Dritë në jetën e dhimbshme të një martireje

Piktori, Munella, Bamja e pjekur, Kalaja, Brisku, Lisi, Pëllumbi – këto janë pseudonimet e atyre që spiunuan e përndoqën Musine Kokalarin.

Në një “tabelë” të bardhë shkruar në të zezë, emrat kryqëzohen e përsëriten, si “misioni” i tyre për regjimin famëkeq. Në pak metra katrorë – krah tyre, në stenda të shtrira gjenden pengje, dorëshkrime të pabotuara, shënime, fotografi, vepra, programi i Partisë Socialdemokrate.
Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit në Bibliotekën Kombëtare është mbajtur një konferencë shkencore dhe është çelur një ekspozitë. Ndërsa u premtua hapja e dosjes së saj dhe publikimi i dokumenteve, u premtua njëherësh edhe rikonstruksioni i shtëpisë së lindjes në Gjirokastër. Konferenca u hap nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ndërsa ekspozita shfaqi shkrime nga të parat me pseudonimin Muza deri te kritikat e Lasgushit për të, veprat “Rreth vatrës” e “Siç më thotë nënua plakë”, por edhe botime të tjera të sajat apo mbi të.
Veç letrave, shënimeve, vizitave mjekësore, u ekspozuan njëherësh edhe sende personale, një çarçaf, një brez, një byzylyk që Musineja i pat mbajtur në Rrëshen deri në fund të jetës kur që e internuar. Kalvari i shkrimtares, disidentes e politikanes shqiptare, nisi me fundin e luftës e ardhjen në pushtet të komunistëve, vijoi me burgje derisa u nda nga jeta e vetme në Rrëshen. Si “dritë” mbi terrin që shoqëroi jetën e vdekjen e saj, qëndronin varur në një ekspozitë edhe pseudonimet e atyre që e përndoqën gjer në vdekje, emrat e plotë të të cilëve pritet të dalin me hapjen e dosjes, në pastë gjë në të.

FAMILJA RRËFEN

Mbesa e saj, Linda Kokalari e kujton hallon si njeri i mirë dhe mban mend me sa dashuri i qasej e i ulej në prehër kur ajo vinte t’i takonte. E ka njohur që në moshën tetë vjeçare dhe e ka takuar për herë të fundit në moshën 17-vjeçare, pastaj Musineja iku. “Në familje e donim të gjithë e flisnim të gjithë për të, por jo jashtë mureve. Më kërkonte llogari për mësimet”. E pyetur se çdo bëjnë kur të hapet dosja, Linda Kokalari thotë se nuk dinë se çfarë ka në të dhe se hapja e saj do i shërbeje vetëm të vërtetës.
“Nuk dimë emra të atyre që e kanë spiunuar apo që i kanë bërë keq. Thjeshtë do vihet në vend e vërteta, do dimë kush ka bërë çfarë dhe çfarë ka ndodhur. Askush nuk na ka kërkuar ndjesë, as nuk presim ta bëjnë”, thotë Linda. Madje kur pyetet nëse pret një ndjesë nga Nexhmije Hoxha që është ende gjallë, ajo mohon.
“Nuk do ndryshojmë qëndrim e as asgjë, po ata që janë përfshirë ose që kanë bërë keq apo spiunuar ose kanë influencuar për dënime e pushkatime, nuk kanë të drejtë të dalin të thonë më asgjë”. Mbi raportin e përfolur të Musinesë me diktatorin, mbesa mohon të ketë dijeni. “Është thënë se ai i ka kërkuar dorën. Ka variante. Ne kishim lidhje gjaku me të. Di që janë njohur, por jo që i ka kërkuar dorën”. Mandej, është nusja e nipit, Platonit që flet. Bibika kujton që e ka njohur pasi u martua.
“Ishte në Rrëshen e na dërgonte telegrame e letra. Në korrespondencën e fundit para se të vdiste, ajo na shkruante të shkonim e të merrnin sendet e saja personale. Pasi ajo vdiq e në shkuam të shtëpia ku ajo pati jetuar, gjeta të plota letrat që i kishim dërguar. Nga ana tjetër, unë kam ruajtur letrat që ajo na niste dhe i kam të gjitha të pabotuara.
Na tregonte për sëmundjen, për gjendjen e saj shëndetësore dhe na shkruante kur do vinte. Nuk na thoshte të dilnim ta prisnim, sepse nuk kishte fuqi, por e kuptonim që do donte ndihmë”. Ende e përlotur kur kujton Bibika thotë se Musineja nuk fliste shumë. “Në fillim e pata pyetur se çfarë të kanë bërë kur ke qenë në burg. Ajo më tha se i kishin futur një mace në çitjane dhe maces i binin me shkop. Macja duke dashur të dilte e çirrte. Trupi i saj kishte shenja. Ende e ruaj unazën e saj, që ajo e kish trashëguar nga e ëma”. Për herë të fundit e ka takuar në korrikun e vitit 1983.
“Musineja vdiq në 13 gusht kur ne ishim me leje vjetore. Nuk arritëm ta takonim edhe njëherë si i patëm premtuar. Mezi priste që njëra nga ne të shkonim e të rrinim me të. Nuk arritëm dot, dhe kjo na ka mbetur në mendje. Kur ajo vdiq, të dielën nuk punonte posta. E të hënën kur e morëm ne vesh e shkuam atje, ishte varrosur. Në Kanada kam gjetur varrmihësin e saj, Gjergji Gjergon- dhëndri i Beqir Ballukut, i persekutuar në Rrëshen. I kishin thënë ta varroste në një cep, sepse mendonin se do kishte ujë, donin ta varrosnin në ujë”, tregon Bibika. Në fund, ajo ndan me median edhe faktin se shumë gjëra i ka vetë Musineja për në muze.
“Kemi dorëshkrime, letra, çarçafë e brezin që i ka pasur në Rrëshen. Në dorëshkrime ka gjëegjëza, ritet e dasmës, vdekjes, lindjes, ka përralla. Gjatë kohës që ishte në internim, ka ndërruar 10 shtëpi. Në shënimet e saj ka emra e pseudonime njerëzish që i kanë bërë keq, që e kanë spiunuar”. Mbi raportin me Hoxhën, ajo mohon të ketë dijeni, veç në mos sipas saj, kanë qenë nënat, ajo e Enver Hoxhës dhe ajo e Musinesë që kanë folur për një fejesë të mundshme”.

