Brezat e rinj dhe e kaluara

rinia002

Nga Hydajete Bushaj.

Brezat e rinj duhet të njihen me periudhën komuniste dhe për më tepër, ata duhet të dinë se cilët ishin ata njerëz që humbën jetën, pikërisht sepse guxuan të mendonin ndryshe, guxuan të thonë të vërtetën. Muzeu i Memories kësaj here synon që të vërë në pah simbolikat kryesore nëpërmjet një ekspozite titulluar “Të pavdekshmit”. Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi shprehet se ka disa muaj që po punohet për të realizuar këtë ekspozitë, ashtu sikurse dhe për projektin “on line”, Muzeu i Memories.

Dje, gjatë çeljes së kësaj ekspozite, Krasniqi tha se, ndryshe nga modelet e tjera të ekspozitave, kjo ekspozitë synon në vënien në pah të simbolikave kryesore, në njerëz, në ngjarje, në elemente të jetesës dhe organizimit shtetëror dhe politik. “Muzeu pati sukses duke regjistruar mbi 40 mijë ndjekës çdo javë në rrjetet “on line”, si dhe u promovua me dy ekspozita”. Pjesa e tretë e projektit lidhet me vënien në pah të 21 figurave të njohura të persekutuara apo ekzekutuara nga regjimi komunist.

“Janë përzgjedhur emrat më të njohur nga politika dhe letërsia, nga feja dhe jeta publike, nga brezi i Pavarësisë së vitit 1912 dhe elita politike e viteve ’30, nga kritikët e regjimit të viteve ’40 dhe deri te të dënuarit politikë të viteve ’50-’60”. Synimi, sipas Krasniqit, është bërja publike e faktit se regjimi totalitar u shpalli luftë elitave dhe historisë, duke provuar të shtrembërojë kujtesën tonë të përbashkët e historike, kujtesën shtetërore dhe sistemin e vlerave.

Gjithashtu, Instituti realizoi edhe projektin eksperimental mbi perceptimet e të rinjve të gjimnazeve mbi periudhën komuniste, sa njohuri kanë ata, si e vlerësojnë ata atë periudhë, çfarë u bën më shumë për në raport me historinë dhe të shkuarën tonë. “Të tria nismat, Muzeu i Memories, Të pavdekshmit dhe eksperimenti social janë modele të huazuara nga praktikat më të mira të vendeve të tjera, kryesisht nga përvoja gjermane, polake, hungareze dhe rumune, vende të cilat kanë kaluar përmes së njëjtës periudhë, por që kanë ditur ta trajtojnë të kaluarën me më shumë profesionalizëm dhe cilësi sesa rasti shqiptar”.

Gjithashtu edhe Rigels Xhemollari, pedagog dhe përfaqësues i Institutit të Studimeve Politike thotë se kjo ekspozitë bën fjalë për krimet dhe viktimat e komunizmit. “Ne sot u kemi sjellë të rinjve 21 personazhe. Këto personazhe kanë vlerë për të rinjtë e sotëm dhe le të merren si pika referimi, qoftë edhe për politikanët e rinj”. Ai na tregon se një personazh, sikurse është Musine Kokalari, e vetmja femër që ka krijuar një parti politike, partinë Social-Demokrate në vitin 1943, është e domosdoshme të njihet nga të rinjtë.

Ndër të tjera përmend dhe Myzafer Pipajn, një personazh i cili ka mbrojtur intelektualët në gjyqet speciale të realizuara nga komunistët në vitin 1945. Ka rëndësi për avokatët e rinj, sepse, megjithëse e dinte fatin e tij, ai mbrojti deri në fund intelektualët. Në fund u ekzekutua nga sistemi. “Në gjyq prokurorin e ka quajtur teneqexhi dhe gjyqtarin kafexhi. Sot, çdo i ri që do të vijë në këtë ekspozitë, duhet që të ngacmohet nga këto personazhe dhe të lexojë më shumë rreth tyre, sepse janë vlera dhe pika orientimi, që ata të krijojnë identitetin e tyre, qoftë duke u bazuar në historitë personale të tyre.

Çdo i ri sot duhet të lexojë për historinë e tij”. Historia jonë nuk ka filluar në vitet ’90, historia e popullit tonë është nga historitë më të vjetra dhe këta organizatorë, si një grup të rinjsh po kërkojnë personazhe me peshë dhe gjithashtu janë shumë të indinjuar që sistemi komunist ka vrarë poetë dhe artistë.

