28 nëntor 1944: Festimet për pavarësinë e vendit

28 nentor 1944

Nga Ylli Polovina

Pushkatohen 17 eksponentë që patën bashkëpunuar me pushtuesit, anglo-amerikanët nuk bëjnë asnjë protestë.

Festimi i 28 nëntorit 1944 me Tiranë dhe, përveç Shkodrës, tërë territorin e Shqipërisë së lirë prej pushtuesve fashistë, mbetet në historinë tonë si një prej kulmimeve të mrekullive sugjestionuese që arrin të kryejë vepra çlirimtare dhe bashkëngjitur me të edhe të prapësive, demagogjia politike. Komunistët stalinistë që ishin vendosur në tribunën e festimit me në krye Enver Hoxhën, një mesoburrë me pamje shumë të hijshme dhe buzëgaz, ndërsa përpara tyre bëhej një parakalim ushtarak e civil dhe në qiell fluturonin për t’i përshëndetur avionë luftarakë anglo-amerikanë, qenë futur në mes prej përfaqësuesve të misioneve ushtarake jo vetëm të Jugosllavisë apo Bashkimit Sovjetik, por mbi të gjitha të Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këto lanë përshtypjen të pothuaj të sigurt se pak të ngjarë kishte që të instalohej në Shqipëri një tirani politike. Populli gëzonte çiltër dhe besonte po ashtu, për një të ardhme lirie, me tërë zemër. Por njëzetë e tetë nëntori 1944 qe më së pari një triumf i pushtetarëve të rinj, i fitimtarëve të kuq, të cilët patën luftuar me vetëmohim kundër pushtuesve dhe kishin gjithë të drejtat ta prisnin me brohori në kryeqytet në 29 nëntor lajmin e ardhur nga Shkodra se edhe ai qytet sapo ishte çliruar.

Shumica dërmuese e shqiptarëve, me aq sa mundësi ekonomike kishin, iu ngazëllyen edhe festës së vitit të ri 1945. Në horizont nuk ishte shfaqur ndonjë re kërcënuese diktature. Kohët e fundit të këtij viti 2017 u bënë publike disa foto të porsanxjerra nga arkivat. Qenë të festimeve të përbashkëta që bënin në Hotel Dajti përfaqësues të pushtetit të ri me misionarët ushtarakë anglo-amerikanë. Tre muaj e një dyzinë ditësh më pas, kur pas një gjyqi special politik në Kinema Kosova kundër gjashtëdhjetë të akuzuarve për bashkëpunim me okupatorët, 17 prej tyre në ditën e 14 prillit 1945 u pushkatuan ballë një turme të tallavitur njerëzish të vuajtur nga lufta dhe roli famëkeq i kolaboracionistëve, mjaft edhe fanatikë politikë si edhe thjesht kuriozë, as Britania e Madhe dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk protestuan.

Euforia e përgjithshme, sidomos ajo ndërkombëtare, se pushteti i Hoxhës duhej marrë me të mirë dhe shpresë se mund të hidhej në udhën e një regjimi të hapur sadopak demokratik, vijoi edhe në muajt pasardhës të vitit 1945, duke u rritur ditë pas dite dhe kapur majën në 28 dhe 29 nëntor. Festa e pavarësimit dhe ajo e çlirimit këto çaste u shijuan prej krerëve komunistë si të qenë në Londër apo në Uashington. Për ta krijuar dhe ruajtur të ngrohtë këtë atmosferë dinake lirie dhe demokracie sipërfaqësore u kujdes shumë edhe propaganda, mjeshtëria e njohur e bolshevikëve. Sidomos një specialiste e vërtetë u tregua gazeta “Bashkimi”, e cila qe jo vetëm media kryesore e Enver Hoxhës dhe e njëmendësve me të, por edhe më e fuqishmja e më ndikuesja nga tërë të tjerat që ekzistonin atë kohë. E kemi fjalën këtu edhe për Radio Tiranën.

Në faqen e parë të “Bashkimit”, ngjyer me siluetën e kuqe të një shqiponje dykrerëshe, në ditën e njëzetë e tetë të muajit u vunë fjalët “28 e 29 nëntor, dy festat më të mbëdha të historisë t’onë kombëtare”. Ato zinin me të vërtetë një hapësirë të thekshme të faqes së parë. Ndërkaq në skajin e majtë të faqes u radhit edhe një rubrikë speciale, e titulluar “Aleatët tanë na urojnë”. Këtu u shpalosën tekstet përgëzuese për këto dy festa jo vetëm të Vjaçesllav Molotovit, por edhe të Harry Trumanit. Ky i fundit shkruante:

“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha: Më jep gëzim të madh në ditën e përvjetorit të Indipendencës Shqipëtare të zgjas urimet e sinqerta dhe dëshiroj për lumtëri Ju dhe Popullit Shqipëtar. Harry S. Truman”.

Jo vetëm këto dyzetë e tetë orë festive, por i gjithë ai nëntor 1945 pati qenë revansh fitimtar i Enver Hoxhës dhe i stalinistëve shqiptarë, i dhelpërisë dhe i shkathtësisë së tyre diplomatike. Një vit më pas, në 28-29 nëntor 1946, do të niste e tatëpjeta e demagogjisë dhe për të baraspeshuar atë shtimi i masës së dhunës. Festa do të kishte jo më aromë, por do të binte erë nga që po mbulonte një krim të tmerrshëm: kufizimin e shpejtuar dhe sa më ngutshëm heqjen e lirisë së fituar me aq shumë sakrifica gjatë luftës çlirimtare. Qëllimi i këtij shkrimi është t’i paraqitim lexuesit këtë atmosferë me sipër hare dhe në brendësi pabesi politike, të krejt nëntorit 1945, një muaj i pazakonshëm për historinë e fatit tonë pas Luftës së Dytë Botërore.

