45 vite pas Revoltës së Spaçit, të rinjtë nuk dinë asgjë për të

Dosja 50 – 1967; Udhëzim i Mehmet Shehut për ndërtimin e kampit.

Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj

Dyzet e pesë vite më parë, në “Repartin nr. 303” ndodhte ajo që në histori njihet si “Revolta e Spaçit”; prej mëngjesit të datës 21 deri mëngjesin e datës 23 maj. Tri ditë rebelim brenda një kampi ku të burgosurit politikë shfrytëzoheshin për punë të rëndë në galeritë e piritit dhe bakrit. Tri ditë liri të cilat drodhën themelet e pushtetit të diktatorit Hoxha. Pikërisht 45-vjetori i kësaj ngjarjeje u kujtua javën e katërt të majit të këtij viti dhe nxiti jo pak arsye për reflektim.

Spaçi u konceptua nga mendja e Mehmet Shehut në vitin 1967 dhe pas vetëm tre muajsh diskutime – gusht-tetor – u vendos që kampi të ndërtohej me synimin që atje të vendosej i ashtuquajturi “Reparti nr. 303” i të burgosurve politikë, të cilët shfrytëzoheshin për krah pune. Dosjet Nr. 50 dhe 139 të mbajtura atë vit nga Ministria e Ndërtimit tregojnë që në fillim se u mendua që pjesa më e madhe e punëtorëve atje të ishin të burgosur politikë dhe vetëm 600 të ishin “punëtorë të lirë”. Ata do të nisnin si fillim të ndërtonin uzinën e pasurimit të bakrit në Reps e më pas godinat në Spaç, ku përfundimisht do të vendoseshin vitin e ardhshëm.

Dosja 50 – 1967; Udhëzim i Mehmet Shehut për ndërtimin e kampit.

Dosja 50 – 1967; Udhëzim i Mehmet Shehut për ndërtimin e kampit.

Njëzet ton tel me gjemba u porosit që të rrethonte kampin dhe pjesa tjetër dihet. Keqtrajtime, tortura psikologjike dhe fizike… Të burgosurit ridënoheshin me vite të tjera shtesë për çdo “thyerje të rregullores”. Po ashtu shtoheshin edhe normat e nxjerrjes së mineraleve.

Për t’iu rikthyer historisë së “Revoltës”, ajo ndodhi pesë vite pas hapjes së kampit. Shkas u bë dhuna ndaj 33-vjeçarit Pal Zefi, i cili nuk kishte pranuar të punonte në galeri dhe për këtë kishte vuajtur një muaj izolim. Ai shfrytëzoi momentin kur rojat u hiqnin të dënuarve batanijet – gjë që zakonisht kryhej çdo mëngjes – për t’iu bashkuar me nxitim grupit tjetër të të burgosurve. Dhuna në sytë e tyre dhe kapja me forcë për ta rikthyer Zefin në izolim nxitën revoltën që më pas solli edhe përfshirjen e të gjithë të tjerëve. Përfshirja e të gjithëve bëri që komanda të zmbrapsej dhe kështu ta dorëzonte kampin për afro tri ditë, derisa me forca ushtarake të shumta ai do të rimerrej sërish nën kontroll.

Kjo është ajo që dihet përgjithësisht nga “Revolta e Spaçit”, por shumë pak për personat që morën pjesë në të, fatet e tyre dhe reagimin që bëri regjimi për t’i ndëshkuar. Ende nuk ka një analizë të përkthyer në një faqe historie në shkolla për të rinjtë, përse regjimi iu hakërrye ashpër disa të burgosurve politikë, duke dënuar 60 prej tyre me 1 000 vite shtesë burg dhe katër të tjerë me vdekje. Ç’rrezik ishin ata për shoqërinë?! Pse u frikësua regjimi?!

Ende shoqëria shqiptare nuk ka reflektuar sa duhet për të edukuar brezin e ri me atë model frymëzues të vlerave demokratike që përcjell e shkuara. Është ironike po ta mendosh që të rinjtë e sotëm dinë më tepër për historinë e Alkatrazit në Shtetet e Bashkuara sesa për një kamp-burg shqiptar në të cilin edhe ata që mundën t’i kalojnë telat me gjemba nuk e gëzuan dot lirinë pasi u pushkatuan nga togat ushtarake.

“Jam vetëm 23 vjeç. I lutem Partisë të ma falë jetën!”

