Të burgosurit e Burrelit: Shqipëria, vendi klasik i kampeve dhe burgjeve

Burgu i Burrelit

Nga Kastriot Dervishi

Beqir Ajazi, ish-i dënuar politik dëshmon:

Qeveria komuniste kishte grumbulluar aty në burg të Burrelit tërë ajkën e patriotizmit e burrnisë shqiptare si nga ata të krahinave, si dhe nga ata që e kishin qeverisur Shqipërinë një jetë të tërë. Një ndër këta ishte dhe Hirësia e tij Visarion Xhuvani, ish-kryetar i kishës, ish-senator, po ishte njëheri patriot i madh që kishte shërbyer si arkitekti kryesor i themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale. Pastaj vinin dhe pleq shumë të moshuar si Dine Dema, Islam Dragoti nga Dumreja, Xhemal Naipi, Xhavit Leskoviku, Ramazan Jarani, Xhevat Korça, Tefik Mborja, Sami Koka, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, Et’hem Cara, Patër Klement Miraj, Patër Mehill Mira, Ejëll Çoba, Hamid Kupi, Enver Hasa, Elez Tahiri, Sheuqet Muka, Sharaf Karagjozi, Kasem Haderi, Sami Udenishti, Kristo Kirka, Isuf beg Çela, Seit beg Çela, Ali Maliqi, Syrja Golja, Qerim Nasufi, Koço Tasi, Jazo Ajazi, Shuk Gurakuqi, Akile Tasi, Sejfi Vllamasi, Zihni Dervishi, Xhemal Kusi, Fiqri Llagami, Vangjel Manushi, Doktor Lush Pogu si dhe shumë e shumë të tjerë emrat, e të cilëve do të na çonin gjatë.

Në fillim të nëntorit 1962 në burg ishin 306 të dënuar politikë dhe 2 ordinerë. Më 2 gusht 1967 nga burgu i Burrelit mundën të arratiseshin Dhori Gërnjoti, së bashku me Adem Allçin, Sazan Hadërin. Vendosën të arratisen nga burgu i Burrelit jo nëpërmjet ndonjë llagëmi, por nëpërmjet forcës, nëpërmjet grushteve. Ishte ora 19.30 kur goditën rojet e brendshme të burgut, u morën çelësat atyre, i lanë pa ndjenja, u lidhëm gojën dhe u morëm çelësat. Me ndihmën e tyre hapën derën që të nxirrte në ajrim dhe prej këtej, duke u ngjitur nëpër hekurat e dritareve, hipën në tarracë. Por rojet i dalluan dhe hapën menjëherë zjarr. Sazan Hadëri u vra në vend, ndërsa Gërnjoti dhe Ademi vazhduan nëpër plumba. U kapën dhe u ridënuan.

Në vitin 1969 këtu ishin të burgosur 170 të dënuar politikë të rrezikshëm për regjimin. Në rast gjendje lufte reparti zhvendosej në Skrapar. Në vitin 1970 këtu ishin 170 të burgosur. Në vitin 1971 një ankesë e Gjin Markut bëhej në Komitetin Qendror për një lloj të ri torture, atë të përdorjes të tymit të druve dhe të qymyrit ndaj të dënuarve. Kjo lloj metode ishte përdorur kryesisht në muajt e nxehtë. Të dënuarit duhej të mbronin sytë por edhe frymëmarrjen nga prania e këtij tymi. I shtohej kësaj torture edhe niveli i lartë i zhurmave ndaj të dënuarve. Në raportin e datës 10.1.1973 silleshin të dhëna për veprimtarinë e Simon Jubanit, Uran Kostrecit e Osman Kazazit.

