Deputeti i Bundestagut mirëpret në Berlin fituesit e konkursit “Pyet Gjyshërit 2”

Fituesit e konkursit "Pyet Gjyshërit 2" në Berlin

18–21 prill 2018, Berlin – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me fondacionin gjerman Konrad Adenauer organizoi një vizitë studimore 4-ditore në vendet e kujtesës në Berlin, për fituesit e vendit të parë të konkursit “Pyet Gjyshërit 2“, në datat 18–21 prill 2018.

Konkursi “Pyet Gjyshërit 2” ishte një projekt nga IDMC në partneritet me Shoqatën e Mësuesve të Historisë dhe u mbështet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Fondacioni gjerman Konrad Adenauer. Konkursi shpalli fituesit përmes një ceremonia të veçantë, më 23 nëntor 2017. Pas vizitës studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri për vendet e dyta, të treta, çmimin e rrjetit dhe atë inkurajues, IDMC në bashkëpunim me KAS ofroi një vizitë studimore në vendet e kujtesës në Berlin për fituesit e vendit të parë. Fituesit e vendit të pare janë 5 të rinj të gjimnazit “Sami Frashëri”, Tiranë: Elios Shuli, Marta Gështenja, Gentian Kojeli, Eri Alla, Renis Lami me videon kreative “Unë jam…”. Ata u shoqëruan në Berlin nga stafi i IDMC, Dr. Jonila Godole dhe znj. Matilda Karçanaj; drejtori i zyrës së KAS në Shqipëri, z. Walter Glos; mësuesja e tyre znj. Elmira Gjonaj; si dhe ekspertja e historisë, njëkohësisht anëtare e jurisë, znj. Fatmiroshe Xhemalaj.

Dita e parë18 prill 2018

Fituesit e konkursit arrijnë në Berlin dhe takojnë z. Feyerabend, referent për Ballkanin Perëndimor në Akademinë e KAS.

Vizita filloi me një ekskursion në pikat kryesore turistike dhe historike të qytetit të Berlinit si: Muri i Berlinit, Katedralja e qytetit, Bebelplatz (vendi i djegies së librave nga nazistët), Fakulteti i Juridikut, Porta e Brandenburgut, Kulla e TV, rruga Franceze dhe Statuja e Fitores së Berlinit. Më vonë të rinjtë patën mundësinë të takonin z. Florian Constantin Feyerabend, referent për Ballkanin Perëndimor në Akademinë e fondacionit Konrad Adenauer, në Berlin. Të rinjtë ndanë me z. Feyerabend eksperiencën e realizimit të videos për konkursin “Pyet Gjyshërit 2”. Nga ana tjetër z. Feyerabend i njohu ata me punën e KAS duke e përmbyllur takimin me diskutimin për rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE.

Dita e dytë19 prill 2018

Fituesit vizitojnë Parlamentin gjerman dhe diskutojnë me deputetin Thorsten Frei. Më pas vizita i çon ata te Muri i Berlinit dhe Muzeu i Stasi-t.

Në ditën e dytë të vizitës, grupi fitues nga Tirana vizitoi Parlamentin Gjerman (Bundestag & Reichstagskuppel). Gjatë vizitës në Bundestag të rinjtë diskutuan me z. Thorsten Frei, deputet i Bundestagut dhe njëkohësisht reporter për Shqipërinë në Bundestag. Deputeti Frei i njohu të rinjtë me situatën e Shqipërisë drejt BE dhe rolin e Gjermanisë për të lehtësuar këtë proces. Z. Frei u tha të rinjve se “pavarësisht ndihmës së Gjermanisë për Shqipërinë, varet nga vullneti i elitave politike të Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE, në mënyrë që Shqipëria të eci para në këtë drejtim.” Deputeti Frei gjithashtu theksoi se populli në Shqipëri duhet të ushtrojë presion te politikanët e vet duke përdorur në mënyrën e duhur të gjitha mjetet demokratike si vota e tyre dhe protestat.