Ndëshkimi i atyre që morë pjesë në “Revoltë e Spaçit” është i dokumentuar në arkiva. Dinamika e turrjes gjakatare të pushtetit ka mbetur në dosjen “tepër-sekret” nr. 38 të vitit 1973 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në 28 faqe të kësaj dosjeje, paraqitet vendimi i dënimit – të grupit të parë, nga pesë që u dënuan në tërësi – të 12 personave, 4 prej të cilëve me pushkatim. Relacioni i gjykatës dhe po kështu edhe lutjet e katër të dënuarve me vdekje.

Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko dhe Skënder Daja ishin tejet të rinj në moshë kur u pushkatuan: 33, 28, 27 dhe 23 vjeç. Të gjithë ishin të dënuar për tentativë arratisjeje apo për agjitacion dhe propagandë dhe më 23 maj 1973 do të akuzoheshin edhe për përpjekje/organizim për të rrëzuar pushtetin popullor, krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, akte terrori dhe sabotim, dënimi për të cilat ishte pushkatimi.

Gjyqi u bë menjëherë. Brenda ditës 23 maj “grupi i parë” (nga pesë grupe) i revoltës u dërgua në Tiranë dhe më pas në orën 23:00 nisi punën “Gjykata e Lartë”, që në të vërtetë ishte thjesht zëdhënësja e dënimeve të shkruara nga udhëheqja. Dënimi u dha direkt, por vendimi zbatohej vetëm pasi të merrej mendimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili kishte mundësinë që t’i falte… por nuk e bëri.

Pasi iu komunikua dënimi, duke u gdhirë dita e 24 majit, të katër të rinjve iu tha të shkruanin nga një lutje për Presidiumin Popullor. Ndalemi pak e ta imagjinojmë atë moment. Je 23 apo 33 vjeç. I pamartuar… ose edhe i martuar dhe madje me fëmijë. Ke gjithë jetën përpara. Deri dje mund të ëndërroje se çfarë do të bëje pasi të dalësh nga burgu. Kë do të takosh, kë do të përqafosh?! … Ndërsa tani të thuhet se do të të fusin plumbin pas koke! Do vdesësh! “Do të të vrasim pa gdhirë!”

Tmerr rrëqethës!

Letrat me kërkesë për falje drejtuar Presidiumit

Skënder Daja, dënuar për tentativë arratisje, sipas akuzës “u bëri thirrje shokëve për të shpëtuar gjoja Palin nga masa e arrestit që ishte marrë ndaj tij. Ai u tha se duhet të shpëtojmë shokun tonë, vëllanë tonë që po e mbysin. Ai shkatërroi dhomat e izolimit dhe veproi vetë i pari. Mori pjesë drejtpërdrejt në veprimet e kundërligjshme që u organizuan dhe u udhëhoqën nga Hajri Pasha e Paulin Vata. Rezistoi të dorëzohej e u mundua të përdorte forcë ndaj forcave tona në kohën e operacionit në kapjen e tij.” Kush e di çka menduar 23-vjeçari Daja kur ka shkruar ato rreshta. Kush i ka ardhur ndërmend?! E ëma, babai… A besoi ai vërtet se do t’i falej jeta? Thonë se kur përballesh me vdekjen, edhe në qofsh ateist beson në Zot sepse askush nuk do të vdesë:

Pjesë nga letra e Skënder Dajës

Pjesë nga letra e Skënder Dajës

“Presidiumit të Kuvendit Popullor

Un i nënshkruari Skënder Daja i datlindjes 1950 me arsim 8 vjeçar lindur në Tiran me origjin fshatar i varfër. Sot ndodhem në kampin 303 spaç i dënuar me 10 vjet heqje të liris më 1971 më 30 mars për tentativ arratisje dhe sot jam i dënuar me vdekje. I akuzuar me nenin 72-76 dhe 73. Në fakt un kam pranuar se i rebeluar kam bo propagand atë dit ashtu siç bërtitën e gjith kampi dhe nuk jam bo ndonjë her penges për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kurse kur mbaroi revolta ne kishim frik se do t’na rrihnin prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll kët letër lutje me shpres që të ma falni jetën si i ri që jam dhe si njeri i penduar për gabimet e fajet e mija.

Me nderime dhe respekt, Skënder Daja.

Dat 24-V-1973

Ju lutem përgjigje.”

