Dekorohen të mbijetuarit e Tepelenës, tri nëna që varrosën fëmijët e tyre

Gjelë Gjikola merr dekoratën nga presidenti Ilir Meta

Gazeta Panorama, 24 gusht ’18

Drande Jakja jetoi edhe gati 70 vjet të tjera pas vdekjes së të birit. Jetoi një shekull, ndërsa historia e saj e pazakontë do ta kalojë shekullin e jetës së saj.

Një histori makabre, dhimbjeje dhe nderi. Drande Jakja, e cila ruajti 7 javë pranë vetes trupin e pajetë të të birit në kampin e Tepelenës, u dekorua dje pas vdekjes, nga Presidenti Ilir Meta. Dje, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, u organizua Dita Muze/Memorial në Tepelenë.

Në një ditë të gjatë, konceptuar me simpoziume shkencore, performancë artistike, ekspozita dokumentare, dëshmi dhe koncerte, një vend i veçantë iu rezervua nderimit të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Në prani të të mbijetuarve apo të të afërmve të viktimave të përndjekjes komuniste, Presidenti i Republikës Ilir Meta nderoi me Titull për Merita të Veçanta Civile, disa nga simbolet e mbijetesës dhe të dhimbjes. Mes tyre janë tri nëna, që jeta u rezervoi fatin e tmerrshëm, të varrosin e zhvarrosnin me duart e tyre fëmijët e mitur, që vdekja ua mori në kampet e shfarosjes.

Duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës që i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin, këto personalitete frymëzuese vlerësohen në Tepelenë, vendin ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të humanizmit të njerëzve të thjeshtë. Kjo në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për rivlerësimin e këtyre figurave, në një ditë kujtese e reflektimi”, tha ndër të tjera Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Dekorimet

Në ceremoninë e zhvilluar dje në mbrëmje në Tepelenë, Presidenti i Republikës dekoroi dy gra malësore, dy gra të forta, që nuk u ndalën për 55 vjet, deri sa rigjetën eshtrat e bijave të tyre të vdekura në Turan të Tepelenës. Ato janë Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola që humbën fëmijët 3-vjeçarë në internim. Fëmijëve iu sigurua një vend prehjeje i identifikueshëm dhe pas gjysmë shekulli, nënat e tyre rifituan të drejtën për ta kujtuar fëmijën njerëzisht.

Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola © Radi and Radi

Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola © Radi and Radi

Historia e Drande Jakjas, e dekoruar pas vdekjes, ka rrëqethur këdo që e ka dëgjuar. Një malësore trimëreshë, e cila në një sakrificë mbinjerëzore zhvarrosi fëmijën 2-vjeçar që ndërroi jetë në kamp dhe e ruajti për 7 javë me radhë pranë vetes, për ta marrë nga kampi, rikthyer në vendlindje dhe varrosur denjësisht pranë gjyshit të vet, sipas zakonit, në një bashkëjetesë gati të pabesueshme të jetës me vdekjen.

Holokausti i fëmijëve në kampin e Tepelenës, sipas Lek Pervizit

Holokausti i fëmijëve në kampin e Tepelenës, sipas Lek Pervizit

Lek Pervizi është një tjetër i mbijetuar i Tepelenës, që ashtu si At Zef Pllumi, ka rrojtur për me tregue, atë që sytë i kanë parë në kampin e Tepelenës, por jo vetëm kaq. Ai i ka të dokumentuara ato përmes vizatimeve, të cilat u ekspozuan dje në Tepelenë. I dënuar nga 1945 deri në 1990, në Berat, Tepelenë, Porto-Palermo, Kamzë, Lushnjë, Kuç me heqjen e të gjitha të drejtave, bashkë me familjen e vet, Leka përshkoi një kalvar të gjatë internimesh dhe burgu, ku humbi gjyshen, nënën, vëllanë dhe ku edhe krijoi familje me një vajzë, që i mbijetoi Tepelenës, Gjyljana Malajn.

Shërbimi që i ka bërë Leka historisë lidhet me dëshmitë e gjalla që ai i ka sjellë deri në të sotmen, ku duke përdorur thëngjill e laps ka dokumentuar me saktësi akribike figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz. Në kushtet në të cilat u realizua ky dokumentim, mungesës së mjeteve bazë për mbijetesë, pikturat e tij të kampeve marrin vlerë të shtuar për informacionin që përcjellin në të sotmen nga një dëshmitar okular. Të dhënat që vijnë nga vizatimet e tij shprehin pa interpretuar gjendje, njerëz dhe situata të papërsëritshme me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie. Skicat, vizatimet dhe pikturat e tij janë botuar si dëshmi e së shkuarës dhe homazh për ata që nuk ia dolën”, u shpreh Presidenti Meta.

Vetë Leka ishte i pranishëm gjatë ceremonisë së dekorimit, po ashtu edhe Gjela me shpirtin e copëtuar, ndërsa në emër të Mrikës, e cila fatkeqësisht po kalon orë të vështira shëndetësore, ishte e pranishme, e bija, Age Totaj, ndërsa në emër të nënës heroinë Drandes, ishte i biri, Nika.

© President.al

© President.al

Kampi i Tepelenës, i mbyllur prej vdekshmërisë foshnjore

Në maj 1949 filloi të funksionojë kampi i Tepelenës, në të cilin u dërguan të gjithë të internuarit e kampit të Beratit. Arsyeja që u zgjodh Tepelena si vend internimi, mendoj se ka të bëje me disa lehtësi praktike. Tepelena ishte nën juridiksionin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Beratit dhe aty gjendeshin disa kabina të mbetura nga koha e pushtimit italian, të cilat u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë: Bektash Pogaçe (1949 –1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1953), të dy me arsimim të papërfunduar. Organizimi i Tepelenës vazhdoi të ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba, në të cilët të internuarit i cili kontrollohej nga ushtarë të armatosur. Gjatë viteve 1949-1953, në Tepelenë u vendosën rreth 1500 familje: burra, gra, të moshuar dhe fëmijë.

Tepelena nuk ishte i vetmi vend internimi në Shqipëri, as në këtë kohë dhe as gjatë gjithë viteve të regjimit komunist. Shumë krahina të tjera në Shqipëri shërbyen si vende për të internuar njerëz, faji i vetëm i të cilëve ishte se ishin të afërm të individëve që regjimi i konsideronte të rrezikshëm. Por, Tepelena është kampi i cili mbeti në mendjen e atyre që patën fatkeqësinë për të jetuar në të. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.

© President.al

© President.al

Tepelena mbeti në kujtesën e njerëzve, pasi për shkak të këtyre kushteve të vështira, pati raste të shumta vdekjesh, sidomos në mosha të reja. Ndonëse dokumentet janë të pakta, ato tregojnë që gjatë viteve 1949-1950, lajmërohet për raste vdekjesh nga dizenteria. Ndërkohë që nga muaji tetor 1950 deri në dhjetor të po atij viti numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë, fenomen i cili nuk haset në kampe të tjera të ngjashme.

Disa studiues mendojnë se ishte pikërisht vdekshmëria e lartë e fëmijëve në kampin e Tepelenës dhe nevoja për të konsoliduar sistemin e internim-dëbimeve, që i detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të viti 1953 për ta mbyllur kampin e Tepelenës dhe në përgjithësi kampet e rrethuara me tela me gjemba.

Postime të ngjashme