4 mars 1946: Nisja e masakrës komuniste kundër klerit në Shqipëri

gjyqimartireve

Më 4 mars, përkujtojmë fillimet e masakrës masive komuniste kundër klerit katolik në Shqipëri. Në orën pesë të mëngjesit të datës 4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër, pranë varrezave të qytetit, atë Gjovanni Fausti e atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Mark Çuni, atë Gjon Shllakun ofm, Qerim Sadikun dhe Gjelosh Lulashin. Të gjithë këta martirë, së bashku me 32 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, janë shpallur të Lumë nga Selia e Shenjtë, më 5 nëntor 2016, gjatë një kremtimi solemn në Katedralen e Shkodër.

Gjashtë martirët e lartpërmendur, u akuzuan si sabotues e armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar, në të vërtetë u pushkatuan me urdhër të diktatorit famëkeq komunist Enver Hoxha vetëm pse besonin në Zotin e vetëm pse mbronin të drejtat themelore të popullit e të atdheut. Vrasja e këtyre martirëve ishte vetëm fillimi i rrugës së kalvarit, që përshkoi kleri e populli shqiptar gjatë regjimit komunist, kalvar që ngadhënjeu mbi errësirën dhe tmerret e përbindshme të diktaturës komuniste në Shqipëri.  Ja shkurtimisht disa të dhëna mbi martirët e parë të Kishës shqiptare në kohën e diktaturës komuniste:

Atë Daniel Dajani S.J.
Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë çnjerëzore.

Atë Giovanni Fausti S.J. 
Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit. Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: “Të shkojmë në shtëpinë e Zotit”. U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.

Atë Gjon Shllaku ofm: 
Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Holandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!”.

Mark Çuni, seminarist 
Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946.

Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë nga regjimi komunist pse deshën Krishtin.

Një reflektim i jezuitit Atë Mario Imperatori mbi domethënien e martirizimit të Atë Daniel Dajanit e Atë Giovanni Faustit Jezuitë.
Me rastin e  përvjetorit të pushkatimit të këtyre martirëve, më 4 mars 1044, ja një reflektim i jezuitit Atë Mario Imperatorit S.J. nga Seminari “Zoja e Këshillit të Mirë” Shkodër, mbajtur më 2 mars 2006 gjatë një takimi përkujtimore me një ekspozitë fotografike me dokumenta të epokës, nën kujdesin e historianit prof. Willy Kamsit.

Shkruan Atë Mario Imperatori mbi martirizimin e Atë G. Faustit e të Atë D. Dajanit: “Në orën pesë të mëngjesit të datës 4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër, pranë varrezave të qytetit, atë Giovanni Fausti dhe atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Mark Çuni, atë Gjon Shllakun ofm, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashin. U akuzuan se ishin sabotues dhe armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar.

Si kanë ardhur punët deri këtu

1.Konteksti shqiptar

Duke filluar nga shtatori i vitit 1944 trupat gjermane u larguan nga Shqipëria. Më 28 nëntor ushtarët e fundit gjermanë u larguan nga Shkodra, e cila prej disa muajsh ishte pre e kaosit. Kjo tërheqje përcaktoi edhe rënien e qeverisë së Regjencës (mëkëmbësit), e cila, e ndjeshme ndaj pavarësisë së një Shqipërie të Madhe të premtuar me shkathtësi nga Berlini dhe përballë rrëmujës dramatike të krijuar nga rënia e fashizmit italian, kishte pranuar bashkëpunimin me Gjermaninë naziste me shpresën për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Në këtë qeveri veproi, në emër ekskluzivisht personal, edhe atë Anton Harapi ofm.

Boshllëku i pushtetit u mbush me të shpejtë nga komunistët shqiptarë të Frontit Nacional Çlirimtar, objektivi parësor i të cilit «ishte të merrte pushtetin politik me çdo çmim si forcë e vetme politike në Shqipëri». Fronti tashmë kishte marrë epërsi mbi partizanët e Ballit Kombëtar, lëvizje-parti e larme nacionaliste dhe antikomuniste, e krijuar për të luftuar pushtuesin italian dhe ku ishin angazhuar gjymtyrë të shumta të klerit lokal.