Dervish Bejko, sipas akuzës “ka marrë pjesë aktive që nga grindjet me nënoficerët, e më pas me anë të parullave gjoja për liri të shokëve, e kundër Partisë, pushtetit, si dhe duke përdorur forcën dhe duke mos u bindur për t’u dorëzuar si shokët e tjerë në kohën që u krye operacioni brenda në repart. Ai u bëri thirrje të tjerëve që të mos dorëzohen: ‘ky është shtet gjakatar e nazist’.” Nga letra tronditëse e Bejkos 27-vjeçar lexohen qartë kushtet e rënduara psikologjike. Fjalët nuk lidhen mirë me njëra-tjetrën dhe në letër, teksa kërkon mëshirë, ai rrëfen se ka dy fëmijë:

Pjesë nga letra e Dervish Bejkos

Pjesë nga letra e Dervish Bejkos

“Presidumit të Kuvendit.

Lutje

Unë i dënuari Dervish Bejko, emri i babës Enver, lindur në Pogradec dhe banues në Korçë. Mbasi u dënova për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor dënim që (nuk lidhet mire me vazhdimin…) jam i ri me datlindje 1946 dhe në vitin 1971 jam dënuar nga dega e Elbasanit për përgatitje arratisje ndërsa tani e kam hongër kot meqë unë (nuk lidhet mire me vazhdimin…) dhe më vjen keq ose si të ju them jam një njeri me ndjenja por çdo gjë e kemi bërë pa koshjencë, dhe për këtë mbasi duhet të keni mëshirë për mua dhe dy fëmijët që kam lënë. Unë kam dhënë gjithmonë në çdo punë dhe në ushtri kam marrë fleta lavdërimi tani ju kërkoj mëshirë juve të presidjumit të K.V.P.SH se do të jem gjithmonë i gatshëm dhe do të punoj për pushtetin popullor çka shpresoj që lutja të merret parasysh.

Me nderime Dervish Bejko

Lutem përgjigje.”

Hajri Pasha, i dënuar për arratisje, sipas akuzës “ka qenë kryesor në organizimin e kësaj revolte, ka nxitur dhe ka marrë pjesë në nxjerrjen e të burgosurve të tjerë nga qelitë, heqjen e flamurit dhe ka mbajtur parulla dhe fjalime kundër Partisë e Pushtetit.” Në letrën e tij drejtuar Presidiumit, Pashaj shfaqet tejet i tronditur. Rreshtat e tij janë shumë të pjerrët dhe në letër ka edhe gabime të shkarravitura. Në të përmendet fort fakti se është i ri, vetëm 28 vjeç:

Pjesë nga letra e Hajri Pashajt

Pjesë nga letra e Hajri Pashajt

“Presidumit të Kuvendit Popullor

Lutje

Unë i dënuari Hajri Zenel Pashaj parashtroj lutjen sa vijon.

U dënova me vdekje pushkatim nga gjykata e lartë për veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor këtu në burg. Duke pasur parasysh se jam vetëm 28 vjeç i lutem të nderuarit Presidium që të ketë mirësinë dhe të më falë dënimin me vdekje. Do të jem i gatshëm për pushtetin popullor. Shpresoj se lujta ime do të merret në konsiderat.

Repart. Spaç

24-IV-73

Me nderime Hajri Pashaj.”

Pal Zefi, i dënuar për agjitacion e propagandë, sipas gjyqit “doli arbitrarisht nga dhoma e izolimit dhe refuzoi urdhrin e oficerit të rojës për t’u futur përsëri në dhomë. Kur u ndërhy nga nënoficerët për ta marrë i goditi ata edhe operativin me një hekur që mbante në dorë. I pandehuri shërbeu si shkas për të burgosurit e tjerë që të mos dilnin në punë dhe filluan të organizohen në protestat e tyre.” Në letrën e tij, 33-vjeçari Pal Zefi tregohet më i prerë. E pranon një pjesë të akuzave dhe tregon se nuk qëndrojnë të gjitha. Letra është më e shkurtër se e të tjerëve. Si duket ai nuk priste gjë nga Presidiumi dhe mbase ka qenë i detyruar ta shkruajë:

Pjesë nga letra e Pal Zefit

Pjesë nga letra e Pal Zefit

“Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.P.SH

I nënshkruari Pal Gjergj Zefi i datlindjes 940 me arsim 3 vjeçar mjekësi me origjinë fshatar i varfër lindur në sektorin Sukth-Shijak, sot në kampin 309 Spaç, i dënuar në vitin 1971 me dhjetë vjet burg për veprimtari propagandistike kundër Partisë dhe tani i dënuar me vdekje, pasi akuzohem se kam kryer krimin e parashikuar nga neni 72 dhe 76 dhe 73. Në fakt, ne e pranojmë se kemi kryer një rrahje me nënoficerët e repartit 303 dhe kemi zhvilluar propagandë, por nuk kemi marrë pjesë në ndonjë organizatë kundër Partisë. Prandaj ju lutem të kini mirësinë që t’na falni jetën.

