Analfabetët dhe të paditurit në krye të burgjeve të komunizmit

Burg

Nga Kastriot Dervishi

Pikësëpari komunizmi ishte triumf i injorancës mbi inteligjencien. Për ta vërtetuar këtë, mjafton të shohësh biografinë e kuadrit komuniste. Por nisur nga fakti i thjeshtë se në vitet e para paslufte, shumica e inteligjencies (që kishte mbaruar në Europë e SHBA) ishte në burg, mbi krye si komisarë e komandantë, ata kishin grupimin më të palexuar në historinë e vendin. Mjafton të shihen disa copëza biografike të disa prej komandantëve, komisarëve e drejtorëve që i kam gjykuar si më të rëndësishmit e kampeve dhe burgjeve. Lista mund të ishte më e gjatë, por me renditjen e mëposhtme arrihet një përfundim mbi cilësinë e kuadrit që Partia e Punës kishte vënë për të ruajtur elementin antikomunist dhe jokomunist, të cilët përbënin shekuj të vërtetë dije e kulture.

Vangjel Rrëmbeci

Nga Rrëmbeci i Korçës. Lindur më 7.9.1916. Profesioni tregtar i vogël. Deri sa mori funksione kishte 5 klasë fillore. Një prej komandantëve më të tmerrshëm të kampeve dhe burgjeve. Karriera e tij nis si roje personale e Enver Hoxhës në vitet 1945–1946. Me këtë përvojë ai i drejtohet rrëmbyeshëm drejtimit profesional kundër “armiqve të partisë e të popullit”. Më 1957–1959 komandant i burgut të Burrelit, më 1953–1955 i repartit 313 Tiranë, më 1956–1963 i kampit 309 në Tërbuf e Laç dhe e mbyll karrierën si drejtor i Artizanalit në vitet 1963–1966.

Xhipe Mersin Kapaj

Nga Vajza e Vlorës. Lindur më 11.11.1914. Profesioni bujk, arsimi 5 klasë fillore. Karriera si komandant si vijon: më 1953–1955 në burgun e Burrelit, më 1955–1956 në kampin 301, më 1956–1964 në kampin 305.

Metush Rrapo

Nga Ballabani i Përmetit. Lindur më 15.3.1912. Profesioni bujk. Deri në vitin 1944 (pra 32 vjeç) ishte fare pa arsim. Pas lufte kryen filloren, uniken dhe dërgohet në Bashkimin Sovjetik. Karriera si komandant: më 1956–1962 i burgut të Burrelit, më 1953–1966 9 repartit 313.

Qani Kalo Nako

Nga Vithkuqi i Korçës. Lindur më 12.3.1912. Profesioni murator. Arsimi 1 klasë fillore, shtojcë kishte bërë në ushtri. Karriera si komandant: më 1957–1966 komandant i burgut të Shkodrës, më 1966 i kampit 307 Rubik dhe më 1966–1967 i burgut të Burrelit.

Nazar Demiraj

Nga Tërbaçi i Vlorës. Lindur më 12.4.1921. Profesioni bazë bari. Arsimi 4 klasë fillore. Komandant i burgut të Burrelit më 1967–1971.

Hajri Leskaj

Nga Bolena e Kuçit të Vlorës. Lindur më 5.7.1927. Profesioni bazë punëtor krahu. Arsimi 3 klasë fillore. Më 1971–1974 komandant i burgut të Burrelit.

Idajet Deda

Nga Velça e Vlorës. Lindur më 8.4.1933. Profesioni bari arsimi 4 klasë fillore. Komandant i burgut të Burrelit më 1974–1981.

Sotir Xharja

Nga Kavaja. Lindur më 12.5.1920. Profesioni punëtor krahu. Arsimi 4 klasë fillore. Drejtor i burgut të Shkodrës më 9.5.1945–25.8.1946.

Rifat Llukaça

Nga Podgorica. Lindur më 4.2.1910. Profesioni kapelabërës. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant ose drejtor i burgjeve të Shkodrës, me ndërprerje, në periudhën 1946–1953.

Shyqyri Rrjolli

Nga Shkodra. Lindur më 3.2.1926. Profesioni bazë punëtor duhani. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant i burgut të Shkodrës më 1947–1952.

Ilo Stojko

Nga Hoçishti i Korçës. Lindur më 1.1.1921. Profesioni marangoz. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant i burgut të Shkodrës më 1956–1957.

Janaq Karapataqi

Nga Barçi i Korçës. Lindur më 1.2.1917. Profesioni këpucar. Arsimi deri në marrjen e funksionit 5 klasë fillore. Drejtori i burgut 313 në vitin 1945.

