“Kundërvënie e hapur ndaj mësimeve të Partisë për artin”

v-zhiti001

Po botojmë akt-ekspertimin që dërgoi në qeli poetin disident Visar Zhiti. Ky “akt-ekspertim” gjendet  i botuar edhe në librin “Rrugët e ferrit” të këtij autori.

Ne, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe redaktorë në redaksinë e poezisë pranë Shtëpisë Botuese „Naim Frashëri“ sipas kërkesës së organeve të Punëve të Brendshme Tiranë, ekspertuam krijimtarinë poetike të autorit Visar Zhitit.
Ka shtatë vjet, duke filluar nga viti 1972, që Visar Zhiti sjell për botim librin e tij. Ky ka qenë një problem serioz për redaksinë e poezisë në shtëpinë Botuese „Naim Frashëri“. Edhe pas Pleniumit të 4-të të K.Q. (1973) ky letrar ka vazhduar me ndërgjegje të ecë në gjurmët e një poezie të huaj për shoqërinë tonë dhe të mbushur me die të gabuara politke, me koncepte dekadente, ose „të majta“ dhe me një ndikim të hapur të poezisë moderniste reaksionare. Në të gjitha variantet e sjella në redaksi ai ka po ato poezi, po atë koncept për poezinë, gjë që dëshmon se ai me bindje ka vazhduar të ecë në një rrugë të gabuar politike dhe artistike.
Fantazia e sëmurë, paqartësia dhe hermetizmi, ekuivoket e rrezikshme me nëntekst politik, konceptimi modernist kanë qenë disa nga tiparet kryesore të poezisë së tij.
Duke analizuar për së afërmi dhe tërësisht poezinë e këtij letrari, arrijmë në përfundimin se gabimet janë të rënda dhe bien ndesh me gjithë zhvillimin e poezisë sonë të realizmit socialist.
Gabimet e tij që reflektohen nëpër poezi mund t’i ndajmë në tre grupe.
Së pari: Në shumë poezi ka pikpamje të gabuara politike në vështrimin e realitetit tonë. Ta konkretizojmë këtë me shembuj nga krijimet e tij. Në poezinë e vitit 1972 gjejmë vargje të tilla: „Dëgjo, miku im, ca fjalë që dridhen,/ diell të dytë do të krijojmë me gjakun që derdhet“. Në poezinë tonë dielli është simbol i Partisë, i marksizëm-leninizmit, komunizmit, në përgjithësi i idealeve tona të shenjta. Kurse ky autor thotë: „Diell të dytë do të krijojmë me gjakun që derdhet“. Tek ne nuk derdhet gjak dhe kjo mbetet shpifje për realitetitn tonë dhe dielli i dytë është kundërrevolucioni për këtë autor. Këtë diell ai e shpreh më hapur me poezinë „Eci“ ku thotë: „E di që do të dal një ditë në një arë me diell“, pra është konseguent në mendimet e veta armiqësore. Dhe këtë „diell“ ai e parashikon të vijë nëpërmjet shkatërrimit të diktaturës së proletariatit. Për këtë flet hapur në poezinë „Homeri: Iliada ime lexohet kudo, tha ai (Homeri), Iliada juaj s’ka mbaruar akoma dhe iku…“ Poema „Iliada“ e Homerit përshkruan shkatërrimin e Trojës së Lashtë nga grekët, një Iliadë e tillë, pra, shkatërrimin tonë pret dhe autori i këtyre vargjeve.
Në poezinë „Fytyrat“ (f.48) motivi është i papërcaktuar në kohë dhe hapësirë, kjo bën të mendosh që ato që thuhen i atribuohen jerëzve tanë. Tek njerëzit tanë, tek punëtorët dhe fshatarët tanë autori sheh ambicje në sytë e tyre, sharje që varen buzëve si jargë, etj. Duke shtrembëruar kështu pastërtine e figurës së njeriut tonë të ri. Ai nuk ka afeksion për këta njerëz, por për vajzat e spiunëve siç thotë në poezinë „Gruas sovjetike“ me vargjet: „Vajza jote – statujë tragjike e miqësisë,/ unë vajzën tënde e dua sinqerisht.“
