Agron Tufa: Të kufizohet shfaqja e filmave të realizuar në diktaturë

kinostyudio

“Ç’rol edukativ mund të përmbushin filmat propagandistikë që nxitin urrejtjen midis shqiptarëve, që ushtrojnë gjenocid me luftën e klasave, fenë e besimet fetare, penat e poetët më të rëndësishëm të periudhës së Paraluftës së Dytë Botërore, që shpikin sabotatorë dhe u bëjnë jehonë gjyqeve të partisë, që shajnë e anatemojnë borgjezinë, Europën e SHBA?!”.

Shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, propozon kufizim të shfaqjes së filmave të realizuar gjatë viteve të diktaturës. Ai propozon ngritjen e një komisioni ekspertësh për të vlerësuar e seleksionuar filmat. Sipas Tufës, filmat nuk mund të zhduken, ata do të jenë pjesë e arkivave dhe objekte studimi, por filmat e seleksionuar sipas shkallës së ideologjisë që mbartin, të transmetohen në një orar të vonë, duke u paraprirë këtyre filmave me një bisedë 5- minutëshe. Ky debat i hapur nga Tufa, por edhe përplasja me shkrimtaren Diana Çuli, një nga ekspertet e poezive të poetit të pushkatuar Genc Leka, e ka bërë atë objekt fyerjesh dhe kërcënimesh, për të cilat ai ka bërë edhe denoncim në Polici.

Duke parë përmasat që ka marrë debati i hapur prej tij dhe keqkuptimet e rastit, Agron Tufa sqaron idenë e tij mbi filmat e socrealizmit.

Me apo pa dashje jeni vënë në qendër të një cikloni, duke hapur dy debate të mëdha, njëri në lidhje me kërkimin e ndjesës nga ana e bashkëpunëtorëve të regjimit të shkuar, dhe më konkretisht me shkrimtaren Diana Çuli, dhe tjetri në lidhje me filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Kemi mësuar se keni pasur edhe kërcënime, nga ç’drejtim vijnë ato, i njihni autorët dhe cilat janë kërcënimet konkrete?

Kjo vjen për shkak të mospërmbushjes nga shteti shqiptar postkomunist dhe nga shoqëria jonë postkomuniste të njërës prej detyrave themelore pas vitit 1990: dekomunistizimi i Shqipërisë nga trashëgimia staliniste.

Së këndejmi  vjen nervozizmi i nostalgjikëve dhe i atyre, që me qëndrimin e tyre bëhen dashje pa dashje “avokatët e djallit”. Jo më kot, sondazhi i OSBE-së i nxori 49% të shqiptarëve nostalgjikë të viteve të diktaturës. Ajo çfarë kërkoj e kam kërkuar vazhdimisht në qindra shkrime këto 15 vitet e fundit, ka qenë rishikimi dhe rileximi i thellë e reflektues i trashëgimisë së komunizmit shqiptar në të gjitha sferat e jetës shtetërore e publike. Mungesa e ndjeshmërisë është bërë tashmë mungesë sensi, higjiene morale, mungesë vetëdijeje, duke inkurajuar aktorë me të shkuar të errët e kriminale të bëjnë karrierë politike e administrative, të  bëhen liderë shoqërorë. Kjo është shumë e pistë.

Kemi raste të denoncuara, kur një xhelat torturues hetuesie kryeson katedër në akademi, jep të Drejtë Ligjore pasi e ka përdhunuar atë. Higjiena morale publike është e ndotur. Në këtë vend jetojmë, rrisim fëmijët. A duhet reaguar? Diskutohet për korrupsionin e të gjitha niveleve, kapjen e Drejtësisë, dekriminalizimin etj., por a nuk i ka rrënjët ky korruptim në riciklimin e figurave të implikuara gjakatare të së djeshmes? Kështu dhe me dy debatet e fundit. Vetë ecuria e tyre dhe përfundimet të lënë pa frymë: ti tund fakte, ndërsa pala mbrojtëse mbrohet me cinizëm: “Ah, ju paskeni fakte…Atëherë aq më ke për faktet!”. Unë mendoj se duhet ta ndalojmë përçudnimin e mëtejshëm moral.