Beqir Liço Lalaj

Nga Kuçi i Vlorës. Lindur më 6.4.1919. Profesioni punëtor. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si komandant: më 1947–1947 në burgun e Gjirokastrës, më 1949–1955 në kampin nr.1, më 1966 në repartin nr.315. Po ashtu ka qenë drejtor i Punëtorisë së Artizanalit në vitet 1958–1962.

Tasi Marko

Nga Bistrova e Vlorës. Lindur më 5.9.1912. Vëllai i anëtarit të Byrosë Politike, Rita Marko. profesioni furrxhi. Arsimi 4 klasë fillore. Një ndër drejtuesit më famëkeq të kampeve. Më 1945–1947 drejtor i dy burgjeve të Korçës. Në maj–nëntor 1947 drejtori i kampit të Maliqit. Më 1949–1950 komandant i burgut 313 Tiranë. Në vitin 1950 në kampet e Maliqit e Peqinit. Më 1955 komandant i kampit nr.4.

Hysen Kapllani

Nga Fratari i Fierit. Lindur më 14.4.1917. Profesioni bujk. Arsimi 5 klasë fillore. Karriera si komandant: më 1953–1955 i burgut të Vlorës, më 1955–1956 i burgut 313, më 1961–1967 i kampit 303.

Teki Veleshnja

Nga Veleshnja e Skraparit. Lindur më 20.2.1917. Profesioni bujk. Pa arsim, por “autodidakt”. Më 1956–1963 komandant i burgut nr.313.

Azbi Lamçe

Nga Belishova e Fierit. Lindur më 20.2.1917. Profesioni punëtor krahu. Arsimi, i mesëm bujqësor. Burgoset në vitin 1948 para se të vihet në drejtimin e burgjeve e kampeve, por amnistohet. Karriera si komandant: më 1955–1956 në kampin 305 Shkodër, më 1956–1963 në kampin 301 Bulqizë, më 1963–1966 në kampin 309 Tiranë, Laç, Krujë; dhe më 1966–1967 në burgun 313 Tiranë. Dënohet disa herë për shpërdorim detyre.

Banush Goxhaj

Nga Tërbaçi i Vlorës. Lindur më 14.4.1916. Profesioni punëtor. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si komandant: më 1966–1968 në repartin 315 Lezhë dhe më 1968–1972 në burgun 313 në Tiranë.

Sami Kamberi

Nga Peladhia e Peshkopisë. Lindur më 13.1.1928. Profesioni bujk. Arsimi 1 klasë unike. Më 1975–1979 komisar i repartit 309 Ballsh. Më 1979–1982 komandant i repartit 313 Tiranë.

Imer Manaj

Nga Bolena e Kuçit të Vlorës. Lindur më 5.3.1927. Profesioni bazë punëtor. Arsimi 5 klasë fillore. Më 1964–1966 komandant i repartit 305 Tiranë. Më 1967–1983 komisar i burgut 313 Tiranë.

Derë burgu

Neim Musaraj

Nga Koculi i Vlorës. Lindur më 5.1.1915. Profesioni bazë bujk. Deri në vitin 1948 nuk kishte kryer asnjë lloj shkolle. Më 1945–1947 komandant i burgut të Gjirokastrës. Më 1949–1951 komandant i burgut të Durrësit. Në vitet 1951–1953 komandant në kampet 1 dhe 4 dhe në vitet 1953–1954 i kampit nr.4 Tiranë. Largohet pas përpjekjes për arratisje të të burgosurve në këtë kamp (shih më lart) dhe i jepet gjyqit.

Kamber Halilaj

Nga Çepani i Skraparit. Lindur më 1.5.1895. Profesioni xhandar (1924–1943) dhe bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si drejtor i dy burgjeve: më 1946–1947 në Berat, më 1947–1949 në Elbasan. Pastaj komandant në vitet 1951–1953 në kampin 1 dhe më 1953–1955 në kampin 2.

Muço Maska (Canaj)

Nga Brataj i Vlorës. Lindur më 15.3.1903. Profesioni bujk. Arsimi 1 klasë fillore. Më 1945–1947 drejtor i burgut të Vlorës.

Mustafa Gjini

Nga Gjirokastra. Lindur më 23.5.1913. Profesioni bazë baxhoxhi. Arsimi 5 klasë fillore. Komandant i burgut të Vlorës në vitet 1961–1.6.1964.

Medi Bilbil Hoxhaj

Nga Hadëraj i Koculit Vlorë. Lindur më 1.1.1917. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1964–1966 komandant i burgut të Vlorës.

Ismail Malaj (Erallaj)

Nga Vreshtasi i Cakranit Fier. Lindur më 15.8.1919. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1947–1951 komandant i burgut të Elbasanit e më 1951–1952 i atij të Beratit.

Riza Veip Himo

Nga Picari i Gjirokastrës. Lindur më 17.1.1901. Profesioni bazë bari. Analfabet. Drejtor e më pas komandant i burgut të Gjirokastrës më 1949–1953.

