Burgjet e fshehta të diktaturës komuniste në situata lufte

Burg

Nga Kastriot Dervishi

Në vitet 1944–1946 burgjet ku mbaheshin të dënuarit politikë ishin në varësi të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (strukturë operative e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare), ndërsa ato ordinere në varësi të Drejtorisë së Policisë Popullore në MPB. Partizanë të dalë nga lufta, por të pjesës më besnike ishin pjesë përbërëse e personelit të burgjeve. Regjimi ende nuk kishte krijuar besimin te Policia për të administruar të burgosurit. Burgjet në mbarë vendin shërbenin si vend ku vuhej dënimi. Ato ishin edhe furnizues të kampeve të punës që regjimi i ngrinte kohë pas kohe në mbarë vendin.

Në prill 1947, me organizimin e ri të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda Drejtorisë së Policisë Popullore (DPP), u krijua Dega e Zbatim Vendimeve Penale (DZVP), e përbërë nga seksioni i riedukimit (burgjet), seksioni i robërve të luftës dhe më vonë seksioni i refugjatëve grekë. Në vitin 1947, në vend ishin gjithsej 18 burgje, 8 për “armiqtë e popullit”, 7 për ordinerët dhe 3 ishin të përzier. Në fillim në emërtesa përdorej sistemi i numrave me një ose dy shifra i burgjeve dhe kampeve. Të dhënat që kemi trashëguar janë mjaft të vogla, shpesh herë kontradiktore mes tyre. Për këtë arsye një regjistrim i plotë i tyre sipas numrave rezultoi i pamundur.

Rregullorja e burgjeve e vitit 1946

Ka mbërritur në ditët tona një rregullore e mangët e vitit 1946 e cila nuk ka as datë, as përfundim të saj. Përbëhet prej 69 neneve. Burgjet administroheshin nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas rregullores burgjet ndaheshin për fajtorë ordinerë dhe për “armiqtë e popullit”. Burgjet ishin ordinere dhe politike. Këto ndaheshin nga njëri-tjetri. Dhomat ku zhvillohej hetuesia ishin të ndara nga vendi ku vuhej dënimi. Dhomat e grave dhe e të rinjve ishin të ndara nga të dënuarit e tjerë. Të dënuarit sistemoheshin nga drejtori i burgut, i cili merrej me administratën. Me anën ushtarake merrej komandanti i burgut. Drejtori jepte masat ndaj të dënuarve që ishin: vërejtje, kufizim i korrespondencës, kufizim ose humbja e të drejtës së vizitës së familjarëve, të sendeve që dërgonin, të përdorimit të parasë. Për këto mund të vuaje ditë qëndrim në birucë ose transferim në një burg tjetër.

Platforma e vitit 195o

Pas një eksperience të “pasur” në vitet 1945–1950 në të cilën të burgosurit “sistemoheshin” në qendrat e caktuara të prefekturave, më 8 prill 1950 ministri i Punëve të Brendshme Mehmet Shehu, miratoi platformën për të burgosurit. Kjo platformë synonte shpërndarjen e të burgosurve në gjithë vendin. Sipas saj:

1. Për ata që rridhnin nga shtresat punëtore, fshatare e të varfra. Për elementët ordinerë kur dënimi ishte nën 15 vjet, dënimi duhej vuajtur në burgun më të afërt pranë vendbanimit. Kur dënimi ishte më shumë se kaq në një burg tjetër dhe burgjet e Burrelit dhe Gjirokastrës. Të burgosurit politikë deri në vjet, mund ta vuanin dënimin e tyre në burgun më të afërt. Mbi 10 vjet në një burg tjetër ose në dy burgjet e sipërthëna.

2. Për elementët që rridhnin nga shtresat e larta, kulakë, tregtarë dhe intelektualë. Për të dënuarit ordinerë nën 10 vjet, dënimi vuhej pranë vendbanimit më të afërt. Me 10–15 në një burg më të lartë dhe mbi 15 vjet në dy burgjet e përcaktuara më sipër. Për të dënuarit politikë, kur dënimi ishte deri në 7 vjet, dënimi vuhej pranë vendbanimit. Me 7 vjet në burgun më të afërt. Mbi 10 vjet burg, dënimi duhej vuajtur në burgjet e Burrelit dhe Gjirokastrës. Për të burgosurit ishte bërë një skemë ndarjeje nëpër burgje sipas origjinës së tyre.