Pas vizitës në kupolën e Reichtag të rinjtë vizituan memorialin e Murit të Berlinit. Gjatë kësaj vizite të rinjtë patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth historisë së ndarjes së Gjermanisë që prej 13 gushtit të vitit 1961 deri më 9 nëntor 1989, kur u rrëzua muri i Berlinit. Dita e dytë e vizitës përfundoi me vizitën në Muzeun e Stasi-t, ku të rinjtë u njohën me detaje të reja për shërbimin sekret gjerman. Vet muzeu i vendosur në ish ndërtesën e Stasi-t e bëri më të lehtë për të rinjtë për të kuptuar sistemin politik të ish Gjermanisë Lindore. Gjatë kësaj vizite të rinjtë bënë krahasime të Shërbimit Sekret gjerman (Stasi) me atë shqiptar (ish-Sigurimi).

Dita e tretë20 prill 2018

Fituesit e “Pyet Gjyshërit 2” vizitojnë Memorialin e Holokaustit në Berlin.

Në ditën e tretë të vizitës studimore fituesit e konkursit vizituan Memorialin e Holokaustit, i njohur ndryshe edhe si Memoriali i Hebrenjve të vrarë të Europës. Pasi diktatori i Gjermanisë, Adolf Hitler, mori pushtetin, mori masa të menjëhershme për të shfarosur Hebrenjtë nga Gjermania, duke përfshirë edhe persekutimin apo vrasjen e grupeve të tjera, si: romët, polakët, homoseksualët, njerëzit me aftësi të kufizuara, kundërshtarët e regjimit etj. Memoriali i Holokaustit iu prezantua publikut në Maj të vitit 2005, në një zonë rreth 19 000 metra katrorë, afër Portës së Brandenburgut. Memoriali përmban 2 711 blloqe betoni që përkujtojnë rreth 6 milionë Hebrenj, viktima të Holokaustit.

Dita e katërt21 prill 2018

Të rinjtë vizitojnë Memorialin Hohenschönhausen të Berlinit dhe Muzeun “Topografia e Terrorit”.

Gjatë vizitës në Memorialin e Hohenschönhausen, të rinjtë u njohën me ish burgun politik të ish Gjermanisë Lindore dhe mënyrat e torturës. Të udhëhequr nga një guidë profesionale të rinjtë mësuan se Hohenschönhausen fillimisht kishte funksionuar si një kamp Sovjetik i ndërtuar në fund të Luftës së Dytë Botërore, në zonat e pushtuara sovjetike. Në 1946 u kthye në burgun kryesor sovjetik dhe funksionoi si i tillë deri në 1952, kur Stasi mori kontrollin mbi të. Pasi Stasi mori kontrollin, burgu u zgjerua më shumë dhe u përdor deri në vitin 1989 si qendër hetuesie, ku mijëra të burgosur politik u morën në pyetje, përfshirë këtu edhe disidentët më të famshëm të GDR. Pesë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, në 1994, Hohenschönhausen u kthye në memorial. Duke ecur në zonën e ish-hetuesisë, të rinjtë u njohën me metodat e marrjes në pyetje të asaj kohe nga shërbimi sekret i GDR dhe kushtet në të cilat të burgosurit politik kishin jetuar.

Vendi i fundit i kujtesës që të rinjtë vizituan përgjatë gjithë kësaj vizite studimore ishte qendra e dokumentimit “Topografia e Terrorit“, e ndërtuar në vendin e komandës kryesore Schutzstaffel. Zyrat e Gestapos dhe të Sigurisë së Rajhut (nga 1939) kanë qenë po aty. Të rinjtë vizituan ekspozitën e përhershme “Topografia e Terrorit”, e cila dokumenton historinë e persekutimit që nga viti 1933, kur Hitleri mori pushtetin deri në 1945. Guida përgjatë ekspozitës i njohu të rinjtë fillimisht me marrjen e pushtetit, pastaj me institucionet e terrorit, për të vazhduar më tej me terrorin, persekutimin dhe shfarosjen në zonën e Rajhut.

Postime të ngjashme