Muharrem Beqiraj

Nga Bënça e Tepelenës. Lindur më 4.1.1926. Profesioni bari. Arsimi 4 klasë fillore pas lufte, shkruan se është “autodidakt”. Më 1970–1973 komandat i burgut 307 Tepelenë. Më 1973–1977 komandant i repartit 303 Spaç dhe më 1977–1981 i atij 325 Tiranë.

Yzeir Gjoka

Nga Gusmari i Tepelenës. Lindur më 22.11.1918. Profesioni bari. Analfabet. Në vitin 1953 komandant i kampeve 6 e 7.

Dervish Sanxhaku

Nga Vlushi i Skraparit. Lindur më 20.6.1920. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1950–1952 komandat i kampit nr.5 (më vonë nr.3 ose reparti 305) dhe më 1952–1953 komandat i Punëtorisë së Artizanalit.

Sotir Vullkani

Nga Korça. Themelues i PKSH-së. Lindur më 24.10.1902. Arsimi 4 klasë fillore. Profesioni këpucar. Më 1953–1958 komandat i Punëtorisë së Artizanalit. Pas çmobilizimit dhe arratisjes së djemve të tij, ndiqet nga Sigurimi i Shtetit deri në vdekje.

Zija Çela

Nga Progonati. Lindur më 20.7.1925. Profesioni bari. Arsimi 5 klasë fillore. Më 1966–1967 komandat i Punëtorisë së Artizanalit. Më 1969–1978 referent për zbatimin e vendimeve penale pranë Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

Çelo Arrëza

Nga Arrëza e Tepelenës. Lindur më 22.2.1922. Profesioni bujk. Arsimi 2 klasë fillore. Më 1943–1954 kryetar dege në Degën e Kampeve dhe Burgjeve. Më 1954–1964 komandant i Gardës, prej nga ku hiqet pasi po ndërtonte shtëpi sipas modelit të bllokmenëve. Më 1964–1968 komandant i kampit 305 Tiranë, më 1968–1972 i kampit 303 Spaç dhe më 1972–1975 i kampit 309 Ballsh.

Haxhi Gora

Nga Delvina. Lindur më 22.7.1923. Profesioni punëtor. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si komandant: më 1967–1968 në repartin 303 Elbasan dhe Spaç, më 1968–1972 në repartin 315 Belësh, më 1972–1973 në repartin 303 Spaç dhe më 1973–1980 në repartin 307 Valas.

Niko Kolitari

Nga Hoçishti i Devollit. Lindur më 23.2.1926. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1967–1969 komisar i kampit 303 Spaç dhe Elbasan.

Shahin Skura

Nga Lisi i Madh Mati. Lindur më 14.7.1932. Profesioni minator. Arsimi 4 klasë fillore. Më 1969–1979 komisar i kampit 303 Spaç.

Abaz Kushova

Nga Spathara e Skraparit. Lindur më 12.3.1919. Profesioni bujk. Arsimi 5 klasë fillore. Më 1952–1954 komandant i kampit nr.3 (kampi 305).

Çize Hamiti

Nga Vajza e Vlorës. Lindur më 15.3.1920. Profesioni bujk. Nuk kishte pasur arsim deri në vitin 1951, kur në moshën 31 vjeçare mbaroi 2 klasë fillore. Më 1967–1976 komandant i repartit 305 Borsh.

Besnik Çomo

Nga Libohova. Lindur më 8.4.1928. Profesioni bujk. Arsimi 4 klasë fillore. Karriera si komisar: më 1953–1955 në kampin nr.1, më 1966 në kampin 307 në Rubik, më 1955–1967 në kampin 323 Fushë-Krujës.

Bajram Korvarfaj

Nga Kuçi i Vlorës. Lindur më 2.2.1913. Profesioni punëtor. Arsimi 1 klasë unike. Komandant i kampit nr.4 (më vonë 307) në vitet 1956–1966 Tiranë e Rubik.

Mihal Marko

Nga Grykë Pisha Novosela e Vlorës. Lindur më 1.5.1928. Pa zanat dhe pa shkollë. Në vitet 1966–16.3.1967 komandant i kampit 307 Rubik.

Njazi Banushi

Nga Vishocica e Devollit. Lindur më 14.5.1926. Profesioni bujk. Arsimi 3 klasë fillore. Në vitet 1952–1953 komisar në kampet 6 e 4.

Gani Vajza (Sulçe)

Nga Vajza e Sevasterit të Vlorës. Lindur më 20.1.1917. Profesioni bujk. Arsimi 1 klasë unike. Më 1971–1972 komandant i kampit 309 Vlorë.

Gazeta 55, 12 mars ’18

Postime të ngjashme