Dëshmia e Gjok Pjeter Deçkaj për kampet e Tepelenës dhe Stavrës

Gjoke Pjeter Deçkaj

Intervistoi Dashnor Kaloçi

“Një natë, një grua e re nga Tropoja e cila priste të lirohej, shkoi natën për të hapur varrin e fëmijës së saj i cili i kishte vdekur para 8 muajve në moshën 5-vjeçare. Duke hapur varrin me lugën që hanim supën, ajo fshinte eshtrat me fustanin e saj dhe i thoshte: “Nuk të lë nëna këtu ty, jo”. E shkreta grua, u detyrua t’i thyente eshtrat e të birit me qëllim që t’i fshihte në rrobat e trupit pa u diktuar nga rojat e kampit, pasi nuk lejohej që t’i merrte. Atë natë, bashkë me të ka qenë dhe nëna ime duke e ndihmuar dhe më pas ajo mundi t’i merrte eshtrat e të birit dhe t’i varroste në Theth.”

Dëshmia e mësipërme, e cila duket sikur është pjese e ndonjë skenari te filmave horror, nuk është as më shumë dhe as më pak, por një ngjarje krejt e vërtetë e ndodhur gjysmë shekulli më parë në kampet e tmerrshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Njeriu që e rrëfen këtë histori tragjike është 67-vjeçari, Gjoke Pjeter Deckaj, i cili ka pasur vetë fatin tragjik të provonte këto kampe që porsa kishte ardhur në jetë. Për këto dhe të tjera ngjarje nga jeta e tij, ai rrëfen në këtë intervistë.

Zoti Gjok, cila është origjina e familjes suaj?

Origjina e familjes sonë është nga fshati Kushe i Hotit në Malësinë e Madhe. Ne nuk kemi qenë familje shumë e madhe, por babai im, Mark Pjeter Deckaj, ka qenë shumë i njohur si burrë i urtë dhe me emër të madh në të gjithë atë krahinë. Si gjatë kohës së Zogut dhe në periudhën e Luftës, baba nuk është përzierë fare me politikë, por ka qenë i njohur si nacionalist dhe patriot.

Po me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, çfarë ndodhi me familjen tuaj?

Kur erdhën komunistët në pushtet, ne nuk na panë me sy të mirë, dhe baba, Marku, shihej si njeri i dyshimtë. Kjo për faktin se në vitin 1945, ai ishte mobilizuar forcërisht nga një repart special i forcave partizane, dhe gjatë asaj kohe, duke parë krimet e shumta që bënte ai repart, me arrestime, vrasje, tortura, djegie shtëpish etj. kishte fituar një urrejtje të madhe për ta. Pak kohë pasi u lirua nga ai repart, diku nga viti 1948, babai dhe gjyshi im, Pjeter Deckaj, u arratisën nga Shqipëria.

Si ndodhi arratisja e tyre?

Atë vit, pra ne 1948-ën, u arratisën plot 30 vetë nga Hoti në një ditë të gjithë së bashku dhe dolën në Jugosllavi. Kjo ndodhi pasi një oficer i postës së kufirit u shkoi derë më derë dhe i njoftoi të gjithë këta persona se ishin në listë për t’u arrestuar. Dhe kjo kishte qenë e vërtetë, pasi një orë pasi ata u arratisën, forcat komuniste u shkuan shtëpi më shtëpi duke kërkuar për t’i pushkatuar. Nga këta 30 burra, më të njohurit ishin; Prek Gjeto Marku, Nikoll Luc Doka, Mark Doshi Frangaj, Pjeter Gjon Luka etj. Bashkë me këta 30 persona, u arratis edhe komandanti i postës së kufirit.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj pas arratisjes së babës dhe gjyshit?

