Dënimi i “grupit të tretë” të deputetëve

Ali Bakiu, Ibrahim Keçi

Nga Kastriot Dervishi

Pas dënimit të dy grupeve të para të deputetëve, përkatësisht procesit të shtatorit 1947 dhe janarit 1948, në mars 1948 u gjykua “grupi i tretë”. Në këtë “grup” nuk kishte asnjë ish deputet, por të gjithë akuzoheshin për lidhje miqësore me të dënuarit e dy proceseve të para, e për këtë arsye arsye këta mund të konsiderohen si “grupi i tretë”. Çdokush prej tyre mund të bënte pjesë në gjykimin e dy grupeve të para, sepse përzgjedhja e tyre është bërë fare rastësisht nga organi i akuzës.

Ali Bakiu, kryetar prej nëntorit 1944 deri në qershor 1946 i Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës së Tiranës (bashkia e vjetër), i cili gjatë kohës që drejtoi bashkinë me vullnetin e tij nuk merrte as rrogë, ishte cilësuar “armik” sepse nuk përkrahte veprimet e pushtetit, madje për këtë arsye kishte kërkuar dorëheqjen. Megjithatë, në shtyp u njoftua se u shkarkua nga detyra sepse përkrahte “armiqtë e popullit” etj. Për gati një vit, grupi u torturua në mënyrën më të tmerrshme në hetuesitë e Tiranës. Ata ishin intelektualë të Tiranës, të cilët kishin fatin e keq të jetonin në një vend kur krimi ishte vendosur në pushtet. Karakteristikë është se në përgjithësi ky “grup” nuk i ka pranuar akuzat.

Akt-gjykim

Arrestimet dhe shënime të tjera

15 mars 1947

– Fehmi Leskani, nga Dibra, banues në Tirana, 54 vjeç, tregtar.

15 maj 1947

Haki Karapici, nga Tirana, 34 vjeç, avokat. U përdor edhe në gjyqin e grupit të parë të deputetëve.

Irfan Pustina, nga Dibra, banues në Tirana, 36 vjeç, doktor. Akuzohej për lidhje me Shefqet Bejën, Enver Sazanin, Sheh Karbunarën. Pyetej nga hetuesi Beqir Ndou. Kishte njohje me Shefqet Bejën sepse në luftë e kishte shpëtuar nga burgu me ndërmjetësinë e Ibrahim Biçakçiut, por veprime të tjera nuk kishte bërë.

Gjergj Ashta, nga Shkodra, banues në Tirana, 40 vjeç, jurist. Akuzohej mbështetur te miqësia e tij me Selaudin Toton. Para hetuesit Mihal Kanani nuk del asnjë fakt që të provojë akuzën.

16 maj 1947

Ymer Keçi, nga Tirana, 44 vjeç, pijeshitës. Në vitin 1945 kishte pasur kafe “Kursalin”. Akuzohej për njohjet me Shefqet Bejën.

Ali Bakiu, nga Tirana, 37 vjeç, tregtar. Akuzohej për lidhje me Hasan Reçin, Shefqet Bejën, Kolë Kuqalin, Enver Sazanin etj. Në hetuesi deklaronte se Shefqet Bejën nuk e njihte fare dhe nuk kishte si të shkonte në shtëpinë e tij kur nuk e dinte as ku ndodhej kjo. Para hetuesit Mihal Kanani, mohoi çdo akuzë. U lirua nga burgu i Burrelit më 25.6.1959.

Ali Bakiu

Ali Bakiu

Ali Shtëpani, nga Shëngjergji i Tiranës, 78 vjeç, pronar. Akuzohej si nënkryetar i “komitetit qendror”. I kishte qenë vetëm një herë në shtëpi Shefqet Bejës për vdekjen e nënës. Irfan Majunin e kishte takuar vetëm një herë, kur ky i kërkoi një koshere blete. Para hetuesit Beqir Ndou, nuk del asnjë fakt komprometues.

Enver Topulli, nga Gjirokastra, banues në Lushnjë, 46 vjeç, tregtar.

Kadri Kërçiku, nga Tirana, 51 vjeç, mjek. Akuzohej si pjesëtar i “organizatës”. Nga nga hetuesia e zhvilluar nga Beqir Ndou nuk del ndonjë implikim.

Kel Koçobashi, nga Shkodra, 54 vjeç, nëpunës. Akuzohej për agjitim kundër pushtetit. Para hetuesit Mihal Kanani, nuk del asnjë fakt që të provojë akuzën.

17 maj 1947

Vasil Xhaj, nga Sofratika e Gjirokastrës, banues në Tiranë, 42 vjeç,avokat. Gjatë hetuesisë pyetet për lidhjet me Kostë Boshnjakun, Haki Karapicin e Balztar Benusin. Nuk pranon akuzat. Sipas tij, Haki Karapici ishte trembur shumë nga arrestimi i Hasan Reçit.

Baltazar Benusi, nga Shkodra, banues në Tirana, 51 vjeç, avokat. Akuzohej për lidhje me Shefqet Bejën, Gjergj Kokoshin, Suat Asllanin, me UNRRA-n etj. Hetuesi Beqir Ndou e merr në pyetje. Në gjyq, e mohon hetuesinë.