Burgu i Burrelit nga lart

Në gjysmën e parë e vitit 1974 në burg ishin 14 të dënuar në përpunim aktiv 2A, 2 në kontroll operat 2B dhe 12 në PP (përpunim paraprak). “Me gjithë punën e madhe që ka bërë partia me këtë kategori të armiqsh për rehabilitimin e tyre me qëllim që pas daljes nga burgu të mos jenë më të rrezikshëm për shoqërinë, vihen re qartë se këto armiq kanë qëndruar e vazhdojnë të qëndrojnë në pozita armiqësore, gjë e cila ka arsyet e veta, sepse si armiq të betuar të partisë e të popullit e shohin Shqipërinë që nën udhëheqjen e partisë marshon e sigurt në rrugën e socializmit se partia është fener ndriçues në kontinentin e Europës” – thuhej në raportin e datës 10.7.1974.

Në një raport të dytë të komandës, atë të datës 6.1.1975, vinte theksin në propagandën e madhe që zhvillonin të burgosurit. Ndër të tjera citohen të burgosurit që kishin thënë: “Se këta ujqër nuk ngopen me gjak njeriu, e di gjithë bota se Shqipëria është vendi klasik i kampeve dhe burgjeve.” Megjithatë kriminale mbetet fakti që komanda organizonte dhe inskenonte rrahjen e të burgosurve me njëri-tjetrin. Raporti pranonte faktin se rrahja e të burgosurve bëhej nga komanda. Brenda burgut në radhët e të dënuarve vepronin 6 agjentë dhe 8 informatorë. Po ashtu ishte rekrutuar edhe 5 policë dhe 2 ushtarë. Në të gjitha platformat për gjendjen që do kishin të burgosurit në kohë lufte, del se të burgosurit në Burrel do të ekzekutoheshin menjëherë sapo në Shqipëri të ndodhte ndonjë “agresion amerikan” (lexo çlirim nga komunizmi). Pra këta të burgosur edhe sikur të ndodhte ardhja e lirisë, nuk kishin asnjë shans ta përjetonin atë.

Më 30.5.1975 në burgun e Burrelit ish-zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, i burgosuri Halim Xhelo, i dënuar dy herë (në vitet 1966 dhe 1968), revoltohet nga veprimi i komandës për kontroll dhe shprehet: “Kjo që bëhet këtu, as në kohën e Italisë fashiste nuk bëhej. Kjo që bëhet këtu në Shqipëri bëhet vetëm me zezakët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më mirë të jesh zezak atje sesa këtu. Më varni ose më vritni e pastaj thoni se vrau veten, siç keni thënë edhe për të tjerë. Më vrisni dhe më çoni te qershia e më varrosni.” Halim Xhelo, funksionar i rëndësishëm, thoshte se dy të dënuar që kishin “varur veten” ato kohë ishin ekzekutuar, ndërsa qershia ndodhej në një parcelë ku varroseshin të dënuarit që vdisnin në burg. Xhelo u dërgua për t’u dënuar sërish.

I dënuar, ish-klerik katolik, Dom Simon Jubani, i dënuar më 28.1.1964 me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë, plotësonte kohën e lirimit më 25.1.1974. Mirëpo qysh prej dhjetorit 1972 ai ishte marrë në përpunim aktiv 2A. Dega e Punëve të Brendshme Mat propozon që ndaj tij të bëhej një ridënim tjetër me provat që kishin në kuadër të “politikës së goditjes”. Pasi u arrestua më 26.12.1973 u ridënua me 10 vjet burg të tjerë po për agjitacion e propagandë. As pas kësaj, prifti nuk pyeti. Për këtë arsye u dënua më 14.1.1975 me 10 vjet të tjerë me të njëjtën akuzë. I revoltuar dhe i nevrikosur, Dom Simoni qëllon rojën e burgut me pëllëmbë teksa ky po i çonte ushqimin. Për këtë gjë dënohet më 10.9.1975 me 7 vjet burg. I pyetur nga polici pse e kishte qëlluar, Dom Simoni ishte përgjigjur: “Nuk të qëllova ty, por pushtetin, partinë dhe udhëheqjen e saj.” I papërkulur ishte treguar Dom Simoni edhe gjatë gjykimit kur kishte thënë: “Ju mos e quani punë të kryer, unë e quaj këtë si një sinjal të kryengritjes ndaj Enver Hoxhës që e ka kthyer Shqipërinë në nevojtore.” Komanda e burgut propozonte që prifti në fjalë të izolohej sa më shumë pasi paraqiste rrezikshmëri edhe te të burgosurit e tjerë. Kjo vërtetohej edhe nga fjalët që thoshin të burgosurit e tjerë që rrinin me klerikun në një dhomë.