Unë linda më 17 shtator në 5 të mëngjesit (dy javë pas arratisjes së babës dhe gjyshit) dhe në ora 9, kur nëna ime (File Pashk Ademi) ishte akoma me zorrë nëpër këmbë, erdhën dhe na morën forcërisht duke na çuar në burgun e Koplikut. Gjyshja ime shkoi te Kol Maci, i cili ndërhyri tek komunistët dhe ne na kthyen prape në fshat. Por nuk na lanë më shumë se 3 muaj dhe më 23 prill 1949, na internuan në Tepelenë. Atë ditë që na morën për të na çuar në Tepelenë, baba kishte ardhur afër fshatit me dy shokë të tij, trima, me qëllim për të na marrë me vete, e me dal në Jugosllavi. Ai është afruar jo më larg se 500 metra nga ne, duke më dëgjuar edhe mua që qaja pa pushim, por nuk mundi të na ndihmonte dot. Ata dy shokët i thanë: Medet, Mark, ç’ka të bejmë? Dhe baba iu përgjigj: Më ngushtë nuk e kam pa veten kurrë. Kam frikë se ma vrasin djalin, prandaj nuk mundemi të ndërhyjmë. Pas një udhëtimi të gjatë në rrugë pa rrugë, ne na çuan në kampin e Tepelenës. Djepi ku isha unë ishte duke u rrëzuar nga shpina e kalit dhe e ka mbajt Bora e Prek Gjeto Markut, se ndryshe do kisha rënë në greminë. Në Tepelenë gjetëm edhe familje të tjera nga Hoti e Kastrati dhe midis tyre edhe 13 priftërinj katolikë të internuar. Unë kam qenë i vogël në atë kohë, por nëna më pas më ka treguar për vuajtjet dhe tmerret e paimagjinueshme që kemi kaluar aty. Më kanë treguar kur u rrita se Kryetari i Kooperativës së fshatrave përreth kampit dhe sekretari i Partisë kishin porositur fshatarët e këtyre fshatrave të Tepelenës që fëmijët e tyre t’i shanin dhe t’u gjuanin me gurë të internuarve. Dhe ka pas disa raste që kur ktheheshin nga mali u dilnin përpara fshatarët dhe shanin e gjuanin të internuarit.

Konkretisht, çfarë mbani mend nga ai kamp?

Aty vdisnin njerëz çdo ditë nga uria dhe sëmundjet, ku më së shumti fëmijë të vegjël. Puna ishte mjaft e rëndë dhe sfilitëse. Të internuarit punonin në transportim lëndësh drusore nëpërmjet lumit Vjosë dhe kur lumi ishte shumë i rrëmbyeshëm, qëllonte që lënda drusore t’i godiste dhe i linte të vdekur në vend. Nga Gjirokastra aty sillnin qen të ngordhur dhe qelbej i gjithë kampi. Veç këtyre, një tmerr i vërtetë i kampit të Tepelenës ishte një kapter me emrin Tomi, i cili i ndiqte vajzat dhe nuset e reja duke i futur forcërisht në një magazinë për t’i përdhunuar. Mua më kujtohet se kur kam qenë 5 vjeç, kapter Tomi më mbajti disa minuta në ujë të ftohtë, me qëllim për t’i bërë presion nënës sime. Aq shumë zullume bëri kapter Tomi me gratë e vajzat e internuara, saqë vetë komanda u detyrua dhe e hoqi. Nëna më lidhte me brezin e djepit tek krevati që të mos bija, pasi ne flinim në krevate me tri kate. Herë pas herë nënën e nxirrnin para të gjithë kampit dhe i shanin babën, Markun, duke thënë se ai ishte kriminel e lloj-lloj sharjesh të tjera. Por nëna ua kthente duke iu thënë: Unë e njoh për burrë shumë të mirë. Po këtë gjë ia bënin edhe Borës së Prek Gjeto Markut (Lulaj), por ashtu si nëna edhe ajo nuk fliste asnjë fjalë të keqe për burrin e saj, përkundrazi e lavdëronte. Po të mos kishim pasur ndihmën e dajave të mi dhe gjyshes Katrine Prela, të cilët na vinin dhe na sillnin ushqime të thata në Tepelenë, ne do të kishim vdekur urie si shumë nga bashkëvuajtësit tanë.

Skicë e Lek Previzit

Skicë e Lek Previzit

Çfarë kujton ndonjë ngjarje tjetër nga ai kamp?

Një natë, një grua e re nga Tropoja, Drane Jakaj, (gjyshja nga nëna e Gëzim Nikes, këngëtarit të njohur) e cila priste të lirohej, shkoi natën për të hapur varrin e fëmijës së saj i cili i kishte vdekur para 8 muajve në moshën 5-vjeçare. Duke hapur varrin me lugën që hanim supën, ajo fshinte eshtrat me fustanin e saj dhe i thoshte: “Nuk të len nëna këtu ty, jo”. E shkreta grua, u detyrua t’i thyente eshtrat e të birit me qëllim që t’i fshihte në rrobat e trupit pa u diktuar nga rojat e kampit, pasi nuk lejohej që t’i merrte. Atë natë bashkë me të ka qenë dhe nëna ime duke e ndihmuar dhe më pas ajo mundi t’i merrte eshtrat e të birit dhe t’i varroste në Theth.

Kur u liruat nga ai kamp?

