Dhjetor 1990 – Katër ditët që ngritën në këmbë studentët dhe popullin

azem

Dhjetor ’90, nga zgjedhja e Azemit tek revolta e madhe

8 Dhjetor, Ora 10:00.

Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B. iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, “unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”

Ora 20:30.

Kabina elektrike në Qytetin “Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri”! Pastaj u hodhën parrullat: “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.

Ora 21:00

Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10-15 minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.

Ora 21:00

Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë, dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit”, me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.

Ora 22.00

Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte.

Ora 24.00

Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.

Ora 01.10, 9 dhjetor

Nisi dita e re. Delegacioni u kthye nga Alia me premtimin se policia nuk do të përdorte forcën me studentët dhe të nesërmen ose do të priste 300 studentë në Qytetin “Studenti”, ose 3000 në Pallatin e Sportit “Partizani”. Ata komunikuan kompromisin, i cili nuk u pranua dhe u vërshëllye nga studentët demonstrues, numri i të cilëve ishte 2000-2500 vetë. Studentët kërkuan të ecin drejt sheshit. 5-6 vajza që ishin dolën përpara demonstruesve. Acarimi arriti kulmin.

Ora 01.20

Hekuran Isai, improvizoi një humbje të pistoletës të një oficeri dhe dha tre herë urdhër: “Bjeruni, bjeruni, pastroni sheshin!”. Njëri nga studentët e kapi nga dy duart Hekuran Isain dhe u kujtoi premtimin e Alisë se s’do të përdorej dhuna. Isai nuk reagoi, atëherë studenti e shtyu dhe e hodhi ministrin e Brendshëm të PPSH në grumbullin e ferrave anash rrugës.

Ora 01.35

Pas demonstrimit të përleshjes, të plagosur, të irrituar, të baltosur dhe me urrejtje të madhe kundër komunistëve, duke thirrur parrulla të ashpra, studentët u kthyen në Sheshin “Demokracia”. U debatua pak, nëse do të vazhdohej natën apo të nesërmen, u la për në orën 7.30 të mëngjesit.

Ora 8.00

Vetëm në atë orë u mblodhën grupet e para. Në godina ishte nxjerrë një njoftim dore për bojkotim mësimi. Megjithëse e dielë, ishte mësim, pasi zëvendësohej një ditë pas festave të nëntorit. Disa studentë i kishin prerë rrugën atyre që shkonin në fakultete dhe u bënin thirrje për solidaritet. Më të pabindurit ishin FSHN dhe Juridiku.

Ora 9.00

Në Qytetin “Studenti” shkon A.H. Djemtë e Inxhinierisë, që i rrinin pranë dhe në një farë mënyre ishin organizatorët e ditës. Ndërkohë, sheshi i mbushur plot mori itinerarin Kinostudio-Filologjik-ambasada amerikane-Sheshi “Skënderbej”. Të gjithë protestonin ndaj R.Alisë që s’mbajti premtimin dhe të gjithë besonin se ishin arrestuar studentë mbrëmjen e parë. Tashmë ishin 5-6 mijë demonstrues. Afër ambasadës amerikane policia i ndau në dysh. Grupi i parë vazhdoi deri afër Liceut. Aty, policia e frymëzuar nga Lenini dhe Stalini që vigjëlonin në muze anash, bllokoi rrugën dhe filloi të merrte masa që studentët të mbeten të izoluar nga qytetarët e Tiranës.

Ora 9.30:12.30

Në Qytetin “Studenti” shkuan dhe ikën të deleguarit e Alisë. Nuk u arrit asnjë kompromis. Studentët tashmë kishin avancuar në kërkesat politike, thirrjet dhe organizim.

Ora 13.10

Pas një vese të hollë shiu, doli dielli. Policia mori urdhër për veprim, katër herë dështuan. Herën e pestë, pas një sprapseje ata u vërsulën fuqishëm mbi studentët. Ishte një masakër e vërtetë. Rreth 20 të arrestuar, 60 të plagosur dhe qindra të tjerë të vrarë në shpirt e në zemër. Për t’i shpëtuar shkopinjve të gomës, u strehuan tek familjarët e lagjes. Gjithçka vazhdoi e tillë në ankthe e pritje, derisa në orën 14.00 shkoi tek studentët Prof. Dr. Sali Berisha, dhe u premtoi atyre se do të bënte të pamundurën se do të lironte studentët e arrestuar. Por atë pasdite do të zgjidhej një komision përgjegjës, i cili kishte mandat për përfaqësimin e mendimeve të studentëve. Policë e ushtarakë u larguan nga Qyteti “Studenti” dhe brenda ditës, dhjetra kujdestarë e punonjës u zëvendësuan me efektiva të 326 ose të Sigurimit të Shtetit.

10 dhjetor ora 9.00:10.00

Studentët u grumbulluan në Sheshin “Demokracia”. U deklarua bojkotimi i mësimit dhe në mënyrë të përgjithshme u përvijuan kërkesat e peticionit që iu dërguan R.Alisë.

