Disa pikëpyetje nga BBC për gjurmët e komunizmit në Shqipëri

sht-gjetheve

Komunizmi dhe trashëgimia e tij në Shqipëri mbetet një temë e preferuar për gazetarët e BBC.

Pak muaj pas një reportazhi që bëri shumë bujë në Shqipëri, një tjetër gazetar i BBC udhëtoi drejt Shqipërisë për të vizituar Shtëpinë e Gjetheve.

Andrew Hosken e nis rrëfimin e tij duke folur për Nesti Vakon, njeriun që për 25 vjet ishte kreu i përgjimeve në policinë sekrete shqiptare.

“Ai ishte një njeri shumë i rëndësishëm. Njësoj si ai, edhe zyrat e Sigurimit nuk janë ashtu siç i kisha imagjinuar. Është një godinë me tulla të kuqe, që mund të kishte qenë shumë mirë rezidenca e ndonjë peshkopi,” thotë gazetari.

Vako është guida e gazetarit në shtëpinë që do të bëhet muze. Pajisjet e Sigurimit kanë dalë në ekspozitë.

“Pavarësisht se ka një CV të frikshme, Vako më pëlqen. Më duket i sinqertë teksa flet për rolin e tij në mbrojtjen e popullit nga ‘kryengritësit’ dhe ‘terroristët’”.

Gazetari i BBC thotë se përveç Shtëpisë me Gjethe, do hapet për vizitorët rezidenca e diktatorit dhe është hapur tashmë bunkeri personal i Hoxhës.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffman, thotë se këto iniciativa janë një fillim i mirë.

Por ai ka një keqardhje.

“Asnjë nga vendet origjinale ku ka ndodhur terrori i vërtetë nuk është kthyer në vend përkujtimor”.

“Ndoshta më famëkeqi është kampi i punës së detyruar, i quajtur Spaçi, rreth dy orë me makinë nga Tirana, që po rrënohet”.

“Ata kanë shkatërruar praktikisht të gjitha karakteristikat e një kampi pune dhe atje nuk ka asnjë pllakë përkujtimore- asgjë”.

Në fund të shkrimit të tij, gazetari shkruan: “Që nga ditët e errëta të diktaturës, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Pesë vjet më parë u bashkua në heshtje me NATO-n dhe tani është kandidate për anëtarësim në BE”.

“Por korrupsioni në politikë dhe gjyqësor mbeten një trashëgimi e së kaluarës. Ndërkohë që Shqipëria përpiqet që të plotësojë standardet e BE-së, mijëra shqiptarë janë larguar tashmë, duke besuar se do jenë më mirë diku në Europë”.

*********

Nga botimi: “Raportimi i informacionit ndërkombëtar dhe Organizatat ndërkombëtare” Dr. AURORA NDRIO

Postime të ngjashme