Në vitin 1954 ai kamp u mbyll dhe ne na dërguan në kampin e Savrës në Lushnjë. Bashkë me të tjerët, edhe nëna ime punonte deri në brez në ujë në tharjen e Kënetës së Tërbufit. Në një rast nënën e sulmuan shumë ushunjëzat dhe asaj i ra të fikët sapo shoqet e saj e nxorën në breg duke e ditur të vdekur. Tone Nuthi me kunatat e saj nga Pjetroshani i Bajzës së Kastratit, u përleshën me policët, të cilët donin ta fusnin nënën ashtu gjysmë të vdekur me punu në ujë duke i thënë: “Çoju dhe puno moj kriminele.” Në atë punë nëna punoi plot 3 vjet. Aty nga viti 1956, një ditë kur erdhi aty një oficer madhor për inspektim, Rrok Kont Marashi, më mësoi mua t’i dilja përpara dhe t’i thoja se isha i pafajshëm. Konti m’i kishte shkruar në një letër se çfarë do t’i thoja oficerit dhe unë ashtu bëra. I thashë se baba më kishte lënë në bark të nënës kur ishte arratisur dhe ç’faj kisha unë. Ai u prek nga fjalët e mia dhe tha se do e studionin punën time. Mbas disa kohesh erdhi letra dhe unë u lirova kur isha 8 vjeç, ndërsa nëna mbeti aty. Erdhën kushërinjtë dhe më morën aty në kamp e më çuan në fshat. Por edhe aty nuk më lanë të jetoja, pasi fshati ishte zonë kufitare dhe më çuan në Kastrat, ku bëja çdo ditë nga 2 orë rrugë për të shkuar në shkollë dhe 2 orë për t’u kthyer në shtëpi. Shkollën 8-vjeçare e mbarova shkëlqyeshëm duke qenë nxënësi më i mirë dhe bëra një kërkesë që të shkoja në Konviktin “Tom Kola” në Shkodër, por më thanë: “Rri urtë e mbyll gojën se ti je djali i kriminelit Mark Deckaj. Shtrëngo fort kazmën dhe mos u ndiej.” Kështu, deri në moshën 16-vjeçare mua më rritën dajat. Në atë kohë unë isha i rritur dhe duke e kuptuar se nuk kisha asnjë shpresë për jetën, fillova të mendoj që të arratisesha nga Shqiperia dhe të shkoja tek baba.

Kamp

Ku ndodhej babai juaj në atë kohë?

Deri në atë kohë, baba ishte në Itali, ndërsa gjyshi në Tuz të Malit të Zi, dhe ne komunikonim me letra me ta.

A kishit provokime dhe a ju ndiqnin njerëzit e Sigurimit?

Një person i quajtur Ndue Nikoll Markhelli, i cili ishte i dekoruar nga Kadri Hazbiu, më provokonte vazhdimisht duke vënë radion te “Zeri i Amerikës”, gjoja se do fliste baba im. Po kështu, herë pas here ai më thoshte të arratiseshim së bashku. Unë e kuptoja atë gjë dhe nuk i lashë kurrë të kuptonte se doja të arratisesha. Një ditë i thashë nënës (në 1959 ajo u lirua nga internimi) që të arratiseshim së bashku, por kur ajo pyeti nënën e saj, gjyshja tha: “Mos e len se do na vrasin djalin dhe do na marri në qafë të gjithëve”. Kështu nëna më tha se ajo nuk vinte dhe unë nuk duhet të ikja. Por unë e kisha vendosur së bashku me dy shokët e mi, Kol dhe Gjelosh Narkaj, dhe kështu u arratisëm.

Si mundët të arratiseshit nga Shqipëria?