Komunistët shqiptarë me të shpejtë fillojnë të ndërtojnë Shtetin totalitar nëpërmjet eliminimit fizik apo dënimit me heqje të gjata të lirisë së kundërshtarëve të tyre politikë e kulturorë. Tashmë jemi në mesin e luftës civile dhe në krejt vendin mbretëron terrori dhe frika. Qysh në nëntor të vitit 1944 shënohet në fakt në zonën e Kukësit vrasja e 36 personave të pafajshëm. Në dhjetor të po këtij viti në Shkodër arrestohet dhe torturohet egërsisht dom Lazër Shantoja, që në vitin 1939, duke mos iu bindur eprorëve të vet dhe për arsye politike kulturore, kishte pranuar të bëhej inspektor i Zyrës së shtypit dhe i propagandës së regjimit fashist okupator. Në janar të vitit 1945, në Tiranë, tetë të burgosur politikë vriten me gjakftohtësi në sheshin e Bashkisë përpara turmës së terrorizuar. Në janar të po atij viti arrestohen në Shkodër dom Ndre Zadeja dhe 10 krerë katolikë të malësive. Sipas dëshmisë së maestrit L. Rosa s.j., gjatë procesit me dyer të mbyllura të gjithë këta do të deklarojnë kundërvënien e tyre ndaj komunizmit si ideologji ateiste. Të gjithë do të pushkatohen më 25 mars të po atij viti, nën akuzën se kishin bashkëpunuar me Ballin Kombëtar.

2.Atë Fausti dhe atë Dajani

E gjithë kjo e prek drejtpërsëdrejti edhe Seminarin e Shkodrës, i cili qysh në mesin e dhjetorit të vitit 1944 pëson bastisjen e parë (do të ketë gjithsej 16 të tilla) për të kërkuar më kot armë dhe materiale politikish kompromentuese. Në fund të janarit të vitit 1945 erdhi në Shkodër vetë Mehmet Shehu, i cili e quajti këtë qytet një qendër reaksionare dhe kundërrevolucionare; bastisjet në Shkodër dhe në rrethinat e saj bëhen gjithnjë e më të rënda dhe më të dhunshme: sipas dëshmisë së L. Rosa, në bastisjen e fundit të Seminarit, në shkurt të vitit 1945, morën pjesë rreth 700-800 ushtarë. Në prill, në burgjet e Shkodrës, numëroheshin tashmë 1.000 të burgosur politikë. Përballë rëndësisë së situatës, në maj të po këtij viti atë Fausti u emërua zëvendësprovincial dhe vjen në Shkodër nga Tirana, ku gjendej qysh prej tetorit të vitit 1943.

Lindur afër Breshës (IT) më 09 tetor 1899, atë Fausti ka qenë profesor i teologjisë në Seminarin e Shkodrës nga viti 1929 deri në vitin 1932, duke treguar një interes të shquar për dialogun me Islamin mistik, gjë që do të konkretizohej në studimin e gjuhës arabe dhe në botimin e një serie artikujsh mbi këtë argument në revistën La Civiltà Cattolica mes viteve 1931 dhe 1933. Ndryshe nga shumica e bashkëvëllezërve jezuitë italianë, ishte një antifashist i bindur, si miku i tij G.B. Montini dhe shumë katolikë intelektualë të tjerë breshanë të asaj kohe. I detyruar që të kthehet në atdhe në vitin 1932 për shkak të një forme të rëndë tuberkulozi, përveç se mësoi filozofi në fakultetin e filozofisë në Galarate të Italisë, do të përhapte edhe shoqatën «Miq të Lindjes islamike» dhe do të zhvillonte një apostullim të dendur në këtë fushë, duke merituar në këtë mënyrë titullin e nderit «pararendës i dialogut islamiko-të krishterë». Duke marrë me mend rënien e shpejtë të regjimit fashist në Itali dhe nevojën për të pasur në Shqipëri një jezuit jo të kompromentuar politikisht me regjimin, në korrik të vitit 1942 eprorët dërguan atë Faustin në Shkodër si rektor të Seminarit. Në tetor të vitit pasardhës, kërcënimi i internimit nga okupatorët e rinj gjermanë për shkak të ndihmesës së viktimave të operacioneve spastruese të SS-ve, do ta detyrojë të transferohet në Tiranë, dhe atë G. Karma do ta zëvendësojë në detyrën e rektorit.

