Europa dënon krimet e komunizmit, por Rezoluta jonë fle

Nga Jonila Godole

Në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë dy dekadave të fundit, mbahen mend shumë nisma të ndërmarra dhe të lëna përgjysmë, debate me rëndësi që kanë degjeneruar në sulme dhe fyerje personale, projektligje apo projekt-rezoluta të prezantuara dhe të miratuara vetëm nga njëra apo tjetra palë. Por, nuk mbahet mend asnjë debat i qenësishëm mbi raportin tonë me diktaturën, se çfarë qëndrimi duhet të mbajmë ndaj kësaj periudhe të historisë sonë, ndaj atij regjimi, i cili nga individë dhe familje që vuajtën mbi shpinë persekutime nga më çnjerë- zoret, etiketohet si “kriminal”, por nga familjet që përfituan prej tij, konsiderohet me nostalgji si “shtet i respektuar socialist”!

Nëse lexon materialet e regjistruara të fjalimeve parlamentare në legjislaturën e parë pas zgjedhjeve të vitit 1992, të bie në sy kujdesi i deputetëve të forcës politike që kishte ndërruar emrin brenda natës, nga Partia e Punës, për të mos u përfshirë në debate përmbajtjesore rreth vijës politike të regjimit të saporrëzuar në atë kohë.

Revolta popullore, pas rënies së Perdes së Hekurt nga Gjermania Lindore, në Çeki, Poloni e deri në Rumani 1989-1990, ishte ende e freskët dhe opinioni i përgjithshëm ndërkombëtar i kishte dënuar regjimet komuniste si regjime totalitare që kishin mbajtur pushtetin me dhunë dhe terror nën petkun e “diktaturës së proletariatit” dhe ndërtimit të socializmit. (Si gazetare aktive në shtypin e parë të lirë pas 1990–s, më kujtohet ende shqetësimi i politikanëve të rinj të krahut të majtë, për të mos u identifikuar me “komunistët” e regjimit të vjetër, por me frymën progresive (që e majta nënkuptonte në socialdemokracinë perëndimore).

Nga ana tjetër, ndryshimet demokratike kishin sjellë lirimin e ish-të burgosurve politikë dhe të familjeve të tyre, shumë prej të cilave jetuan në internim deri në fund të vitit 1990, dhe ende nuk dihej si do reagonin pas lirisë së rifituar ata që ishin dhunuar, shtypur e persekutuar nga regjimi. A do kërkonin ata shpagim për jetën e shkuar dëm të dhjetëra mijëra personave, “koka të prera” si në Rumani, apo do falnin “gjakun”, siç po synonte bash në atë vit Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut pas aparteidit, ku viktimat rrëfenin vuajtjet e tyre dhe persekutorëve që kërkonin falje, mund t’u jepej amnistia?

E dimë tashmë se në Shqipëri nuk ndodhi as e para dhe e as e dyta. Me gjithë “përshtatjen” në pamje të parë të opozitës ndaj situatës së re dhe kujdesit për të mos sulmuar hapur (në fakt pas fasadës shumë forca ishin angazhuar fort për të riorganizuar nga brenda, rifreskuar dhe riambalazhuar partinë që ishte fajtore për kursin e ndjekur dhe zbatuar gjatë diktaturës), frontet qëndruan të ndara.

Sami Repishti kujton me trishtim, në një artikull, botuar te “Panorama” një vit e ca më parë, se si në vitin 1992 kryetari i Kuvendit i kërkoi sallës të mbante një minutë heshtje në kujtim të viktimave të shumta të komunizmit, por asnjë deputet socialist nuk ishte ngritur në këmbë. As atëherë dhe as sot, 25 vjet më vonë, qasja jonë ndaj të shkuarës nuk është se ka ndryshuar vërtet.

Madje, nga angazhimi im disavjeçar në këtë fushë, mund të them me keqardhje se situata është më e vështirë se në fillim të viteve 1990. Atëkohë, së paku, vendet e kujtesës dhe dëshmitë e vuajtjeve ishin ende të freskëta për këdo që kërkonte prova, siç ishte shumë e madhe shpresa se rendi i ri demokratik do të vendoste shtetin e së drejtës, i cili duke u përballur me krimet e komunizmit dhe përgjegjësit e tij, do të kishte zgjidhur një herë e përgjithmonë edhe të drejtën e pronës, kthimin e çdo të drejte tjetër të mohuar gjatë diktaturës komuniste etj.