Me nderim dhe respekt Pal Zefi.

Dt. 24.V.1973

Ju lutem përgjigje.”

Si u diskutua pushkatimi i 4 të burgosurve që bënë revoltën e Spaçit?

Po atë ditë, më 24 maj ora 13:30, Aranit Çela, në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportoi përpara Haxhi Lleshit, kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, nënkryetarëve Rita Marko, Mylsym Peza, Shefqet Peçi, sekretarit Bilbil Klosi dhe anëtarëve Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.

Aranit Çela foli përballë 12 personave, po aq sa ishin të dënuarit e grupit të parë të revoltës së Spaçit. Foli për fatet e katër prej tyre të cilët u dënuan me pushkatim, por askush nga anëtarët e Kuvendit s’figuron të ketë folur qoftë dhe një fjalë në procesverbalin e mbajtur për atë mbledhje. As intelektuali Dhimitër Shuteriqi nuk tha një fjalë për jetët e katër të rinjve të cilët, fundja-fundit, në burg që në burg ishin. Ç’rrezik mund të përbënin për pushtetin? Ndërkohë në asnjë pjesë nuk shkruhet se ndonjë nga anëtarët e Presidiumit i lexoi letrat e katër të dënuarve me vdekje.

Procesverbali

Haxhi Lleshi: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirrur kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela, për të na referuar.

Pjesë nga mbledhja e Presidiumit

Pjesë nga mbledhja e Presidiumit

Aranit Çela: Në kampin 309 në Spaç, ditët e fundit u bë një revoltë nga të burgosurit që përfshiu rreth 500–600 veta. Në fillim u dukën se shfaqën kërkesat e tyre si gjysmëpolitike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre etj. Mbasi plasi revolta, kërkesat e tyre u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike kundër pushtetit popullor. Tani të gjithë elementët që janë në këtë kamp janë nga ata politikë, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit dhe pushtetit popullor. Shkaku i revoltës ishte me parullën që të shpëtonin shokun që ishte një i dënuar që kishte shkelur rregullat e brendshme të kampit, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit që këta personat e tjerë nuk e dorëzonin. Kërkesat pra, në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parullat nga i dënuari Hajri Pashaj: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj” etj. Revolta zgjati tri ditë, më datë 21, 22, 23 maj 1973. Mbas përpjekjeve u desh të dërgonim forca e u rrethua kampi. Ata, sipas tyre, kishin krijuar një zonë të çliruar, vunë ligjet e tyre. U bë një demonstrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund iu dha ultimatumi. Nëse nuk do të dorëzoheshin, do përdornim armë. Mbas kësaj, nga ata u krijua njëfarë përçarjeje, sigurisht që në gjendjen që u krijua një pjesë e mirë u tronditën nga frika.

Pra, në mëngjesin e ditës së fundit, në orën e caktuar, u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave kështu që u krijua një përleshje me ta, një përleshje e vogël dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prumë në Tiranë dhe mbas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët 4 i dënoi me vdekje. Mbajtën një qëndrim konsekuent armiqësor, të gjithë janë elementë që kanë qenë dënuar për krime kundër shtetit, tradhti kundër atdheut, janë nga familje reaksionarësh, familje denbabaden armiq tonë. Pra, nga 12 që u zhvillua gjyqi, 4 u dënuan me vdekje.

Haxhi Lleshi: Po ata atje filluan punën?

Aranit Çela: Sot atyre ju është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe ju është thënë që në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do të kenë përgjegjësi, do të kenë konsekuenca. Siç duket situata u qetësua, turni i parë doli në punë.

Tani zhvillimi i gjyqit u bë me 12 që janë nga kryesorët, por që nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan 4 me vdekje, ndërsa të tjerët domethënë 8 të tjerët me 25 vjet burgim. Ishte shumë e vështirë të ndaheshin, të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që këta të katër të dënoheshin me vdekje dhe ata janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj.

Haxhi Lleshi: Tani shpjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni, të mbeten këta të katër me pushkatim.

Aranit Çela: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve, jo përpara kampit.

Haxhi Lleshi: Për këtë vendim, gjykoni ju, ku t’ju vijë mirë.

Rita Marko: Edhe unë jam dakord që këta të katër të dënohen me vdekje (pushkatim).