Në shtator të vitit 1945 zevendesprovincial Fausti emëron atë Dajanin si rektor të seminarit, deri atëherë drejtor dhe mësues në Kolegjin saverian. Lindur në Blinisht më 02 dhjetor 1906, nxënës i Seminarit, më 1926 do të hyjë në Shoqërinë e Jezusit në Itali, ku do të shugurohet meshtar në vitin 1938. Në vitin 1940 kthehet në Shqipëri dhe fillon punën në Kolegj, në misionin shëtitës dhe si redaktor i revistës Lajmëtari i Zemrës së Jezu Krishtit, të cilës i jep edhe një drejtim kulturor. Ai ushtronte një tërheqje të sigurt mbi nxënësit e vet, njëri prej të cilëve dëshmon se:

« Atë Dajani ishte gojëmbël, i dashur me të gjithë dhe, me format tërheqëse që përdorte, bënte që ne t’i qëndronim pranë me orë të tëra plot kënaqësi…».

L. Rosa, që në atë kohë ishte maestër jezuit në Seminar, dëshmon se në të gjitha detyrat që ka kryer, atë Dajani: «u dallua për kundërvënien e tij instinktive ndaj politikës, për maturinë, ekuilibrin dhe maturinë e ideve të tija, të gjykimeve dhe të sjelljeve të tija».

3.Organizimi i shoqatës «Bashkimi Shqiptar»

Pikërisht ndërsa atë Fausti kthehet në Shkodër, në maj të vitit 1945 në Seminar mbahen disa konferenca nga disa të rinj komunistë. Edhe për shkak të disa pakujdesive gojore të atë Gardinit, këto konferenca do të shkaktojnë tensione që do të çojnë, më 21 qershor 1945, në arrestimin e atë Gardinit dhe të maestrit jezuit Gjergj Vata. Përballë situatës politike teper tensionuar, në korrik seminaristët, të dërguar në shtëpi për pushimet verore, në mënyrë eksplicite ftohen nga atë Fausti: «që të qëndronin larg politikës, të bënin kujdes kur flisnin… Nga sjellja e tyre mund të varej e ardhmja e Seminarit dhe vetë thirrja e tyre»,siç është shkruar në dorëshkrimet e L. Rosa, i cili shton se «po kështu porosisnin shumë herë eprorët e tjerë», siç do të ripohojë gjatë procesit vetë atë Dajani duke deklaruar: «kam folur me ta për rreth një çerek ore, duke i porositur që të kenë kujdes dhe të mos merren me politikë, por duke i ftuar që ta mbrojnë fenë nëse dikush flet keq për të».

L. Rosa shënon se këto porosi: «ndërsa do të harroheshin prej disa seminaristëve, gjatë procesit të atë Faustit do të shtrembëroheshin dhe do të interpretoheshin me dashakeqësi nga gjykatësit».

Në fakt, qysh prej disa muajsh këto porosi nuk ndiqen aspak nga seminaristi i vitit të katërt të teologjisë Mark Çuni që sipas Pepës «shquhej për ndjenjat e tij patriotike dhe për ato kundër diktaturës fashiste». Pushkatimet e bëra nga komunistët shqiptarë dhe mundimet e dhunimet e vazhdueshme të bëra prej tyre, e shtynë këtë seminarist 26-vjeçar nga Rranxat e Bushatit që të themelojë organizatën patriotike «Bashkimi Shqiptar», duke mbledhur rreth vetes disa seminaristë dhe disa gjimnazistë të qytetit, të cilët, duke i bërë bisht kontrollit të eprorëve, mblidhen natën edhe në mjediset e Seminarit, sipas rastit sipas Zezaj dhe rregullisht siç pohon atë A. Luli. Sipas atit Felice Chiesa s.j., ish-rektor i Seminarit dhe në atë kohë atë shpirtëror i jezuitëve në Shkodër, njëri prej motiveve që i shtyu këta seminaristë qe edhe fakti se gjatë verës ata «panë dhe pësuan mundime nga disa elementë të pushtetit». Bashkimi Shqiptar pati kontakte të jashtme me politikanë nacionalistë në Tiranë dhe një herë edhe me dy oficerë të akademisë ushtarake. Objektivi i drejtpërdrejtë i Shoqatës ishte zhvillimi i propagande nëpërmjet trakteve, për ta bërë më të ndjeshme popullatën jo vetëm të Shkodrës, por edhe të Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit, mbi rrezikun komunist dhe për ta ftuar më pas atë që të mos merrte pjesë në zgjedhjet-farsë që ndërkohë komunistët kishin shpallur për datën 02 dhjetor 1945. Kështu i përshkruan këto trakte Gjovalin Zezaj, në atë kohë anëtar 17-vjeçar i organizatës:

«Traktet përpiloheshin nga seminaristët Mark Çuni, Gjon Shllaku, Pjetër Gruda etj., meqë kishin horizont të gjerë kulturore. Traktet në përgjithësi kishin përmbajtje me frymë kombëtare, antisllave e antikomuniste, duke vënë në dukje tradhtinë e madhe që iu bë popullit me anë të frontit Demokratik, që nuk ishte gjë tjetër veçse një levë e fuqishme e qeverisë komuniste në fuqi, e cila Organizatën tonë e paraqiste terroriste-fashiste, e kjo në kundërshtim me të vërtetën».

Këto trakte shkruheshin dhe shtypeshin në trapazanin e Seminarit, natën, pa dijeninë dhe kundër udhëzimeve të eprorëve. Dom Ndoc Nogaj, në atë kohë seminarist, edhe pse s’ka qenë kurrë anëtar i organizatës Bashkimi Shqiptar, dëshmon se:

«pa vullnetin tim, kam qenë dëshmitar i të gjitha veprimeve që bëheshin në Seminar prej kësaj organizate, duke përjashtuar mbledhjet, shtypjen e trakteve dhe shpërndarjen e tyre».

Dhe se veprimtarinë e organizatës Bashkimi përfshiu shumë seminaristë dëshmohet nga një letër që atë Troshani s.j. më 20 dhjetor 1945, cituar nga maestri L. Caldiroli në një letër dërguar provincialit të vet më 11 janar 1946 dhe sipas të cilit «duket se krejt dhoma e të mëdhenjve ishte e kompromentuar».

Ndërsa në lidhje me atë Faustin dhe atë Dajanin don Nogaj pohon se: «mund të deklaroj me bindje të plotë se ata nuk kanë bërë as nuk do të mund të bënin pjesë, në asnjë organizatë politike e aq më pak në një organizatë fëmijësh siç qe ajo e Bashkimit Shqiptar, por, edhe, në asnjë lloj organizate tjetër, qofshin këto pro apo kontra çdo shteti».

Edhe sipas atë Troshanit «seminaristët bënë fshehtas gjithçka, pa pyetur eprorët e tyre». Ky gjykim pohohet edhe nga atë A. Luli s.j., sipas të cilit ata «vepronin pa dijeninë e eprorëve». Dhe nga ati Chiesa e pohon një gjë të tillë, edhe sepse:

«me seminaristët i nderuari atë Fausti nuk kishte asnjë marrëdhënie disiplinore, dhe i nderuari Atë Rektori nuk ishte gjithmonë në kontakt me ta, pasi ai kishte drejtimin e përgjithshëm të të gjitha veprave tona në Shkodër».

Por kur e filloi veprimtarinë e vet seminaristi Çuni, për gjerësinë e së cilës asnjë prej përgjegjësve të Seminarit me sa duket nuk ishte me të vërtetë i vetëdijshëm? Atë L. Fozzer s.j. flet për një dëshmi gojore të atë Gj. Vatës s.j., atëherë maestër jezuit në Seminar, sipas së cilës Çuni, me sa duhet para datës 21 qershor 1945, pasi kishte marrë besën se nuk do të nxirrte asnjë fjalë, i tregon gjithçka mbi çfarë po bënte jezuitit të ri shqiptar, i cili, i frikësuar dhe i shqetësuar, i kërkon Çunit që t’i premtojë se do ta ndërpriste menjëherë veprimtarinë e vet të rrezikshme politike. Por Çuni nuk do t’i qëndrojë besnik fjalës së dhënë. Në çdo rast atë Fausti e atë Dajani nuk ishin aspak në dijeni të gjithë asaj që në mënyrë të rrezikshme po ndodhte brenda mureve të Seminarit, ndërsa të tjerë shihnin dhe heshtnin.

Në tetor seminaristët e Bashkimit hartuan një Memorandum mbi gjendjen dramatike politike të Shqipërisë, të cilin Zezaj do t’ia dërgojë gjeneralit amerikan Hudson gjatë vizitës së tij në Shkodër, ku, duke nisur nga fundi i muajit nëntor, numri i pushkatimeve mund të sillej sipas Rozës rreth nga 500 deri në 800 vetë. Çuni, me sa duket i vetëdijshëm për rrezikun e madh që po u bënte të kalonin jo vetëm eprorët, por edhe krejt Seminari, shpresonte që kjo gjë do të mbetej e fshehtë, aq sa në fillim të nëntorit në qytet u përhap fjala për një zbarkim të mundshëm anglo-amerikan në Shqipëri, me mbështetjen e bandave kundërtitiste në veri dhe me një ndërhyrje të Greqisë në jug.