Me qetësinë e sotme, dy dekada më vonë, sekush mund të thotë se një analizë e thellë e regjimit në të gjitha planet e tij, duhet të kishte qenë imperativi i kohës, në mënyrë që sot, më 23 gusht, Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të mos deklaronim se bilanci ynë me trashëgiminë e regjimit komunist është më se zhgënjyes. Për të përkrahur politikat e kujtesës në vendet dhe shoqëritë që dolën nga diktaturat komuniste, Këshilli i Europës, dhe më vonë Bashkimi Europian, ndërmorën një sërë iniciativash dhe rezolutash në ndihmë të procesit të analizës dhe ndarjes me totalitarizmat komuniste.

Këto dokumente kanë qenë të njohura edhe për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, si rezoluta e Asamblesë Parlamentare te Keshillit te Europes (KE) për “Masat per te çrrenjosur trashegimine e sistemeve totalitare komuniste” (1996); Deklarata e Prages “Mbi ndergjegjen europiane dhe komunizimin” (2008) që përcaktonte angazhimin për të dënuar krimet e komunizmit, sipas praktikës së Gjyqit të Nyrenbergut, si krime kundër njerëzimit; Dëgjesa Publike Europiane mbi “Krimet e Kryera nga Regjimet Totalitare” (2008) dhe të Asamblesë Parlamentare të KE mbi “Domosdoshmerinë per denimin nderkombetar te krimeve te regjimeve totalitare komuniste”(2006) etj.

Përmes këtyre rezolutave, Europa u kërkonte qeverive postkomuniste të distancoheshin qartësisht nga krimet e regjimeve komuniste totalitare dhe t’i dënonin ato pa asnjë ambiguitet.

Madje, më 2 prill 2009, Parlamenti Europian shkoi më tej duke apeluar në një rezolutë të re “Mbi ndergjegjen europiane dhe totalitarizmin” dhe rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtesës mbi të shkuarën sepse “nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën dhe përkujtimin”. Në vazhdën e këtij presioni, Kuvendi i Shqipërisë reflektoi me miratimin e Rezolutës nr.11, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”.

Rezoluta shënonte de jure ndarjen me regjimin e kaluar në aspektin politik, historik dhe moral, kur deklaronte se ‘regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale dhe kolektive, me dhe pa gjyq, vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit, shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik” (Neni 2, Rezoluta 11, 2006).

Paragrafi përmbledh thelbin katërçipërisht jodemokratik të regjimit të shkuar, dhe rezoluta e miratuar pranon se regjimi i instaluar nga Republika Popullore e Shqipërisë ishte një diktaturë, edhe pse nuk sqaron premisat: se kjo diktaturë nuk erdhi si pasojë e një kursi të gabuar politik dhe kequshtrimi pushteti, por që dhunën dhe terrorin ndaj çdo mendimi opozitar, e ktheu në sistem për të forcuar pushtetin e një kaste të vogël njerëzish. Po ashtu, rezoluta e vitit 2006 i thjeshton më shumë se sa duhet përgjegjësitë, kur përmend (disa herë) si fajtor kryesor vetëm Enver Hoxhën dhe “regjimin e tij”, duke zhvlerësuar rolin e partisë, si forca që ushtronte pushtetin në tërë kapilarët e shtetit, të drejtësisë, të ekonomisë, të arsimit, të kulturës, të shkencës dhe mbarë shoqërisë.

Gjithë dhuna, padrejtësitë e ushtruara ndaj individëve, shkelja e të drejtave të njeriut, kanë qenë drejtpërdrejt të lidhura me vijën politike të partisë, forumeve të saj drejtuese dhe organizatave të masave të përfshira në aksionin politik. (Por nga ana tjetër, lexuesi skeptik i ditëve të sotme, mund ta analizojë këtë edhe si një përpjekje “të suksesshme” për të delegjitimuar abuzimin personal, d.m.th., përgjegjësinë individuale dhe për t’ia ngarkuar fajin politikës represive: nën urdhrat e shtetit!) De facto, problematikat kanë mbetur në letër dhe pak janë reflektuar në praktikë.

Diktatori, edhe pse i cilësuar përgjegjës për regjimin kriminal, vazhdon të jetojë përmes portreteve dhe simboleve të tij në festa përkujtimore dhe nuk u ndërmor ndonjë hap ligjor për ta zhveshur atë nga titujt dhe nderet që mban pa të drejtë. Nga ana tjetër, edhe pse në pikën 14, Rezoluta vlerësonte se “viktimat dhe familjet e tyre meritojnë respekt dhe mirëkuptim për vuajtjet, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj diktaturës”, me gjithë përpjekjet e bëra, ende nuk ka përfunduar “dëmshpërblimi” i tyre financiar. Ndërsa ai moral, as që ka filluar. Asnjë memorial mbarëkombëtar në kryeqytet që të kujtojë qëndresën dhe përndjekjen (përveç atij që përkujton familjet e internuara në rrethin e Lushnjës), ndërkohë që ekzistojnë sheshe dhe vende konkrete ku kanë ndodhur ngjarje historike me peshë si gjatë diktaturës, ashtu edhe në momentin e rënies së saj!

