Ditët e kujtesës: Krimet gjatë diktaturës meritojnë njohje të plotë

ditetkujteses1

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë (KAS), hapën më 24 Tetor siparin e aktiviteteve në kuadër të “Ditëve të kujtesës”.  Gjatë fjalës hyrëse në ceremoninë e mbajtur pranë Hotel Rogner  Jonila Godole , drejtore ekzekutive e IDMC-së, vlerësoi rëndësinë e organizimit të eventeve të tilla për të mbajtur gjallë kujtesën. Po ashtu Godole theksoi se është e domosdoshme mbështetja e kësaj kauze nga institucioneve shtetërore.

Drejtori i zyrës për Shqipërinë, në fondacionin Konrad Adenauer, Walter Glos, u shpreh se “Duhet të jetë i qartë përpunimi i të kaluarës, pasi kjo është e ardhmja e një vendi demokratik”. Glos u përqëndrua dhe tek hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, që sipas tij, sa më shpejt të bëhet aq më mirë është.

Pjesë e eventit ishte Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin e cila tha se: Krimet gjatë diktaturës meritojnë njohje të plotë. Nuk ka drejtësi pa të vërtetën dhe pa fakte”. Ajo shprehu vlerësime mbi iniciativën për të punuar mbi kurrikulën shkollore, që fëmijët të mësojnë mbi të kaluarën.

Aktiviteti u shoqërua dhe  me punimet e ekspozitës me titull “Lufta e ftohtë”, prezantuar nga Ulrich Mảhlert, pjesë e Institutit Federal për Studimin e Komunizmit në Gjermaninë Lindore. “Ne nuk duhet të presim që njerëzit të interesohen për historinë, por ta sjellim atë pranë njerëzve”, tha Mảhlert.

Pjesë e eventit me fjalën e tyrë ishin dhe Agron Gjekmarkaj, pedagog në Universitetit e Tiranës, mbajti një ligjërim mbi temën e memories të se kaluarës komuniste  dhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Anke Holstein.

Në pjesën e fundit të ceremonisë , salla e stërbushur u kthye në një kinema ku u shfaq premiera e dokumentari me titull, “Fëmijët e diktaturës”, prodhim i IDMC-së, në bashkëpunim me Universitetin e Arteve, me regji të Besnik Bishës.

Dokumentari solli emocione të forta nga historitë personale të katër personazheve të cilët jetuan apo lindën në vendet e internimit.

Në ditët në vijim, deri më datë 28 ,  aktivitetet u fokusuan në tri fusha kryesore:

-Ndërtimi i një axhende të përbashkët të aktorëve të ndryshëm që merren me fushën e kujtesës

-Rishikimi i kurrikulës mësimore në lidhje me periudhën e diktaturës

-Ndërgjegjësimi i të rinjve mbi të shkuarën përmes projekteve creative

Pjesëmarrja ishte e hapur për të gjithë.

Postime të ngjashme