Gazeta “Bashkimi” hap e mbyll faqet me fjalën “demokratike” Të mërkurën, në 7 nëntor 1945, “Bashkimi” bënte të ditur, me një redaksionale, se qe dita e “28 vjetorit të Revolucionit Socialist” dhe se kjo nuk qe festë vetëm për popujt sovjetikë. Mbi si edhe në krah të këtij kryeartikulli, në qendër të kreut të faqes së parë, ishte vendosur si titulli më i dukshëm i atij edicioni grumbulli i fjalëve “Qeverija poloneze njohu Qeverinë Demokratike të Shqipërisë”.

Një titull i dytë komunikonte se “Ambasadori i Polonisë në Beligrad njofton Enver Hoxhën për njohjen e Qeverisë s’onë”. Ambasadori polak në kryeqytetin e Jugosllavisë quhej Ivan Karol Vende dhe i dërgonte një letër “Kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës.

Në krye të faqes së parë po ashtu “Bashkimi” botonte një njoftim mbi praninë e shkrimtarit të njohur sovjetik, Ilia Ehremburg, në Tiranë. Ardhja e tij ishte një surprizë jo vetëm letrare. E kishte edhe një mision politik, një pararendje.

Sërish në faqen e parë të “Bashkimit”, në gjysmën e poshtme të saj, vijonte, nga numrat e mëparshëm të gazetës, cikli i kronikave rreth fushatës elektorale për kandidatët e Frontit Demokratik në qarqet e Korçës dhe të Durrësit. Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese do të mbaheshin në 2 dhjetor.

Të enjten, në 9 nëntor 1945, gazeta “Bashkimi” njoftonte m tituj të mëdhenj në krye të faqes së parë: “Nga fushata elektorale. Emrat e kandidatëve të Frontit priten kudo me gëzim të madh”. Kronika sillej prej qarkut të Korçës. Në të djathtë, përveç lajmit “Urdhër i Marinës së Kuqe”, në të cilin përshkruhej një deklaratë e flotës luftarake të Ushtrisë së Kuqe për rolin e madh të saj në mposhtjen e Gjermanisë hitleriane, shumë dukshëm gjendet një redaksionale. Titullohet “Katër vjetori i themelimit të Partisë Komuniste”. Në të ajo quhet Parti e Punëtorëve dhe e Fshatarëve dhe se themelimi i saj “ishte një ngjarje e shënuar kjo për popullin t’onë, një e këthyer në historinë e këtij populli dhe një shtytje e madhe në rrugën e lirisë dhe të përparimit”.

Në vijim: “Se populli shqiptar nuk mund të shkonte përpara në rrugën e nderit dhe të lavdisë, në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, pa një parti të fortë të shtresave më përparimtare dhe më demokratike të popullit t’onë”.

Më tej: “Gati të gjitha Partitë dhe grupet e vjetra politike që kishin egzistuar gjer atëhere në Shqipëri ndoqnë rrugën e kompromisit dhe të tradhëtisë. Shumica e njerëzve dhe e krerëve që kishin në krye, u bënë vegla qorre të feudalizmit dhe të fashizmit…” Redaksionalja e gjatë e përdor edhe disa herë të tjera fjalën demokraci si frut të meritave të PKSH-së.

Pranë titullit të gazetës, si më të spikaturin e faqes së parë, “Bashkimi” i 9 nëntorit 1945 ka njoftimin “Për njohjen e Qeverisë s’onë”. Thuhet në të: “Nju Jork, 7 nëntor-Pakicat shqiptare që ndodhen në qytetet e ndryshme të Amerikës kanë dërguar në Uashington nga një përfaqësonjës. Të gjithë këta përfaqësonjës do t’i paraqitin Shtëpisë së Bardhë një memorandum për njohjen e Qeverisë Demokratike Shqiptare”.

Nuk i numëron dot, se janë si thneglat, sa herë e konsumon faqja e parë e “Bashkimit” termin “demokratik”.

Koloneli Sokolov njofton njohjen nga Bashkimi Sovjetik të qeverisë shqiptare. E datuar në 8 nëntor 1945, ditën e përvjetorit të pestë të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndodhet një dokument i shkruar poshtë fletës me dorë, ndërsa sipër ka këtë tekst të përkthyer prej gjuhës ruse: “Komunikatë: Sot, në ora 8 në mëngjez, Kryeministri i Shqipërisë z. Gjeneral Kolonel Enver Hoxha priti n’audiencë Shefin e Misionit Ushtarak Sovjetik, Z. Kolonel Sokolov i cili paraqiti këtë notë:

I ndershmi Zoti Kryeministër,

I ngarkuar nga qeveria Sovjetike, kam nderin t’ju komunikoj:

“Qeveria Sovjetike gjatë këtyre vjetëve të luftës kundër okupatorëve gjermanë dhe italianë, ka ndjekur me vrejtje dhe me simpathi luftën e tij. Me këtë luftë, populli shqiptar dha edhe ay kontributin e tij për triumfin e aleatve mbi armikun e përbashkët. Qeveria provizore Shqiptare ka pasur suksese me rëndësi në rindërtimin e Shtetit Demokratik në Shqipëri.

Duke pasur parasysh këtë notë dhe dëshirën me vendet e tjera demokratike për të siguruar paqen dhe sigurinë, Qeveria Sovjetike vendosi të lidhij marëdhënje diplomatike me Shqipërinë dhe të shkëmbejë përfaqësues diplomatikë.

Marr këtë rast të shfaq nderimet e mia të larta. Sokolof”

E datuar në fund të tekstit sërish 8 nëntor 1945, gjendet bashkëngjitur edhe një dokument tjetër, i cili thotë: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë vendosi të lidhë marëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik.

Sot, ora më 9, u mblodh Këshilli Ministerial dhe, passi mori njoftim me kënaqësi vendosi të lidhë me njëherë marëdhënje diplomatike”.

Bashkëlidhur me këto dy shkresa është në frëngjisht edhe një njoftim i ATA, Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, i cili në fund të çdo fjalie të trasmentuar përdor fjalën “stop”. Ai komunikon: “Tiranë:-10/XI/45. Sot, në tetë të mëngjezit… etj, etj”.