Asnjë datë përkujtimore për dhjetëra, mijëra shqiptarë të pafajshëm, viktima të regjimit! Asnjë muze i ngritur në një vend kujtese, të burgosjes dhe punës së detyruar! Asnjë falje publike për ish-të përndjekurit politikë dhe familjarët e tyre! Të gjitha këto kanë qenë parashikuar gjerë e gjatë në Rezolutë, ashtu siç është parashikuar edhe rishikimi i kurrikulës shkollore, por që nuk ka ndodhur ende. Madje kush shkon në gjimnaze dhe prek nga afër situatën, sheh sa pak mësues janë në gjendje të dallojnë “investimet” e diktaturës nga synimet e saj keqdashëse për t’i përdorur ato në shërbim të instalimit më të thellë të propagandës dhe terrorit.

Për të mos folur për padrejtësitë e regjimit, se ato në tekst nuk ekzistojnë! Ata pak nxënës që e njohin diktaturën, të mirat dhe të këqijat e saj nga historitë familjare, kur ngrenë dorën të shprehen, ka rrezik të ndërpriten nga mësuesit me gjykime të tilla si: “Aha, edhe ti na qenke nga të Bllokut” apo “Pa shiko, na dole edhe ti nga … ATA (armiqtë e popullit, ish të përndjekurit)”! Për pasojat që kanë lënë këto etiketime në psikikën fëminore, flasin rrëfimet e ish-të mbijetuarve në kampet e internimit, në dokumentarin “Fëmijët e Diktaturës”.

Një rezolutë parlamentare nuk mund të jetë përshtatje në shqip e një teksti të huaj, i cili edhe pse i përkthyer korrektësisht, mund të na lërë të ftohtë shpirtërisht. Ajo reflekton dokumentin final të pjekur të palëve të përfshira dhe prej andej, duhet të merrte jetë debati politik dhe publik me shpresë për t’u thelluar më tej me ligje dhe akte nënligjore. Dhe me projekte madhore në fushën e botimit të dokumenteve historike për periudhën e LANÇ dhe të diktaturës që pasoi, nga arkivat shqiptare dhe ndërkombëtare, me trajnime të mësuesve të historisë për problemet e ndjeshme dhe kontraversale të ballafaqimit me regjimin komunist etj. Një strategji e tillë do kishte rikthyer transparencën në opinionin publik dhe besimin se historia nuk do të manipulohej, paragjykohej dhe shtrembërohej sërish si në diktaturë. Në rastin tonë nuk ndodhi kështu.

Pak veta e dinë se Rezoluta e 30 tetorit 2006, ekziston. Mbase lënia në harresë ose dështimi i saj për të lënë gjurmë në politikën e kujtesës dhe opinionin publik, lidhet me faktin se ajo është miratuar vetëm nga maxhoranca e asaj kohe (PD). Teorikisht kjo nuk i zhbën detyrimet që burojnë prej saj, por na tregon se ballafaqimi me të shkuarën nuk ka qenë dhe nuk është prioritet serioz i politikës sonë.

Të gjitha iniciativat që janë ndërmarrë në këtë fushë janë mbështetur nga njëra palë dhe janë bllokuar nga pala tjetër. Kujtojmë këtu, përpjekjet e dështuara për të miratuar ligjin për hapjen e dosjeve (1996,2008, si dhe Komisioni Bezhani 1998-2000) me iniciativë të maxhorancës së kohës, por pa konsensus të PS, si dhe miratimin më në fund, më 30 prill 2015 të ligjit për të Drejtën e Informimit mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit pa votat e PD. Edhe bashkëpunimi mes tyre për miratimin e Rezolutës së fundit “Për denimin e krimeve te komunizmit ndaj klerit, si dhe mirenjohjen e veçante per rolin dhe veprimtarinë e klerikëve ne mbrojtjen e vlerave demokratike dhe te drejtave e lirive themelore te njeriut”, më 27 tetor 2016, ishte minimal, me gjasë, një akt i ndikuar nga firmosja e dekretit të lumturimit të martirëve nga Papa Françesku, pak muaj më parë.

