Konferencë në Bruksel për krimet e komunizmit në Shqipëri, Nishani: Shoqëria duhet të reflektojë

ikik

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën e zhvilluar në Sallonin e Deputetëve të Parlamentit Evropian mbi “Krimet e regjimit komunist në Shqipëri”, të organizuar nga Ministri belg i Shtetit dhe Euro-deputeti Louis Michel dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Evropian në Bruksel.

Gjatë fjalës së tij, Kreu i Shtetit tha se Shqipëria festoi një vit më parë me krenari 25-vjetorin e shembjes së diktaturës komuniste që përkon me 25-vjetorin e Lëvizjes Studentore-Intelektuale Shqiptare të Dhjetorit 1990 për daljen dhe ndarjen përfundimtare të vendit tonë nga katër dekada e gjysmë të karakterizuara nga terrori i përgjakshëm, shtypja dhe izolimi i plotë nga Evropa dhe bota.

Studentët e Dhjetorit te largët të 1990-s, tha Nishani, hodhën parrullat: ‘Poshtë diktatura!’, ‘Liri – Demokraci’ dhe ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’!, ku përmblidhej gjithë dëshira dhe aspirata e shumicës së shqiptarëve për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga komunizmi, për të hequr qafe diktaturën e pashpirt dhe veglat e saj si dhe për të ndërtuar një të ardhme tërësisht të lirë, demokratike dhe evropiane.

Presidenti theksoi se gjatë këtij çerek shekulli, në vendin tonë, por dhe në vendet e ish-bllokut komunist, janë miratuar deklarata dhe rezoluta, të cilat jo vetëm dënojnë krimet e komunizmit, por edhe synojnë dekomunistizimin, dhe sidomos ripajtimin dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane, pa ndasi ideologjike.

Në Shqipëri, u miratua nga Kuvendi dhe hyri në fuqi më 30 tetor 2006, rezoluta ‘Për dënimin e Krimeve të kryera nga Regjimi komunist në Shqipëri’, vijoi Nishani, dhe sot, pas një vonese të pajustifikuar u ngrit Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Komunizmit, qe shpresojmë te përmbushë pritshmëritë e të përndjekurve dhe viktimave të regjimit.

Megjithatë, theksoi Presidenti, ne Shqiperi vërehen dhe sot tendenca për të rilindur të kaluarën e hidhur apo për ta justifikuar atë, përmes glorifikimit të figurave të regjimit totalitar, por dhe shndërrimit të objekteve të urryera të diktaturës në të ashtuquajtura ‘vepra arti’ dhe vende turistike. Ai soli ne vemendje Lummturimin e 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku si një shembull për të reflektuar si shoqëri. “Kriminelët duhen dënuar ligjërisht më e shumta, ose më e pakta duhet të heshtin e të kërkojnë falje”, shtoi ai.
Në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, Nishani shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj Diasporës shqiptare për sakrificat dhe përkushtimin që ka treguar për të denoncuar dhe demaskuar krimet e tmerrshme të komunizmit. /a.s/f.n/

Postime të ngjashme