Avokati i Popullit: Kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri

akt-kas

Avokati i Popullit, Igli Totozani:  “Ende kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri dhe ndihet kudo, në mungesën e komunikimit, në mospranimin e kritikës, në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve, dhe së fundi edhe vetë moszbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve lidhet pikërisht, me ekzistencën e kësaj kulture. Është kultura e vjetër që e pengon”. 

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, mori pjesë në aktivitetin “Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish diktaturës komuniste në Shqipëri”, organizuar nga Instituti për Integrimin e të Përndjekurve dhe Konrad Adenauer Stiftung- Zyra për Shqipërinë .

Në fjalën përshëndetëse Avokati i Popullit z. Igli Totozani mes të tjerash tha se:

“Ende kultura e vjetër komuniste është prezente në Shqipëri dhe ndihet kudo, në mungesën e komunikimit, në mospranimin e kritikës, në mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve, dhe së fundi edhe vetë moszbatimi i ligjit për hapjen e dosjeve lidhet pikërisht, me ekzistencën e kësaj kulture. Është kultura e vjetër që e pengon.

E vlerësoj iniciativën tuaj për ngritjen e këtij memoriali. Unë jam jurist dhe nuk kuptoj nga memorialet, por vlerësoj se është një gjë e mirë dhe që duhet bërë në konsultim me grupet e interesit qoftë në zgjedhjen e  vendit ashtu edhe në përmbajtjen e veprës. Bëni shumë mirë, që do të ngrini një të tillë, sepse kultura mundet me kulturë dhe një memorial i tillë mund të jetë pozitiv në këtë drejtim.

Kur dikur studioja drejtësinë më kanë mahnitur autorë të njohur si Slobodan Milajçiç, i cili bën një krahasim shumë intersant midis rolit të gjyqësorit në të kaluarën dhe në demokraci. Në diktaturë sistemi gjyqësor dhe e drejta ishin mjete dhe instrumente dhune për të shtypur klasën e përmbysur. Sot, ato janë garancitë më të mira të shtetit të së drejtës, të të drejtave të qytetarëve. Janë ato që pengojnë qeveritë të dalin nga gardhi dhe të shkelin të drejtat e qytetarëve.

Një kujtim tjetër ishte vizita në arkivin e dosjeve të komunizmit në Gjermani. Aty njerëzit ishin të lirë dhe kishin mundësi të njihnin histori personale dhe historinë e tmerrshme të shoqërisë së tyre. Në të dy periudhat kuptohet qartë që njohja dhe edukimi janë elementë të rëndësishëm të një kulture të re, sepse vetëm një kulturë e re mund të mundë të vjetrën.

Më lejoni t’i gëzohem faktit që jemi bashkë, se rrallë takohemi, rrallë bisedojmë për të folur edhe për disa çështje që ekspertët e institucionit më kanë thënë t’i paraqes këtu.

Ju e dini që debati, bashkëpunimi, pranimi i kritikës janë pjesë e kulturës së re, ndërsa mungesa është pjesë e kulturës së vjetër.

Më lejoni të paraqes disa nga shqetësimet e konstatuara nga ekspertët e institucionit për shtresën e të përsekutuarve politikë:

  1. Nevoja e realizimit të inisiativës legjislative, për një ndryshim në VKM nr.419 datë 14.04.2011 “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit, për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, me qëllim përcaktimin e një afati përfundimtar të arsyeshëm, për përfundimin e procesit të dëmshpërblimit financiar.
  1. Plotësimin e bazës së nevojshme ligjore, përmes përcaktimit të një skeme pensioni, e cila do të mundësojë procesin e dëmshpërblimit financiar për kategorinë e personave të internuar, ose të dëbuar gjatë regjimit komunist, të përcaktuar në gërmën “c”, të nenit 6, të Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar. Këshilli i Ministrave nuk e ka miratuar ende këtë skemë pensioni.
  2. Nxjerrjen e akteve nënligjore për trajtimin e të internuarve nga regjimi komunist, në zbatim të parashikimeve të bëra në gërmën “b”, të nenit 6 dhe në nenin 10, të Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar. Këto akte nënligjore nuk janë nxjerrë ende.

Çështje kryesore mbetet kryerja e një procesi dëmshpërblimi financiar, taksativisht të përcaktuar në kohë, e ndjekur nga një çështje tjetër, që ka të bëjë me trajtimin e atyre subjekteve që duhet të përfitojnë sipas përcaktimeve të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar, por që nuk kanë mundur të paraqesin në kohën e parashikuar nga ligji kërkesat për dëmshpërblim financiar. Për këtë grupim të dytë nevojitet miratimi i një baze ligjore të re, për përfshirjen e tyre në këtë proces.