Këto vijnë e trashen dhe në librin e sjellë në redaksi në vitin 1974. Në poezinë „Pakënaqësia ime“ gjejmë vargjet: „pakënaqësia ime s’kënaqet nga gjoksi, / brinjët i thyej copë-copë si frengji/ deri në pamundësi.“ Kjo është esenca e gjithë këtyre shfaqjeve armiqësore. Autori nuk është i kënaqur me realitetin tonë dhe është gati të thyejë edhe brinjët e tij, vetëm të dalë nga ky realitet, të cilin ai e quan frengji.
Vazhdojnë këto dhe në librin 1976. Në poezinë „Natyrisht, nuk jemi gjithmonë fëmijë“ lexojmë: „Unë nuk çava përpara në art, sepse paskam dashur gërmadha, /por nuk më deshën (dhe s’më ndihmuan), sepse unë duke u bërë burrë / do të isha talent / i tmerrshëm… dhe nëpër dosje e lanë zemrën time si një mi/ që bren veten e vet.“ Ai e ndjen veten të persekutuar padrejtësisht dhe e parandjen se fundi i tij do të ishte i turpshëm. Akuza që ai bën kundër shoqërisë tonë që e shtyp këtë „talent të tmerrshëm“ siç e quan ai veten, (kuptohet i tmerrshëm për shoqërinë tonë) është shpifje, sepse ky pushtet i ka dhënë të gjitha mundësitë që të ecë në jetë si njeri i ndershëm, duke u bërë edukator i brezitë të ri.
Më tej vjen poezia „Dritaret“ me këto tri vargje: Dritaret/ janë britma ime që të braktiset me forcë / dhoma e errët e vetmisë“. Ja si e karakterizon ky element armik vendin tonë „një dhomë e errët vetmie“ dhe për këtë ai kërkon „braktisje me forcë“ duke aluduar kështu në një veprim kundërrevolucionar. Për këtë ka dhe një farë sinqeriteti. Si element armik ai e ndjen veten të vetmuar dhe të braktisur në ambjentin tonë revolucioanr.
Problem të kësaj natyre gjejmë dhe në poezitë „Fusha e betejës“, „Lagjja ime e vogël“, „Dreri“, „Macja dhe macja e pasqyrës“, „Tromba dhe burokratët“, „Studentët e Shkodrës“ (strofa e tretë), „Fëmijët e detit“ (trofa e katërt dhe e pestë), „Mermeri i ditëve dhe i statujave“, „Revolucioni“, „Balladë moderne për një skllave“, „Vrull i mençur“. Më i ahpur shprehet ky element armik në poezitë „Mikut tim që punon“, „Fëmija me këpucë të mëdha“, „Djali i Rozafës“, „Xhulisë“, ku pozicioni i tij armiqësor është i përcaktuar mirë. Kjo për faktin se shpreh „shqetësimin“ e tij për një fëmijë malësor që zbret së pari në qytet dhe, nga që s’ka ç’të veshë, ka mbathur këpucët e mëdha të të atit (në poezinë „Fëmija me këpucë të mëdha“), kurse në poezinë „Xhulisë“, një malësore shkon në universitet e veshur me xhaketën e vjetër ushtarake që i dhanë të vëllait kur ai mbaroi shërbimin ushtarak. Këtu duket qartë qëllimi i tij, në këto vargje kërkon të njollosë jetën tonë dhe shpif për mirëqënien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si të gjithë popullit, edhe malësorëve tanë.
Në librin e vitit 1977 gjejmë poezinë „do të dal kundër robërisë“, megjithëse i është thënë gjithmonë që është me nëntekst, por ai mjaftohet vetëm me ndërrimin e titullit.
Edhe në librin e vitit 1978 gjen të tilla gjëra. Në poezinë „Bisedë me një punëtor për Partinë“ autori ka një koncept „të vetin“ për Partinë në strofën 1 (faqja 100); kurse poezia “Sfinksi” me karakterin e saj të papërcaktuar dhe në lidhje me mjaft poezi të tjera të gabuara, fsheh një mendim të poshtër. Paralele të fshehura ka dhe në poezinë “Në amfiteatrin e madh”, ku lexojmë vargjet: “ndoshta një djalë të guximshëm,/ (ai paska fytyrën time) /, e burgosën në sallën me tigra/ se desh të bënte kryengritje.” E pa adresuar është dhe poezia “Poetëve që mbyllen në kullën e fildishtë”, që mund të interpretohet dhe si reagim kundër poezisë tonë sidomos me vargjet: “vallë ç’duhet bërë për të shpëtuar poezinë nga mati i drunjtë i dobësive?!”