Më 13 qershor 1966, ditën e festës së Shën Ndout, i thashë nënës se do të shkoja në kishë. Në fakt, së bashku me shokun tim, Kol Narkaj, (Gjeloshi nuk erdhi se martonte vëllanë) që ishte një vit më i madh se unë, morëm rrugën dhe në fshehtësi dolëm tek Leqet e Hotit, poshtë në Grabam dhe kaluam kufirin duke dalë në Jugosllavi. Aty u dorëzuam te një shtëpi ku i treguam të vërtetën dhe ata na pritën shumë mirë. Ajo shtëpi kishte lidhje miqësie me familjen tonë dhe gjetën mundësinë të lajmëronin se ne ishim dorëzuar tek ata. Më pas, sipas rregullave, ata na dorëzuan tek ushtarët, të cilët na morën dhe na dërguan në burgun e Leshkopoljes, ku na mbajtën 2 muaj në hetuesi duke na pyetur. Gjatë asaj kohe, me ndërhyrjen e Rroko Keqit (nga Tuzi), tek autoritetet jugosllave, ne nuk na kthyen në Shqipëri, por na liruan dhe unë shkova tek gjyshi im, Pjeter Deckaj, i cili ishte në Tuz. Me gjyshin qëndrova 9 muaj në Tuz dhe në atë kohë, baba që ndodhej në SHBA, kishte bërë letrat dhe më 27 shkurt 1967 me doli azili politik për në Amerikë. Kështu nga Beogradi u nisa për në Nju-Jork, ku më priste baba me një foto timen në dorë, të cilën ia kisha dërguar me postë. Ka qenë një takim prekës ai me babën në aeroportin Xhon Kenedi të Nju-Jorkut. Baba më shikonte dhe unë e shikoja. Kur m’u afrua, unë i thashë: “A ti je baba im?” Po tha, vetëm një herë ta kam dëgjuar zërin. Të kam lënë në bark të nënës dhe thosha se do jetë djalë. Lotët na kishin mbuluar të dyve. Unë i thosha: “O Mark Deckaj. Bëhu i fortë, pse qan?!” Baba më pyeste se pse kisha ardhur dhe unë i thosha se kisha pritur 17 vjet dhe doja t’i shikoja sytë e ballit babës tim. Ndërsa ai me puthte, unë i thoja: “Tash nuk jam ma i varfën, nuk jam i pababë.”

Po pas arratisjes suaj, çfarë ndodhi me nënën?

Pasi ika unë, diku një vit më vonë, ndërsa nëna ishte në bjeshkë, spiuni Ndue Nikoll Markhelli, lajmëroi policinë se nëna donte me u arratis, dhe ata erdhën e morën dhe e internuan në Hajmel, ku qëndroi për 19 vjet me radhë.

Gjate kohes qe babai juaj Marku jetonte ne Amerike, a eshte marre me politike?

Me politike babai eshte marre qe kur ishte ne Itali, ku u zgjodh kryetar i Bllokut Indipendent Kombetar duke bashkepunuar ngushte me Ernest Koliqin, Gjon Markagjonin, Ismail Verlacin, Kol Bibe Mirakajn etj. Gjate asaj kohe, njerezit e Sigurimit te Shtetit Shqiptar i bene babes nje atentat me pistolete, por ai mundi te shpetonte i plagosur ne krah. Por edhe ne spital ate deshen ta helmonin me disa biskota te cilat i solli aty nje grua e veshur si murgeshe e cila pas hetimeve te Ernest Koliqit, rezultoi se kishte dale nga Ambasada Shqiptare ne Rome. Pas kesaj, baba u detyrua dhe shkoje ne Amerike.

Po me nënën tuaj kur u bashkuat?

Më 16 gusht 1990, kur isha 42 vjeç, unë erdha në Shqipëri dhe takova nënën e cila në atë kohë banonte e vetme në Shtoj. Baba dhe gruaja ime më thoshin të mos vija se akoma nuk kishte rënë komunizmi, por unë e kisha vendosur dhe me mua erdhi dhe gruaja. Në Rinas më nxorën shumë probleme dhe nuk donin të më vulosnin pasaportën dhe pas një debati prej 15 minutash, ma vulosën. Nënës i kërkova falje dhe ajo më tha se ma kishte bërë hallall. Pas 5 javësh munda t’i bëj letrat nënës dhe e mora me vete në Itali, ku më pas erdhi dhe baba. Kështu pas 42 vjet e 3 muajsh, ata u takuan në Romë. Ka qenë një takim prekës ku vetëm lot kishte. Baba dhe nëna jetuan 3 muaj në Itali dhe më pas erdhën në SHBA ku u bëmë të gjithë bashkë. Unë i shihja kur ata qanin për njëri-tjetrin. Kur nëna e pa se sa mirë jetonim, tha: Tani jam gati me vdek. Dhe ashtu ndodhi vërtet: Më 2 korrik 1991, ditë e martë, ata të dy humbën jetën në një aksident automobilistik.

Po ju kur e krijuat familjen?

Unë jam martuar më 22 tetor 1971 me Lajde Mark Gjonajn, babai i së cilës, Pashuk Markgjonaj, rrjedh nga një familje nacionaliste mjaft e persekutuar nga regjimi komunist, njësoj si ne. Unë kam 3 djem: Robertin, Palin dhe Tomin, i cili është asistent-regjisor dhe producent filmash në Hollivud, ku ka bashkëpunuar në 34 filma.

Gazeta Tema, 7 prill ’18
Titulli origjinal: “Tmerri i kampit të Tepelenës ishte kapter Tomi, që ndiqte pas vajzat e nuset e reja për t’i përdhunuar në një magazinë

Postime të ngjashme