Alma Liço: Rikthim në fshatin e internimit

alicotv

Nga Alma Liço

Autovetura me të cilën po udhëtoja u nis në drejtim të qytetit të Elbasanit. Në shoqërinë e këndshme të regjizorit dhe një operatori, atë ditë do përfundonim punën e nisur për përgatitjen e një filmi-dokumentar. Një pjesë e ngjarjeve dhe kujtimeve të hidhura që kishin shoqëruar fëmijërinë dhe rininë time në vitet e internimit, do të rregjistroheshin në fshatin ku e vuajta atë.
Ishte një ditë e bukur me diell, ashtu siç dinë të jenë ditët e shtatorit, të shndritshme dhe ledhatuese.

Ndonëse me këtë muaj të parë të vjeshtës më lidhnin ngjarje nga më dramatiket e fëmijërisë sime, u përpoqa ta anashkaloja këtë fakt dhe të shijoja pafundësisht diellin që nëpërmjet xhamave të dritares, më përkedhelte ngrohtësisht. E ulur në sediljen e pasme, me sy gjysëm të mbyllura po shijoja muzikën klasike që vinte nga kasetofoni i vendosur në pjesën e përparme të saj. Tingujt e ëmbël të muzikës hyjnore, sikur kërkonin të ekuilibronin emocionet dhe dilemat e forta në të cilat isha zhytur. Ndjehesha gati e përhumbur. Pas shumë e shumë vitesh, për të parën herë po kthehesha në fshatin e internimit. Një bilanç i pamëshirshëm kujtimesh të copëzuara po përplasej në vetëdijen time të stërmunduar nga vitet e lëna pas, që në rrjedhën e natyrshmërisë, duhej të ishin më të bukurat e jetës sime. Por dora mizore e diktaturës nuk lejoi të ishin të tilla. Në mënyrën më të pashpirt, i vrau ato.

A do mundesha vallë të përballesha me fantazmën e së kaluarës aq të hidhur, dëshmitare e së cilës ishte ajo copë tokë, aty midis kodrave të Dumresë? Ishin rrokullisur njëzet e gjashtë vite nga periudha që kur isha larguar për të fundit herë nga ai vend. Preferova të mos kthehesha më kurrë. Ndjeja një frikë të mistershme, gati gati të pashpjegueshme, të strukur diku në vorbullën e paqartësisë. Nuk e dija nëse do të isha ndonjëherë në gjendje të bëja paqe me kujtimet e atyre dhimbjeve, apo në një farë mënyrë “të hakmerresha” ndaj tyre. Nuk kisha si të parandjeja nëse isha gati të provoja në të njejtën kohë mallin, dashurinë, dhembjen, ndarjen, pranimin dhe paqëtimin. Takim i vështirë e drithërues. Një pështjellim po më zinte frymën. Isha kaq e trazuar.
Teksa autovetura ecte me shpejtësi drejt rrugëve tashmë të asfaltuara, njëmijë mendime të vagullta më vërtiteshin në kokë. Ndërkohë, që po përpiqesha të afroja dhe ekuilibroja epokat, njëzet e gjashtë vite hapësirë në mes tyre, ishin skajshmërisht shumë. Kisha ndrojtje se nuk do mundesha të mbushja dot atë vakum të tmerrshëm të krijuar nga shtypja dhe privacionet që kishin rendur pa u ndalur drejt kufijve të mohimit.

Për fat të mirë, bisedat e thjeshta miqësore të regjizorit dhe operatorit, herë pas here më shkëpusnin nga ajo konfidencë e trishtë dhe melankolike që atë ditë kisha me kujtimet e mija. Unë dhe fantazma sfiduese e së kaluarës, përballë njëra tjetrës, ashtu apatike dhe të çveshura nga petku i lodhur i kohës. Një lakuriqësi pezmatuese.
Si për ironi dhe ndëshkim të paprinciptë të atij realiteti, kilometrat e fundit për të mbërritur deri në fshat, i përshkuam në një rrugë të paafaltuar, të mbushur me gurë të hedhur kuturu dhe me gropa. Së paku nuk kishte baltë. Mesa duket, shirat e vjeshtës ishin ende larg. Pas shumë lëkundjesh pështjelluese, makina ndaloi në hyrje të fshatit. E njihja me pëllëmbë atë vend. Ajo tokë e nëmur dhe e bekuar njëkohësisht, po më priste. E ndjeva. Ishte si një fushëbetejë e vdekur dhe e gjallë, e shëmtuar dhe e bukur, ulëritëse dhe e heshtur, e uritur dhe e ngopur, e errët dhe ndriçuar, e përlotur dhe e qeshur në të njejtën kohë……….po përpiqej të më ftonte……..sa shumë i kisha munguar…….nuk dinte ta thoshte……….e përmalluar……..po më priste.