Në librin e vitit 1979 është poezia “Ne 20 vjeçarët që shkuam në fshatin e ri socialist”.Poshtë titullit të saj është vënë një citat i shokut Enver. Por fundi i poezisë nuk përkon me të, bile e kundërshton. “Valle burrash , me Mic Sokolin në krye” nuk ka asnjë detaj nga koha e Mic Sokolit, kështu dhe kjo fsheh mendimin e autorit. “Njerëzit e punës” – fillimi dhe fundi i kësaj poezie janë shprehje e një anarkie të thënë troç.
Së dyti: në mjaft poezi ky pseudoletrar shpreh hapur botëkuptimin ideologjik të huaj për shoqërinë tonë, sidomos lidhur me rolin e artit. Kjo del në poezinë “Wagnerit”.Vagneri është një kompozitor i njohur gjerman me të mirat dhe dobësitë e tij. Ai shpreh në veprën e vet protestën kundër shoqërisë borgjeze të asaj kohe, por protesta e tij është individuale dhe e mbyllur në vetvete. Ka dhe një gjuhë të vështirë muzikore për t’u kuptuar. Pikërisht për këtë zgjedh si “idhull”, ai mësues të vet ky element armik. Veç kësaj kuptohet që këtu ai s’i drejtohet Wagnerit, por simbolit të tij, pra artistit që është kundër rendit ekzistues dhe i bën thirrje atij “të flakë jorganet e heshtjes, të thyejë llampën e zbehtë të gjumit, të nënshtrojë qentë, t’i bjerë ballit të ftohtë të mosmirënjohjes,” etj. Pra ai bën thirrje për një art që të ngrihet kundër socializmit.
Në poemën “Kockat që kalben” (1972) gjejmë një influencë të hapur nga poezia e sotme revizioniste. Plot nëntekste të kësaj natyre janë dhe poezitë “Gurët e një lumi”, “Natë dimri”, “Mos lyeni këpucët”, etj.
Konfuzion ideologjik vëmë re edhe në librin e vitit 1978. Në poezinë “Pjekuria” autori huton një vjazë 16 vjeçare me “filozofinë” e tij, kurse në poezinë “Lirikë me zogj dhe burokratë”, burokratizmin e sheh si fatalitet, kur thotë: “Lart e më lart, veç kujdes, kujdes/ se lart janë dhe zogjtë naïvë” dhe në fund predikon: “të ecim në rrugët e vërteta, njerëzore”.
Problem është dhe poezia “Tregimet e dimrit” (1979) ku spikat tendenca drejt një poezie me prirje borgjezo-revizioniste, që shprehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë. Poezia mbart idenë e dashurisë “pannjerëzore” në dy strofat e para. Një udhëtar në një natë dimri troket në një shtëpi malësore. Derën ja hap një grua e re, e cila, thotë autori “s’e ngriti fenerin të shihte kush isha. Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut.” Pra malësori ynë, sipas këtij pseudopoeti, i hap derën kujtdo, mikut dhe armikut, mjafton që ai t’i vejë në shtëpi. Kurse realiteti ka treguar se malësori ynë s’e ka pranuar armikun në shtëpi. Mendja e sëmurë e bën këtë element armik që të sajojë edhe fenerë në Malësi, kur dihet që drita elektrike ka shkuar kudo në vendin tonë, edhe në skajet më të largëta të Atdheut. Nëntekst kanë edhe këngët që vihen në fund në gojën e plakut dhe të mbesës.