4.Fillimi i dramës

Por diçka shkon keq. Mbrëmjen e datës 27 nëntor 1945, në orën 23.00 Zezaj arrestohet dhe merret në pyetje për marrëdhëniet e tij me Çunin. E njëjta gjë u ndodh edhe katër anëtarëve të tjerë të organizatës. Hetuesit dyshonin diçka për rolin e luajtur nga Çuni në Bashkimin Shqiptar. Rosa pohon se në datat 29 dhe 30 nëntor në Seminar dihej se të rinjtë e arrestuar ishin torturuar dhe mendon se ekzistonte mundësia se disa prej tyre kishin folur.

Sipas zotit Zezaj, Çuni, duke e ditur se tashmë eprorët dhe Seminari po rrezikonin shumë, ia zbulon vetë të gjitha rektorit duke i propozuar që si rrugëzgjidhje të kalonte në ilegalitet. Por rektori, që ishte atë Dajani dhe jo Fausti, ashtu si gabimisht pohon Zezaj, do t’i ishte përgjigjur: «Nëse ti bën një veprim të tillë për seminarin do të jetë një katastrofë, prandaj më mirë rri e besoj se nuk do të ndëshkohesh». Gjatë procesit-farsë në vijim, vetë atë Dajani do të pohojë se ai dhe atë Fausti kishin pasur dijeni për veprimtarinë e Bashkimit vetëm tri ditë para arrestimit të Çunit, që u bë më 7 dhjetor. Duke u bazuar në shënimet e L. Rozës, Guidetti mbron idenë se megjithatë vetëm natën e arrestimit të Çunit disa prej seminaristëve do të kishin filluar t’ia tregonin Faustit aktivitetin e Bashkimit në Seminarin. Sipas Rasa «të shumtë janë të kompromentuarit: kryesorët dhe disa prej frikacakëve kërkojnë të largohen nga seminari dhe të fshihen», por atë Fausti mohon me vendosmëri një leje të tillë duke deklaruar:

«Ju keni shkelur rëndë dëgjesën dhe disiplinën: tani bëni pendesë. Nëse ju lëmë të largoheni nga Shkodra, do të dyshojnë se kemi gisht në këtë punë: Eprorët dhe vetë Seminari do të jenë në rrezik. Nuk është e drejtë që të pafajshmit të vuajnë për fajin tuaj».

Sapo merr vesh për këto ngjarje, Imzot Frano Gjini, në atë kohë Delegat Apostolik në Shqipëri, do të pohojë më vonë se:

«Unë, si i ngarkuem i përkoshëm i delegacionit Apostolik i kam dërguar këtë vendim Seminarit Papnor të Shkodrës, që pjesëmarrësit në këtë akcion politik kanë shkelë randë disiplinën e Seminarit aq sa me vue në rrezik dhe jetën e superioreve, prandaj u hiqet e drejta e vazhdimit të studimeve».

Në çdo rast do të shfaqet gjithnjë e më qartë se si, ajo që atë Kisha nuk heziton ta quajë «një mosdëgjesë e pamatur», Çuni u kishte dhënë tashmë komunistëve shqiptarë, gati si në një pjatë të argjend, atë rast të volitshëm deri atëherë të kërkuar gjatë, por më kot prej tyre, që të mund t’i goditnin drejtpërsëdrejti eprorët e Seminarit, me një operacion që përvijohet gjithnjë e më qartë si një përndjekje e mirëfilltë kundër klerit katolik, që vite më parë kishte luftuar komunizmin në fushën kulturore, për shkak të ideologjisë së tij ateiste. Mbrëmjen e datës 9 dhjetor arrestohet një seminarist tjetër, Gjon Shllaku dhe në këtë pikë ndonjë seminarist jo i përfshirë në organizatën e Çunit qorton në mënyrë eksplicite eprorët për vigjilencën e tyre të pakët. Këtë kritikë të rëndë atë Fausti e relativizon duke u kufizuar në pohimin se «është e natyrshme, për shkak të karakterit dhe të përshtypjes së momentit, që të shfrejnë në këtë mënyrë». Në të njëjtën kohë ai i nxit me forcë seminaristët për dëgjesë, duke treguar «se çfarë pasojash mund të sjellë mospërshtatja me udhëzimet e eprorëve». Mbrëmjen e datës 11 dhjetor arrestohen edhe katër seminaristë të tjerë. Në dorëshkrimet e L. Rozës përshkruhet një episod që na mundëson të kuptojmë mirë se cila qe, ndër ato ditë dramatike, klima e Seminarit:

«Në shtëpi të gjithë janë në dyshim nëse duhet t’u dërgohet ushqim seminaristëve të burgosur […]. Dikush thotë se është më mirë që të lihen në mëshirë të fatit, aq sa nuk mund të konsiderohen më pjesëtarë të Seminarit pas asaj që kanë bërë: madje propozon të përjashtohen zyrtarisht nga Seminari. Atë Fausti dhe atë Dajani parapëlqejnë që të mos ia mohojnë bamirësinë që të kenë pak ushqim, kjo edhe sepse gjesti ynë mund t’i atribuohet ngurtësisë së zemrës».

5.Zbritja në ferr

Ndërkohë në burg komunistët shqiptarë u vërsulën në mënyrë të veçantë kundër nismëtarit të Bashkimit Shqiptar, të cilin e torturojnë në mënyrë çnjerëzore, siç dëshmon Zezaj, që e takon në burg: «Aty gjeta Mark Çunin që dergjej pa shtrojë e mbulojë i katandisur mos Zot më keq, nga njëra anë torturat, nga ana tjetër edhe krahun e thyer pa kurrfarë ndihme mjekësore […]. Krahun e thyer ia lidha me një peshqir që ndava përgjysmë, ndërsa plagët ishin të shumta e ku kisha mundësi ia freskoja me ujë».

Nëse Zezaj mohon një pranim të akuzave nga Çuni gjatë torturave, dom Ndoc Nogaj përkundrazi pohon se gjatë procesit-farsë publik të mëvonshëm:

«Kam dëgjuar mjerisht, me veshët e mi, deponimet fallso të disa pjesëtarëve të grupit “Bashkimi Shqiptar” që deklaronin se Atë Gjon Fausti dhe Atë Danjel Dajani kishin patur dijeni për ekzistencën dhe veprimtarinë e grupit në fjalë, deponime këto të bëra edhe nga Mark Çuni, Gjon Shllaku, Gjovalin Zeza, Luigj Kçira, Gjergj Bici [….], por të nxjerra sigurisht me forcën e torturave të tmerrshme».

Më 24 dhjetor maestri L. Rosa mori një pusullë në të cilën jo vetëm pohohej ajo që tashmë dihej prej disa ditësh, domethënë torturat çnjerëzore të pësuara nga seminaristët e arrestuar, por edhe se objektivi eksplicit i këtyre torturave, ai i kompromentimit të drejtpërsëdrejtë të atë Faustit dhe të atë Dajanit në çështjen e Bashkimit Shqiptar, deri tani nuk është arritur ende. Në këtë pusullë pohohej në fakt se seminaristët:

«kanë mohuar prerazi; thonë: “nëse jezuitët do ta kishin ditur, do të na kishin dëbuar nga Seminari”. Tani për tani pra, ju nuk jeni në rrezik. Zhduke menjëherë këtë pusullë».

Dhe jezuiti L. Rosa, nga ana tjetër, shton se «Atë L. Rosa ia dorëzon atë Dajanit, i cili ia tregon atë Faustit dhe e zhduk». Duke cituar një relacion të shkruar «falë pendës së një Personazhi të rëndësishëm Italian, i cili ishte shumë mirë në dijeni të gjërave që po ndodhnin atje poshtë», por për fatkeqësi të panjohur për ne, Rosa mohon edhe çdo dorëzim të mëvonshëm të M. Çunit dhe të shokëve të tij, siç e ka mohuar më vonë edhe atë A. Luli s.j..