72 autoblinda ushtarake të mbushura me studentë të Shkollës së Bashkuar, që mbante emrin e E.Hoxha, me urdhër të Kiço Mustaqit ishin nisur për në rrethinat e Qytetit “Studenti” në pritje për ndërhyrje. Në mesin e rrugës, disa prejt tyre kishin filluar të bërtisnin pro studentëve, shkak që e detyroi atë kolonë të kthehej pas. “Dezertorët” u përjashtuan 10 ditë më pas. Në Qytetin “Studenti” arritën banorët e rinj. Ata ishin studentët e familjeve tiranase dhe punëtorë. Tashmë, sheshi ishte i mbushur për të mos u zbrazur më. Ndërkohë në mikrofonë dhjetra liderë të ardhshëm shprehnin solidaritetin me studentët dhe i jepnin opsione të zgjidhjes. Pasdite filloi një shi i tmerrshëm, megjithatë studentët nuk u larguan. Të detyruar nga kushtet, komisioni i studentëve (deri atë natë u bënë dy komisione) i ftoi studentët në mencën e studentëve 7-1 dhe u dha variantet e takimit me Presidentin Alia. Të gjithë kërkuan dhe ranë dakord për takim me R. Alinë ose në Qytetin “Studenti”, ose me 3000 studentë në Pallatin e Sportit “Partizani”.

11 dhjetor ora 9.00

Filloi mitingu i ditës. Pjesëmarrje e jashtëzakonshme, sepse tashmë Qyteti “Studenti” ishte çliruar nga komunizmi. U komunikua se R.Alia priste një përfaqësi prej 30 vetësh në takim, në mbrëmje. Çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet.

Ora 10:00-16:00

Vazhdoi zgjedhja e delegatëve nëpër fakultete.

11 dhjetor ora 18.00

Arriti autobusi dhe në mënyrë madhështore u bë nisja e studentëve dhe pedagogëve për takim me Presidentin komunist Alia.

Ora 20.00

Nëpërmjet RTV u komunikua deklarimi i pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH.

Ora 21.00

Delegacioni u kthye me një pritje entuziaste e madhështore. Delegacioni i cilësoi bisedimet të suksesshme dhe u tha se do të formohej opozita e parë. Pati disa propozime për emrin e partisë së re dhe u la për të nesërmen në mitingun e madh të pasdites.

12 dhjetor, ora 9.00

U mbajt mitingu i parë i punëtorëve në Qytetin “Studenti”, ndërkohë që prej darkës së parë në godinën 15 vazhdonte hartimi i dokumentave prezantuese të PD. U mblodhën 365 nënshkrime të domosdoshme për themelimin e një partie, nga të cilët 194 ishin studentë.

Ora 16.00

Në një miting historik madhështor u shpall themelimi i PDSH, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u komunikua programi minimal i PDSH.

 

 

Përgatiti:

Halil RAMA

“Dalja ime në krye të Lëvizjes Studentore nuk ishte rastësi”

Hajdari: “Përpara vizionit të studentëve, diktatura ishte vetëm një leckë e dalë boje”

– Si personazh kryesor i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, çfarë është për ju 8 Dhjetori 1990?

8 Dhjetori ’90, jo vetëm për mua, por për të gjithë ne shqiptarët është një nga ditët më të shënuara. Mori fund kapitulli i frikës. Njerëzit janë të vendosur në rrugën e lirisë, këtë rrugë, për fat po e udhëhiqnin studentët. Përpara vizionit të tyre të lirisë, diktatura e PPSH-së ishte vetëm një leckë e dalë boje, siç thotë poeti Migjeni.

8 Dhjetori shënon hapin më progresiv politik të popullit tonë, në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, i cili i hap rrugë pluralizmit politik, gjunjëzon mekanizmin e komunizmit si doktrinë dhe si praktikë në Shqipëri.

– Historia e solli që nga një qytetar i thjeshtë, nga një student “rebel”, të ktheheshit në një lider lëvizjeje të fuqishme antikomuniste. Si është përjetuar ky transformim në botën shpirtërore të Azem Hajdarit?

Kjo ka një kuintinitet shpirtëror tek unë. Tash katër breza, ky ideal gatuhet në linjën e gjakut tim. Isha një student i zakonshëm që ushqehesha me lata. Aspiratat e mia të lirisë ishin të pranishme kudo. Dalja ime në krye të Lëvizjes Studentore nuk ishte rastësi. Unë doja që t’i falja jetën Shqipërisë dhe atdheu im ma pranoi. Fati e solli që unë të jem përsëri gjallë dhe alternativa e lirisë të ketë fituar.

Për mua, ky ka qenë një kalim njerëzor në shërbim të njeriut dhe lirisë së tij. Ky ka qenë thjesht një kontribut i imi minimal në shërbim të atdheut.

– Si e shihni pas 5 vjetësh (më 1995) realizimin e idealeve të Dhjetorit?

Shqipëria është ashtu siç deshëm ne në Dhjetor, e integruar në Europë. PD-ja është në Unionin Demokratik Europian. Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon. Shqipëria është e angazhuar në strukturat e NATO-s; ajo është ndarë përgjithmonë nga orientalizmi që gjendet vetëm tek opozita shqiptare.

– Jeni kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së, si e shihni sot (më 1995) këtë parti?

PD është kthyer në një parti e fuqishme të modelit perëndimor, që drejtoi një reformë të madhe, e cila do të mbetet në histori. Ajo, sot, është forca më dinjitoze, progresive që ka të drejtën morale për të kërkuar edhe njëherë drejtimin e shoqërisë shqiptare.

– Çfarë mesazhi do t’u dërgonit sot (më 8 dhjetor 1995) bashkëluftëtarëve të t’u të Dhjetorit ’90?

Të luftojnë përsëri dhe me të njëjtin guxim për fitoren e ardhshme të PD-së.

(Intervistë e liderit të Dhjetorit, dhënë gazetës “RD” në 8 Dhjetor 1995)

Postime të ngjashme