Keni kërkuar mbrojtje?

Kam denoncuar kërcënimin në polici, sipas të drejtës qytetare.

Këto ditë po diskutohet mbi një deklaratë apo “gjoja deklaratë” tuajën për “ndalimin”e filmave të realizuar gjatë viteve të diktaturës. Në të vërtetë, cili është pretendimi juaj mbi këtë krijimtari kinematografike, çfarë duhet bërë me të?

Më lejoni të shpjegohem imtësisht për këtë ide, që e kam përsëritur vazhdimisht. Ndërhyrja te kinematografia komuniste, si në çdo repertor të artit, arsimit dhe kulturës, që përbën trashëgiminë e komunizmit, duhet bërë me ligj, në analogji me legjislacionin e BEsë, si për ndalim të propagandës së drejtpërdrejtë, ashtu dhe për abuzim me të drejtat e autorit. Janë këto dy aspekte që na shtynë të ndanim një shqetësim të përbashkët me z. Erald Kapri.

Sigurisht që reaksioni është i pritshëm, agresiv, dhe rezistencë do të ketë, ngase nga kjo preken direkt një masë e madhe shikuesish, nostalgjikë e profanë, regjisorët, aktorët, skenaristët etj., etj., – pra autorët, sikundërse dhe dhjetëra televizione, të cilët, në boshllëkun e humnertë të programacionit, i mbushin ekranet me filmat dhe dokumentarët komunistë të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Nuk e di ç’rol edukativ mund të përmbushin filmat propagandistikë që nxitin urrejtjen midis shqiptarëve, që ushtrojnë gjenocid me luftën e klasave, fenë e besimet fetare, penat e poetët më të rëndësishëm të periudhës së Paraluftës së Dytë Botërore, që shpikin sabotatorë dhe u bëjnë jehonë gjyqeve të partisë, që shajnë e anatemojnë borgjezinë, Europën e SHBA! A po mundohemi t’i edukojmë fëmijët e brezat me frymën demokratike të lirisë, për të qenë qytetarë të denjë të vendit dhe të Europës? Atëherë ushqimi free me filmat gjenocidialë e propagandistikë nuk është bash rruga e duhur. A besoni se kështu ndahemi me të kaluarën, duke dëgjuar zërin gjysmëmashkull, gjysmëfemër të spikerëve të Enver Hoxhës, që na “frymëzojnë” me realitetin socialist, frymën revolucionarë në uzina, fabrika, kooperative, ushtri, në armën e sigurimit? Ç’rol kanë sot fjalimet, plenumet, veprat e shokut Enver? Dhe a është populli mbarë, në një nivel kritik studiuesish, që t’i shohë këto filma si produkte ideologjike e propagandistike të kohës?

Si mund të menaxhohet shfaqja e këtyre filmave, do të duhet një organizëm më vete, duhet ngritur një komision vlerësues…

Qasja e propozuar nuk fshin gjithçka. Kemi theksuar se filmat duhet të përzgjidhen për të pasur një seleksionim, nisur nga kritere artistike/estetike dhe, në saje të këtyre vlerave, edhe pse mund të kenë sërish aspekte propagande, të transmetohen në një orar të vonë, duke u paraprirë këtyre filmave me një bisedë 5- minutëshe.

