Alma Liço: Nuk mundem

Alma Lico

Nga Alma Liço | Facebook, 29 gusht 20

Urreva diellin. E si të mos e urreja. Ishte aq përvëlues në vapën e verës, teksa futesha në serën e nxehte të domateve, ku më duhej të rropatesha 12 deri 14 orë në ditë.

Urreva shiun. Më fshikullonte pa mëshirë mes arave teksa cfilitesha si skllave në vitet e rinisë, duke më njomur deri në palcë.

Urreva baltën. E si të mos e urreja. Teksa tërhiqja zvarrë çizmet e çara, ngecesha brenda saj si në çark. Prej balte të tharë përzier me shkarpa ishin muret e kasolles ku jetoja. Ishte dyshemeja mbi të cilën gëlonin insekte që më sulmonin pa mëshirë. I largoja e lebetitur. Dhe ato fshiheshin ne te carat e saj per t’u rishfaqur serish.

Urreva tokën. Të punoja atë, çdo ditë, atje në fshatin e largët të internimit, nën dhunën e britmave të brigadierit, ishte me shumë se skllavëruese.

Urreva çdo bimë që mbillej në të. Ishin produkte skllavërie.

Urreva lulet… ohhh… urreva edhe lulet… mbilleshin dhe ato në tokë…

Urreva natyrën… mrekullinë e Zotit…

… Sa më lodhi, sa me ligështoi kjo urrejtje. Nuk mundesha më. Një ditë kur gjithë kjo mori fund, bëra paqe me to. E çfarë faji më kishin? Cili ishte mëkati i tyre? Përgjegjës për këtë raport absurd ishte diktatura me ingranazhet e saj çnjerëzore e të përbindshëm…

Sot mbaj një lule në dore. I ndjej aromën… sa e pafajshme… dhe sa e bukur…

Por një gjurmë e fantazmës të së kaluarës ka mbetur… ka mbijetuar… nuk mundem te mbjell… nuk mundem te ujis… thjesht nuk mundem…

Postime të ngjashme