  1. Në burgun e Beratit: Skrapari, Kuçova, Lushnja, Berati.
  2. Në burgun e Vlorës: Vlora, Fieri.
  3. Në burgun e Gjirokastrës: Gjirokastra, Saranda, Delvina, Tepelena, Përmeti.
  4. Në burgun e Korçës: Korça, Kolonja-Leskoviku, Pogradeei.
  5. Në burgun e Durrësit: Durrësi, Kavaja, Shijaku.
  6. Burgu i Elbasanit: Elbasani, Peqini, Librazhdi, Gramshi, Peshkopia, Shupenza.
  7. Burgu i Tiranës: Tirana, Kruja, Burreli.
  8. Burgu i Shkodrës: Shkodra, Lezha, Puka, Rrësheni, Dukagjini, Tropoja, Kukësi.

Pas kësaj parashikohej kategoria tjetër për të dënuarit më larg vendbanimit të tyre.

Rregullorja e burgjeve e vitit 1965

Pas një mungese të gjatë, doli një rregullore e re e burgjeve, miratuar me urdhrin e ministrit nr. 01-68, datë 16.10.1965. MPB vazhdonte të zbatonte vendimet e formës së prerë të gjykatave nëpërmjet Degës së Kampeve e Burgjeve në varësi të Drejtorisë së Policisë Popullore. Burgjet e kampet kishin varësi të dyfishtë, nga qendra dhe nga degët e punëve të brendshme të rrethit ku ishin vendosur. Në burgje lejoheshin të hynin presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat, anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike, sekretarët e parë e kryetarët e komiteteve ekzekutive të rretheve ku ishin, ministri i Punëve të Brendshme, drejtoria e Policisë e Sigurimit, kryetari e zëvendësi i Degës së Kampeve e Burgjeve, ministri i Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, prokurori i përgjithshëm, prokurori i rrethit.

“Dënimi me heqje të lirisë, si rregull vuhet.ne kampet e punës” ishte përcaktimi i nenit 14. Nuk dërgoheshin në kampe pune të dënuarit pa vendim të formës së prerë, te paaftët për punë, pleqtë dhe ata që shkelnin Rregulloren e burgjeve. Sipas këtij neni, në kampe mbaheshin vetëm të dënuarit e aftë për punë, një rregull ky i shkelur qindra herë. Të dënuarit pranoheshin në burgje e kampe me këto dokumente: vendimin e arrestimit, vendimin e gjykatës së formës së prerë, procesverbalin e kontrollit, fletanketën e të akuzuarit, kartelën daktiloskopike, dëshmitë e penalitetit. Ndarja e të dënuarve bëhej në dhoma fjetjeje si më poshtë:

  • Të dënuarit për krime kundër shtetit.
  • Gratë, por mbaheshin veç ordineret e politiket.
  • Të dënuarat prostituta mbaheshin veçan.
  • Të dënuarit me shtetësi të huaj.
  • Të dënuarit – 12 muaj.
  • Të dënuarit – 18 vjet.
  • Të dënuarit ish anëtarë të PPSH-së MPB-së, organeve të drejtësisë, ish ushtarakë etj., kur kishin kryer krime ordinere.
  • Të dënuarit pleq dhe ata me sëmundje.

Të dënuarit me lidhje gjaku ndaloheshin të rrinin bashkë. Po ashtu edhe ata që ishin dënuar së bashku për një krim ndaloheshin të rrinin në një dhomë. Lirimet e të dënuarve bëheshin vetëm kur i dënuari plotësonte kohën, falej me dekret dhe lirohej me vendim gjykate. Pas lirimit nga burgu njoftohej Zyra e Gjendjes Gjyqësore, për të dënuarit politikë njoftohej dega 4 e Drejtorisë Sigurimit të Shtetit dhe për ata ordinerë Drejtoria e Policisë Popullore (bashke në fashikullin). Kartela daktiloskopike i dërgohej Laboratorit Qendror Kriminalistik.