E emocionuar hapa derën e makinës dhe vura këmbën në rrugën që ndodhej disa metra larg shkollës. E ndjekur nga regjizori dhe operatori mora rrugën në drejtim të saj. Isha e mpirë dhe po bëja përpjekjet maksimale që të mos më merreshin këmbët. Oborri gumëzhimte nga zërat e fëmijëve, që me sa dukej kishin dalë nga klasat për pushimin ndërmjet orëve të mësimit. Kësisoj, gjysëm e përhumbur siç isha, po vështroja me mall fytyrat e tyre të habitura, dhe po përpiqesha të njihja ndonjërin. Në mënyrë të pashpjegueshme vetëdija më kishte kthyer dyzet vite prapa….vizion i gënjeshtërt……….më kot………ishin aq vocrrakë……ata kishin lindur shumë vite pas largimit tim nga ai fshat.

Më tej vështrimi im i robëruar nga pushteti i kujtimeve, kaloi në fushën me bar që ndodhej para saj. I rritur në mënyrë të çrregullt, madje vende vende i zverdhur nga thatësira e muajve të verës, ai bar kishte një pamje të drobitur. Pak çaste më pas, me sy të lotuar, së bashku me regjizorin dhe operatorin që mbanin në duar aparaturat e xhirimit, hymë në oborrin e shkollës. Disa nga fëmijët që na rrethuan ishin kuriozë të dinin kush ishim. Për ata vogëlushë ishte ngjarje e pazakontë mbërritja jonë atje. Nuk ndodhte çdo ditë që një grup i tillë të vinte e të ndalej për të filmuar në shkollën e tyre. Ndërkohë, me hap të ngadalshëm, na u afruan dy mësues. Ishin bij të atij fshati. U impresionuan për qëllimin e vizitës sonë dhe na përgëzuan.U përfshimë krejt natyrshëm në një bisedë nostalgjike, në themel të së cilës ishin kujtimet e atyre viteve dhe personazhet që kishin qenë pjesë e tyre. Me mallëngjim, ata më treguan se pas viteve 90, shumë nga banorët e atjeshëm kishin marrë rrugët e emigracionit, aq sa nuk kishte mbetur as gjysma e familjeve që kishin banuar më parë. Një braktisje e paevitueshme e dëshpëruese, si në shumë qytete dhe fshatra të tjera të Shqipërisë.

Me këmbët që më dridheshin, ngjita ato pak shkallë që dukeshin si të kafshuara nga një gojë e stërmadhe, të cilat na bënë të mbërrinim në hollin e katit të parë. Përveç një shtese të bërë në katin e dytë, asgjë nuk kishte ndryshuar. Veçse dukej shumë më e vjetëruar dhe rrënuar. Ishte mëse e dukshme që aty nuk ishte vënë dorë prej shumë vitesh. Dyshemeja prej çimentoje të deformuar dhe të dëmtuar, muret me suva të gërryer dhe dyert e shtrembëruara, ishin panorama që pas shumë vitesh po më ofrohej. U shtanga. Nuk e prisja të tillë. U ndala para klasës ku kisha mësuar. Në derën e vjetëruar dhe të ndotur varej një dryn. Ishte e kyçur. Në pjesën e sipërme të saj ndodhej një xham i palarë, i përlyer me njolla gëlqeresh dhe pluhuri njëkohësisht. Duke zgjatur këmbët, dhe mbështetur duart në sipërfaqen e saj, vështrimi im i mjegulluar mezi arriti të depërtonte në ambientet e brendshme të asaj klase. U zhyta në botën e nostalgjisë dhe të imagjinatës..

