Diktatura duhet kujtuar mirë e harruar mirë!

sh-cela02

Nga: Fatmira Nikolli.

Ka shumë rëndësi jo vetëm çfarë kujton,por edhe si kujton. Them që ajo çka duhet të dominojë një kujtesë të shëndetshme është zbehja e emocionit dhe rritja komplementare e arsyes dhe logjikës së ftohtë. Kjo duhet të përfshijë edhe kujtesën e diktaturës. Kjo do të bënte që ajo kujtesë të ishte edhe në të mirë të së tashmes. Duhet kujtuar mirë sikurse duhet harruar mirë – kjo jo gjithnjë ndodh”. Shkëlqim Çela vjen me një “letërsi kujtese” në “Embriologjinë” e botimeve “UetPress”, si fitues i çmimit “Kadare” dhënë nga fondacioni “MAPO”. Për të, ajo që ekziston është vetëm e tashme, ndaj kujtesa tregon se ç’jemi ne. Në tri tregime “Përgjuesit”, “Zbori” dhe “Yjet e (pa)shquar” ai tregon “komunizmin e tij” duke e parë atë nga tri këndvështrime të ndryshme: nga mosha e tretë, nga të rinjtë që ëndërronin Bolonjën kur ishin në zbor dhe mandej nga fëmijët. Këtë përmbysje të jetës njerëzore që nis nga mosha e tretë për të ardhur në fëmijërinë e hershme (por pa ndonjë lidhje me “Rastin interesant të Benjamin Button”) ai e shpjegon si një udhëtim për origjinë, i cili të ishte një fare “Back to the future” në mënyrën e vet.

Izolimi, mbyllja kanë lënë një vragë që ai nuk e tejkalon pa i dhënë rëndësi, ndërsa për Çelën, demokracia është një fëmijë i vonë dhe të shkuarit e gjithë jetës nën diktaturë ka qenë rregulli e jo përjashtimi.

Çela, një autor që njihej pak në Shqipëri, derisa libri i tij “Embriologji” mes 33 konkurrentëve mori çmimin “Kadare” 2016 nga “UetPrees” me motivimin: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”.

Në një intervistë për “GSH”, ai zbulon më shumë për veten dhe letërsinë e tij.

-Çfarë ishte për ju çmimi “Kadare” për librin tuaj “Embriologji”?

Kishte fillimisht një tingull prej kasneci lajmi të mirë, që u shoqërua me të gjitha nuancat e të gjitha kohëve, që nga të vjetrat “hair” e “myzhde” e deri tek “you made it”. Më pas realiteti për çmimin filloi të metabolizohej dhe të vinte për atë se ç’ishte në të vërtetë, një kontribut i spikatur i MAPO dhe UET për autorin shqiptar.

-Jeni vlerësuar “për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”. Cila është qasja juaj ndaj kujtesës nën diktaturë?

Kujtesa, si plotës i harresës është mënyra jonë evolutive për t’u marrë me të shkuarën. Në fakt, çka ekziston është vetëm e tashme e në këtë kuptim kujtesa tregon se ç’jemi ne, tani, këtu. Është pra e shkuar që tejçohet në aktualitet në mënyrë diskrete dhe të pambarimtë. Kësisoj, ka shumë rëndësi jo vetëm çfarë kujton, por edhe si kujton. Them që ajo çka duhet të dominojë një kujtesë të shëndetshme është zbehja e emocionit dhe rritja komplementare e arsyes dhe logjikës së ftohtë. Kjo duhet të përfshijë edhe kujtesën e diktaturës. Kjo do të bënte që ajo kujtesë të ishte edhe në të mirë të së tashmes. Duhet kujtuar mirë sikurse duhet harruar mirë – kjo jo gjithnjë ndodh. Për fat të keq. Ende dhe gjithmonë.