AMBASADA AMERIKANE

Një prej dokumenteve që ekspozohen është edhe një kabllogram i Ambasadës Amerikane të kohës, që ende ruan shënimin “Konfidenciale”. Në të shkruhet se “Dje pas seancës gjyqësore, turma sulmoi fugonin e të burgosurve dhe rrihi keqas të pandehurit. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara i shkulën pothuaj gjysmën e flokëve. Rojet bënin sehir”.

RAMA E KUMBARO

Në përkujtimin e 100-vjetorit të lindjes së një prej figurave të qëndresës kundër diktaturës komuniste, intelektuales Musine Kokalari, mori pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në ceremoninë e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare, ajo bëri me dije se Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve kanë përgatitur projektin rikonstruksionit të shtëpisë ku lindi Musineja në Gjirokastër, djegur në vitin 2014.

“Për këtë ofrojmë dhe një fond për restaurimin që në bashkëpunim me familjen të ndërtojmë një model të shtëpive së shkrimtarëve me hapësirën muzeale kushtuar Musinesë dhe atë të mikpritjes – projekt më i gjerë që ne po krijojmë në Gjirokastër me një seri banesash, ku historia përzihet me arkitekturën, letërsia me bujtinën dhe kujtesa me të shkuarën që na kthen drejt së ardhmes”, tha Kumbaro, e cila shtoi më tej “se ngjarjet do të vijojnë në javë të tjera dhe nesër në Gjirokastër për të shkuar në gjurmët e Musinesë, për të mos harruar atë, për të mos harruar viktimat e persekutimit komunist, për të mos e lënë të keqen të përsëritet”. Kumbaro e quajti Musinenë “simbol që përmes brishtësisë i qëndroi diktaturës, Gruaja- Libër”.
“Musineja mbetet një personazh që intrigon me kombinimin e çuditshëm që përvijohet, midis profilit shumë të rafinuar, siluetës prej Madone, vështrimit të përhumbur, deklaratave të forta, zgjedhjes socialdemokrate, vrazhdësisë së gjyqit politik, teksteve naive me nënon plakë, kërkimit akademik në një italishte perfekte, nga sokakët e të marrëve te kishat bibliotekë të Romës, nga burgu te pavijoni onkologjik; nga qëndismat e mëndafshta te fjala e dëshpëruar prej mungesës së lirisë”, tha Kumbaro.
I pranishëm në ceremoninë kremtuese në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtares së parë shqiptare dhe intelektuales së shquar Musine Kokalari, Kryeministri Edi Rama tha se “Dosja e Musinesë do të jetë e para që do hapë një histori të re, të hedhjes dritë mbi faktet tragjike të së shkuarës dhe të shqyrtimit të gjithë dokumenteve dhe njohjen me gjithë personazhet që i kanë ikur dritës së të shkuarës që shumë shpesh na janë shfaqur me dy gishtat lart përballë prozhektorëve të të sotmes”.

KUSH ISHTE MUSINEJA

Musine Kokalari lindi në shkurt të vitit 1917, në Adale të Turqisë. Në vitin 1921 familja e saj u kthye në Shqipëri, ku u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vite më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë.
Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939.
Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Rinisë”. Në vitin 1944 ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari.
Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945 u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit dhe gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta

Burimi: http://shqiperiaime.al/post-10609

 

Postime të ngjashme