28 vjet nga vrasja në kufi, asnjë ditë burg për ish-komandantin e postës së Velipojës

Besnik Zykaj

Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj

Njëzet e tetë vite pas ndryshimit të sistemit, Shqipëria nuk ka dënuar ende asnjë person për “krime ndaj njerëzimit”. Deri tani ka pasur vetëm një vendim gjykate për dënimin me burgim të përjetshëm të Besnik Ali Zykaj, ish-komandant i Postës Kufitare të Velipojës deri në vitin 1990. Por pavarësisht vendimit të gjykatës së Shkodrës, prej më shumë se 20 vitesh Zykaj nuk e ka kryer dënimin. Të kontaktuar nga ana e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) për të sqaruar këtë rast, institucionet shtetërore nuk japin përgjigje të saktë nëse ai po kryen dënimin me burg apo jo. Ndërsa nga Policia e Shtetit ai mbetet ende në kërkim, edhe pse në vitin 2012 pati raportime në media se u ndalua në Itali dhe se po procedohej për t’u ekstraduar në Shqipëri.

Komandanti i postës kufitare Velipojë, Besnik A. Zykaj u akuzua për vrasjen e Vat Marash Beqit më 19 maj 1990 dhe për plagosjen e vëllait të tij. Të dy vëllezërit po “arratiseshin” me not nga bregu i Velipojës, kur u qëlluan me automatik nga komandanti Zykaj, edhe pse ushtarët e postës i kishin ndaluar dhe po i kthenin drejt bregut. Ngjarja ndodhi një javë pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor kishte ndryshuar legjislacionin e Kodit Penal, duke mos e konsideruar më “arratisjen” si “tradhti ndaj atdheut” por vetëm “kalim i paligjshëm i kufirit”.

Gjashtë vite më vonë, Vat Beqi do të shpallej “Martir i Demokracisë” ndërsa Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë “Nr. 96” do ta dënonte Zykajn me “burgim të përjetshëm”. Sipas shtypit të kohës, ai do të ishte i pari që do të dënohej për “krime ndaj njerëzimit”. Kundër tij dëshmuan i vëllai i Vatës dhe ushtarët që atë mëngjes të 19 majit ishin me shërbim. Por ish-komandanti nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Sipas raportimeve, në vitin 1991 ai qe shpërngulur në një fshat të Vlorës dhe e kishte ndryshuar emrin në Bino Binaj. Pak më vonë, thuhet se u largua për në Itali, kjo duke e ditur se ndaj tij do të kishte masa ligjore, pasi komunizmi kishte rënë. Ata që kishin vrarë në kufij nuk do të mund të merrnin më medalje për merita të larta ndaj atdheut!

Gjashtëmbëdhjetë vite pasi u dënua “në mungesë”, Zykaj u mësua se u arrestua në Firenze të Italisë. Më 16 shkurt 2012, Interpol Tirana u citua nga shtypi i kohës se ishte bërë i mundur ndalimi i tij dhe se tashmë po kryheshin procedurat për ekstradim. Por diçka duket se nuk ka funksionuar sipas parashikimeve. Edhe sot e kësaj dite, pra gjashtë vite më pas, Zykaj mbetet në kërkim nga Policia e Shtetit. Zyra për shtyp e saj nuk konfirmon, nëse ai është ekstraduar apo jo, dhe ai mbetet në faqen online të personave në kërkim.

Kërkesave për informim të dërguara te Policia, Prokuroria, Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë nuk morën përgjigje për këtë rast, ndërsa përballë interesimit tonë për çështjen në fjalë, Gjykata e Rrethit Shkodër u shpreh se për shkak të zjarrit që ka rënë në Gjykatë në kuadër të ngjarjeve të vitit 1997/98 “ajo nuk disponon vendimet e dhëna përpara këtyre viteve”. Pra, vendimi për dënimin me burgim të përjetshëm të Zykajt nuk rezulton më i arkivuar! Ndërkohë sipas ligjit, gjykatat japin vendimet, ndërsa për ekzekutimin e tyre merret Prokuroria ose në rastet e dënimit në mungesë, Policia e Shtetit.

Rasti në fjalë tregon mungesën e vullnetit të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij të drejtësisë për të zbardhur krimet e diktaturës dhe për t’i përballur përgjegjësit me pasojat e veprimeve të tyre që mund të konsiderohen si “krime ndaj njerëzimit”.

Postime të ngjashme