeshor 1922 dhe menjëherë vuri re rëndësinë e jashzakonshme gjeografike dhe strategjike të këtij qyteti. Madje ai nuk ngurroi  ta quante Vlorën, Gjibraltari i Adriatikut. Blejku  në raportin që do ti paraqiste Departamentit të Shtetit, theksonte se njohjen e Shqipërisë nuk e shikonte si pengesë nga Italia dhe Serbia, por përkundrazi do të gjallëronte lidhjet politike dhe ekonomike mes vendeve. Në aspektin ekonomike, Blejk theksonte se hyrja e kapitalit finaciar do të mirëpritej nga shqiptarët pasi ata ishin të bindur se amerikanët nuk kishin interesa  të fshehta politike, kjo edhe si pasojë e largësisë gjeografike mes vendeve.

Marrëdhëniet u ndërprenë me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, në 7 prill 1939. Xhemil Dino, në rolin e Ministrit të Jashtëm Shqiptar e njoftoi Ministrin Fuqiplotë amerikan, Hugh Grant se Italia, kishte marrë nën kontroll politikën e jashtme të Shqipërisë. Legata amerikane në Tiranë, u mbyll në 16 shtator 1939. SHBA dërguan një mision në vitin 1945, për të parë mundësinë për të vendosur një lidhje me Frontin Nacional-Çlirimtar. Qe një mision i pamundur ky, pasi në këtë organizatë pjesë dërrmuese qenë komunistë të cilët kishin përqafuar vijën staliniste në politikën e brendshme dhe të jashtme. Misioni u largua në nëntor 1946 dhe për 45 vite, si pasojë e një skizofrenie sempliste të regjimit komunist të Tiranës, nuk pati lidhje diplomatike mes vendeve, kjo deri në rrëzimin e regjimit komunist.

Postime të ngjashme

Bëj një koment