Dosja e Vilson Blloshmit, e hapur për familjarët

vilsonii

Petrika, i biri, na tregon ca rrënoja të mbuluara nga bari. Nga shtëpia e dikurshme, thuajse nuk ka mbetur asgjë. Për te shtëpia e Blloshmëve makina hyn me zor. E përpjetë dhe e pashtruar.

“Nuk e kuptoj, ku i gjenin librat në frëngjisht, në këtë fshat malor?!”, gati pyet veten Gentiana Sula, drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

“I porosisnin. Dërgonin letra..”, thotë drejtori i informacionit, Selami Zalli, teksa rrëfen për letërkëmbimin mes Vilsonit dhe piktores Lumturie Blloshmi, apo ato të Gencit me të afërm të tij. Nuk u desh shumë që të mbërrinim rrëzë një rrapi shekullor, që burrat e fshatit thonë se është më i vjetri në Shqipëri. Pak më tej janë shtatë çezmat e famshme të Bërzeshtës me ujin brisk.

Për të mbërritur në shtëpinë e Vilson Blloshmit, duhet të ecësh nëpër ca rrugëza, krijuar nga çapat e banorëve të pakët aty përreth. Shtëpia është aty. E braktisur prej 40 vjetësh, por hijerëndë. Ajo flet shumë për sërën e të zotëve. Është e lartë, dykatëshe, e gurtë, me çardak, me shkallë të larta e parmakë druri. Brenda është gati e rrënuar.

Tavanet kanë filluar të shqepen, qëkurse Vilson Blloshmi u pushkatua, në 17 korrik 1977, së bashku me Genc Lekën, në një pllajë mali aty pranë, ku u gjetën pas 15 vjetësh. Ishte dëshira e drejtoreshës së AIDSSH-së për t’u ngjitur në këtë fshat, përtej ceremonive zyrtare, për të parë nga afër Bërzeshtën e poetëve, rrugët me baltë, ku ata kalonin, për të thithur ajrin që i frymëzonte të shkruanin poezi, të pinte një kafe turke nën hijen e rrapit, me dëshirën e mirë, që pikërisht aty, në vendlindjen e tyre, të vendoset një pllakë përkujtimore si kujtim për brezat.

DOSJA

Në 40-vjetorin e pushkatimit të dy poetëve nga Bërzeshta e Librazhdit, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vendosi të zhvillojë një ceremoni të thjeshtë përkujtimore. Një përshpirtje për këta dy të rinj, që u bënë kurban nga diktatura, si shembull për të ngjallur terror, në një ditë të nxehtë korriku. Një tufë me lule pranë memorialit në qendër të Librazhdit, ku ishin të pranishëm të afërt të dy poetëve, por edhe qytetarë të thjeshtë që Gencin e Vilsonin i kanë njohur apo dëgjuar thjesht si emra Por përveç kësaj kujtese, qëllimi i kësaj vizite, ishte pikërisht dorëzimi i Dosjes së përndjekjes, hetimit e gjykimit të Genc Lekës, të birit të tij Petrikës.

Një akt që u realizua pas kërkesës së këtij të fundit për t’u njohur me dosjen e të atit. Për drejtoreshën e AIDSSH, Gentiana Sula, institucioni që ajo drejton, nuk ka për qëllim që të mbajë anën e askujt, por të ndihmojë çdo shtetas shqiptar për t’u informuar mbi të shkuarën e tyre dhe të të afërmve të tyre; të kontribuojë në një proces hapjeje të shoqërisë shqiptare, nga do të burojë edhe pastrimi, çka duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Duke iu përgjigjur kërkesës së njërit prej të pranishmëve në ceremoni, që kjo dosje të bëhet publike edhe në shkollat e Shqipërisë, Marenglen Kasmi, anëtar i AIDSSH u shpreh se qëllimi i këtij institucioni është edhe edukimi i brezit të ri dhe sensibilizimi për njohjen e së shkuarës. “Me miratimin e ligjit 45/2015 dhe ngritjen e funksionimin e AIDSSHsë, në kuadër të transparencës dhe të procesit të ndërgjegjësimit dhe edukimit qytetar, e ndjejmë si detyrim përkujtimin e këtyre martirëve me mjetet dhe mundësitë tona modeste, duke i bërë të njohura për publikun e gjerë disa dokumente, dorëshkrime, poezi, etj., të shkruara nga dora e këtyre martirëve, të ndjenjave për një jetë më të mirë, të shprehura nëpërmjet fjalës së lirë, të shprehur me zë të ulët, nëpërmjet një “korrespondence të fshehtë”, e cila nuk rezultoi e tillë dhe për më keq u vlerësua dhe anatemua armiqësore, për fat të keq jo vetëm nga regjimi në fuqi”, thotë Selami Zalli. Më pas, një vizitë në varrezat e qytetit, ku prehen eshtrat e tyre. Ceremonialit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, i cili do të shprehej se “Pavarësisht viteve që kalojnë, vepra dhe sakrifica e tyre mbetet e gjallë dhe është detyrimi ynë për ta kujtuar me respekt dhe për t’ua bërë prezent brezave që vijnë”.

PËRMBAJTJA

Ndonëse përgjatë këtyre 40 viteve ka dëgjuar shumë dhe tanimë e ka fare të qartë se pse u dënua i ati dhe cilët e çuan deri atje, Petrika Leka, duket tepër i emocionuar, teksa mban në duar dosjen e digjitalizuar. “Çfarëdo që të përmbajë kjo dosje, unë nuk do të ndërmarr asnjë hap hakmarrës. Sot kemi nevojë për falje”, tha ai, duke falënderuar AIDSSH-in, që iu përgjigj kërkesës së tij.

Dosja e plotë e digjitalizuar, që iu dorëzua nga AIDSSH-ja, përbëhet nga dosja formulare, dhe ajo hetimore e gjyqësore e Genc Lekes. “Ka aty dorëshkrime, ditarë, letërkëmbime, mënyra se si Sigurimi i Shtetit ka përgjuar qoftë Gencin, qoftë Vilsonin; është procesi hetimor dhe ai gjyqësor, deri në ekzekutim. Familjarëve u është dhënë gjithë materiali, ku janë fshirë vetëm emrat e personave të tretë, që nuk janë as persekutorë, as viktima, por figurojnë në rrëfime të personave të ndryshëm dhe nuk kanë lidhje me makinën e shtypjes, janë thjesht figurantë”, thotë drejtoresha Gentiana Sula.

Në përvjetorin e 40-të të pushkatimit, përfaqësuesit e institucionit morën edhe kërkesën paraprake për njohjen me dosjen e Vilson Blloshmit nga familja e tij.

Burimi: http://www.panorama.com.al/reportazh-hapet-dosja-e-genc-lekes-poetit-te-pushkatuar-40-vjet-me-pare/

 

 

 

Postime të ngjashme