Sipas kësaj Agjencie, Këshilli i Ministrave qe mbledhur në 10 nëntor dhe pati vendosur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

10 nëntori ishte e shtunë, kurse data 8 përkon doemos me të enjten. Ndërkaq “Bashkimi” e lajmëron njohjen sovjetike në edicionin e saj të së shtunës, duke vendosur në krye të faqes së parë titullin germëmadh: “Bashkimi Sovjetik njohu Qeverinë Demokratike të Shqipërisë”.

Lajmi është i shoqëruar me tekstin e dokumenteve që cituam në fillim të këtij shkrimi, po ashtu me një redaksionale si edhe portret të Enver Hoxhës. Ky është me uniformë ushtarake. Në skajin e sipërm të faqes së parë, fort dukshëm veç me germa dy herë më të vogla se ato që njoftonin njohjen diplomatike sovjetike, thuhej: “Ora e fundit: Dhe Anglia dhe Sht.Bashkuara të Amerikës njohin qeverinë t’onë”.

Ky edicion i “Bashkimit” i 10 nëntorit 1945 ishte me të vërtetë një “bombë” politike dhe mediatike spektakolare. Enver Hoxha ishte në sukses të plotë.

Harry Fultz shpall zyrtarisht se SHBA “dëshiron të vendosë marrëdhënie normale diplomatike me Qeverinë e Shqipërisë” Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e gjen pa ndonjë mundim të madh korrespodencën mes të dy palëve, qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare.

E datuar në 10 nëntor 1945 dhe e firmosur prej zëvendëspërfaqësuesit të Misionit të SHBA në Tiranë, Harry T. Fultz, me numrin 30, ndodhet kjo shkresë në anglisht, e papërkthyer: “I dashur Gjeneral-Kolonel Hoxha…kam nderin t’Ju njoftoj që pas konsultimit me përfaqësues e qeverive respektive të Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit të Republikave Sovjetike, dëshirojmë të vendosim marrëdhënie normale diplomatike me Qeverinë e Shqipërisë.

Kjo njohje do të akordohet me kushte specifike…” Këtu vihet në dukje se një lëndë e posaçme mbi këtë vendim i është dhënë shtypit.

Ndërkaq me datë po këtë ditë, 10 nëntor 1945, me Nr. 843, gjendet edhe nota e ardhur prej Departamentit të Shtetit në Uashington. Dy ditë më vonë, me adresim për shtypin shqiptar dhe të huaj, e firmosur nga Fultz, renditur me numrin rendor 31, ja edhe njoftimi zyrtar, i përkthyer:

“12 nëntor 1945,

I ndershëm Zoti Gjeneral-Kolonel Hoxha Qeverija e Shteteve të Bashkuara, mbasi e shqyrtojë kërkesën e autoriteteve Shqiptare për një njohje, më ngarkojë t’ju njoftoj gadishmërinë e sajë të hyjë në marrëdhënie diplomatike me regjimin e tanishëm të Shqipërisë.

Duke vendosur marrëdhënie zyrtare me Qeverinë Shqiptare, Qeverija e Shteteve të Bashkuara dëshiron të veprojë në pajtim me detyrimet dhe parimet për të cilat është angazhuar në deklaratën e Krimesë në lidhje me Evropën e çliruar dhe prandaj kërkon sigurinë që zgjedhjet e arthme për Asamblenë Kushtetonjëse të zhvillohen mbi baza me të vërtetë të lira, me vota të fshehta dhe pa kërcënime apo frikësime; që të gjithë individujt dhe grupet në Shqipëri të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre; dhe që korespondentët e shtypit të huaj të lejohen të hyjnë në Shqipëri të vëzhgojnë dhe të raportojnë lirisht mbi zgjedhjet dhe mbi veprimtaritë e Asamblesë Kushtetonjëse.

Qeverija e Shteteve të Bashkuara gjithashtu dëshëron që autoritetet Shqiptare të konfirmojnë që traktatet dhe marëveshjet që ishin në fuqi midis Shteteve të Bashkuara t’Amerikës dhe Shqipërisë më 7 prill 1939 të mbeten në fuqi. Qeverija e Shteteve të Bashkuara nga ana e vet konfirmon vleftësinë e vazhdimit të fuqive t’atyre instrumentave.

Me t’i marë këto sigurime të kërkuara do të jetë gati të bëjë shkëmbimin e përfaqësonjësve diplomatikë. Gjithashtu jam i porositur t’ju këshilloj se proponimi i tanishëm i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për sa i takon vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nuk duhet të pandehet se paragjykon konsiderimin, në ndonjë datë të mëvonshme, të çështjeve të tjera me karakter ndërkombëtar që prekin Shqipërinë…”

Fiksoni në kujtesë një hollësi: frazën “që të gjithë individujt dhe grupet në Shqipëri të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre”

– Ju njohim, por … Enver Hoxha u përgjigj Harry Fultzit të nesërmen, në 13 nëntor. Shkresa në origjinal përmban rendimin Nr.77/2. Thotë fjalë për fjalë: “Kam nderin të vërtetoj marjen e notës së Zotnis s’uaj në lidhje me njohnen e Qeveris s’onë Demokratike prej Qeveris së Shteteve të Bashkuara.

Që të mund të kthej përgjigjen nga ana e Qeveris s’eme do t’ju jem shumë mirënjohës, po të më dërgoni sa më shpejt që të jetë e mundur nga një kopje të instrumentave të traktateve ose marrëveshjeve që mund të jenë lidhur që nga data 7 prill 1939 nër mes Qeverive të ndryshme Shqiptare dhe Qeveris së Shteteve të Bashkuara t’Amerikës. Këtë gjë e kërkoj pse shumica e arshivës së Ministrisë së Jashtme të Shqipëris është djegur nga lufta dhe grabitur nga okupatori…”

Në 14 nëntor 1945 në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ndodhet edhe kjo shkresë tjetër e Enver Hoxhës:

“I ndershmi Zotni,

Kam nderin t’i përgjigjem notës së Zotnis s’uaj që më drejtuat më datë 12 nëntor 1945 në lidhje me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe ju lutem të kini mirësinë t’i transmentoni Qeverisë se Zotnis s’uaj sa vijon:

“Qeveria Demokratike e Shqipërisë e bazuar në parimet demokratike, të cilat Asambletë përfaqësonjëse të popullit i kanë konsakruar në ligjë, i ka mbrojtur dhe do t’i mbrojë këto parime me të gjitha forcat e saj pse këto janë të lidhura ngushtë me ekzistencën e vet.