Në çdo rast mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1945, pas kthimit nga një ekskursion dhe pas këngës Te Deum, atë Dajani dhe atë Fausti arrestohen dhe çohen në një shtëpi qytetare dykatëshe, që shërbente si burg. Kështu zbresin në atë ferr ku i kishin paraprirë ata seminaristë që, me mosdëgjesën e tyre, i kishin kompromentuar. Lajmi arriti deri në veshët e Çunit, i cili me siguri është tronditur thellësisht nga arrestimi i eprorëve të vet, ashtu siç lë të kuptohet qartë Zezaj kur shkruan se: «Me arrestimin e dy eprorëve Mark Çuni i harroi dhimbjet e trupit dhe krahun e thyer nga torturat e sadistëve. Atij i dukej se për këtë katastrofë kishte edhe ai njëfarë përgjegjësie».

Për këtë nuk është e vështirë të përfytyrohet se pas arrestimit të eprorëve të vet fillon për Çunin një ecje e dhimbshme kthimi dhe pastrimi, e cila bëhet e mundshme nga një bashkësi e thellë shpirtërore dhe fizike me ta, të thirrur të paguajnë pasojat edhe të mosdëgjesës së tij. Falë kësaj ecjeje pastrimi dhe mbështetjes së tyre të mistershme, vuajtja fizike dhe morale e pësuar prej tij do ta bëjë patriotin Çuni, që në emër të një ideali politik antikomunist nuk kishte qenë i dëgjueshëm ndaj tyre duke u dhënë kështu komunistëve pretekstin aq të dëshiruar për të goditur Kishën, një dëshmitar të Krishtit dhe të dashurisë së Tij ndaj të gjithëve, përfshi edhe komunistët. Ai provoi në këtë mënyrë, në vetë mishin e vet, mosnjëjtësimin e fesë me atdheun, një mosnjëjtësim që binomi i njohur Fe e Atdhe, atëherë shumë i përhapur në rrethet katolike të Shkodrës, përkundrazi prirej ta bënte.

Një pamje e shpejtë, por e ndritshme mbi bashkësinë e mistershme që tashmë lidh Çunin me eprorët e vet mund të kuptohet nga takimi që, falë bashkëpunimit të disa rojeve, Zezaj ka mundur të ketë në burg me atë Faustin:

«Një ditë mora me vete në xhep dy portokallë e i përcjellur nga Fadili (roja) i dhurova Padër Faustit, por ai nuk i pranoi në asnjë mënyrë. “Jo bir”, – tha i, – “nuk t’i marr, ti ke nevojë të ushqehesh në këtë vend se je i ri”. Pastaj bëri një bisedë disa sekondash me mua ku më tha: “Lutju Zotit. Krishti vdiq për ne, dhe ne do t’i falim armiqtë tonë. Ai kur u kryqësua tha: O Zot fali ata se nuk dijnë çka bëjnë”. U largova duke i puthur dorën e duke marrë bekimin e tij».

Natyrisht vetëm Hyji e di se si, gjatë atyre dy muajve të tmerrshëm që do të pasonin gjatë procesit, bashkësia mes Çunit dhe eprorëve të vet ka vepruar konkretisht në zemrat e secilit prej tyre, në mënyrë që të gjithë të mund të arrinin majën e dëshmisë së krishterë: dashurinë ndaj armikut. Në fund të procesit atë Dajani do të pohojë në çdo rast se:

«Pjesëmarrja e seminaristëve ka qenë kundra rregullave tona fetare. Mark Çuni, mbasi i kishin arrestuar shokët, erdhi tre ditë rresht duke më kërkuar leje për arratisje, unë nuk e lejova, sepse thashë nuk është ndonjë gjë me rëndësi, as masë nuk mora [….], sepse prita që të merrte fund puna e qeverisë dhe gjyqi, pastaj ne më vonë do të merrnim masat tona disiplinore».

Pas këtyre fjalëve Çuni, i cili mezi po mbahem në këmbët e veta për shkak të torturave, do të marrë mbi vete krejt përgjegjësinë e organizatës Bashkimi, duke kundërshtuar në mënyrë të veçantë çdo përfshirje të eprorëve të vet në këtë çështje.

Burimi anonim i cituar nga L. Rosa na jep edhe një të dhënë tjetër rreth ditëve të procesit kur pohon:

«Një hollësi shumë mallëngjyese na kujton diçka nga mundimet e Krishtit: duke kaluar nga burgu për në gjykatë atë Fausti, në mënyrë të veçantë mes të gjithë të pandehurve, u poshtërua, u sha dhe u pështy. Dhe kjo u përsërit për disa ditë me radhë, deri sa zgjati procesi. I shkreti atë Fausti… për shkak të shtrëngimit të prangave i kishte duart e fryra… Ndaj përqeshjeve, pështyrjeve, sharjeve, lot të mëdhenj binin mbi faqet e tija të pafajshme. Ishin lotët e Krishtit për Jerusalemin mosmirënjohës».

