Romë 1956 / Përpjekjet e shqiptarëve në mërgim për të rrëzuar komunizmin

Mustafa Kruja

Pasi komunistët morën pushtetin në fund të 1944 dhe nisën të forcojnë themelet e regjimit, një numër i madh nacionalistësh në mërgim planifikonin e përgatiteshin se si të organizonin kryengritje e të rrëzonin regjimin e Enver Hoxhës.

Vitet ’50 ishin veçanërisht plot me përpjekje të kësaj natyre. Por cilat ishin rrymat politike mes shqiptarëve të mërguar nga Shqipëria dhe sa të organizuar ishin ata për t’u mbledhur rreth një Komiteti, që të mund të kontribuonin më tej për të organizuar shqiptarët për nji kryengritje masive që do t’i jepte fund pushtetit të komunizmit?

Kjo letër e Miftar Spahisë, e datës 10 shtator 1956, dërguar Mustafa Krujës në Amerikë, flet për lëvizjet nacionalistëve në mërgim në 1956, për krijimin e Komitet kombtàr Shqipnija e lire. Letra është pjesë e letërkëmbimit të Miftar Spahisë me Mustafa Krujën, publikuar në vëllimin V “Kuvend letrash me miqtë”.


Roça di Papa, 10 shtatuer 1956

I dashtuni mik Z. Mustafa Kruja,

Ka pak dit qi kam marrë kartolinën e juej të shkrueme me 1 shtatuer n’Amerikë. Do kohë ma perpara kam pasë marrë edhe kartolinën tjetër të shkrueme në Cannes para se të niseshit për Amerikë. Shumë u gzova qi keni mbrrijtë mirë dhe uroj qi të gjeni qetsí të mjaftueshme mbrenda gjinit familjàr, edhe pse të ngushtë.
Edhe une, me 1 gusht, e mora vizën për me emigrue n’Amerikë, por nuk kam me mundë me u nisë përpara mbarimit të tetorit ose fillimit të nandorit për arsye se nuk ka mjete udhtimi. Asllani nuk mundi me e marrë vizën me kuotën e jashtzakonshme, kështu qi i asht dashtë me u regjistrue ne kuotën e zakonshme shqiptare, por kjo ka me i u vonue shumë.

Sikurse mund t’a dijni ose do t’a keni marrë vesh, këtu erdhi prej France James Mc Caragar, Drejtor i Evropës së Lire për Evropën; erdhi me 6 të gushtit e u largue me 15; kështu të paktën pat thanë. S’pari ka pasë bisedime me antarët e Komitetit ekzekutiv e mandej me grupet e me partìt e ndryshme. Edhe une jam takue me te bashkë me dy shokë.

Antarëvet t’Ekzekutivit u ka thanë se do të bahet nji Komitet kombtàr Shqipnija e lire, por do të jete shum i ngushtë e do ta bahet me njerëz te cilsuem për me u përgjegjë nevojavet të kohës për shtyp, radjo, ACEN e mbledhje tjera ndërkombtare. Po ashtu u kishte thanë se do të bahet me njerëz te rìj (jo nga mosha); atëhere këta jane alarmue edhe kanë protestue se nuk duhet të lehen më nji anë edhe të vjetrit pse këta kanë nji za të madh në Shqipnì dhe mund të kontribuojne shumë për me çue në kambë popullin shqiptàr për nji kryengritje t’ardhëshme për me rrzue regjimin komunist; ky u asht përgjegjë se nuk duhet me i marrë fjalët e mija “ad litteram”.

Ndoshta do t’a keni pasë marrë vesh se, përpara se të vinte këtu Perfaqsuesi i Evropës së lirë, kanë pasë qenë formue kurrente te ndryshme opinjonesh edhe pikëpamjesh në mënyrë qi të bajshin nji presjon sa ma të madh e të thellë për me u a mbrrijtë qëllimevet të tyne politike e personale. Megjithëse asht vështire me i shtì ne hullì këto kurrente, mund të thomi se kanë qenë formue trì kryesore:

Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Sahit Kryeziu, Ali Këlcyra (i ndamë shum keqas prej Besëlidhjes edhe Blokut), Teodor Papalilo (edhe Nexhat Peshkopija) kanë ba nji shkresë të veçantë edhe i a kanë paraqitë Mc Cargarit; pikat kryesore të kësajë shkrese janë këto: Komiteti duhet të quhet si ma përpara Komiteti Kombtàr Shqipnija e lirë; të jetë politik e jo administrativ; mos të bahen dallime moshash por të merren njerëz të njoftun në luftën kundër komunizmit; të krijohen trì organizata; seksjoni politik, seksjoni ushtarak e ai i propagandës edhe i shtypit; komiteti të ketë rreth njizetë antarësh për me mundë me qenë i paraqitshëm n’opinjonin publik shqiptàr.