Ligjet tona Demokratike u kanë siguruar njerëzve të Shqipërisë të gjitha liritë dhe të drejtat që mund të gëzojë një njeri në vendin më Demokratik. Ligja për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetonjëse, ligjë nga më demokratiket, ka parashikuar dhe u ka siguruar të gjitha liritë dhe të drejtat individëve ose grupeve antifashiste dhe Qeverija e jonë duke u mbështetur dhe duke i zbatuar përpikshmërisht këto ligje u dha mundësinë të gjithëve, individë ose grup, të marrin pjesë direkte në këtë evenimet historik të vendit tonë duke zgjedhur dhe duke u zgjedhur. Fshehsija dhe lirija e votës do të observohet me rigorozitetin më të madh. Liri e shtypit ka qenë dhe do të jetë një nga parimet themeltare të demokracisë sonë.

Qeverija jonë që nuk ka penguar kurrë hyrjen në vendin tonë të korespodentëve të huaj, por që kurdoherë ka pranuar kërkesat e tyre dhe iu ka dhënë të gjitha lehtësitë me kënaqësi do të vazhdojë t’i lejojë të vinë të shofin zhvillimin e zgjedhjeve dhe të konstatojnë “de visi” se sa me skrupulozitet observohen ligjet tona demokratike dhe se qeverija e jonë është garancia më e sigurt për t’i mbrojtur dhe për t’i vënë në zbatim këto ligje.

Përsa i përket traktateve ose marrëveshjeve që mund të jenë lidhur në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë para datës së 7 prillit 1939, referohemi letrës që ju kemi drejtuar më 13 nëntor 1945 me anën e të cilës ju kërkojmë të na dërgoni kopjet e instrumentave të këtyre traktateve ose marrëveshjeve për të shikuar brendinë e tyre me qenë se shumica e arshivave të Ministrisë Punve të Jashtme të Shqipërisë është djegur ose grabitur nga okupatori. Por ne shpresojmë se kjo nuk do të sjellë ndonjë vonesë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, kështu që Qeverija e jonë të marrë shpejt në shqyrtim të gjitha marrëveshjet që munt të ekzistojnë në mes dy vendeve t’ona.

Duke i pasur si themele të shëndosha të gjitha këto parime demokratike, dhe duke i mbrojtur dhe zbatuar përpikmërisht me gjitha forcat e veta, Qeverija e jonë shpreson se Qeverija e Shteteve të Bashkuara t’Amerikës do të vendosë sa më parë marëdhëniet diplomatike me Qeverinë t’onë marëdhënie që do të forcojnë edhe ca më shumë miqësinë që ekziston në mes të dy popujve tanë, dhe populli shqiptar që, pa rezerva dha gjithë ç’kishte për kauzën e Aleatëve, do të mari të drejtën e fituar me gjakun e tij që derdhi gjatë luftës së përbashkët për liri e demokraci. Ju sigurojmë gjithashtu se populli Shqiptar, ashtu si ka qenë i pari në luftë është dhe do të jetë kurdoheë në radhë të parë për të mbrojtur paqen dhe indipendencën dhe integritetin tokësor të vendit të tij…”

Harry Fultz iu përgjigj Hoxhës të nesërmen, në 14 nëntor. Shkresa mban numrin 32. Në arkimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ky dokument ka shënimin se përkthimi është jo zyrtar:

“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha:

Dëshiroj me ju njoftua marrjen e letrës s’Uaj po të kësaj date në përgjigjen e komunikimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në kërkesën e autoriteteve shqiptare për njohjen e Regjimit Shqiptar që ekziston. Asht marë në shenjim se kopjet e traktateve që janë lidhur ndërmjet Shqipris dhe Shteteve të Bashkuara para 7 prillit 1939 nuk ekzistojnë. Mbi këtë i kam dërguar telegram Uashingtonit për kopjet e traktateve që lidhen me situatën e tashme. Në këtë telegram unë kam kërkue që t’i dërgojnë kopjet në mënyrë ma të shpejt që të jetë e mundur.

Posa të marr informata mbi progresin që t’Ju përgjigjem kërkesës s’Uaj, kishëm me ken i gëzuar të uaj dërgoj…”

Pikërisht këtë ditë të 14 nëntorit “Bashkimi” njofton me germa të mëdha në krye të faqes së parë se “U çpall Programi i Frontit Demokratik të Shqipërisë”. Nëntitulli përdor fjalët “Në krye të programit: Mprojtja e Indipendencës dhe e integritetit tokësor të Shqipërisë”.

Më tej shpallen objektivat kryesore.

Çfarë thotë ai me numër gjashtë dhe temë “Të drejtat demokratike”?

Objektivi që Fronti Demokratik i Shqipërisë, i shpallur në gazetën “Bashkimi” të 14 nëntorit 1945, qe rradhitur si i gjashti mes tyre, titullohej “Të drejtat demokratike”. Ai thoshte: “Fronti Demokratik do që gjithë populli, përveç elementëve dhe grupeve fashiste, të ketë të drejta të plota demokratike – lirinë e fjalës, të organizimit, të shtypit dhe të konfesionit.

Fronti Demokratik është për zgjedhje me votim universal, direkt dhe të fshehtë. Që të përfitojë populli ynë me të vërtetë nga këto të drejta është e domosdoshme që mjetet materiale të pushtetit të mbeten gjithnjë në duart e masave të gjera të popullit punëtor, ashtu siç e prokllamoi dhe e sancionoi kryengritja popullore”.

