“ËNDRRA EUROPIANE” e gjimnazistëve shqiptarë

Print

Në prag të pritjes së vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medies sollën projektin “Ëndrra ime Europiane” duke përfshirë kështu dhjetëra gjimnazistë  në këtë projekt.

Drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole u shpreh se duke marrë parasysh që në kurikulën mësimore informacioni i ofruar në lidhje me Bashkimin Europian (BE) fokusohet te ana historike e krijimit të BE si komunitet dhe e zhvillimit ekonomiko-politik, më tepër se sa te vetë vlerat demokratike dhe qytetare të BE, përmes këtij projekti synohet që fokusi të vendoset pikërisht te këto vlera, të cilat gjenden pak apo ende mungojnë në Shqipëri.

Në kuadër të kësaj, IDMC organizoi një workshop për vlerat e Bashkimit Europian. Në këtë workshop të rinjtë u njohën nga trajnerja Lutjona Lula me vlerat në të cilat besuan pionierët e BE-së dhe mbi të cilat funksionon  BE sot (si respekti për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut, liria, demokracia e konsoliduar, barazia dhe sundimi i ligjit). Koordinatorja e Programit të IDMC, Matilda Karçanaj i njohu ata me kriteret e Kopenhagës; situatën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE ku përfshihet dhe Shqipëria, si dhe politikën e zgjerimit nga ana e BE-së.

Aktiviteti 2.1

Ky workshop u pasua me trajnimin “Roli i medies në promovimin e vlerave të Bashkimit Europian”, ku të rinjtë patën mundësinë të trajnoheshin nga ekspertë të fushës si Prof. As. Dr. Bashkim Gjergji, profesor më përvojë i lëndëve “Hyrje në masmedie”, “Etika e Medies” dhe “Redaktimi”, gazetari Erblin Vukaj dhe Dr. Jonila Godole, pedagoge e komunikimit politik në Universitetin e Tiranës. Të rinjtë reflektuan për aspekte që i shqetësojnë dhe që ndjejnë se ato i largojnë nga pjesa tjetër e Europës.

Këtë reflektim ata do ta sjellin përmes punimeve kreative multimediale në funksion të promovimit të vlerave europiane duke nxitur ndërgjegjësimin edhe te pjesa tjetër e rinisë apo shoqërisë që do t’i shoh produktet e tyre multimediale. Përmes videove që do të shpërndahen në Youtube dhe në rrjetet sociale të IDMC, si dhe përmes prezantimit të tyre final në një ceremoni të veçantë të hapur për publikun, ku të ftuar do jenë të rinj (gjimnazistë dhe studentë), përfaqësues të shoqërisë civile, medieve dhe institucioneve të tjera, synohet ndërgjegjësim më i madh i rinisë mbi vlerat themelore të kulturës europiane.

Aktiviteti 2.2

Trajnimet për vlerat europiane dhe për rolin e medies në promovimin e këtyre vlerave u shërbyen të rinjve edhe si konsultime për karrierën që duan të krijojnë në të ardhmen. Promovimi i vlerave europiane dhe optimizmi se këto vlera mund të përvetësohen edhe në rastin e Shqipërisë rriti interesin e të rinjve për të kontribuar më tej në vendin e tyre duke shmangur kështu edhe rrjedhjen e trurit në terma më afatgjatë.

Vlera e shtuar e këtij projekti është kontributi në mundësitë e bashkëpunimit që i jep shkollës si qendër komunitare të kryejë funksionin e saj, në rastin konkret gjimnazi “Sami Frashëri”, Tiranë.

**Ky projekt zbatohet në kuadër të projektit rajonal Media për Qytetarët – Qytetarët për Medien / Zhvillimi i aftësive të OJF-ve për të përmirësuar Edukimin mbi Medien dhe Informacionin në Ballkanin perëndimor, i financuar nga Komisioni Evropian.

Postime të ngjashme