Të dënuarit që ekzekutoheshin varroseshin nga rojet e brendshme. Ajo pak gjë që mund të linin si rrogat apo ndonjë e ardhur, konfiskohej. Kufomat e të dënuarve që vdisnin ne pune nuk u jepeshin familjarëve. Mund të bëhej një gjë e tillë vetëm nëse dilte një dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, gjë realisht e pamundur. Në punë, të dënuarit ndaheshin në brigada. Me vete mbanin çantën e bukës, pagurin e ujit, e më pas veglën e punës. Ata kishin të drejtën e përfitimit uljes së dënimit nga puna sipas dekretit nr.1782, datë 14.12.1953.

“Riedukimi” i bëhej nëpërmjet agjitacionin e komandës, programeve, gazetës së murit, bibliotekës etj. Gjatë orareve të caktuara, në oborrin e burgut të kampit vendosej altoparlanti i Radio Tiranës me muzike e lajme. Por ministri mund të kufizonte ose ndalonte shfaqjen e filmave, leximin e shtypit etj.

Këshilli i riedukimit në burgje krijohej me miratimin e komandës prej 5–9 të dënuar të devotshëm. Anëtarëve të tij u caktoheshin detyra si p.sh. kulturore, higjienike etj. Brenda kampit a burgut ngrihej edhe një lloj gjyqi i përbërë prej 3–7 të dënuarish. Gjyqi i propozonte komandës masa disiplinore ndaj të dënuarve.

“Të drejtat” e të dënuarve fillonin me garantimin prej shtetit të ushqimit, sapunit e veshmbathjes. Të dënuarit në burgje dilnin dy herë në ajrim, një orë paradite e një orë pasdite. Të dënuarit mund të merrnin nga familja ushqime deri në 15 kg në muaj, ndërsa të sëmurët e pleqtë deri 30 kg. Të dënuarit mund të takoheshin me të afërmit një herë në muaj, 10 minuta. Ata qëndronin të ndarë nga teli i rrethimit dhe nga roja në mes. Roja mund të ndërpriste takimin nëse dëgjonte biseda të padëshiruara. Të dënuarit spiunë ose vegla të regjimit mund të flinin 1–4 net me gruan në dhomën e veçantë. Të dënuarit e rrezikshëm mund të dërgonin një letër në muaj, por këtu nuk futeshin letrat drejtuar udhëheqjes, të cilat “nuk censuroheshin”.

Për të dënuarit jepeshin masa ndëshkimore që fillonin me vërejtje para të dënuarve, ndalim korrespondence 1–3 muaj, ndalim takimi 0.5 muaj–3 muaj, izolim 3–30 ditë në birucë, dërgimi në një punë më rëndë për 1 muaj. Masa e fundit ishte ridënimi nëpërmjet një procesi tjetër gjyqësor. Të dënuarve në birucë u hiqeshin rrobat e fjetjes, të cilat u jepeshin natën. Në birucë mund të mbanin vetëm pagurin e ujit. Cigarja për ata që e pinin u jepej vetëm gjatë ushqimit. Nxirreshin prej andej vetëm një herë në ditë për nevoja personale e për ajrim 1 orë. Megjithatë përvoja tregoi se kjo gjë nuk bëhej.

Rregullorja merret në nenet vijuese me organizimin e ruajtjes të të dënuarve, detyrat e komandantit, zëvendësit të tij, shefit të stërvitjes, punëtori operativ i Sigurimit, shefit të furnizimit, referentit të financës, referentit të ushqimeve, referentit të veshmbathjes, ndihmësmjekut, referentit të evidencave, magazinierit, komandantit të togës etj. Punëtori operativ ishte oficeri i Sigurimit të Shtetit, i cili varej nga komandanti i repartit vetëm nga ana formale, sepse nga pikëpamja agjenturiale-operative varej nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme ose zëvendësi i tij. Ai drejtonte rrjetin sekret brenda të dënuarve si dhe të burgosurit që përpunoheshin (ndiqeshin). Rregullorja me 173 nene merrej edhe me modelin e ndërtimit të një kampi pune, mënyrën e transferimit të të dënuarve etj.

