Diktatura që nuk lexuam si duhet

diktatura002

Nga Agim Baçi.

Më 22 mars të vitit 1992, rrëzimi i sistemit largoi nga skena elitat politike të asaj kohe. Pas 48 vitesh nën regjimin më ekstrem të të gjitha ish-vendeve komuniste, Shqipëria hapi dyert drejt një rrugëtimi të ri. Largimi i Nexhmijes, Muhos, Lenkës, Teftës, Pilos etj., emra si këto, u duk sikur i dha udhë një rruge të re, me Shqipërinë drejt Europës së dëshiruar. Entuziazmi i përmbysjes së diktaturës ishte aq i madh sa për shumë nga shqiptarët u mjaftuan vetëm me frymëmarrjen në liri dhe me mundësinë e jashtëzakonshme për të thënë gjithçka.

Por ky entuziazëm, pa gjykuar realisht se çfarë duhej rrëzuar nga ai sistem, ishte edhe gabimi që më pas nisi e po bëhet gati i pandreqshëm. Sepse rënia e një elite emrash në piramidë ishte veçse maja e ajsbergut. Por ç’ndodhi realisht? U harruan elitat që vijuan të drejtonin jetën publike. U harruan akademikët e emëruar, arkitektët e emëruar, shkrimtarët dhe regjisorët e emëruar, profesorët e përzgjedhur me aq kujdes nga partia për të edukuar brezin e ri, ose “njeriun e ri”, siç thuhej me krenari për njeriun ushtar të partisë. Dhe thuajse shumica e tyre u fut në politikë.

Po të shohim me kujdes, shumica e shkrimtarëve të asaj kohe nuk mundi të shkruante dot pas vitit ’90, ose nxori idiotësira letrare. Regjisorët besnikë të diktaturës nuk mundën të bënin asnjë film si duhet, përveç “Vdekja e kalit”. Të vetmet filma që rrokën thelbin e absurdit të atij sistemi ishin filmat e Koço Devoles në TVSH. Por edhe ata filma pas vitit 1997 nuk i pa më njeri në qarkullim dhe në “yotube” i gjen pa cilësi, ndërkohë që Devole u flak në rrugë. Nga ana tjetër, akademikët u shquan vetëm për tundje koke për gjithçka që i kërkuan qeveritë, duke degraduar gjithë konceptin shkencor e sidomos nevojën e mbështetjes së një mendimi të pavarur.

Si pasojë, sot nuk bëhet më fjalë për karrierë shkencore në institucione, ndërkohë që askush prej vitesh nuk thotë “mbrojta një punë shkencore”, por “mora edhe një titull”, duke kthyer në një formalitet dijen. Lënia në fuqi e elitës së emëruar në diktaturë, e cila më shumë se sa dijen ishte e brumosur me ideologji, por edhe me frikë dhe servilizëm, solli kotësinë e shumë debateve, duke kontribuar hapur në rrënimin moral të shoqërisë së sotme, e cila nuk ka më asgjë me ç’të krenohet, që të jetë shembull, veçse hyrja në rrugëtimin e militantizmit politik.

Por cilat janë pasojat më fatale të mungesës së dekomunistizimit dhe çfarë paraqiste lënia në fuqi të elitës së emëruar në kohën e diktaturës? Shkollat dhe institucionet e dijes sot kanë prodhuar analfabetë funksionalë. Dhe ne vetë nuk u besojmë të sapodiplomuarve, të cilat duhet të kalojnë më së pari disa provime shteti, e më pas edhe disa vite prove në punë, që të nisin karrierën, duke humbur moshën më vitale të produktit intelektual për punët e tyre.

Nga ana tjetër, si pasojë e mendësisë së shkuar, ish-të përndjekurit e një vendi me diktaturën më çnjerëzore, me numrin më të madh të vrasjeve, dënimeve dhe internimeve për frymë, mbetën klasa më pak e integruar në shoqërinë shqiptare. Spaçi, simboli i ligësisë së atij sistemi, mbeti shumë larg syve dhe debateve, ku asnjëherë nuk u bë një rrugë apo restaurim, ndërkohë që ende botohen lista për dëmshpërblimin, a thua se po marrin miliarda. Ish-pronarët u përballën me moskthim, mosnjohje dhe madje rrëmbim të pronës, duke sjellë një katrahurë që ende nuk sheh një dritë legalizimi dhe qartësimi. Prona është ende një çështje aq e mprehtë sa beteja bëhet thuajse në të gjitha gjykatat.

Ndërsa ironikisht, ish-Sigurimi u duk i fortë në lidhjet e tyre, duke hyrë në lojë, i ndihmuar nga neglizhenca e qeverive të pas vitit 1992 për të bërë dekomunistizimin. Nga mungesa e leximit të së djeshmes, thuajse e gjithë shoqëria u vu nën presion, duke treguar shkallën e thellë ku ishte baltosur për 45 vite shumica e shqiptarëve, nën një represion të jashtëzakonshëm bashkëpunëtorësh e spiunësh. Pasojë e kësaj pafuqie politike janë sot faktet që ish-pronarët kanë mbetur po ishpronarë, ish-të përndjekurit kanë mbetur ende të papranuar, ndërsa politikisht ende “Beu” konsiderohet si mëshirimi i së keqes në fjalorin politik.

Filmat e kohës së diktaturës janë ende fjalori i vetëm mbi të cilin ndërtohen batutat politike. Historia në shkolla vijon të jepet nga shumica e atyre që e kanë deformuar në kohën e diktaturës. Dhe për pasojë, shumica e fëmijëve të sotëm dinë më shumë se ç’ka ndodhur në ish-Bllok sesa në Spaç, në Burrel, apo në të gjitha vendet e ish-internimit.

Librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Lek Pervizit, apo dëshmi rrëqethëse të ish-të dënuarve politikë apo të familjarëve të tyre, të botuara nga Instituti i drejtuar nga Agron Tufa, nuk janë në asnjë antologji shkollore. Këto pasoja të mosleximit si duhet të ngrehinës që na la diktatura komuniste, kanë vulën e tyre në krizën e përgjithshme, sidomos në atë të krizës morale. Një krizë që ka nevojë urgjente të lexohet, nëse kemi ende dëshirën t’u themi fëmijëve se këtu mund të jetohet.

Burimi: http://www.panorama.com.al/diktatura-qe-nuk-lexuam-si-duhet/

Postime të ngjashme