Ne si institucion kemi vlerësuar se një nga çështjet e vonuara dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë sonë, ka qënë miratimi i një ligji gjithpërfshirës e të mbështetur në parimet ekzistenciale të një shoqërie demokratike, për hapjen e dosjeve. Përmes një procesi konsultimi me aktorë të shoqërisë civile kemi përgatitur dhe i kemi dërguar një rekomandim në muajin Mars 2014, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, për të realizuar iniciativën përkatëse ligjore. Një zhvillim shumë pozitiv në këtë drejtim dhe përmbushje e rekomandimit tonë është miratimi dhe hyrja në fuqi, e Ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Megjithatë, ky proces në përzgjedhjen e kandidaturave për ngritjen e Autoritetit drejtues, duhet të shoqërohet edhe me miratimin e akteve nënligjore që do të mundësojnë zbatimin praktik të tij.

Nevoja për “Lustracionin”, si një proces që përfshin në vetvete edhe “hapjen e dosjeve”, lidhet ngushtë me krijimin e besimit në opinionin publik, për kryerjen e një procesi real, që do të bëjë transparencën e krimeve dhe pasojave të tyre dhe që do të sigurojë se klasa aktuale qeverisëse dhe individë në nivele të tjera postesh publike, nuk do të mbartin paragjykimin dhe frymën antidemokratike të përsëritjes së asaj ç’ka ka ndodhur në të shkuarën. Për këtë qëllim i është dërguar një rekomandim Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryetarit të Kuvendit, për ndërmarrjen e inisiativës legjislative, për miratimin e bazës ligjore, që do të mundësojë procesin e “Lustracionit”, pa përjashtuar këtu fillimin e një procesi të tillë të konkretizuar me institucionet e pavaruara të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe më konkretisht, me institucionin e Avokatit të Popullit.

Ky rregullim ligjor në vlerësimin tonë, duhet të prekë procedurat dhe kërkesat e rekrutimit, si dhe të ndërprerjes së marrëdhënies së punës të punonjësve civilë në administratën publike, të përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, organit të prokurorisë, pa përjashtuar këtu zgjedhjen, apo ndërprerjen e mandatit të funksionarëve të lartë publikë, sipas standardeve dhe kritereve kushtetuese dhe ndërkombëtare, të cilave duhet t’iu nënshtrohet procesi i “Lustracionit”. Po kështu, rregullimi ligjor duhet të përfshijë objektivitetin e propozimeve dhe vendimmarrjen respektive për dhënie dekoratash, titujsh nderi, medaljesh dhe titujsh vendorë të nderit, nga ana e organeve shtetërore që kanë këtë të drejtë.

Ky është momenti i duhur që procesi i Lustracionit, të bëhet bashkë me Dekriminalizimin, dhe Reformën në Drejtësi për t’i garantuar Shqipërisë dhe demokracisë së saj, një stad të ri dhe një të ardhme më të sigurtë.

Janë të shumta rekomandimet që Avokati i Popullit u ka drejtuar institucioneve përkatëse, për krijimin e strukturave efektive dhe mundësimin e kryerjes së një procesi real dhe rezultativ. Propozimi së fundmi nga qeveria i një Plan-Veprimi konkret, për gjetjen e të zhdukurve është një hap i rëndësishëm, që tregon vullnet për zgjidhjen një herë e mirë të këtij shqetësimi madhor për gjithë shoqërinë shqiptare. Ky zhvillim pozitiv shkon në të njëjtën linjë dhe në zbatim të plotë të masave të rekomanduara paraprakisht nga Avokati i Popullit, me rekomandimin e datës 25 Qershor 2014.

Në përfundim të fjalës sime dua të theksoj se ish të persekutuarit në Shqipëri kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë qytetari dhe bashkëjetesë paqtuese për shoqërinë tonë. Megjithë kalvarin e vuajtjeve të shkuara, ata në asnjë moment nuk kanë kërkuar hakmarrje, por vetëm drejtësi.

Me anë të këtyre zhvillimeve ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnetin t’u japim drejtësinë e merituar dhe kemi detyrimin e bartur të një shoqërie që kërkon ndjesë ndaj ndëshkimeve degraduese, të kryera dhunshëm në emër të saj”.

Burimi: http://www.avokatipopullit.gov.al/sq/content/22062016-deklarat%C3%AB-p%C3%ABr-media

Postime të ngjashme