Në poezinë “Ç’do t’i thosha Migjenit në vitin 1937” gjen jehonë një mendim i disa studiuesve kosovarë për “subkoshiencën” në veprën e Migjenit. (“Ti (Migjeni) brënda teje ndjen një ulërimë ujku përzjerë me yje”) “Kravata s’do të kishte kuptim, nëqoftëse s’do të bëhej litari i varjes”.Si ka mundësi t’i thuhet kjo gjë Migjenit?
Së treti: nga pikëpamja e konceptimit dhe e mjeteve të shprehjes ky pseudoletrar është në pozita moderniste dhe formaliste. “Dëshirat e mia”, “E bukura” (1972).Flagrante për këtë janë poezitë e vëllimit të vitit 1976, tre vjet pas Pleniumit të 4-t të KQ, ku krijuesit dhe opinioni ynë kishin dënuar me forcë shfaqje të huaja të këtij karakteri. Këtu përmendim pozietë “Përralla e vërtetë e radios”, “Lahuta”, “Këngë me kitarë për F.G. Lorkën” (shtrembëron thelbin e poezisë së këtij autori të madh), “Mund të flasim dhe ashpër për të kuptuar bukurinë” etj. Kurse poema “Roman partizan” është një krijim i mirëfilltë simbolist dhe i çoroditur.Këto krijime janë shkruar sipas modeleve të shëmtuara të poezisë që kultivohet sot në vendet borgjezo-revizioniste dhe lexuesi e ka të vështirë të kuptojë se ç’thonë vargjet, cili është mendimi i autorit. Këto janë një kundërvënie e hapur ndaj mësimeve të Partisë për artin dhe ndaj letërsisë së Realizmit Socialist, qëllimi i së cilës është edukimi komunist i masave punonjëse.
Duhet thënë se këto qëndrime armiqësore të këtij elementi armik, që theksuam si në aspektin politik, ideologjik ashtu dhe në atë të konceptimit e mjeteve të shprehjes (të cilat spikatin fund e krye në krijimtarinë e tij) nuk janë të ndara me thikë, përkundrazi ato thuren me njëri tjetrin dhe i shërbejnë njëri tjetrit në qëllimin e këtij pseudopoeti.
Pas kësaj analize arrijmë në disa përfundime. Ky element armik është i bindur në mendimet e tij të gabuara dhe armiqësore. Vërejtjeve të redaksisë, këshillave që edhe ai ta vërë talentin në shërbim të popullit, V. Zhiti s’ua ka vënë veshin fare, përkundrazi për vite me radhë ka vazhduar të ngulë këmbë që këto krijime armiqësore të botohen. Me këto krijime ai ka dashur të çorodisë lexuesit, të derdhë helm në mendjet dhe ndjenjat e tyre.Siç u vu re më sipër, në mjaft poezi ai shpreh hapur apo në mënyrë të tërthortë pikpamje të gabuara politike në pasqyrimin e shtrembëruar të realitetit tonë socialist duke ju kundërvënë kështu gjithë letërsisë dhe arteve tona që militojnë në ndihmë të Partisë për edukimin e popullit.
I ndikuar rëndë nga ideologjia borgjezo-revizioniste, ai ka rënë në prehrin e një poezie të huaj dhe armiqësore për ne, që dëmton vijën e Partisë.
Nëpërmjet një gjuhe të errët dhe plot nëntekste ai ka synuar të mbjellë idetë e tij kundërrevolucionare. Në raste të tjera ai është krejt i mbyllur dhe përdor figura që nuk zbërthehen dot. Këto poezi hermetike e të pakuptueshme janë në kundështim me orientimet e Partisë për një letërsi të qartë dhe të kuptueshme.
Ky pseudopoet me imitimet e shëmtuara të artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra helmuese në kopështin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën tonë letrare.

Emri, mbiemri Emri, mbiemri
(firma) (firma)

Tiranë, më 24.10…

(Dosja 12102, ARKIVI I MINISTRISE TE PUNEVE TE BRENDSHME)

AKT-EKSPERTIMI MBI KRIJIMTARINE POETIKE TE VISAR ZHITIT

Postime të ngjashme