Dosjet e Kadaresë dhe Lubonjës u asgjesuan

kadare dhe lubonja foto

E quan të panevojshëm debatin Kadare-Lubonja ish drejtori i Arkivit te Ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi. Sipas tij, Fatos Lubonja nuk ka faj për dënimin e të atit dhe se Todi ishte caktuar të dënohej nga Hoxha.

Nga Kastriot Dervishi

MBI DEBATIN E PANEVOJSHËM “KADARE LUBONJA” DHE KOTËSINË E THIRRJES “SË HAPJES SË DOSJEVE”

Më duket i panevojshëm një debat që shoh këto ditë, që nis me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare dhe përfundon me publicistin Fatos Lubonja. Kundër këtij të fundit janë përdorur pjesërisht disa dokumente të proceseve të dosjeve hetimore­gjyqësore. Pavarësisht se gjërat janë pa lidhje me njëra ­tjetrën, e quaj me vend të them disa të vërteta.

Todi Lubonja ishte caktuar për t’u dënuar nga Partia e Punës dhe Enver Hoxha. Këtë dënim nuk e ndalonte dhe as e caktonte sasia e fletëve të dosjes formulare dhe as procedurat që ndiqeshin rëndom në dosjen përkatëse hetimore­gjyqësore. Të gjitha renditjet e fjalëve, sipas të cilave Fatos Lubonja ka qenë përcaktues në dënimin e të atit, nuk i përgjigjen asnjë të vërtete. Në radhën e veprimeve të ndjekura e vërteta e akuzave për lidhjet e Kadaresë me Sigurimin në rastin e dënimit të Todi Lubonjës, i akuzuar për “agjitacion e propagandë” dhe “armëmbajtje pa leje”, rolin kryesor e ka një person tjetër.

Si Ismail Kadare dhe Fatos Lubonja kanë qenë të ndjekur nga Sigurimi i Shtetit. Dosjet e tyre formulare të ndjekjes, në dijeninë time, janë asgjësuar. Informacionet e sjella për Ismail Kadarenë nëpërmjet dokumenteve administrative, nuk lidhen me ndonjë dosje të veçantë përpunimi. Kadare është sulmuar drejtpërdrejt apo tërthorazi. Kundër tij është përdorur ndonjë “Dallëndyshe”, “Seman” apo “Nabar”, për t’i krijuar situata të trazuara si në jetën e përditshme, por edhe për t’u informuar udhëheqja rreth mendimeve të tij, sepse ngaqë ishte i vetmi shkrimtar shqiptar i talentuar, kishte jo vetëm zilinë, por edhe smirën e një regjimi që përfaqësohej nga një klasë klanore, servilësh, kriminelësh, injorantësh dhe të paaftësh. Është rasti të kujtoj një praktikë asgjësimi dokumentesh.

P.sh., më 12.1.1979, janë asgjësuar 70 faqe të dosjes nr.114 në ngarkim të Ismail Kadaresë. Krahasuar me personat e tjerë, ai kishte numrin maksimal të fletëve në ngarkim.

Të vërtetat për Kadarenë nuk kanë kurrfarë nevojë të shohin si armik të madh Fatos Lubonjën, sepse ky i fundit nuk është as dallëndyshe, as Seman, as nabar etj. Fatos Lubonja ka një histori qëndrese në burgjet e komunizmit, e cila nuk mund të hidhet poshtë me ndonjë rresht të hetuesit nga dosjet hetimoro­gjyqësore që nuk përbën as kallëzim.

Ai është akuzuar për agjitacion e propagandë. Referuar kartelës “model 1”, Lubonja është vënë në përpunim aktiv 2A, më 21.1.1974, dhe është arrestuar më 25.7.1974. Fatos Lubonja dhe Todi Lubonja janë arrestuar në një ditë. Kjo do të thotë se Sigurimi e ka pasur gati lëndën për dënimin e tyre nga dosjet formulare të secilit dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie se çfarë do të vendosnin apo çfarë do të thoshin të pandehurit gjatë procesit hetimor.