…Unë isha aty, e ulur në bangën e parë dhe po ndiqja me vëmendje mësuesin e matematikës. Ai mbante një shkumës në dorë, dhe herë pas here kthehej nga dërrasa e zezë. Dëshiroja të tërhiqja vëmendjen e atij mësuesi….prisja të më ftonte përpara klasës për të zhvilluar ekuacionet dhe formulat e mësimit….e kishte bërë gjithnjë……por nuk ndodhi ……Ndjehesha kaq e pafuqishme……

…Një mësuese që mua afrua, më shkëputi nga ky ëndërrim. Viti shkollor kishte nisur vetëm pak ditë më parë, dhe sipas saj kishte ende shumë ambiente për të sistemuar. Nuk e zgjatëm më tej. Pas disa filmimesh të cilat dëshpërimisht fiksuan këtë shkatërrim,u larguam nga ajo shkollë, që ndonëse në gjendje të vajtueshme, arriti të më rikthente në gjurmët e kujtimeve të atyre kohrave dhe të shpërndante mjegullën rreth tyre.

Pasi u përshëndetëm ngrohtësisht me mësuesit dhe disa fëmijë që u ndodhën aty pranë, morëm rrugën drejt shtëpisë ku kisha banuar. Rrugës për të mbërritur atje, na ndoqën sytë kureshtarë të dhjetra fshatarëve, të cilët nuk po kuptonin ç’po ndodhte, e ç’kërkonim në atë fshat. Disa prej tyre më njohën dhe shumë të përmalluar u përshëndetën dhe u takuan miqësisht me mua. Isha shumë e emocionuar. Gjurmët e asaj ndasie dhe lufte të përhershme ndërmjet tyre dhe nesh, që kishim qenë “armiq” të partisë, ishin fashitur tërësisht….….madje njëri nga fshatarët, me lot në sy më tha:
-Nuk ju kam harruar dot kurrë. A do mundeni vallë të na falni për mënyrën si ju kemi trajtuar…..isha bir i një komunisti tru-shpëlarë……….ju, të internuarit na sollët qytetarinë në këtë fshat të humbur. Na mësuat si të ushqehemi, si të vishemi, si të kemi higjenë në shtëpitë tona…….

…..Dhe pas një pauze të përmalluar, më përqafoi. Me sytë që po më shpërthenin nga lotët ja ktheva me gjithë shpirt përqafimin atij fshatari. Ato fjalë të thjeshta, të dala nga shpirti i tij, kishin shembur një filozofi, një mënyrë të ekzistuari. Ishte vrarë URREJTJA mizore dhe e pakuptimtë që kishte indoktrinuar jetët e atyre të ngratëve dhe viktimizuar tonat. Ai fshatar i varfër, më bëri të jetoja triumfin e mirësisë mbi barbarinë dhe injorancën e kohës. Ishte një përmbysje. Ndonëse mjaft e vonuar, falenderova Zotin që e përjetova këtë moment. Ishte rrëzuar një e keqe e madhe, një ndasi absurde, e pamëshirshme, që kishte shoqëruar mjerimin dhe bashkëkzistencën tonë në atë skëterrë.

…..Në atmosferën e këtij emocioni çlirues, ecëm në drejtim të shtëpisë ku kisha banuar. Rrugica që të çonte atje, ishte e njejta, ashtu e ngushtë dhe e pashtruar. Mes shumë ndërtimeve të reja të bëra aty, mezi arrita ta dalloj shtëpizën ku kisha banuar shumë vite. U ndala para deriçkës së oborrit dhe hodha vështrimin drejt saj……………… Ja tre shkallët ku ishim ulur zakonisht mbrëmjeve të verës, për të shijuar sado pak freskinë që përcillte ajo……me gojë dhe fyt të tharë, sërish humba në botën e imagjinatës…….