(Me këtë rast shënojmë se objektivi i tetë është “Udhëheqja politike”, në të cilin shpallet se “Për të ruajtur indipendencën dhe integritetin tokësor, për të ruajtur realizimet e luftës nacional-çlirimtare dhe për të ngritur një shtet të ri demokratik në Shqipëri, Fronti Demokratik e quan të domosdoshme që udhëheqja politike e vendit t’onë të jetë në duart e forcave popullore të përfaqësuara e të lidhura në organizatat antifashiste, që formojnë Frontin Demokratik”).

Duke vijuar përshkrimin e faqes së parë të “Bashkimit” të 14 nëntorit, shënojmë se në skajin e djathtë të saj gjendet edhe rubrika e porsaçelur atë ditë, e spikatur posaçërisht, me titullin: “Cilët janë kandidatët e Frontit Demokratik”. Poshtë tij ja edhe emri i parë i tyre: Enver Hoxha. Këtu, ndërsa pritet sinqeritet për t’u vetëparaqitur para popullit në zgjedhjet e para të pas luftës, nuk përmbahen gënjeshtrat dhe faksifikimet e biografisë së tij.

Pasi shkruhet se “Mësimet universitare i vazhdoi në fakultetet e Francës”, menjëherë shtohet: “Mungesa e bursës nuk e lejoi të mbarojë mësimet universitare”. Dihet e kundërta: nga që mbeste në mënyrë të vijuar në kapërcimin e viteve shkollorë, pas një durimi të gjatë administrativ të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, atij iu pre bursa.

Më tej, ja edhe pasinqeriteti i dytë: “Për disa vjet shërbeu si sekretar i Konsullatës Shqiptare në Belgjikë”. Në të vërtetë në librin e tij me kujtime “Vitet e rinisë”, publikuar në vitin 1988, vetë Hoxha këtë periudhë pune, edhe pse bën çdo dinakëri për t’ia mjegulluar çastin e fillimit dhe të mbarimit, do ta përfshinte e shumta në një mot e gjysmë. Vijon biografia e zbukuruar e Enver Hoxhës: “Ndjenjat e tij antifashiste, antiitaliane dhe antizogiste kanë qenë të njohura që n’atë kohë ashtu si dëshmojnë artikujt e tij të shkruara në gazetat frënge me pseudonimin Lulo Malësori”. (Këta artikuj nuk u gjetën dhe nuk u provua kurrë se kishin ekzistuar).

Gënjeshtra e katërt: “—-me vendosjen e tij për luftë dhe me zgjuarsinë e tij politike ka qenë gjithnjë i dalluar në rolet më kryesore dhe udhëheqës. Gjyqi ushtarak i okupatorit e dënoi me vdekje në mungesë…” (Nuk ka asnjë gjyq ushtarak italian dhe vendim të tij për dënimin me vdekje të Enver Hoxhës. Doemos ai që prej fundvjeshtës 1941 synohej për t’u arrestuar, por shumë më i kërkuari ishte Qemal Stafa).

Mashtrimi i pestë për kandidatin numër një të listës së Frontit Demokratik të Shqipërisë për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945: “Qe një nga organizatorët e çquar të Konferencës së Pezës…” (Vetë Hoxha në plenumin e Beratit në 23-27 nëntor 1944 pohon se ishte Miladin Popoviçi personi nxitës dhe organizues i kësaj konference, madje edhe autor i fjalimit që aty mbajti Enveri).

Në Beograd zgjedhje të Frontit Demokratik, pas dy javësh mbahen edhe në Shqipëri

Në “Bashkimi” të 15 nëntorit 1945, e enjte, publikohet dukshëm titulli “Triumf i demokracisë në Jugosllavi”. Në këtë shkrim thuhet se, sipas lajmeve të mara nga Beogradi një ditë më parë, rezultatet e zgjedhjeve për Frontin Demokratik të kryera të dielën patën këto përmasa: “Në Belgrad votoi 91 % e zgjedhësve të regjistruar. Nga këta 81.53 % votuan për kandidatët e Frontit në Asamblenë Federale dhe 18.17 për kutinë pa listë”.

“Kutia pa listë” qe e kandidatëve dhe e subjekteve politike jashtë Frontit, çfarë përfshinte edhe opozitën. Datuar më 17 nëntor, për rastësi ditë e çlirimit të Tiranës prej pushtuesve gjermanonazistë, në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të renditur me numrin 33, ndodhet kjo shkresë e Harry Fultzit, e përkthyer nga punonjës të MPJ-së jozyrtarisht:

“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha:

Kam nderin me ju njoftue se në mesazhin e marrun më 16 Nëntor 1945, Qeverija e ime më ka kërkue që t’Ju njoftoj se mbasi arkivat e Shqipnis jan prishur dëshiron me ba disa modifikime në provisionin e notës adresue Z. S’Uaj më 11 nëntor 1945, mbi njohjen, si vijon:

1.Qeveria e Shteteve të Bashkuara, parashtron administratës s’Uaj që t’stabilizojnë kryesisht ligjet Ndërkombëtare që vijnë mej respektue vleftsinë e traktateve që kan hye prej qeverive të mëparshme dhe që nuk kanë skadue ligjërisht, dëshiron me nis me stabilizue marëdhënjet diplomatike po sa të marrin sigurimin e kërkueme në notën më 11 Nëntor, që zgjedhjet të bahen lirisht dhe liria e raporteve prej korrespondencave të shtypit.

  1. Në pranimin e përkohshme të përgjigjes s’Uaj e vërteton vleftsin e traktateve në fuqi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipëris qe kanë ken më 7 prill 1939, edhe asht në kuptim se Qeveria e Shteteve Bashkuara pret të marr sigurime në lidhje me statuen e këtyre instrumentave (traktateve) sama shpejt që të jet e mundur mbasi të dërgohen kopjet në Tiranë.