18 maj 1947

Adem Xhepa, nga Tirana, 61 vjeç, pijeshitës. Akuzohej se kishte ndihmuar financiarisht organizatën me anë të Haki Karapicit. Mohonte çdo akuzë.

19 maj 1947

Ibrahim Keçi, nga Tirana, 60 vjeç, tregtar. Pranonte para hetuesit Beqir Ndou njohje me Shefqet Bejën e ndonjë tjetër, por mohonte të kishte aktivitet.

Ibrahim Keçi

Ibrahim Keçi

Procesi gjyqësor

Gjatë gjithë kohës së hetuesisë ndaj të pandehurve janë përdorur torturat më të tmerrshme. Një pjesë e të pandehurve, nga ky presion kanë pranuar akuzat e sajuara nga hetuesia. Procesi u hap më 22.3.1948 në Tiranë nga një trupë gjykuese ushtarake e drejtuar nga kapiten I Abdyl Hakiu, kapiten II Shaban Rezha dhe toger Hamet Çiraku, duke pasur pranë prokurorin kapiten Petrit Hakani.

– Baltazar Benusi hodhi poshtë akuzat se ishte “informator i UNRRA-s”.

– Haki Karapici, nën presion të madh “pranoi akuzat” në lidhje me “ekzistencën e një organizate”.

– Ali Bakiu hodhi poshtë akuzat që i bëheshin duket shtuar se emri i tij ishte përmendur nga Ali Kavaja në procesin e grupit të Sami Qeribashit, Musine Kokalarit e Qenan Dibrës.

– Ali Shtëpani hodhi poshtë akuzat për mbledhje e organizatë.

– Ibrahim Keçi, hodhi poshtë akuzat e tha se ishte sipërmarrës.

– Ymer Keçi, pranonte akuzat e bëra.

– Vasil Xhaj e pranonte akuzën pjesërisht. Pranonte se kishte bërë kritika ndaj pushtetit, por jo agjitacion.

– Enver Topulli, hodhi poshtë akuzat.

– Adem Xhepa, hodhi poshtë akuzat.

– Fehmi Leksani, hodhi poshtë akuzat. Refuzoi të përgjigjet mbi procesverbalin e hetuesisë, duke e mohuar atë.

– Irfan Pustina, hodhi poshtë akuzat.

– Kadri Kërçiku, hodhi poshtë akuzat.

– Gjergj Ashta, hodhi poshtë akuzat.

– Kole Koxhobashi, hodhi poshtë akuzat.

Prokurori i akuzonte se qysh pas lufte ishin lidhur me Shfqet Bejën, duke bërë pjesë në një “grup terrorist” në të ashtuquajturin “qarkor të Tiranës” (gjoja me përgjegjës Ali Shtëpanin). Ata akuzoheshin se ishin të lidhur me anglo-amerikanët dhe synonin përmbysjen e pushtetit në lidhje me organizatën e deputetëve.

Vendimi i gjykatës

Me vendimin nr.212, datë 30.3.1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës në batë të neneve 6, 8, 10 të ligjit nr.372 dhe nenit 15 të ligjit nr.373, vendosi konfiskimin e pasurisë, si dhe këto dënime:

– Me vdekje, pushkatim, të shtetasve: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi.

– Me 20 vjet burgim: Vasil Xhaj.

– Me 15 vjet burgim: Kadri Kërçiku, Baltazar Benusi.

– Me 10 vjet burgim: Enver Topulli, Gjergj Ashta, Adem Xhepa, Kel Koxhobashki, Ali Shtëpani.

Deklaratë e ndërmjetme

Në deklaratën e tij të datës 5.4.1949, oficeri i Sigurimit Naun Bezhani (në procesin hetimor të Koçi Xoxes) deklaroi:

Në Tiranë kur po gjykohej një grup i organizatës së deputetëve, ku ishin anëtarë të qarkorit të Tiranës të kësaj organizate, ishte dënuar me vdekje Haki Karapici dhe na u dha urdhri nga gjykata për ekzekutimin e tij. pasi neve të seksionit na u duk i padrejtë që të ekzekutohej vetëm ky dhe shokët e tij që nuk kishin folur as në hetuesi, as para gjyqit të faleshin, i thashë Vaskës (Koleci) për këtë dhe pas pak na urdhëroi të mos e ekzekutonim dhe kështu nuk u ekzekutua, me gjithë që vendimi i Gjykatës së Lartë ishte dhënë për ekzekutimin e tij.

Dënimi i rishikuar

Procesverbal

Me vendimin nr.127, datë 21.4.1948, Gjykata e Lartë Ushtarake bëri këto ndryshime:

– Me burgim të përjetshëm: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi.

– Me 7 vjet burgim: Baltazar Benusi.

– Me 5 vjet burgim: Ali Shtëpani.

– Me 2 vjet burgim: Kadri Kërçiku.

– Me paraburgimin e kryer: Vasil Xhaj, Adem Xhepa, Enver Topulli.

– Pafajësi: Gjergj Ashta, Kel Koxhobashi Mbetej në fuqi vetëm konfiskimi i pasurisë i të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Me vendimin nr.1, datë 15.5.1959, të Plenumit të Gjykatës së Lartë, Kadri Kërçiku, Vasil Xhaj dhe Irfan Pustina, morën pafajësinë.

Gazeta 55, 31 mars ’18

Postime të ngjashme