Ende larg zgjidhjes çështjet e të përndjekurve politikë të diktaturës

l-bejko

Nga Ilir Vata

Katër vjet më parë pikërisht më 22 shtator të vitit 2012, nisi greva e urisë e një grupi të burgosurish politikë ku në qendër të kërkesave ishin dëmshpërblimi i viteve të burgut dhe hapja e dosjeve të sigurimit të shtetit.

Greva e urisë nisi nga një grup prej disa të burgosurish ku i pari që u ngujua ishte Gjergj Ndreca në një ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit” në Tiranë, për të vijuar më 23 shtator më dhjetë të burgosur politikë, deria sa numri arriti në 25 e vazhdoi të shtohej ku më të spikasnin Agron Talo, Agim Kollcaku, Shpëtim Karamuça, Petrit Orieti dhe kordinatori Skënder Tufa.

Ditët e para politika e la në heshtje grevën, por me shtimin e numrit të të burgosurve dhe solidaritetin e të përndjekurve në të gjithë vendin dhe mbarë opinionit publik, greva mori përmasa kombëtare, madje bëri jehonë jashtë vendit si një ndër grevat e urisë deri në vetë sakrifikim e pa parë ndonjë herë.

Pritja e gjatë pa përgjigje nga qeveria më 8 tetor, grevisti Gjergj Ndreca ndërmori aktin e parë të vetëdjegies. Dy ditë më pas i njëjti akt u përsërit edhe nga Lirak Bejko, pikërisht me 10 tetor 2012, Bejko doli jashtë çadrës dhe pasi spëkati trupin me benzinë i vuri flakën vetes.
Policë dhe miq të tij tentuan t’a shpëtonin por flakët kishin përfshirë gati 70 % të trupit. Bejko u shtrua në qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Dy ditë më pas, (12 tetor) në spitalin e Barit në Itali, ish-i burgosuri politik Lirak Bejko ndërroi jetë pasi u vetëdogj më 10 tetor gjatë kohës që ish-të përndjekurit zhvillonin grevën e urisë.

Greva mori fund më 22 tetor dhe çdo ditë e kësaj greve u shoqërua me tensione, presione të forta psikologjike deri dhe në arrestime, ndikim të jashtëm politik, keqperdorje.

Ditën e 18 Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu shkoi tek greva e 25 ish- të burgosurve politikë të diktaturës komuniste dhe i mbështeti grevistët dhe la fjalën e tij të besimit “Mos e shuani Zjarrin”.  Dhe beteja vazhdoi..!.

Tashmë kanë kaluar katër vite nga greva e sakrificës njerëzore që kaloi kufijtë e ngujimit, kurrë e hasur më parë, por pak gjëra kanë ecur përpara nga ajo ditë.

Dëmshpërblimi për të burgosurit ka hyrë në fazën e këstit të pestë, por ka probleme përsa i përket radhës, saktësisë së marrjes së parave pasi shumë të burgosur ankohen edhe ata që janë të semurë dhe sipas ligjit duhet të marrin të par%t kanë hasur pengesa.

Janë ende qindra të burgosur që nuk kanë marrë asnjë qindarkë, pasi siç edhe quhen dosjet e vonuara nuk janë trajtuar ende bashkë me 3000 dosje të internimit me tela me gjemba që nuk kanë marrë asnjë qindarkë dhe me gjasa do të zgjatet.

Ende nuk është bërë përpjekje për gjetjen e 7200 varreve të humbura, ndonëse ende nuk ka një të dhënë të saktë për numrin e të ekzekutuarve nga regjimi komunist, mijëra vetë janë të pagjetur deri më sot.

Vendet e vuajtjes së dënimit janë lënë në të njëjtën harresë si dhe kohë më parë nga qeveritë që kur ra diktatura dhe nuk është bërë përpjekje për ti kthyer ata në qëndra muzeale apo peligrinazhi për vendas dhe të huaj që regjime të tilla të mos kthehen më.

Muzeu për të përndjekurit u la në harresë dhe ende nuk ka një insiativë apo projekt konkret për të bërë të mundur nxerrjen në pah të krimeve të diktaturës dhe elementët mizorë të një regjimi despotik.