Sipas disa dëshmive të cituara nga Guidetti, atë Fausti, i cili i ka kaluar ditët e fundit në burg së bashku me Çunin:

«E ka trajtuar sikur të mos kishte bërë asgjë; madje e ka falur, e ka dashur kaq shumë sa ka folur me të sikur të mos kishte ndodhur asgjë: nuk ia ka përmendur aspak atë punë. U jepte zemër shokëve të burgut që të ishin të fortë, si dhe ngushëllonte edhe seminaristin».

Dhe sipas dëshmisë së një partizani që e ruante, katër ditë para pushkatimit atë Fausti «bënte shaka dhe ishte pothuajse i gëzuar, sikur të ishte ftuar në një festë».

Fryti përfundimtar i krejt kësaj drame do të shfaqet me qartësi në fjalët e fundit të të dënuarve, mëngjesin e datës 04 mars 1946, kur përpara skuadrës së pushkatimit atë Fausti do të thotë: «Jam i kënaqur që po vdes në krye të detyrës sime. Rroftë Krishti Mbret». Nga ana tjetër atë Dajani do të thotë në mënyrë eksplicite «I fali ata që më kanë ba keq» dhe po ashtu do të bëjë edhe Çuni «I fali të gjithë ata që më kanë gjykue, dënue si dhe ata që do të më ekzekutojnë».

Burimi anonim i L. Rozës duke iu referuar motiveve të dënimit me vdekje dhënë nga gjykata, shkruan:

«…nuk e dimë nëse dikush prej të pandehurve të tjerë ka ofruar ndonjë pretekst. Nëse do të ishte kështu, nuk do të kishte qenë veçse dëshira e zjarrtë e ligjshme e çdo qytetari për pavarësinë e Atdheut dhe për lirinë themelore të qytetarëve; për këtë do të gjendeshim përballë Martirëve të Atdheut dhe të Drejtave të njerëzve […].

Por ajo që është e sigurt ama është se: atë Fausti Giovanni dhe atë Dajani Daniel ranë nën plumbin vrasës si Jezuitë për shkak të urrejtjes ndaj Krishtit dhe Kishës, për këtë mund të konsiderohen Martirë të fesë. Shqiptarët e dinë. Historia do ta thotë».

Në dritën e fjalëve të tyre të fundit, bashkësia e thellë që lidh atë Faustin, atë Dajanin dhe seminaristin Çuni me njëri-tjetrin, që u krijua në një burg të shndërruar nga hiri i Krishtit si në një lloj të ri Seminari, neve na duket tashmë se është ajo e gjakut të vetë Qengjit të Zbulesës të ulur në fron. Është një gjak që nuk dallohet më as duke u nisur nga raca, as nga atdheu, por vetëm nga aftësia për t’u dhuruar falas, për t’u marrë së pari nga vetë ata që e derdhën, pa e ditur edhe vetë se çfarë po bënin. Një gjak-marrje që, e shndërruar nga Perëndia në një përkujtim të gjallë të dramës shpëtimsjellëse të Kalvarit, bëhet pikërisht për këtë hir kthimi dhe faljeje për të gjithë. Pjelloria e Tij do të kishte filluar të mbinte në mënyrë të pamendueshme në atë që do të bëhej figura më e njohur në rang botëror e katolicizmit me origjinë shqiptare, në Nënë Terezën e Kalkutës, e cila pak kohë më vonë, pikërisht më 10 shtator 1946, do të merrte nga Zoti në Indi frymëzimin për të themeluar një familje të re rregulltare. Ashtu siç përfundon burimi anonim i L. Rozës «Shqipëria ndoshta kishte nevojë për Martirë për një lirim, që është agim i rilindjes». Neve na është dhënë përgjegjësia e madhe për të mos qenë të padenjë për një hir të tillë”.

Atë Mario Imperatori s.j.

Shkodër, 2 mars 2006

Foto: Momenti kur “të akuzuarit” i çojnë drejt sallës së gjyqit.

Burimi: http://sq.radiovaticana.va/news/2017/03/03/4_mars_1946_nisi_masakra_komuniste_kund%C3%ABr_klerit_n%C3%AB_shqip%C3%ABri/1296162

Postime të ngjashme