Jam informue gjithashtu prej qeveris s’ime se kopjet e traktateve (Item Nr.8) të kërkuara në kët çështje jan tuj u pregatit mej transmentue edhe posa të vinë do t’jau dorzojmë me nji heri.

Pranoni Zoti Gjeneral-Kolonel Hoxha….

H.T.F.”

Në 18 nëntor 1945 “Bashkimi” ka botuar fjalimin një dite më parë të Enver Hoxhës me rastin e përvjetorit të çlirimit të kryeqytetit. Mes të tjerash në të kumtohet për opinionin publik se “Anglija dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e harruan aleaten e vogël Shqipërinë dhe me notat e tyre që i drejtuan Qeveris sonë ata shprehin vendimin e tyre, që kanë marrë për ta njohur (Brohoritje për Aleatët e Mëdhenj) dhe për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me ne, ata kërkojnë nga Qeverija e jonë sigurimin që zgjedhjet të bëhen të lira dhe të fshehta, që korespodentët e huaj të kenë liri të hyjnë në Shqipëri për të parë zhvillimin e zgjedhjeve, dhe që shtypi të vazhdojë të jetë i lirë. Këto kondita qeverija jonë i ka plotësuar dhe me rigorozitetin më të madh do të observojë zbatimin e tyre pse ashty e lyp interesi i madh i popullit tonë (duartrokitje)”

Gabim përkthimi apo…?

Të nesërmen, në 19 nëntor, një dokument i ruajtur në arkivin e MPJ të Shqipërisë, i nisur nga Fultz me numrin rendor 34, me përkthim jo zyrtar, thotë:

“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha: Dyke lexuar tekstin e notës së Shteteve të Bashkuara drejtuar juve mbi njohjen e Qeverisë s’Uaj sikundër të botua në fletoren “BASHKIMI” datë 17 Nëntor 1945, e gjeta një fjalë me rëndësi të lënë jashtë. Ky mund të ketë shpëtuar jasht nga përkthimi i tekstit anglisht në gjuhën shqipe ose mund të jetë gabim shtypi”.

Vazhdimi më tej: “Teksti i notës që iu dorëzua Z. S’Uaj në pjesën përkatëse thotë kështu: (Teksti anglisht: “…that all democratic indiduals and groups in Albania shall enjoi freedom of speech and dhe right lawfully to present and suport their candidates….”). Ndërkaq “BASHKIMI” thotë si vijon: “….dhe prandaj kërkon sigurime që…. të gjithë individët dhe grupet në Shqipëri të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre” kështu, që nga sa duket, lihet jashtë kuptimi i fjalës “democratic”, që figuron n’anglisht”.

Duket qartë që nuk është një përkthyes i thjeshtë ai që ka bërë përdhunimin e tekstit, sepse shqipërimi i asaj fraze ishte teknikisht fare i thjeshtë. Termi “e drejta demokratike” është zëvëndësuar me “të drejtën ligjore”, sipas një koncepti totalitar ku ligji barasvlerësohet me demokracinë, çfarë nuk është e vërtetë. Edhe tiranitë prodhojnë ligje, shpesh që të gjitha antidemokratike.

Ka mjaft të ngjarë që përveç mendësisë bolshevike (besojmë jo të përkthyesit, por të porositësit të shqipërimit si edhe atij që do ta jepte dokumentin për ta shpërndarë në shtyp), tërë ky shtrëmbërim duhet të jetë kryer posaçërisht. Mundet me prapamendimin për ta bërë Shtëpinë e Bardhë bashkëpërgjegjëse në lojën politike të pushtetit të ri të Tiranës në justifikimin e diktaturës që po dinakërisht po instalohej.

Kjo ishte grackë, prandaj edhe përfaqësia e SHBA në kryeqytetin shqiptar, pas botimit në “Bashkimi dhe bërjes fakt i kryer të intrigës, ngul këmbë fort të sqarohet gjithçka për tërë opinionin publik. Shpjegon nota e Harry Fultz: “Lënja e kuptimit të fjalës “democratic” prej botimit të tekstit të notës së Shteteve të Bashkuara në gjuhën shqipe, dhe besoj se dhe Ju bashkoni me mua, e shtrembëron shumë kuptimin e kësaj fraze të posaçme dhe i epet popullit Shqiptarë një ide e gabuar mbi positën e Qeveris s’eme në këtë çështja me randësi.

Dhe po ta’theksoj Z. S’Uaj kët mungesë në versionin shqipë të notës së Shteteve të Bashkuara si asht botue për nji konsiderim t’Uajin në çdo mënyrë që mund t’a shifni të përshtatun.

I Juaj me respekte

H.T.F.”

Justifikohet Enver Hoxha: Gabim pa dashje i përkthimit

Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjendet edhe një shkresë e daktilografuar, pa datë. Ka numrin protokollar 77/IV. Thotë:

“I ndershmi Zotni

përkthimin e notës inglish. Për këtë gjë kam dhënë urdhër që ta korrektojnë me një shënim të veçantë në gazetë. Gabimi ka rjedhur se është shtypur përkthimi shqip që më kini dërguar Zotnijs e juaj bashkangjitur me notën inglisht, dhe ku është harruar të vihet fjala demokratik, kurse në tekstin inglisht egziston.

Mbetem me nderime të shquara….” Sipas një përkthimi jo zyrtar, në 22 nëntor 1945 Harry Fultz me shkresën Nr. 35, ka hartuar dhe dërguar këtë notë:

“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha

Kam nderin t’Ju njoftoj marrjen e letrës s’Uaj më datë 21 Nëntor 1945 që do të marrish hapa për korregjimin e fjalës lanun jasht “demokratic” si ishte shkruar në tekstin shqip të notës së Shteteve të Bashkuara mbi njohjen. Veprimi që Ju paraqitni për të ndrequr kët gabim asht shumë i kënaqur dhe ju falenderoj për kët. Mbasi se teksti i shtypun do të ket shënim historik, asht me randësi që shënimi të korregjohet.