Statusi i të burgosurve politikë është një letër në kuptimin formal, pa vlerë ndryshe nga ai i ushtarakëve të diktaturës, nuk bëhet fjalë për qendra post traume, apo qendra ndihmëse, dentare apo trajnimi të kësaj kategorie.

Janë lënë në harresë strehimi i të burgosurve dhe të përndjekurve që dolën nga burgjet dhe kampet e internimit pa strehë, pa të afërm, pa punë dhe gjendja vazhdon të jetë e vështirë, madje ka familje që banojnë në qendrat e internimit.

Numërohen disa përpjekje me tendencë pozitive, pasi IIPP ka vendosur në të gjithë vendin disa pllaka përkujtimore, ndërsa Instituti Kundër Komunizmit mbetet një parazit në kurriz të taksapaguesve dhe një institucion fantazëm, sepse skema me institute për të zgjidhur çeshtjen e të përndjekurve mbetët në ato nivele të institutit Marksist Leninist në kohë të komunizmit.

Të përndjekurit janë të përjashtuar nga përfaqësimi, politikat e punësimit dhe nuk ka një skemë të qartë për punësimin e kësaj kategorie, madje trajtimi është zero.

Dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit ende nuk janë hapur, ndonëse ligji është miratuar në parlament më shumë se një vitë më parë, të dekoruarit, eksponet të diktaturës që janë më shumë se 1200 persona, mbeten figura të nderuara në kuptimin shtetëror dhe nuk është bërë përpjekje për t’ju hequr dekorata, madje dhe diktatori Enver Hoxha mbetet hero kambëtar.

Dekomunistizimi ende nuk është bërë në Shqipëri. Dy rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës janë shpërfillur nga legjislatori shqiptarë dhe konkretisht: Rezoluta 1096 të viti 1996 “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” dhe Rezoluta 1481 të vitit 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” në Shqipëri nuk janë zbatuar?!

Janë shkelur të drejtat e njeriut në aspektin e transparencës me të shkuarën diktatoriale, gjë të cilën e konfirmoi pak ditë më parë edhe nënkomisionerja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Kate Gilmore kur tha se se e shkuara e dhunshme e Shqipërisë duhet të zbardhet dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të veprojë me guxim në hapjen e dosjeve të së shkuarës. .

Greva e urisë së katër viteve më parë u përdor edhe politikisht nga parti të ndryshme politike dhe ky ishte në kuptimin e parë një përdorje e kësaj shtrese, por ajo që duhet thënë është fakti se ato eksponentë të politikës që u panë te greva në 10 ditëshin e parë edhe se u njoftuan nga organizatorët në hije, e neveritën përpjekjen e të burgosurve, por me vonë ata u bënë protagonistsë të grevës për të vetmin qëllim përfitimin politik.

Edhe në vijim, përfitimi politik ndaj të përndjekurve ka vazhduar madje kohët e fundit me afrimin e zgjedhjeve parlamentarë në tërësi kryetarë partishë politike, pavarësisht se nuk janë të përndjekur madje disa dhe persekutorë, i lançojnë të përndjekurit dhe bëjnë sikur u qajnë hallin se duan votat e tyre dhe jo integrimin?

Në këto vite të përndjekurit kanë parë edhe provokime të hapura, pasi nuk kanë munguar rastet e daljes publikisht të eksponentëve të diktaturës në vende publike dhe rastet kanë qenë të përsëritura deri dhe në rifreskimin së fundmi të parullave të diktaturës në qarkun e Vlorës.

Të burgosurit politikë, grupi i grevistëve të grevës së urisë së sakrificës së 12 tetorit do të nderojnë bashkëvuajtësin e tyre Lirak Bejkon që u sakrifikua për vetë dhe të burgosurit dhe të përndjekurit e Shqipërisë, pikërisht në vendin ku u zhvillua greva e urisë.

Burimi: http://www.pamfleti.com/shardani-ndezur-lirak-bejkos-per-dosjet-e-spiuneve-dhe-deshperblimin

Titulli i shkrimit në origjinal: “Shardani i ndezur i Lirak Bejkos për dosjet e spiunëve dhe dëshpërblimin”.

Postime të ngjashme