Roje i burgut

Kapaciteti i burgut nga viti 1983 e pas ishte për 155 personave. Gjatë vitit 1983 mesatarisht kishin qëndruar në burg 133–150 të dënuar. Gjatë vitit 1984 mesatarisht kishin qëndruar në burg 150–167 të dënuar, prej të cilëve 17 të dënuar ishin ordinerë. Ndiqeshin 31 të dënuar në përpunim aktiv 2A. Burreli ka ruajtur gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, statusin e burgut më të rëndësishëm.

Në raportin e Drejtorisë Zbatim Vendimeve Penale për vitin 1984 thuhej: “Në qytetin e Burrelit vuajnë dënimin elementë armiq me rrezikshmëri shoqërore të theksuar dhe disa të dënuar për krime të tjera që për rrezikshmërinë e tyre nuk mund të vuajnë dënimin në repartet e riedukimit.” Sipas këtij përcaktimi, izolimi i të burgosurve ishte qëllimi kryesor. As përfitimi nga puna e të burgosurve nuk ishte qëllim për regjimin. Gjatë vitit 1985 mesatarisht kishin qëndruar në burg 152–176 të dënuar. Rreth 43 të dënuar ishin ordinerë.

Në vitin 1986 në burg shërbente një personel prej 56 vetash: 7 oficerë, 5 nënoficerë, 16 policë, 28 ushtarë. Në vitin 1987 në burg mesatarisht ishin 155–157 të dënuar. Shumica e tyre ishin politikë (20 antiparti e 86 për krime kundër shtetit, gjithsej 106 dhe rreth 50 ordinerë). Në janar 1987 raportohej se reparti kishte një kapacitet prej 155 shtretërish. Prej tyre ishin 106 politikë (prej të cilëve 20 antiparti) dhe 49 ordinerë. Punonin për nevojat e repartit 20 të burgosur. Një informacion i datës 31.7.1987 bën fjalë se reparti kishte gjithsej 114 të dënuar (18 antiparti, 85 për krime kundër shtetit dhe 29 ordinerë). Gjithsej ishin 5 bashkëpunëtorë për të burgosur politikë dhe 1 për ata ordinerë. 3 bashkëpunëtorë ishin nga radhët e grupit antiparti.

Gjatë vitit 1988 në burg ishin mesatarisht 154–175 të dënuar. Të dënuar ordinerë vazhdonin të ishin rreth 50 të dënuar. Gjatë vitit 1989 në burg ishin mesatarisht 164–175 të dënuar. Të dënuar ordinerë vazhdonin të ishin rreth 50 të dënuar. Nga amnistia e vitit 1989, u lirua pjesa më e madhe e grave të burgosura në repartin 318 Kosovë. Në repart qëndronin vetëm 38 gra. Për këtë arsye MPB pa mundësinë e zhvendosjes së të dënuarve të repartit 321 Burrel në repartin 318 Kosovë.

Nga studimi i drejtorit të Drejtorisë Zbatim Vendime Penale, paraqitur më 31.3.1990, ishte arritur në përfundimin se reparti 305 Sarandë nuk i plotësonte kushtet për regjim më vete pasi mungonte uji i pijshëm, banesat etj. Ndërsa reparti 318 kishte dy pallate trekatëshe me kushte të mira banimi, të përshtatshëm për të mbajtur elementin antiparti, atë për krime kundër shtetit dhe ordinerët. Gratë e mbetura në repartin 318 propozoheshin të dërgoheshin në repartin 325 ku do punonin në rrobaqepësi për llogari të repartit 100. Për të organizuar këtë zhvendosje, në fillim u mendua që të zhvendoseshin gratë në repartin 325.

Gazeta 55, 7 mars ’18
Titulli origjinal: PPSH përligj krimet dhe torturat në burgje

Postime të ngjashme