Alma Liço: Copëza kujtimesh nga internimi

Alma Lico

Çfarë të bëja me kohën time?
Kisha rënë në pushtetin e një apatie të gjithanshme. Nuk kisha dëshirë të bëja asgjë, fundja çdo gjë më dukej aq e pakuptimtë. Me përtim u drejtova tek çanta me libra që e kisha sjellë me vete nga Tirana. Ajo çantë e vjetër, me zinxhir të prishur ishte aq e shtrenjtë për mua. Ma pati dhuruar im atë. Ishte çanta e tij që me aq dashuri e kishte përdorur kur kishte qenë mësues. E mallëngjyer dhe duke m’u dridhur duart nxora prej andej librat e shkollës. Isha e sigurt që nuk do të më nevojiteshin më kurrë. Me shpejtësi i vendosa në një arkë ku mbanim fotot e vjetra të familjes. Dhe vërtet ato libra humbën së bashku me vjetërsirat e kohës.

Ç’farë të bëja me kohën time? E dija që së shpejti do t’i bashkohesha prindërve në punët skllavëruese të bujqësisë, por ndërkohë duhej të merresha me diçka. Kisha arritur të sillja nga Tirana “David Koperfildin” e Çarls Dikensit. U mundova të lexoja pak. Nuk ishte e mundur të përqëndrohesha. E lashë fare. Nuk mund të lejoja që ajo histori e mrekullueshme të shpërdorohej nga mungesa e vëmendjes sime.

E zhytur në kotësi dhe zbrazëti, ndeza radion për të dëgjuar pak muzikë. Stacioni i Radio-Tiranës, që ishte dhe i vetmi i këtij lloji, transmetonte emisionin e lajmeve. Si ngaherë po llomotitej për epërsinë e diktaturës së proletariatit ndaj gjithë sistemeve të tjera politike. Paturpësisht i bëhej jehonë lumturisë e mirëqënies së pashembullt të popullit të uritur shqiptar që i kishte shpallur luftë gjithë botës.

Por jo, në të vërtetë e kishim një aleat. Ishte Kina e largët që do të rezultonte një tullumbac i fryrë, ashtu si gjithë aleancat e tjera që shteti ynë diktatorial kishte patur në vite me vendet komuniste. Së fundi do mbeteshim VETËM – unikalë në marrëzinë tonë absurde dhe vetvrasëse. “Bar do të hanim dhe parimet nuk do t’i shkelnim”, …kështu kishte vendosur diktatori ynë. Ky sllogan çnjerëzor do të udhëhiqte shqipëtarët e varfër dhe për shumë e shumë vite të tjera.
Sigurisht, nuk kisha ndërmend të acarohesha më shumë me demagogjira të tilla të paskrupullta që përsëriteshin pambarimisht çdo ditë.

Recitime të sforcuara dhe neveritëse që ofronin një botë të gënjeshtërt. Duke lëvizur butonat e radios, e kalova tek stacionet e Italisë, të cilat vinin me shumë ndërprerje. Doja të dëgjoja pak muzikë. Zëri i mrekullueshëm i Gianni Morandit mbushi deri diku zbrazëtinë e asaj dhome të vogël….il mondo cambiera…
U përlota. Ndjehesha aq e brishtë. E kisha dëgjuar dhjetra herë të tjera atë këngë, madje e kisha ndjekur dhe në televizor në shtëpinë e mikes sime të shtrenjtë, Ritës. Kurrë më parë nuk kishte patur një ndikim të tillë tek unë. Në atë moment, ajo këngë sikur më dedikohej. Këngëtari simpatik, me flokë të shpupurisur që aq natyrshëm i binin mbi ballë, po këndonte për mua. U përfshiva tërësisht në pushtetin e atyre tingujve të magjishëm.

Imagjinata më çoi diku larg nga ku nuk kisha dëshirë të kthehesha. Isha vetëm me melankolinë time, dhe po fluturoja në qiellin e pafund të saj. Por edhe kjo tentativë për t’u arratisur në shoqërinë e tingujve, rezultoi e pamunduar, pasi disa minuta më pas do të ndërpriteshin dritat, për t’u rikthyer vetëm në mbrëmje…

 

Kërkesa për të filluar punë
Një mbrëmje, në shtëpinë tonë trokiti një djalë të cilin nuk e njihja. Ishte nga ato netët e zakonshme kur mezi prisja të mbaronte aktiviteti rutinor i darkës dhe të arratisesha e shkujdesur në botën e ëndërrimeve dhe refleksioneve të mija. Në mënyrë të prerë, ai njoftoi tim atë se të nesërmen duhej të paraqitej në zyrat e fshatit. Pasi konfirmoi takimin, ai e përcolli me mirësjellje atë djalë, por kur u kthye brenda, nuk mundi ta fshehë preokupimin: Pse e thërrisnin? Ishte mëse e sigurt, për asgjë të mirë….ah, mbase për mua. Ishte kaq e qartë.

Një vajzë 16 vjeçare që nuk punonte. Parazitizmi ishte i dënueshëm ligjërisht në Shqipërinë e atyre viteve. Prindërit e mi e dinin shumë mirë këtë gjë, por kishin qenë të detyruar të ndërmerrnin një rrezik të tillë. Të shtynin sa më shumë të ishte e mundur skllavërinë e përballjes sime me punën sfilitëse e robtuese të bujqësisë. Menjëherë pas përjashtimit nga shkolla, zinxhirët e pamëshirshëm të saj mund të ishin me pasoja të parikthyeshme për situatën psikologjike vulnerabël, konfuze dhe të pashpresë në të cilën ndodhesha.

