“Fëmijët e diktaturës”, një dokumentar për kujtesën

Dokumentari-Femijet-e-diktatures

Si një nevojë për të hedhur dritë dhe për të reflektuar mbi të kaluarën u shfaq sot dokumentari “Fëmijët e diktaturës”, një prodhim i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë me regji të Besnik Bishës.

Ky dokumentar ka në qendër fatin e katër personazheve në mosha të ndryshme që lindën dhe kaluan fëmijërinë e tyre në burgje apo vendet e internimit: Simon Mirakaj, Alma Liço, Ridvana Mena dhe Lurian Mena. Ata i përkasin brezave të ndryshëm dhe sjellin për publikun shqiptar dhe të huaj një qasje autobiografike ndaj sistemit.

Të pranishëm në sallë ishin ish-të dënuar politikë, të internuar, por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte prania e shumë të rinjve. Në sallën e mbushur plot të Kinema Sheraton 1 drejtorja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë Dr. Jonila Godole tregoi arsyen se pse ishte realizuar ky dokumentar. “Ajo që donim të arrinim ishte t’i linim këta njerëz të flisnin, sepse kjo nuk ka ndodhur,ata nuk kanë folur dhe as shoqëria nuk ka pasur një vesh që ti dëgjojë. Pa dëshminë e tyre edhe kujtesa jonë do të ishte e mangët. Po ashtu, duam të rrisim ndërgjegjësimin sidomos te brezi të ri, dhe jam shumë e lumtur që kemi shumë të rinj të pranishëm në shfaqjen e dokumentarit.”

Pas përfundimit të dokumentarit personazhet e tij realizuan një diskutim reflektues  me të pranishmit. Alma Lico një nga personazhet u shpreh: “Ky dokumentar është një arsye që të vihemi me këmbë në tokë për t’ju rikthyer asaj të keqeje të madhe që ka qenë pjesë e jetëve tona, për të reflektuar dhe për ta njohur atë për brezin e ri.”

Në historitë e dëshmitarëve të së shkuarës u përfshi edhe vetë regjisori i dokumentarit Besnik Bisha, i cili tregoi: “Nuk e kisha menduar kurre që do të ishtë kaq e vështirë për të realizuar këtë dokumentar, pasi duhet të gjeje formën e përshtatshme për të komunikuar me spektatorin. Por e bënë më të lehtë intervistat e personazheve të cilat në fakt ishin tronditëse dhe ishte e vështirë të hiqje pjesë nga rrëfimet e tyre”.

Ky dokumentar vjen në një datë të rëndësishme si ajo e 20 shkurtit, dita jo vetëm e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha, por e cilësuar tashmë edhe si Dita e Kujtesës Kombëtare  për martirët dhe viktimat e regjimit komunist.

8fb3fcd0-daa1-4c9a-a637-3c71b2683125

Postime të ngjashme