Deheroizimi është mëse i nevojshëm në këto momente

deheroizimi

Nga Mark Marku.

Është një kënaqësi që mu dha rasti për të komunikuar me brezat e ndryshëm të studentëve që kanë gjetur kohë për t’iu bashkangjitur përkujtimit të 25 vjetorit të grevës së urisë. Unë do të falënderoja të gjithë studentët e grevës së urisë që nuk janë këtu të pranishëm.

E di pse i vlerësoj? Sepse e kanë bërë grevën dhe nuk preferojnë të flasin. Edhe unë do të doja të mos flisja që të jem po aq i ndershëm sa ata. Më ka pëlqyer gjithmonë ajo pjesë e njerëzve që bëjnë akte njerëzore dhe nuk dalin më pas të luajnë rolin e heroit.

Mesazhi që doja të jepja sonte ka të bëjë me deheroizimin e atyre studentëve që bënë grevën e urisë, pasi mendoj se kjo është dhe forma më e mirë për të reflektuar ndaj nevojave që ka vendi. Deheroizimi është mëse i nevojshëm në këto momente. E para, unë dua të rithem, se të bësh një veprim siç bëmë ne 25 vite më pare, nuk ka qenë aq e rrezikshme sa është thënë këto 25 vite. Është tepruar sa herë që është thënë se ne kemi rrezikuar veten, kemi sakrifikuar veten, pasi dihet se kemi qenë të bindur se asgjë e keqe nuk do të na vinte pas grevës. Kemi qenë disa të rinj që nuk e kemi përfillur mekanizimin e diktaturës dhe të them të drejtën ishim të bindur se nuk do na ndodhte asnjë e keqe.

Greva është bërë në mënyrë shumë sportive. Kemi qenë një grup shokësh, vendosëm të hynin në grevë. Nuk ishim kamikazë dhe as nuk e kemi menduar se do të vdisnim. Kishim shpresë se do e rrëzonim bustin dhe do të rrëzonim edhe diktaturën. Se kështu siç e kemi nisur ne duke folur për veten, për heroizmat, do të frikësojmë të rinjtë e sotëm për të bërë akte të tilla. Unë mendoj se veprimi i studentëve në atë kohë ishte shumë spontan dhe e patëm marrë shumë me sportivitet, se e dinim se nuk ishte ndonjë kosto e madhe për ne të vepronim dhe të reagonim për të arritur një ndryshim. Ne e patëm vendosur se kjo gjë mund të bëhet dhe e bëmë, siç e kanë bërë para nesh dhe shumë studentë të vendeve të tjera të Evropës, në vitin ‘68. Njësoj si ata që kanë dalë dhe kanë thënë “më mirë puthemi se të luftojmë”. Rinia nuk ka nevojë të mendojë se për të bërë ndryshime duhen patjetër të jenë heronj dhe të bëjnë akte heroike. As nuk kemi qenë ne heronj, as nuk kanë nevojë të jenë të rinjtë e sotëm. Thjesht të rinjtë duhet të reagojnë ndaj gjendjeve të rënda që mund të kalojë vendi i tyre.

Ajo që kërkoj nga brezi i sotëm është që të kopjojnë nga ajo kohë vetëm sensin e revoltës. Dhe në atë kohë na thonin se ishim shumë mirë, ndërkohë që ishin keq, në atë kohë na thonin se Shqipëria po përparon dhe komunizmi është triumfues ndërkohë që komunizmi po rrëzohej në të gjithë botën, na thonin se ne ushqeheshim më mirë se të tjerët, ndërsa njerëzit po vdisnin urie. Këtë e kuptuam dhe na thirri nevoja instiktive e të riut për të reaguar, që lidhet me moshën.

Ndjenja e revoltës vjen së brendshmi në mënyrë shumë të thjeshtë. Nuk kemi nevojë për të treguar këtu se si disa prej nesh bëmë akte trimërie, heroike etj. Ne e dimë se çdo epokë ka rrethanat e veta. Pra nuk ka pse të jetë një student i sotëm i revoltuar njësoj siç ishim ne. Çdo brez duhet të reagojë, dhe nëse nuk e bën këtë, është i destinuar që të zhduket në histori dhe të humbasë pa lënë shenjë në jetën e tij dhe të kalojë pa asnjë gjurmë. Mesazhi im është që sa më pak të rrezikosh aq më shumë i rrezikuar je, sa më shumë të rrezikosh aq më pak i rrezikuar je.

*Fjala në takimin e organizuar nga PD me rastin e 25-vjetorit të grevës së urisë së studentëve

Postime të ngjashme

Bëj një koment