Gjendja e luftës

Regjimi ka punuar vazhdimisht për të pasur një situatë të sigurt për burgjet në kohë lufte. Për këtë qëllim ka investuar për ngritjen e disa reparteve në pika të fshehta e të largëta të Shqipërisë. Në rast agresioni, të menduar se vinte nga jashtë, për sistemin e burgjeve dhe efektivin e Degëve të Punëve të Brendshme ishin menduar disa pika hapje. Ideja e hapjes së këtyre pikave rezulton të jetë në vitet ’7o. Sipas urdhrit të ministrit të datës 6.7.1971, pikat e hapjes ishin sipas numrave:

  • 31 (Sinanaj, Tepelenë)
  • 32 (Vodicë, Berat)
  • 33 (Spaç, Mirditë)
  • 34 (Cerujë, Gramsh)
  • 35 (Ndërfushas, Mirditë)

Kësisoj në rast lufte ishte vendosur që në pikën 31 të shkonin të burgosurit e reparteve 305 dhe 309, në pikën 32 efektivi i repartit 305, në pikën 33 të burgosurit e reparteve 301, 303, 325, në pikën 34 të burgosurit e reparteve 313 dhe 315 dhe në pikën 35 efektivi i repartit nr.3o1. Përveç këtyre ishin parashikuar edhe disa raste të veçanta. Reparti 318 shkrihej. Gratë kalonin si fuqi punëtore e detyruar e fermës. Ne këto pika grumbullohej edhe efektivi i Degëve të Punëve të Brendshme. Reparti 321 vendosej në varësi të Degës së Punëve të Brendshme Burrel dhe ai 307 të varësi të Degës së Punëve të Brendshme Tepelenë. Duke marrë parasysh se në këto reparte ishin të burgosurit të rrezikshëm dhe nuk shihet gjëkundi transferimi i tyre, fare lehtë mund të mendohet se këto dy degë do të bënin vetëm ekzekutimin me vdekje të të burgosurve. Ky urdhër kishte “karakter sekret”. Me të njiheshin vetëm kryetarët e degëve dhe linja kishte të bënte me komandimin e burgjeve. Urdhri i mëparshëm i datës 9.12.1968 u urdhërua të asgjësohej.

(Kur reparti 307 është në Valas, dislokimi i tij në rast lufte do të bëhej në pikën 34 Cerujë). Ky urdhër ndryshoi me atë të datës 16.5.1972, pa ndryshuar thelbin e tij. Përveç sa më sipër parashikohej që në rast lufte emigrantët dhe robërit e Shqipërisë së jugut e asaj të mesme të vendoseshin në pikën nr.34 Gramsh, ndërsa ata të veriut në pikën nr.35 Mirditë. Në vitin 1975 shihen planet për të organizuar e ndërtuar repartet e reja rezervë. Kësisoj repartet pararojë mbajnë numrat 301/A (i cili parashikonte zgjerim të kampit të Bulqizës, por nëse zgjerimi nuk mbaronte do dislokohej në Spaç), 303/A (pika 33 Spaç), 305/A (pika 32 Vodicë, Berat), 307/A (pika 34 Cerujë, Gramsh) dhe 309/A (pika 31 Sinanaj, Tepelenë). Të gjitha pikat ishin përgatitur për të mbajtur 2 000 të burgosur dhe një personel prej 268 trupash ushtarake.

Gjendja e këtyre pikave në vitin 1978 vlerësohej përgjithësisht e kënaqshme, ndonëse kishte disa probleme në to. Ishte bërë rrethimi i territorit, ishin ndërtuar barakat si dhe ishin ndërtuar depozitat e ujit me një kapacitet 40 000 litrash ujë. Pika e Holtës kishte nevojë për ndërtimin e dy kazermave si dhe kujdesin për motorin elektrik. Vodica dhe Ndërfushasi kishte probleme me ruajtjen e motorit elektrik. Në Sinanaj shiu kishte sjellë dëmtime.

Në analizat e vitit 1980 mësohet se pikat janë përdorur në zboret e ndryshme (për rezervistët), si duket për të krijuar edhe idenë e rreme se ato mund të ishin reparte të zakonshme. Por një parashikim tjetër ishte bërë për pikat ku do vendoseshin robërit dhe “diversantët”. Regjimi akoma jetonte me imagjinata “diversantësh”. Për të gjithë robërit e shtetit armik ishin menduar disa vende grumbullimi. Sipas shkresës së datës 2.6.1980 këto vende ishin: Prekal (Shkodër), Kaluar (Lezhë), Kurcaj (Krujë), Mollas (Elbasan), Shelcan (Gramsh), Rehovë (Berat), Krahës (Tepelenë) dhe Zhulat (Gjirokastër).