Vendoset që t’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

Pjesë nga mbledhja e Presidiumit

Pjesë nga mbledhja e Presidiumit

4 dënime me vdekje, 1 000 vite burg. Si i ndëshkoi regjimi organizatorët e Revoltës së Spaçit?

Fill sapo u mbyt revolta e Spaçit, më 24 maj 1973 nisi kalvari i dënimeve. Gjykata u zhvendos brenda ambienteve të kampit dhe i qëndroi “tullë” udhëzimeve terroriste që vinin nga diktatori. Me 5 çështje të ndryshme, u dënuan 5 grupe me një total prej 60 personash, prej të cilëve 4 me pushkatim. Për tre muaj, deri në fund të korrikut 1973, gjyqtarët dhanë në total 1 000 vite burg, ndonëse të gjithë ata të cilët u dënuan kishin edhe nga një dënim tjetër të mëparshëm.

Dinamika e gjyqeve dhe hetuesive “shpejt-e-shpejt” kuptohet qartë nga retorika që përdor Kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, në mbledhjen e parë të Presidiumit për këtë çështje. Ai thotë se të dënuarit janë nga “familje denbabaden armiq” dhe e pranon se “ishte e vështirë që të bëhej dallimi” mes grupit të të ndaluarve, por megjithatë ai e mbron vendimin me pushkatim të 4 prej 12 të dënuarve të parë.

Nga shqyrtimi i raportimeve të ndryshme të bëra rreth kësaj çështjeje ndër vite, informacioni më i përmbledhur është si më poshtë:

Grupi I – U dënuan me pushkatim Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj; 25 vjet burg Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Syrja Lame, Sami Dangëllia, Lush Vata, Jorgo Papa, Hodo Sokoli dhe Luan Koka (8 persona, totali 200 vite).

Grupi II – U dënuan me 25 vjet burg Fehti Kumanaku dhe Pal Marku; me 23 vjet Bedri Çoku dhe Murat Marta; me 22 vjet Jonuz Norja; me 20 vjet Ndroc Coku dhe Hasan Hibo; me 17 vjet Shuaip Ibrahimi; me 16 vjet Dervish Sulo, Mersin Vlashi, Haxhi Bena, Neim Pashaj, Naim Uka dhe Elez Hoxha; me 15 vjet Qemal Demiraj dhe Tomor Allabeu (16 persona, totali 301 vite).

Grupi III – U dënuan me 25 vjet burg Kostandin Papaj; 20 vite për Rexhep Lazrin dhe Sali Çunin; 18 vjet, Sherif Allamani; 16 vjet, Bashkim Fishta, Fatmir Llagami dhe Hulusi Pashollari; me 15 vjet Bebi Konomi dhe Njazi Bylykbashi; 14 vjet për Agron Xhelilin; 13 vjet shtesë për Mirash Gjokën, Refik Beqon dhe Nuri Stepën, dhe 12 vjet për Gëzim Çelën. (14 persona; totali 226 vite).

Grupi IV – U dënuan me 25 vjet burg Fadil Dushku, Demir Pojani dhe Gëzim Medolli; me 21 vjet Spiro Nasho; me 20 vjet të tjerë Çaush Çoku; me 16 vjet Sulo Veshi; me 15 vjet Petro Popaj; 14 vjet për Muharrem Dylin, Muharrem Isufin dhe Stefan Kolën dhe 12 vjet për Vladimir Priftin. (11 persona; totali 187 vite).

Grupi V – U dënua me 16 vjet burg Xhemal Bali; 15 vjet për Gjeto Kadelin, Sotiraq Simakun dhe Napolon Kolecin; 13 vjet për Bardhyl Fejzullarin; 12 vjet për Ferit Avdullarin dhe Hysen Xhanin (7 persona; totali 86 vite burg).

Hetuesit ishin: Ali Xhunga, Dhimitraq Shkodrani, Dhimo Sinani, Fejzo Aloçi, Fejzo Aloçi, Florian Kolaneci, Hamdi Meta, Irakli Kocani, Irfan Shaqiri, Isa Halilaj, Izet Hasani, Koço Josifi, Llambi Gegeni, Misto Shunda, Pelivan Luçi, Rustem Çipi, Sali Budo, Seit Sulaj, Shaban Dani, Skënder Myftari, Skënder Sadikaj, Vangjel Kote, Vasil Milo.

Prokurorët: Sotir Vaso, Zaim Myftari, Zef Deda.

Gjykatësit: Hilmi Telegrafi, Mit’hat Goskova, Ymer Aliko, Filip Lako, Gjin Pali, Pjetër Nikolli.

Postime të ngjashme