Nuk më vjen aspak rëndë të them se në atë periudhë mendova dhe vetvrasjen. Eksperiencat e hidhura të shumë familjeve të dënuara dëshmonin se internimi ishte dënim i përjetshëm.
E zhytur në ankthin e dilemës, vendosa të jetoj. Ishte dashuria për familjen time ajo që më dha forcë dhe më ndali të ndërmerrja këtë akt makabër. Nuk mund t’ja bëja këtë familjes sime. Atij pikëllimi, vështirë se do i mbijetonte ndonjë prej tyre. Secili prej nesh bashkëjetonte me dhimbjen e tij dhe të gjithë së bashku me dhimbjen dhe vuajtjen e përbashkët.
Sakaq, stina e verës kishte përfunduar. Vjeshta e dimri ishin më pak të ngarkuara me punë bujqësore. Im atë u paraqit të nesërmen në zyrat e fshatit. Parashikimi ynë kishte qenë i saktë. Unë duhej të filloja punë. Pas një hezitimi, përgjegjësi i fshatit kishte miratuar lutjen e tim eti. Në mungesë të nevojës sezonale për punë, herë pas here në vjeshtë e dimër bënin shkurtime të numrit të punëtorëve. Pra, koha e fillimit të punës mund të shtyhej deri në pranverë. Kështu që ata muaj do t’i kaloja si një shtëpiake e mirëfilltë. Duhej të isha e lumtur për këtë.
Kurioziteti apo pyetjet torturuese të fshatarëve kishin marrë fund.

Tashmë vërdallosesha nëpër fshat për nevojat e familjes pa asnjë lloj impresioni. Bëja përpjekjet maksimale për ta pranuar si normale jetën time të marrë peng. Ishte aq i lodhshëm dhe sfilitës zemërimi që së fundmi kishte filluar të mbulohej nga një mjegullnaje mbytëse…

 

Fobia nga gjarpërinjtë
Stinës së verës po i afrohej fundi. Pasojat e vuajtjeve të asaj periudhe përvëluese kishin lënë gjurmë dhe tek unë. Flokët më ishin djegur e çngjyrosur sa nuk i njihja dot më. Ishin aq të pabindur. Koka më dukej si fole lejlekësh. Isha nxirë në mënyrë shumë të shëmtuar, ndërsa duart e këmbët më ishin mbushur me plasaritje dhe të çara që nuk arrinin kurrë të shëroheshin. Herë pas here rridhnin gjak ose infektoheshin.

Ndonëse të padukshme, po aq të pamëshirshme ishin edhe dhëmbjet e muskujve. Dy muajt e fundit kisha vjelë dhe mbajtur në një përparëse prej plastmasi qindra kilogramë me domate, për t’i sistemuar më pas në arka e ngarkuar në zetorë a makina. Në atë periudhë krizat e shpinës më torturonin e linin pa frymë, aq sa po të ulesha, kisha frikë se nuk do mundesha më të ngrihesha. Madje shpesh herë mundohesha të gjeja ndihmë nga ndonjë shkurre aty pranë, duke u kapur fort pas saj. Jo gjithmonë kisha sukses, pasi rastiste që ato të shkuleshin me gjithë rrënjë duke më rrëzuar keqas e dërrmuar gjithë trupin. Pas disa sekondash e provoja sërish……dhe sërish.

Me mbarimin e sezonit të domateve, puna në serë ishte drejt përfundimit. Ato ishin mbuluar nga barëra të egra që ishin rritur më shumë se vetë bimët e domateve. Ndërsa plastmaset përcëlluese ishin bërë copë e çikë. Mbeturinat e tyre tundeshin me zhurmë e përplaseshin pas shtyllave dhe armaturave prej hekuri të ndryshkur të serave. Vjelja e kokrrave të mbetura në mes të atyre barishteve shoqërohej me rrezikun e pickimit të gjarpërinjve që strehoheshin lehtësisht në mes të tyre. Nuk kishte ditë që të mos e pësonte dikush nga helmi i këtyre zvarranikëve. Ishte e tmerrshme tek i shihja aq pranë meje, teksa vazhdonin me nxitim zvarritjen për t’u fshehur diku.

Këto krijesa bëheshin agresive vetëm kur ndjeheshin të kërcënuar. Pikërisht, kësaj ia kisha frikën, të shkelja pa dashje ndonjërin. Fati më kurseu, shpëtova nga pickimi vetmbrojtës i tyre. Madje një ditë isha kaq pranë kësaj. Teksa po transportoja në krahë disa arka të boshatisura, të vendosura njera mbi tjetrën, në njerën prej tyre kishte hyrë e mbledhur kutullaç një gjarpër. Vetëm pasi i lëshova arkat, ai doli prej andej dhe rrëshqiti me shpejtësi në drejtim të disa ferrave aty pranë. Unë kisha shtangur dhe mezi po mbushesha me frymë. Nuk e besoja dot që e kisha mbajtur me duart e mija, disa centimetra larg trupit tim. Vetëm një mrekulli më kishte shpëtuar nga sulmi i tij.

Disa nga djemtë e brigadës i kapnin e shtrëngonin në kokë gjarpërinjtë dhe pastaj luanin me ta. I shihja me ankth tek përpëliteshin, pa asnjë mundësi për t’u mbrojtur. Ato kafshë aq të frikshme shndërroheshin njëherësh në qënie të pafuqishme. Unë nuk arrita dot asnjëherë të përcillja me indiferencë praninë e tyre. Fobia për këta zvarranikë do më shoqëronte gjithë jetën…

Postime të ngjashme