“Ditët e Kujtesës” promovojnë Manualin mbi Historinë Gojore”

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) promovoi më 23 shkurt 2019, “Manualin mbi historinë gojore“. Manuali i punuar nga Jonila Godole, Edlira Agolli dhe studiuesja amerikane Kailey Rocker paraqet ide dhe praktika të intervistimit, trajtimit të rasteve dhe shqyrtimit të historive gojore, për mësuesit, nxënësit dhe studiuesit e rinj. Ky botim vjen në vazhdimësinë e botimeve dhe aktiviteteve që IDMC ka bërë për t’iu ardhur në ndihmë formimit të të rinjve nëpër shkolla dhe ishte pjesë e ditës së katërt të “Ditëve të Kujtesës“.

Manuali mbi historinë gojore” u prezantua ditën e shtunë në një sallë të tejmbushur me nxënës dhe të rinj në Tiranë. Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, njëherësh një nga autoret e botimit, vlerësoi interesin në rritje të nxënësve dhe studiuesve për të mësuar më shumë për të shkuarën. Ajo tha se kontributi i projekteve të IDMC për të inkurajuar një proces reflektimi mbi diktaturën po jep efekte dhe një nga efektet ka qenë pjesëmarrja me punime gjithmonë e më shumë cilësore në konkursin e përvitshëm “Pyet Gjyshërit“. Duke u nisur nga ky aktivitet, Godole i vlerësoi punimet të rinjve si përpjekje për të mbledhur histori gojore, histori të cilat ajo tha se kishin vështirësi të ndryshme për t’u trajtuar. “Historia që ju keni marrë përmes të pyeturit të gjyshërve apo të afërmve tuaj është tashmë një përvojë për sa i përket trajtimit të historive gojore. Ky manual do t’ju vijë shumë në ndihmë, jo vetëm për ata që do të kërkojnë që të vazhdojnë e të merren me këtë fushë, por edhe për të tjerë që kanë ndërmend të studiojnë për shkenca humane apo dhe ekzakte. Konceptimi, intervistimi dhe mënyra se si ne marrim informacion përmes bisedave është thelbësore për studimet apo dhe punimet e çfarëdoshme që ne duam të arrijmë,” tha Godole, e cila rikujtoi se manuali mund të gjendet edhe në version online.

Image 2-25-19 at 18.28

Autorja tjetër, Edlira Agolli vazhdoi më tej prezantimin e librit. Ajo cilësoi si thelbësore etikën, ku përmendi ligjin për ruajtjen e të dhënave personale dhe ligjin për të drejtën e autorit si kryesor në procesin e intervistimit. Agolli përmendi gjithashtu si tipar tjetër të rëndësishëm në procesin e grumbullimit të historive gojore, nevojën për dakordësi për publikimin e historive. Këtu ajo përmendi nga libri, çështjen e “marrëveshjeve të mirëkuptimit”. “Nuk duhet ta nënvlerësojmë faktin se historitë gojore i japin një ndihmë të madhe historiografisë, pasi përmes tyre nxirren në pah përvojat njerëzore,” tha Agolli, teksa shtjelloi më tej edhe çështje të tjera që kishin të bënin me anën praktike të ideve, intervistimeve dhe përpunimeve të materialeve të përftuara.

Ndërkohë Vojsava Kumbulla, Kryetare e Shoqatës së Mësuesve të Historisë e vlerësoi “Manualin mbi historinë gojore” si vlerë të shtuar në procesin e mësimdhënies për formimin e qytetarëve të denjë të së ardhmes. Ajo tha se mësuesit duhet të bëjnë më shumë për të “shpërndarë të vërtetën historike sidomos në shkolla”. Aktivitetin e mbyllën Valbona Bezati dhe Erblin Vukaj që prezantuan ekspozitën “Postcards from the Past“, një ekspozitë me fotografi të periudhës komuniste të rikonceptuara me stilizim dhe diçitura, të cilat thyenin qëllimet propagandistike të kohës. Me synimin për të qenë ky një projekt, apo dhe konkurs i së ardhmes, të rinjtë u ftuan që të kontribuonin gjithashtu me punime të kësaj natyre pranë IDMC.

Image 2-25-19 at 18.28 (2)

 

Stafi organizator i “Ditëve të Kujtesës
Për më shumë informacione: www.idmc.al
e-mail: office@idmc.al

Postime të ngjashme