Historia e “shëtitjeve” të dosjes së tij formulare është interesante. Dosja e përpunimit në 2A është arkivuar në kartotekën e Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë më 18.2.1976, dhe më 13.7.1977 është dërguar në Degën e 4­-t të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit.

Më 6.3.1978, dosja formulare është dërguar në Degën e Punëve të Brendshme Mirditë, e cila kishte në varësi kampin e punës së detyruar të të burgosurve nr.303 të Spaçit.

Më 23.2.1978 Fatos Lubonja arrestohet përsëri. Për këtë arsye, më 6.3.1978 dosja e tij e arkivuar me nr.19.835, lëviz sërish nga Dega e 4­-t dhe dërgohet në Degën e Punëve të Brendshme Rrëshen. Më 12.9.1980, dosja në ngarkim të tij përfundon në kampin nr.309 të punës së detyruar të të burgosurve në Ballsh.

Dosja shkon në vendet e tjera të vuajtjes së dënimit të Fatosit në Burgun e Burrelit nr.321 dhe në Burgun e Kosovës nr.318. Gjurmët e kësaj dosjeje humbin në Degën e Punëve të Brendshme në Lushnjë në vitin 1990.

Tani së fundi, dy fjalë për dokumentacionin. Për këto çështje, për fat të keq, ne na duhet të operojmë me një sasi të kufizuar dokumentacioni të drejtpërdrejtë, duke pasur në dispozicion fare pak arkivistë, sepse jemi shtet unikal në botë, që urrejmë arkivat dhe luftojmë si kriminelë lufte arkivistët. Mirë do të ishte që të kurseheshin thirrjet e pakuptimta për “hapje dosjesh” e të flitej konkretisht për investime themelore për rrjetin kombëtar të arkivave, sepse Shqipëria, “copë­ copë” në të gjitha drejtimet, nuk është engjëllore te arkivat.

1990/ SI NISI ASGJËSIMI I DOSJEVE TË SIGURIMIT

Takimi i Ramiz Alisë me Hekuran Isain, më 22.9.1990 Në vitet 1990­-1992 janë asgjësuar në degët e Punëve të Brendshme dhe në Degën e 4-­t të Drejtorisë së Parë, të gjitha dosjet në ngarkim të personave që ndiqeshin prej organeve të Sigurimit për arsye politike.

Faktet që do të citohen në vijim, tregojnë se sa i kotë dhe i panevojshëm është roli i Autoritetit “të hapjes së dosjeve”, kur praktikisht shumica e popullsisë së mundshme për t’u interesuar, nuk ka dosje dhe sa pa kuptim është thënë në gjithë këto vite shprehja “kur të hapen dosjet”. Procesi i zhdukjes së provave nisi në korrik të vitit 1990, pikërisht në kohën kur regjimi e kuptoi se nuk do ta shtynte shumë gjatë. Fakti i asgjësimit të këtyre dosjeve është tashmë shumë i njohur dhe, sigurisht nuk jam unë personi parë i përmendjes së kësaj të vërtete.

Fillimisht ka bërë disa shkrime në shtypin e kohës, në vitet 1991­-1992, ish­kryetari i Degës së Arkivit të MPB­-së dhe ish­kryetari i Degës së 4­-t, z. Enver Goxhaj. Denoncimin e dytë, me një renditje kronologjike të urdhrave të asaj kohe, e ka bërë prej kohësh publike ish­kryeministri, z. Aleksandër Meksi, dhe çdokush mund ta gjejë në internet këtë material. Referimet janë të sakta. Me këto veprime, regjimi mbrojti praktikisht trupën e persekutorëve, pra ruajti oficerët e Sigurimit të Shtetit nga implikimet e tyre. Në fillim janë pastruar dosjet e ndjekjes së anëtarëve e kandidatëve të Partisë së Punës, sepse këtë pjesë, kjo parti e konsideronte të vetën. Në masë jo e vogël, shumë prej tyre, sidomos në ushtri, ndiqeshin për veprimtari armiqësore.