Rezoluta e vitit 2006 duhet të shënonte ndarjen tonë me të shkuarën, pikërisht duke garantuar brezat që vijnë për të mos njohur më kurrë regjim diktatorial. Kjo do të tregonte se ne kemi mësuar nga historia e afërt. Dhe të më- sosh nga historia, nuk nënkupton të gjykosh politikisht popullin shqiptar, i cili për gati një gjysmë shekulli u detyrua të jetonte nën terror dhe sundim të egër (aq i madh represioni, sa persekutori i sotëm mund të ishte viktima e nesërme!). Por nga ana tjetër, brezit të ri nuk mund t’ia mësosh historinë me “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, se kështu ai nuk do të jetë kurrë në gjendje të ndajë të mirën nga e keqja.

Regjimet totalitare prodhojnë persekutorë, njerëz që i përshtaten sistemit për mbijetesë, dhe viktima të pafajshme. Këto kategori duhet të dallohen qartë nga njëra-tjetra, përmes bërjes publike të dokumenteve përkatëse, siç edhe këshillon me të drejtë Rezoluta në pikat 10, 11. Por sa persona janë dënuar si përgjegjës deri më sot për krimet e sistemit, në bazë të dosjeve të paraqitura?! Që ne njohim viktimat, por jo persekutorët, kjo është dhe mbetet dështimi i ballafaqimit tonë me të shkuarën. I takon Kuvendit dhe deputetëve të mbështesin zhvillimin e një kulture të kujtesës mbi diktaturën dhe pasojat e saj, për sa kohë viktimat dhe persekutorët janë ende gjallë. Dhe jo vetëm kaq. Përkujtimi i viktimave, por edhe i qëndresës gjatë diktaturës, si dhe vitet kyçe të transformimit nga regjimi totalitar në pluralizëm, në fillim të 1990-s, duhet të mbahen gjallë, jo formalisht, por në emër të ndërgjegjes së opinionit publik dhe të kulturës sonë kombëtare.

Prandaj, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare dhe në prag të punës së Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, në emër të IDMC, Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, i cili vepron prej disa vitesh në partneritet të ngushtë me fondacionin gjerman “Konrad Adenauer”, për ndërgjegjësimin e rinisë dhe shoqërisë shqiptare mbi krimet e regjimit totalitar, dëshiroj me anë të këtij apeli publik, t’u kujtoj ligjvënësve zbatimin në praktikë të Rezolutës së vitit 2006 dhe detyrimeve që burojnë prej saj, që të mos e lënë atë të flejë në sirtar.

Një sugjerim mund të ishte ngritja e një komisioni (në vend të konferencës kombëtare që parashikonte në pikën 17 të Rezolutës), me pjesëmarrës nga parlamenti, nga institucionet shtetërore që veprojnë të fushës dhe me ekspertë të pavarur nga bota akademike dhe shoqëria civile, i cili të analizonte ecurinë e deritanishme të procesit të ballafaqimit me diktaturën në të gjitha fushat, situatën aktuale të ish-të burgosurve politikë, ish-të dënuarve me dhe pa gjyq, familjet e internuara dhe rehabilitimin e viktimave në aspektin material dhe fizik, si dhe vendin e Shqipërisë në hartën e kujtesës historike europiane e më gjerë.

Kësisoj, do të kishim një dokument të plotë zyrtar për ecurinë e procesit të dënimit të krimeve të regjimit komunist, përgjegjësitë dhe sfidat e tij në të ardhmen. Ky apel i drejtohet gjithashtu Presidentit të Republikës, Kryeministrit, kryetarëve të partive politike parlamentare, Kryetarit të ri të Kuvendit, institucioneve dhe subjekteve shtetërore dhe private që kanë mundësi ta nxisin dhe ta mbështesin këtë nismë si dhe të ushtrojnë presionin e duhur që Rezoluta, jo vetëm të zbatohet, por edhe të ndiqet nga iniciativa të tjera të ngjashme.

Partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht institucioneve që monitorojnë ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, do t’u propozoja të vendosnin në listën e kritereve që duhen plotësuar, edhe angazhimin serioz shtetëror për të dënuar krimet e regjimit komunist dhe për t’u ndarë përfundimisht me të shkuarën. Si garanci që ajo të mos përsëritet më nesër, në zemër të Europës, dhe si shpresë që shteti i së drejtës që synojmë të ngremë, mund të funksionojë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/europa-denon-krimet-e-komunizmit-por-rezoluta-jone-fle/

 

Postime të ngjashme