Në trajtimin e përkthimit me maqinë shkrimit në tekstin Anglisht si kjo, ne e gjejmë të kufizuar fasilitetin dhe shumë herësh nuk mund të priten gabimet e të lënuna jasht me përkthime. Ju falënderoj për kortezin dhe bashk punimin t’Uaj në kët çështje.

Mbetem i sinqerti i Juaj

H.T.F.

Zavëndës Përfaqësuesi Amerikan”.

Një ditë më pas, në 23 nëntor, Enver Hoxha i përgjigjet: “I ndershmi Zotni, Kam nderin ti përgjigje letrës së Zotnisë s’Uajmë datë 17 Nëndor dhe ju lutem të kini mirësinë t’i transmentoni qeveris s’uaj sa vijon:

“Në lidhje me modifikimet që i bëni notës që na drejtuat në 16 nëndor 1945 përsa i përket pikës ku bëhet fjalë për traktatet, kam nderin të përcaktoj pikëpamjen e Qeveris s’eme mbi këtë çështje. “Qeverija Demokratike e Shqipërisë është kurdoherë e disponuar të veprojë mbi çështjet e traktateve që ka lidhur Shqipëria me Shtetet e tjera brënda ligjit që ka marë Kongresi i përfaqësuesve të Popullit në Përmet më 24 maj 1944 i cili shprehet si ma poshtë: “Të rishikohen të gjitha marrëveshjet me Shtetet e huaja lidhjet ekonomike dhe politike që janë bërë nga Qeveria e Zogut në dam të popullit shqiptar, të prishen dhe të bëhen marrëveshje të reja”. Ne kujtojmë se një gjë e tillë është në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare dhe me rrethanat e krijuara pas kësaj lufte të përbotshme anti fashiste. Nga ana tjetër ne shpresojmë që këjo çështje të mos bëhet një vonesë për shkëmbimin e marrëveshjeve diplomatike mes dy vendeve t’ona, marëdhënie që do të shpejtojnë përsëtepërmi rishqyrtimin e traktateve që mund të ekzistojnë nër mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Ju lutem pranoni….

Kryeministri i Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha”.

Ndërkaq në 26 nëntor 1945 “Bashkimi” nëpërmjet titujve kryesorë në ballë të faqes së parë “Si ngrihet Shqipëria e Re”, bën të ditur se “Kryeministri u jep tapitë e tokave bujqve të Myzeqesë”. Po ashtu Ministria Botore kishte inaguruar ngritjen e urave të mëdha, kurse në Shkodër qe inaguruar spitali civil. Gjithnjë sipas një përkthimi të bërë nga punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, po këtë ditë të 26 nëntorit agjencia e lajmeve Reuter në Londër përhapte për tërë botën këtë lajm: “Fushata elektorale shqiptare po zhvillohet tani fuqimisht, sipas korrespodentit të fletores “Daily Telegraph” në Shqipëri. Zgjedhjet janë caktuar për të Djelën që vjen dhe korrespodenti thotë se “është e mundshme që të adoptohet sistemi jugosllav, që të vihet një kuti për ata që dëshirojnë të shprehin mos-aprovimin e programit të përgjithshëm të Qeverisë.

Pa pasur eksperincë të më parëshme mbi sistemet demokratike, populli shqiptar është hedhur brenda një viti nga sistemi feudal në një sistem politik shumë të përparuar, ndërsa jeton akoma nga pikëpamje ekonomike në mesjetë. Shqipërija ka një regjim (sistem) të një partie, të Frontit Kombëtar, të një qënieje të krijuar rishtaz. Opozita e vetme e saj është një qënieje jopolitike, e përbërë nga çeta guerrilash, të cilat po rrijnë të pamvarura, më të shumtën në malet e veriut.

Thelbi i fortë por i paorganizuar i njerëzve moderatë nga pikëpamja e mendimit thonë se shtyrja e zgjedhjeve është e nevojshme për të lejuar ndërtimin e një partie përparimtare dhe konstruktive të opozitës.

Por Fronti Kombëtar përkrahet nga shumica e njerëzve me opinion liberal, në të gjithë vendin. Ka një influencë të fortë komuniste, por programi i përgjithshëm i Frontit nuk është posaçërisht komunist. Ky mund të përcaktohet më mirë si një program laburist i moderuar, i mbështetur mbi barazinë shoqërore dhe reformën agrare. Programi i Reformës Agrare do të krijojë të tërë një klasë të re pronarësh katundarë, të cilët janë tani përkrahësit solidarë të Frontit Kombëtar”.

Në edicionin e 28 nëntort 1945 të gazetës “Bashkimi” me kryetitullin e madh për të dy festat, atë të pavarësimit dhe të çlirimit, ndodhen tre portrete: ai i Skënderbeut, i Ismail Qemalit dhe i Enver Hoxhës. Redaksionalja me titullin “Indipendenca e Shqipërisë një realitet i madh historik” është shkruar prej Lame Kodrës (Sejfulla Malëshovës). Në qendër të saj publikohet në dy kolona të gjera mesazhi i Enver Hoxhës. Vetëm në kolonën e parë fjala “demokratik”, në emërtim të pushtetit të ri, përdoret shtatë herë.

Shtëpia e Bardhë korrigjon qendrimin e saj dhe hë për hë nuk e njeh qeverinë shqiptare

Në 1 dhjetor 1945, sapo patën përfunduar festimet e 28-20 nëntorit dhe njëzetë e katër orë para mbajtjes së zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese në Shqipëri me kandidatë të Frontit Demokratik, Misioni Amerikan në Tiranë, me shkresën nr 38, në një përkthim jozyrtar të MPJ-së, komunikonte:

“I dashur Gjeneral Kolonel Hoxha: Në lidhje me notën e këtij Misioni Nr. 33 datë 17 nëntor 1945 dhe përgjegjen e juaj kësaj note më datë 23 Nandor 1945 përsa i përket konfirmimit të traktateve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, unë kam nderin me ju bamun me dijtë se unë kam marrun instruksion nga Qeveria eme për me Ju komunikue mesazhin qi vijon:

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është përpjekur me shpejtue vendosjen e marëdhënjeve diplomatike me regjimin e tashëm Shqiptar, prandaj, tue marrun parasysh shkatërimin e arkivave shqiptare, modifikoi kërkesën e saj origjinale që të konfirmohesh vleftshmënija e traktateve dhe marëveshjeve në fuqi ndërmjet shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe kërkoi vetëm konfirmimin të teksteve të traktateve të veçantë ose të parimit të konsakruar në drejtësi ndërkombëtare në bazë të cilit respektohet validiteti i vazhdueshëm i traktateve që janë konkluduar nga qeveri të mëparshme dhe të cilat nuk kanë marrun fund legalisht.