…..Para syve të mi u çfaq Silvana që po i pastronte ato……ktheu fytyrën e saj engjëllore drejt meje dhe më buzëqeshi…..kaçurelat bjonde i kanë rënë mbi sy, ndërsa duart e vogla mezi arrijnë të ngrenë kovën me ujë……..hedh hapat drejt saj…..dua ta marr në krahë……por e mekullueshmja motra ime e vogël më zhduket nga sytë……….
Mezi prisja të hyja në atë banesë që papritur e ndjeja sërish shumë të ngrohtë dhe të afërt. Pa e zgjatur më tej, e zonja e re e shtëpisë, nxitoi drejt derës së koridorit dhe e hapi atë. Të njejtat kanata, të njejtat dritare. E drobitur hyra brenda. Ato mure të vjetruara, ato dyer të deformuara, dyshemeja…………gjithçka m’u rikthye siç kishte qenë…….sërish humba në kujtime……..
……….shoh mamën time duke gatuar fasule në aneksin e vogël………..pak më tutje dalloj tim atë duke ndezur stufën me dru zjarri………ndërkohë shoh Edmondin tek hyn në kuzhinë me një trastë në krah………..duket të ketë ngrirë nga të ftohtët ……ehhhhh…..po unë ku ndodhem……nuk po e dalloj veten…..ah, ja tek jam…….mezi shoh…….ndriçimi është kaq i pamjaftueshëm ………mungon energjia elektrike…..por kam një dritë pranë meje………….është Silvana që po më ofron llampën me vajguri…..po mbytesha nga ngashërimi………nuk dëshiroja të thoja asnjë fjalë, dëshiroja të mos zgjohesha nga ajo ëndërr që po e jetoja me sy hapur………..

…..Pas pak çastesh, u përmenda nga ai përjetim që arriti të më robëronte çdo qelizë. Ndërsa ndodhesha ende nën pushtetin e refleksionit të përgjumur dhe psherëtimave ngashëruese, zëri miqësor i regjizorit me ftoi të vazhdonim më tej.
Pasi falenderova përzemërsisht zonjën e asaj banese që na hapi derën e na lejoi të hynim brenda, morëm rrugën drejt kodrës ku kishin qenë të vendosura kasollet me shkarpa e kashtë, në të cilat kishim jetuar dy vitet e para të internimit. Ato nuk ekzistonin më, dhe kjo nuk ishte surprizë për mua. Të amortizuara tërësisht, ato ishin rrëzuar, ndërkohë që ne ende banonim në atë fshat. Vetëm një mrekulli na kishte shpëtuar nga shembja e tyre mbi kokat e trupat tanë…….Kërkoja me çdo kusht të gjeja diçka, një gjurmë të vetme që të ma kujtonte atë….një gjurmë……oh…….më duket se e gjeta…..ja guri i stërmadh që qëndronte në mënyrë të çuditshme para kasolles tonë……nuk kishin mundur ta çvendosnin…….ju afrova……

…u përpoqa të flas me të……por ai ishte aq i heshtur, kishte parë shumë, mbase nuk kujtohej fare për mua………..ja dhe macja jonë majë tij që po më vështronte me qesëndi……u mundova ta përkëdhel me dorë, por edhe ajo u largua qetësisht duke mjaullitur lehtazi e duke tundur bishtin e saj laraman…….

U “zgjova” sërish, madje u përpoqa t’i kërkoj ndjesë regjizorit për përhumbjet e mia. Në të vërtetë nuk kisha nevojë ta bëja. Ai ishte aq mirëkuptues, dhe po përpiqej ta jetonte së bashku me mua atë emocion, si dhe të më jepte kohën e nevojshme të përballesha me kujtimet e së kaluarës, gjurmët e së cilës ndodheshin aty

…..Së fundi, sipas skenarit të planifikuar duhej të filmonim në arat ku kisha punuar. Hipëm sërish në makinën tonë. Përshkuam atë rrugë që për shumë vite, në shi e furtunë, në diell e vapë përvëluese, e kisha bërë me vrap, në përpjekje që të arrija në punë në orarin e caktuar. Në moshën time më të bukur, ato toka i kisha vaditur me djersë dhe lot. Aty ishte stampuar në mënyre të parikthyeshme skllavëria, dhimbja, mohimi, përjashtimi.