Për “diversantët dhe spiunët” ishte menduar vendosja në Rubik (aty ku mendohej të shkonte reparti 309 në kohë lufte) dhe në Valas, aty ku ishte reparti 307.

Për civilët e “shtetit armik” ishte menduar Shoshaj Lis (Mat) dhe fshati Kosovë i shtrirë midis rretheve Lushnjë me Elbasan. Më 9.9.1980 ministri i Punëve të Brendshme Feçor Shehu i dorëzon studimin kryeministrit Mehmet Shehu. Në të thuhej se në rast agresioni mund të kapeshin 45 000–75 000 robër. Një megalomani e tille i bënte të mendonin për krijimin e një strukture të gatshme për këtë kohë. Kryeministri pranoi variantin të mos bëhej asnjë investim për vendet e menduara, por të vihej në dispozicion një forcë prej 1 665 persona (185 për çdo pikë hapje).

Në vitin 1983 pati një rikonceptim të pikave të hapjes dhe ndryshim të shpërndarjes së reparteve. Kësisoj, sipas urdhrit 01-28 datë 4.2.1983, zhvendosja e reparteve do bëhej në këtë mënyrë:

  • 31 (Sinanaj, Tepelenë): reparti 305
  • 32 (Vodicë, Berat): do përdorej për efektivët e degëve
  • 33 (Spaç, Mirditë): repartet 301, 302, 303 dhe 311
  • 34 (Cerujë, Gramsh): 313 dhe 325

35 (Ndërfushas, Mirditë): do përdorej për efektivët e degëve Reparti 321 qëndronte në vend. Po ashtu edhe të sëmurët mendorë silleshin këtu. Veç këtyre ishin përcaktuar me numra edhe pikat për vendosjen e robërve. Këto pika ishin:

  • 4o Zhulat (Gjirokastër)
  • 41 Toç (Tepelenë)
  • 42 Rehovë (Berat)
  • 43 Nikël Kurcaj (Krujë)
  • 44 Shelcan (Gramsh)
  • 45 Vidhan (Elbasan)
  • 46 Kashnjet (Lezhë)
  • 47 Prekal (Shkodër)
  • 48 Ulëz (Mat)

Sipas urdhrit 40, datë 20.3.1983 “mbi masat për sigurimin e të dënuarve, të paraburgosurve, të arrestuarve, emigrantëve dhe robërve të luftës”, mbi bazë të direktivës së mbi funksionet e MPB-së në kohë lufte zhvendosja e reparteve do bëhej në këtë mënyrë:

  • 31 (Sinanaj, Tepelenë): reparti 305 Përparim dhe Degët e Punëve të Brendshme.
  • 32 (Vodicë, Berat): reparti Bardhor si dhe do përdorej nga efektivët e degëve në rrethe.
  • 33 (Spaç, Mirditë): repartet 301 Batër, 303 Spaç dhe Gur Spaç, 311 Qafë Bari, 312 Tërnovë.
  • 34 (Cerujë, Gramsh): 313 Tiranë dhe 325 Tiranë, si dhe do përdorej për efektivët e degëve në rrethe. Periferia e repartit do përdorej për emigrantët.
  • 35 (Ndërfushas, Mirditë): Do përdorej për efektivët e degëve në rrethe. Periferia e repartit do përdorej për emigrantët.

Reparti 321 qëndronte në vend. Po ashtu edhe të sëmurët mendorë silleshin këtu. Kjo bëhej me qëllimin për të ekzekutuar të dënuarit më të rrezikshëm.

Në vend qëndronte edhe reparti 318 Kosovë, por nisur nga fakti se të dënuarit ishin gra dhe rreth 90% për krime ordinere, qëndrimi nuk përbënte ndonjë kosto të madhe. Veçantë bënte shkolla e riedukimit të të miturve Lezhë. Vagabondët parashikoheshin të mobilizoheshin. Pikat 40–48 për vendosjen e robërve nuk ndryshonin. Për herë të fundit, kjo çështje u trajtua në vitin 1989.

Gazeta 55, 10 mars ’18
Titulli origjinal: Burgjet e fshehta në situata lufte

Postime të ngjashme