Traktatet dhe marrëveshjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë jo vetëm që nuk përfshijnë detyrime kontraktuale të randa me karakter ose në dam të popullit shqiptar por janë në realitet konsistent me nji bazë për marrjen nga ana e Shqipërisë të nji vëndi me përgjegjësi në gjinin e familjes së kombeve. Mund të shënohet në ktë rast se me gjith se traktatet në fjalë kanë qënë inoperative për arsye të rrethanave të shkaktueme nga lufta, detyrimet që rrjedhin nga këto traktate janë të nji natyre që nuk mund të çvlerësohen nga lufta.

Në rast se disa nene në marrëveshjet ekzistente ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ose vetë marrëveshje të veçanta, në opinionin e autoriteteve shqiptare lypin modifikim, pezullim deri në përfundim të marrëveshjeve të reja, ose dhanjen fund legalisht nga rrethanat ose për arësye tjera legjitime, kjo qeveri beson se të tilla hapa duhet të merren me pëlqim të përbashkët si rezultat negociatash ose lajmërimi në vend të nji veprimi të njianshëm repudimi. Rishikimi ose mbarimi i një marrëveshjeje, në rast se kryhet në bazë të drejtësisë ndërkombëtare të zakonshme do të përfshinte natyrisht njoftjen a priori se marrëveshtja ekziston dhe asht tash në fuqi.

Tue marrun parasysh konsideracionet e rreshtueme ma sipër, Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ndjen veten t’aftë me proçedue me vendosjen e marrëdhanjeve dipllomatike me autoritetet ekzistente shqiptare deri sa ajo të mos ketë marrë sigurimet e kërkuara mbi status-in e traktateve dhe marrëveshjeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fuqi më 7 prill 1939. Ndërkaq kjo qeveri shpreson se ju keni me i shqyrtue kto instrumente të ndryshme, kopjet e të cilave kanë me u vue në dispozicion t’uajë aq shpejt sa të jet praktike, dhe mandej keni me dhanë nji përgjigje në nji kuptim favorabël ndërmjet Misionit Amerikan informal në Tiranë në rastin të për të volitshëm për ju”.

Juaji sinqerisht J.E. Jacobs, Përfaqësuesi Amerikan”.

 

Po këtë ditë të 1 dhjetorit agjencia Reuter, gjithnjë sipas përkthimit të bërë në MPJ, njoftonte: “Mbi Shqipërinë”, Londër, nga Ernest Bock. Pas Jugosllavisë edhe Shqipërija pritet t’introduksojë shtetin republikan, porsa Asambleja e re Kushtetonjëse që do të zgjidhet ditën e djelë, do të mblidhet në Tiranë. Nuk do të ketë opozitë kundrejt programit të “Frontit Demokratik”, i cili, sipas sekretarit të tij Behar Shtylla, kërkon formimin e një “Republike Demokratike Përparimtare”.

Mbreti Zog, që tani banon në Londër, akuzohet nga Fronti Demokratik se i hapi rrugën akupacjonit italian. Sistemi i lëvizjes prej të cilës doli Fronti Demokratik Shqiptar të Rezistencës pason atë të Jugosllavisë. Kishte grupe të së djathtës dhe të majtës që u bashkuan në shtatorin e vitit 1942. Zgjedhjet në Shqipëri do të jenë të lira dhe duke qenë e kënaqur për këtë qeverija britanike tani është e përgatitur t’a njohë qeverinë e tanishme të Shqipërisë dhe të shkëmbejë me të përfaqësonjës diplomatikë. Shtylla deklaroi se “ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në ndonjë bllok ballkanik. Dëshira e jonë është të kemi marrëdhënie miqësore me vendet demokratike të Ballkanit”.

Problemi kryesor i jashtëm i Shqipërisë është ky i marrëdhënieve të saj me Greqin, e cila bën kërkesa për Shqipërin jugore. “Por është Shqipërija Jugore”, deklaroi Sekretari, “që është vendlindja e Lëvizjes së Rezistencës dhe sqena e luftës më të rreptë kundra invandonjësit. Tetë nga dymbëdhjetë pjesëtarët e qeverisë shqiptare janë prej andej e njëri prej tyre është greku Manol Konomi, ministër i Drejtësisë. Minoriteti grek atje, që arrin në 35 mijë vetë, ka të drejta të plota civile”.

Në 2 dhjetor u mbajtën zgjedhjet dhe të nesërmen “Bashkimi”, duke mos shkruar asnjë rradhë për tërheqjen e Shtëpisë së Bardhë për njohjen njohjen e qeverisë shqiptare, bënte të ditura rezultatet e para: “U paraqitën në votime rreth 92 % të zgjedhësve. Votuan për Frontin afro 95 %”. Kishte fituar manovra e përdorimit të fjalës “demokraci”. (Tiranë, më 25 nëntor 2017)

nentorinentori 2

Burimi: http://shqiptarja.com/dossier/2711/28-29-n-ntori—39-45-festat-e-loja-e-enverit-me-fjal-n-demokraci–455671.html

http://shqiptarja.com/dossier/2711/28-29-n-ntor-1945-biografia-e-enver-hoxh-s-me-pes–g-njeshtra-455901.html

 

Postime të ngjashme