Asgjësimi i dokumenteve në favor të tyre, ruante këtë kontingjent në pozita besnikërie ndaj Partisë së Punës. Për këtë arsye, e para kategori e përzgjedhur për t’i hequr dokumentet, ishte brenda radhëve të partisë. Me urdhrin nr.277 dhe 278, datë 2.7.1990, MPB njoftonte organet e varësisë, si vijon: “Lidhur me përpunimet anëtar e kandidat partie dhe materialet në ruajtje të tyre, nga ana juaj të veprohet në këtë mënyrë: Hapni udhëzimet që ju kemi dërguar dhe në bazë të tyre të trajtohen përpunimet anëtar e kandidat partie, si dhe materialet në ruajtje nga ana juaj.

Ndryshimi qëndron vetëm në atë që për këto raste do të gjykohen nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit dhe në Ushtri nga sekretari i Komitetit të Partisë së Njësisë, barabartë me të. Materialet në ruajtje do të jenë kryesisht që bëhet fjalë për spiunazh dhe organizim kudo ato që janë ruajtur, thjeshtë për agjitacion e propagandë që në ligjin e ri nuk konsiderohen më si krim, të asgjësohen menjëherë. Asgjësimi të bëhet në bazë të rregulloreve. Kjo punë të përfundojë brenda 15 korrikut”. Pak kohë pas nisjes së aksionit të madh të asgjësimit, më 22.9.1990, Ramiz Alia priti zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isai.

Në këtë bisedë u fol për zhvillimet e përditshme, ndërsa nuk kishte një plan të përcaktuar për rendin e ditës, sepse është vënë një titull i përgjithshëm në këtë mënyrë: “Organet shtetërore në fushën e tyre duhet t’i plotësojnë me akte ligjore vendimet e partisë”. Ndër të tjera, Hekuran Isai thotë: “Unë i kuptova të gjitha idetë që shtruat në takimin me kuadrot e Ministrisë së Brendshme. Ç’është e vërteta, kuadrot tanë kishin një çoroditje të plotë, por porositë tuaja, që përbëjnë një ndihmë kolosale për ne, i sqaruan. Në atë kohë kishte ndër ta që mendonin se më mirë të mos kishte Ministri të Brendshme se sa ta kishim në atë gjendje që u krijua, duke i asgjësuar të gjitha dosjet, duket sikur ajo qe hequr mënjanë. Ishte kuptuar keq demokratizimi”.

1990/ URDHRI I DYTË PËR ASGJËSIMIN E DOSJEVE TË SIGURIMIT

Pas urdhrit të datës 2 korrik 1990, në të cilin urdhërohej asgjësimi i dokumenteve të kartotekave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për anëtarët apo kandidatët e PPSH­së, vjen ai i dhjetorit 1990. Vetëm disa orë pasi ishte miratuar ideja e pluralizmit politik, organet e MPB­së urdhëruan nisjen e procesit të asgjësimin të shpejtë të dosjeve ndaj personave që ndiqeshin dhe dosjeve të bashkëpunëtorëve.

Në urdhrin nr.615, datë 15.12.1990, të ministrit të Punëve të Brendshme, drejtuar organeve vendore dhe qendrore, thuhej: “Të asgjësohen pa pritur përfaqësuesin e Ministrisë të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve, të përpunimeve, e dosjet e tjera që janë veçuar, librat e evidencës së punëtorëve operativë, të hequra nga përdorimi dhe dokumentet e përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës: sekret, A.res.personal dhe SRV (janë nivele klasifikimi­shënim). Dosjet hetimore­gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi edhe ato që nuk kanë plotësuar afatin pesëvjeçar (por jo dosjet hetimore për zbulim autori).

Veprimet të kryhen menjëherë. Këto janë veprime normale dhe bëhen sipas kërkesës suaj, pra nuk lidhen me situatën”. Për sqarim, fjala “përpunim” do të thotë ndjekje personi. Librat e evidencës kanë qenë me kapak të verdhë dhe mbaheshin nga punëtorët operativë. Në to regjistroheshin të dhënat për bashkëpunëtorët dhe personat që ndiqeshin me dosje prej tyre.

 

Burimi: http://www.panorama.com.al/dallendyshe-seman-nabar-cilet-ishin-spiunet-e-kadarese-dhe-e-verteta-e-deshmise-se-lubonjes/

 

Postime të ngjashme