Kjo bisedë, parantezë, apo fjalë e shkurtër, të shpjegojë, që filmi të mirëkuptohet në kontekstin ideologjik të kohës, dhe se ai transmetohet për hir të vlerës artistike (aktoriale/regjisoriale). Duhet ngritur një komision ekspertësh të kinemasë, letërsisë, arteve vizuale. ISKK është një instrument i ngritur nga Parlamenti pikërisht për të përmbushur detyra të këtij lloji. Por unë them që një Komision me përbërje sa më demokratike mund t’i merrte në shqyrtim filmat dhe dokumentarët e kohës së komunizmit, duke i kundruar ata nga aspekti i propagandës dhe dëmit që mund të shkaktojnë. Filmat nuk zhduken. Ata mbeten në arkiva, janë të hapur për studime. Por të mos ketë transmetim free 24 orë, siç pondodh, në më shumë se 30 kanale. Ky produkt kinematografik të futet në ligjin e të drejtës së autorit, pasi u takon autorëve e krijuesve të tyre, me të drejtë. Një zgjidhje të tillë e kanë bërë me kohë vendet ish-komuniste si Gjermania Lindore, Hungaria, Çekia, Polonia, Rumania e deri dhe Bullgaria. Pra, të ketë rregull në xhungël. Përndryshe, po i ofrove shikuesit sot filma gjenocidialë apo dokumentarë të tillë, ata, sigurisht, mbajnë gjallë dhe aktivizojnë kanalin nostalgjik të komunizmit.

Një pjesë e vogël i pëlqen këta filma. Por ne duhet të veprojmë me ligj, që parandalon propagandën, nostalgjinë për recidivizëm, nëse duhet të distancohemi qartazi nga e shkuara jonë diktatoriale staliniste, ashtu siç kanë bërë ish-vendet e“demokracive popullore”. Të paktën për ekranet shqiptare kjo duhet të marrë fund. Sigurisht, po të pyesësh kineastët e asaj kohe apo të të dy kohëve, nuk do ta pranojnë aspak. Por dhe ata do të kenë përfitimin e tyre të të drejtave të autorit, sepse vepra e tyre vidhet me këto mënyra transmetimi.

Nëse dikush do, medoemos t’i shohë, ai hyn në You- Tube dhe le të enjtet duke parë ditë e natë. Këto filma ndikojnë jo njëlloj te të gjithë. Te disa kanë pasoja, të tilla si rrezatimi i Çernobilit. Kjo i duhet propozuar Parlamentit shqiptar, për ta përfshirë në një ligj të posaçëm.

Si mundet të gjendet fjala me privatët, që i shfaqin ata?

Nuk është mall i privatëve. Privatët i marrin ata filma si mall pa zot. Filmat duhet të kenë të drejtën e autorit dhe janë trashëgimi shtetërore. Institucionet shtetërore duhet të vendosin se si ta menaxhojnë këtë repertor. A mendoni se ka mes kësaj krijimtarie edhe filma të mirë, të cilët mund të shfaqen kurdoherë, në çdo kohë?Unë besoj se mund të bëhet një top-listë me një seleksionim të orientuar nga pikëpamja e shkallës së dëmtimit: ata që paraqesin një shkallë më pak të dëmtuar me propagandë, mund të shfaqen, siç e kam përmendur më lart, me një shpjegim që “orienton” shikuesin e papërgatitur. Sigurisht, është një repertor që i shërbente politikës së PPSH-së, kush nuk e di këtë! Prandaj orari i vonë dhe shpjegimet duhet të jenë të detyrueshme.

 Ju e përmendët se do të ndeshni në mospranimin e regjisorëve… A nuk cenon ky propozim juaji një komunitet të tërë krijuesish, regjisorë, aktore etj.

E drejta e atyre shtrihet deri aty, sa të mos cenojë të drejtën tonë. Nuk jemi në pikun e komunizmit. Nuk ka asnjë precedent të tillë në vendet anëtare tëBE-së, që dikur kanë qenë satelitë të kampit komunist. Krahasuar me ta, kinemaja jonë, si çdo gjë tjetër në sferën e kulturës, është dhjetëfish më e kompromentuar.

ALMA MILE / PANORAMA

Burimi: http://www.panorama.com.al/agron-tufa-tregon-kercenimet-pse-duhet-te-ndalohen-filmat-e-komunizmit/

Postime të ngjashme