-Tek “Përgjuesit” sillnin në fokus moshën e tretë që jetojnë ende me lavdinë e dikurshme, për të ardhur te fëmijëria e hershme. Pse e “përmbysni” rrëfimin?

Kërkova një udhëtim për origjinë, i cili të ishte një fare “Back to the future” në mënyrën e vet.

-Është një letërsi kujtese, i kushtohet mbamendjes së një kohë, që shumëkush do ta lërë pas. Pse ju i riktheheni asaj?

E kërkon logjika e serisë kohore. Por edhe për arsye të tjera: lertrarisht periudha mban material të bollshëm, si dhe largësia prej saj përfton një mundësi më të mirë vëzhgimi dhe kontemplimi.

-Ngjarjet në të tria tregimet tuaja portretizojnë një brez, që e shkoi gjithë jetën në diktaturë. A dhemb kjo? A ka personazhe reale pas tyre?

Dhemb, por kjo shkon me logjikën e gjërave. Sistemet shoqërore nuk përkojnë me brezat e njerëzve dhe kjo ka ndodhur shumë shpesh në histori. Demokracia është një fëmijë i vonë dhe të shkuarit e gjithë jetës nën diktaturë ka qenë rregulli e jo përjashtimi. Natyrisht që ka plot personazhe reale që kanë shërbyer si pikënisje të atyre që popullojnë novelat.

-Si është ta ëndërrosh Bolonjën ndërsa je në zbor?

Ishte surreale, qesharake, e zymtë, e përzishme, bizarre dhe sidomos absurd. Absurd me germë të madhe.

-Ju vetë, a e keni ndjerë izolimin dhe burgun e Shqipërisë së kohës?

Natyrisht. Izolimi ishte një ingredient themelor i jetës saqë u shndërrua në një plagë përditëse. Në këtë pikëpamje po krijonte një lloj të ri ndër ne, sikundër një mikroklimë e pafavorshme, një bimësi të ashpër për mbijetesë.

-Skena erotike, rrëfime mbi jetën intime të disa personazheve që përmenden. A është ky një ironizim i së shkuarës, për atë që ishte morali në atë kohë, apo pati një ‘shthurje’ që ideja që mbretëronte për moralin e mbante të fshehtë?

Të dyja. Por më duhet të them që erotika kacavirrej në muret me qerpiç të avllive dhe të jetës pa u epur, si një kulpër kokëfortë, me gjithë një lloj mrroljeje maskuline, që nderej e ndihej kudo që nga politika dhe shteti i kohës e deri tek oxhaku më i thjeshtë i një shtëpie bujku.

-YJET e PASH(Q)UAR. Shtëpitë e kolonjarëve, Nënë Hedije Duma, topa që tejkalojnë avllitë, Xhirja, çamët, jevgjit, gollobordasdit, lufta e klasave, mandej mangalli, oficeri i lagjes sjellin një galeri të shkulur prej andej, që prezantohet krejt natyrshëm përmes syve të një fëmije që herë-herë i ka të paqarta konceptet. A keni pasur parasysh veten në këto rrëfime?

Sigurisht. Dhe a nuk do të ishte “gjynah” të trilloje të tjera gjëra krejt fiktive, kur e gjithë lënda ishte aty, një musht i gatshëm për “balle kazanësh” në vjeshtë?

-Si ka qenë rrugëtimi juaj në ikje nga Shqipëria deri në SHBA?

Përmes Austrisë, ku ndenja 6 vite pas ikjes fillestare nga Shqipëria në prill të 1991-shit. Në Amerikë më çoi studimi, – dy shokë të mi të shkollës po studionin atje dhe ndihma e tyre ka qenë vendimtare për të realizuar shkuarjen në SHBA si student fillimisht, çka u pasua me sistemimin tim të mëvonshëm si statisticien.

 

Burimi: http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/shkelqim-cela-diktatura-duhet-kujtuar-mire-e-harruar-mire/

 

Postime të ngjashme