Bloku independent (Ismail Verlaci e Ndue Gjomarkaj) jane pa së bashku me Ymer Sharrën edhe Selim Damanin edhe kanë paraqitë nji shkresë. Kanë kërkue qi; Komiteti të ketë nja njizet antarë; nji pjesë e tìj të mbetet në Romë për arsye se sa ma afër Shqipnìs qi të jetë aq ma shumë përshtypje ban në popullin shqiptàr; të merret para sysh proporcjoni fetàr në zgjedhjen e kryesìs si edhe në përbamjen e Komitetit; të caktohet nji fond ndihme për ata qi janë pleq e qi s’mund t’emigrojnë.

Para se të nisej për Amerikë edhe Eduard Liço bashkë me disa shokë të vetët i pat paraqitë pikëpamjet e tìj publikisht me nji botim. Ky ka pasë kërkue qi mos të merren ma në Komitet ata qi as në Shqipnì e as këtu përjashta nuk kanë qenë të zotët për me prue bashkim e me punue si duhet kundër komunizmit. Ata qi i thonë vedit njerëz me influencë, pse nuk e përdorën ate të shkretë influence kur ishin në Shqipnì qi t’a ndalojshin ardhjen e komunizmit në Shqipní! Ka kërkue qi të merren njerëz të ríj në mentalitet e të jenë të cilsuem me u përgjegjë nevojavet të përpjekjes kundër komunizmit.

Këto kanë qenë pak a shum kurrentet kryesore qi kanë pasë qenë formue para se të vinte Përfaqsuesi i Evropës së lirë në Romë; këto pikëpamje mandej i kanë formulue edhe me shkrim e i a kanë paraqitë Përfaqsuesit.

Takime kanë pasë jo vetëm ata të komitetit ekzekutiv, por edhe grupet e personat e ndryshëm. Gjithsecili ka paraqitë mendimet e veta për me i mbushë menden në formimin e Komitetit simbas andjevet politike e personale.

Sikurse ju thashë ma sipër edhe na kemi pasë nji takim me te më datën 11 gusht. Kemi ndejtë nja dy orë; thuej se gjatë të gjithë kohës qi ndejtëm me te, kam folë unë. I kemi paraqitë nji shkresë fare të shkurtë pa u futë në imtsina. I kemi kërkue qi të bahet nji Komitet ma i gjanë se ai i vjetit 1949 e ma i vogël se ai i 53shit; të përbahet me njerëz të punës e të ndershëm, të caktohet nji fond për me ndihmue të gjithe ata qi janë pleq e qi s’mund të emigrojnë.

Unë i bana nji përshkrim të shkurtë të marredhanjevet midis Shqipnís edhe Amerikës dhe shpreha dëshirën qi Amerika të ketë edhe në kohën e ardhëshme nji simpatí për popullin shqiptar të vogël e të kërcnuem në të drejtat e tij kombtare. M’u përgjegj se Amerika e ka për parim qi mos të merren nëpër kambë te drejtat e asnjíj populli sado i vogël qoftë; tha se Amerika ka me u përpjekë gjithnji për derisa të vijë lirimi i plotë i të gjithë popujvet te shtypun nga komunizmi.

Miftar Spahija

Por i ka ba nji përshtypje shumë të keqe ndasija e thellë edhe përçamjet në gji të shqiptarvet; kur përmendi fjalën përçamje e shoqnoi edhe me gjestin e dy grushtavet për me rrehë kryet. Unë u mundova qi ket përshtypje të keqe t’ia ulshem sa ma shum qi t’ishte e mundun e për ket arsye i përmenda se na shqiptarët jemi nji komb shum i rì në jetën shtetnore dhe hala nuk kemi mbrrijtë n’at pjekuní qi ndeshjet e opinjonevet politike t’i konsiderojmë si t’ishin ndeshje sportive.

Megjithatë fakti i idhtë mbetet se na shqiptarët jemi me të vërtetë shumë të përçame e përmbi gjithçka jemi shumë egoista edhe duem qi punët e përgjithshme t’ia nënshtrojmë interesit personal. Bash kjo e metë ka shkaktue qi të kemi kaq shumë grindje e mos të mundemi me gjetë nji udhë të përbashkët mendimi e veprimi; bash kjo e metë bani qi edhe në Shqipní kurrë mos të bashkoheshim për me luftue me ma efikasitet komunizmin; gjithkujt ia merrte mendja se mund t’a shkatrrojë komunizmin me fuqìt e tija personale në mënyrë qi nesër nëqoftëse do të fitonte, mos t’i epte llogarì kujt e mos të bante njerì ortak në sundim!

Po ndalem me kaq edhe ju uroj shëndet e të gjitha të mirat si jù edhe të gjithvet në familje. Merrni të fala miqsore si prej Asllan Zenelit ashtu edhe prej meje.

I juaj

Miftar Spahija.

PS. Më 28 gusht vdiq Qazim Mulleti në Roça di Papa. I erdhi nji krizë e randë në zemër.

Shqiptarja.com, 23 janar ’18

Postime të ngjashme