Musine Kokalari, letër për nipin

I dashur, Platon…

“Vetëm një gjë dua nga ty. Të vish, të marrësh ato plaçkat që të kam thënë. Mua, në këtë gjendje, do të më dukej sikur është një kënaqësi. Por nuk duhet ta shtysh. Sëmundjen e kam të rëndë dhe nuk dua që gjithçka të merret nëpër këmbë. Mos mendo për të tjerët.Unë s’i kam kurrkujt borxh dhe askujt s’i kam kërkuar ndihmë, as lehtësi, as jam ankuar që mbeta e braktisur. Kur ata që të kanë në dorë, të varrosin për së gjalli 38 vjet me radhë pa të drejtë, është e kuptueshme se asnjeri nuk do të rrezikohet. Ju m’u ndodhët në një çast të rëndë. Ju faleminderit dhe për këtë dua që ajo që mund të shpëtojë të bjerë në duart tuaja“. Kjo është lutja që Musine Kokalari i dërgon në një pusullë letërkëmbimi, për dorëshkrimet, “ato plaçkat“, nipit të saj, Platon Salim Kokalari, më 3 maj 1983. Në gusht të po atij viti, Musineja vdiq në dhomën e saj të internimit, në Rrëshen.

Dikushi, ai që e varrosi trupin e saj, një mirditor, banor i Rrëshenit, pas “aktit politik“ u dënua.

Disa nga të ekzekutuarit nga sistemi komunist 

Myzafer Pipa, juristi me përmasa të larta qytetare e patriotike, njeriu që me radhë pati kundërshtuar tri diktatura, fashiste, naziste si dhe atë komuniste, e cila do t’i merrte jetën 31 vjeç.Jurist dhe avokat i shkolluar në Stamboll, i njohur për aftësitë e tij profesionale. Ai mbrojti në sallën e gjyqit me profesionalizëm të lartë kundër gjykimit kriminal komunist shumë patriotë dhe intelektualë shqiptarë. Okupimi fashist e prek thellë dhe frymëzon shqiptarët për një protestë.

Për këtë internohet në ishullin famëkeq Ventotene më 1940-ën. Në shtator të vitit 1946 do të arrestohej, torturohej me hekur të skuqur me porosi nga K. Xoxe. Një natë tetori u nxor dhe u pushkatua me një breshëri automatiku në Degën e Sigurimit të Shkodrës. Sheh Karbunara më 1912, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë, atje do të ishte dhe Sheh Karbunara, përfaqësues i Lushnjës.

Shehu do të mbetej në historinë e vendit si njeriu që shkroi Aktin e Pavarësisë. Ishte personaliteti dhe figura e Sheh Karbunarës, që ndikoi në caktimin e Lushnjës, si vendmbajtje për kongresin 1919- ës. Pas çlirimit mbajti detyrën e deputetit në vitin 1945. Për bindjet e tyre politike komunistët nxorën grupin e deputetëve dhe në gjyqin special të tyre më 1945 Sheh Karbunara u dënua me pushkatim bashkë me të birin Hysenin dhe pas një periudhe të gjatë torturash, ekzekutohen më 10 tetor 1947. Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës, diktatorit të Shqipërisë në moshën 25-vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës.

Më 1915 shkoi në ShBA, ku drejtoi gazetën “Dielli” të shoqatës Pan- Shqiptare “Vatra”. Organizoi dhe udhëhoqi çetat patriotike kundër grekëve gjatë pushtimit të Shqipërisë së jugut gjatë Luftës së Parë Botërore. Gjatë pushtimit të Shqipërisë, ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Mitrovicës 1943-1944. Për këtë pozicion ai, pas çlirimit, u burgos. Gjyqi u zhvillua në kinemanë “Kosova”. Vendimi u dha më 13 prill 1945. U ekzekutua ditën e nesërme te “Kodra e Priftit” në Tiranë. Lef Nosi lindi në Elbasan më 1877. Patriot, arkivist, folklorist, etnograf, arkeolog dhe politikan. Nënshkruesi dhe ruajtësi i kopjes origjinale të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Pas pushtimit fashist Lef Nosi u arrestua dhe u internua në Itali, si organizator i protestave kundër pushtimit italian. Lef Nosi, nga prokurori u akuzua edhe si përgjegjës për vrasjen e 50 mijë vetëve, pavarësisht se e gjithë lufta nuk kishte më shumë se 3-4 mijë të tillë. Më 12 shkurt 1946 Gjykata Ushtarake e Tiranës mori vendimin për dënim me vdekje për të. Ai u pushkatua në “Kodrën e Priftit” në Tiranë. Eshtrat e tij nuk janë gjetur ende. Marie Tuci martirja e parë shqiptare e kohërave moderne që dha jetën për besimin fetar. 22-vjeçarja, Marie Tuci, u vra nga regjimi komunist . Vdiq në spitalin e burgut në Shkodër, në vitin 1950.

Botuar në gazetën Shekulli

Postime të ngjashme