…..Çdo gur, çdo gropë mbante peshën e hapave të mija. Shihja gjurmët e çizmeve të çara e të mbushura me llucë dhe ujë që rrëshqisnin mbi baltë……sa më mbërdhihnin këmbët……..
…..Jo, nuk i kisha të lagura…..kisha mbathur këpucë të rehatshme, dhe nuk ndjeja aspak ftohtë, nuk kishte baltë, ishte diell i ndritshëm atë ditë……
Operatori nxorri nga makina dronin që e kishte marrë me vehte dhe me ndihmën e një telekomande e drejtoi atë drejt qiellit. Me vështirësi po përpiqesha ta ndiqja me sy, por ai ishte aq i shpejtë sa nuk mundesha dot të shihja fluturimin e tij drejt hapësirës të kaltër, aq me pak rregjistrimin e tij. Sakaq, regjizori më ftoi të ecja pa u ndalur përmes atyre arave. Për një moment pata përshtypjen se kisha harruar si kalohej në mes të bimëve të mbjella. Papritmas, isha shndërruar në një foshnjë që duhej të mësonte të hidhte hapat e para. Pata një farë hezitimi të pashpjegueshëm.

Më dukej sikur do i shkelja me këmbë ato bimëza e do i dëmtoja pa dashje. Duhej të mbahesha diku…..po ku……bimëzat e vogla e të pambrojtura nuk mund të më mbështesnin. Me ndrojtje dhe e pasigurtë , hyra mes asaj are të mbjellë me perime, dhe po mundohesha të isha e afërt me të. Pse jo, t’i kërkoja dhe ndjesë…….kisha urryer kodrat, arat dhe çdo gjë që mbillej në to……ishin pjesë e absurdit që lidhej me dënimin tim, ishte një marrëdhënie e imponuar në formën me bastarde dhe të shëmtuar. Në mënyrë të dhunshme, e tillë më ishte prezantuar, të tillë e kisha perceptuar. U ndala. Një refleksion sikur më pushtoi të tërën. Ai gjykim mizor ishte i ndikuar nga një rrethanë e jashtzakonshme e jetës sime….

E pra, ajo tokë, dhuratë e zotit nuk kishte asnjë faj për vuajtjen dhe skllavërinë, as gurët, as bimëzat e vogla nuk kishin faj. Ishin krijesa të bekuara të natyrës. Fillova të prek lehtësisht tokën ku kisha rendur aq e aq herë me dëshpërim e mllef…….ajo e mirëkuptoi përkëdheljen time, më buzëqeshi…..Isha kaq e lumtur që kisha bërë paqe me të…………..

Ndërsa duart i kisha ende të mbushura me guriçka dhe kokrriza dheu, droni ju bind telekomandës, dhe u kthye e zuri vend disa metra larg nesh. Me rregjistrimin nga lartësia të atyre arave, aty ku ishte kyçur bota e fëmijërisë dhe rinisë sime, misioni i tij kishte përfunduar.
Rruga e kthimit për në Tiranë, m’u duk më e shkurtër se ajo e mbërritjes. Si për të shkruar një epilog të paqte për emocionet e asaj dite, qëndruam të drekonim në një nga lokalet, buzë detit Adriatik. Simfonia e dallgëve të lehta që përkëdhelnin rërën e plazhit më ftonte të shkrihesha me ritmin e saj.

Ja kisha dale mbanë të hiqja një peshë të rëndë nga shpirti. Ndjehesha e lumtur dhe relaksuar që kisha mundur të përballoja e nxirrja jashtë ato emocione, të cilat në dhjetra vite i kisha ndrydhur brenda vetes. Në një farë mënyrë, isha përpjekur të mposhtja fantazmën e pamëshirshme të kujtimeve të fëmijërisë sime. Një cikël jetësor, nje ballafaqim melankolik që mbyllej aty ku nisi, në atë fshat të largët, në mes të atyre kodrave, pranë atyre njerëzve te thjeshtë, tashmë të çliruar nga egërsia, indoktrinimi dhe shtypja e diktaturës.

Postime të ngjashme