“Dialog me të shkuarën” për të projektuar më mirë të ardhmen

dialog-me-te-shkuaren-3

Shfaqja e dokumentarit “Kujtesa e një vendi që harroi të harronte…”

Në kuadër të projektit “Memory Alive përmes artit dhe multimedias” të nisur vitin e kaluar, IDMC organizoi një takim me nxënës dhe mësues të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, me titull “Dialog me të shkuarën”. Në ambientet e shkolles u shfaq dokumentari “Kujtesa e një vendi që harroi të harronte”, i cili synoi të nxiste te të rinjtë reflektimin mbi të shkuarën komuniste, me idene se reflektimi mbi të shkuarën i ndihmon ata ta projektojnë më mirë të ardhmen.

Pas shfaqjes së dokumentarit, të rinjtë patën mundesine të mësojnë rreth natyrës totalitare të komunizmit shqiptar dhe pasojat e tij nga persona të cilët vetë dhe familjarisht kanë përjetuar ashpersine e komunizmit.

dialog-me-te-shkuaren-4Të ftuar ne këtë aktivitet ishin z. Gëzim Peshkëpia, ish-i burgosur politik, dhe znj. Rozi Kostani, e ardhur nga një familje e persekutuar në kohën e komunizmit, e cila me rrëfimin e saj solli dhe një panoramë të politikës së jashtme të Shqipërisë së asaj kohe, përkatësisht ish-marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.

Pjese e takimit ishin gjithashtu grupi i të rinjve që realizoi dokumentarin, të cilët ndanë me pjesëmarrësit eksperiencën dhe sfidën e tyre për të realizuar dokumentarin me nota tragjikomike. Gjatë diskutimit, gjimnazistët ndanë me njëri-tjetrin, me mësuesit dhe të ftuarit jo vetëm mënyrën sesi ata e perceptojnë komunizmin shqiptar, por edhe histori familjare që ishin subjekt i dënimeve të ashpra në komunizëm.

Diskutimi me nxënësit dhe të ftuarit përfshiu edhe stafin pedagogjik të gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët këtë radhë erdhën ndryshe para nxënësve të tyre, në një diskutim joformal për mënyrën sesi ata dhe familjet e tyre e kishin përjetuar diktaturën shqiptare. Aktiviteti u mbështet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë, drejtoria dhe stafi pedagogjik i gjimnazit “Sami Frashëri”.

Më shumë informacion rreth të ftuarve:

Gëzim Peshkëpia u lind në Tiranë në vitin 1940, ish-i burgosur politik, i dënuar 8 vjet për “agjitacion e propagandë në fushën e artit e të kulturës”. Në vitin 1951, babai i tij, z. Manush Peshkëpia, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike. Në vitin 1990, ai arratiset së bashku me familjen e tij në Soest, Gjermani. Është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK).

Rozi Kostani është aktore dhe regjisore shqiptare, pedagoge në Akademinë e Arteve në Tiranë. Familja e saj u persekutua në kohën e komunizmit. Ajo mësoi për dënimin që babai i saj kishte vuajtur si pasojë e diktaturës vetëm pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Ai u dënua në moshën 17-vjeçare me 25 vite burg, nga të cilat bëri vetëm 10 vjet për shkak të amnistisë për lirimin e tij.

Postime të ngjashme

Bëj një koment