Deputetë gjermanë vizituan burgun komunist të Spaçit

spac002

Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve.

Burgu i Spaçit është një dëshmi e gjallë e vujatjeve të mijëra të burgosurve gjatë periudhës së komunizmit. Një periudhë shumë e diskutuar por që ende has debat të madh në opinionin publik.

Për t’u njohur më nga afër mbi historinë e këtij kampi famëkeq, 5 deputetë të Bundestagut vizituan nga afër atë që ka mbetur nga burgu.

Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve.

“Hapi i parë që duhet bërë është që të lindë dhe të zhvillohet një koncept i mirë se si prej këtij vendi të bëhet një memorial apo një muze, sepse kështu siç është, është e qartë që nuk mund të qëndrojë më. Kush nuk njeh mirë të shkuarën e vetë, nuk mund të punojë mirë për të ardhmen. Ndaj, vende të tilla duhet të ruhen për të përkujtuar viktima të së shkuarës, por edhe si shenjë paralajmërimi për brezat e së ardhmes”, deklaroi Lammel.

Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori Helmut Hoffman, i cili bëri thirrje për më shumë vëmendje në këtë temë.
“Edhe ne në Gjermani kemi një të shkuar jo pak të dhimbshme. Kemi pasur të bëjmë me dy diktatura mjaft të dhunshme, ndaj e dimë mjaft mirë sesa i vështirë është ky proces i përballjes me të shkuarën. Por ne e dimë gjithashtu që është po kaq e rëndësishme dhe ju detyrohemi viktimave të asaj periudhe që të merremi me të shkuarën. Këtë jemi duke e bërë prej vitesh në Gjermani. E di mjaft mirë që kjo është një temë mjaft delikate për politikën shqiptare, por do të ishte një kënaqësi nëse asaj do t’i kushtohej më shumë vëmenje, qoftë në opinionin publik, qoftë në jetën politike të vendit”, u shpreh Hoffman.

Për gati 3 orë, deputetët e Parlamentit gjerman u njohën me dëshmitë e të mbijetuarve për torturat e pësuara në këtë burg.

Postime të ngjashme