“Fëmijët e Diktaturës” në shkolla dhe universitete

Dokumentari “Fëmijët e Diktaturës”, një prodhim i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë me regji të Besnik Bishës, ka nisur udhëtimin e tij për t’u shfaqur në shkolla dhe universitete.

Kjo nismë vjen si nevojë për të gjithë të rinjtë të cilët janë të interesuar të dinë më shumë për të shkuarën e vendit të tyre. Tregimet e katër personazheve të dokumentarit të cilët kanë lindur dhe janë rritur në burgje apo vendet e internimit janë dëshmi e gjallë e atij kalvari vuajtjesh.

Këtë radhë ishte Universiteti Europian i Tiranës ai që mirëpriti dokumentarin dhe diskutimin me të rinjtë. Në sallën e mbushur me studentë dhe pedagogë shfaqja e dokumentarit u shoqërua me emocione të forta dhe shpesh me habi për historitë rrënqethëse të periudhës së komunizmit treguar nga 4 personazhet.

Pas shfaqjes së dokumentarit u zhvillua një diskutim reflektues në një panel të moderuar nga gazetari Alfred Lela, me praninë e Drejtores ekzekutive të IDMC-së Dr. Jonila Godole, personazhit të dokumentarit, Ritvana Mena dhe sociologut Ergys Mertiri.

Pyetjes së gazetarit Lela nëse të përndjekurit janë nxjerrë nga gjendja “ish- të përndjekur” Ritvana ju përgjigj: “ Në këto 26 vite nuk është bërë asgje për ti dhënë vendin që meriton kjo shtresë e përndjekur. Të paktën të gjykohen njerëzit që kanë marrë vendime për vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Ato vuajtje të asaj kohe nuk janë asgje në krahasim me vuajtjet që po përjetojmë tani kur i shohim sërish këta njerëz në poste drejtuese. Kjo është vrasja tjetër për ne.”

Ndërkohë drejtorja ekzekutive e IDMC-së, Dr.Jonila Godole pyetur se pse kjo nismë, u shpreh: “Kjo nismë vjen nga një qasje personale, kur ti di shumë pak për të shkuarën, për të shkuarën e familjes sime, të cilën edhe unë e kam marrë vesh pak nga pak. Me të rinjtë të cilët unë punoj sot, përpiqem ti ndërgjegjësoj që të njohin të shkuarën, të flasin me familjet e tyre se cfarë ka ndodhur. Ne jemi në fillimet e ballafaqimit me të shkuarën,por duhet një ndërgjegjësim i madh nga e gjithë shoqëria.”

Periudha komuniste dhe ngjarjet në atë kohë lënë vend dhe kanë nevojë edhe për shpjegime sociologjike. Sociologu Ergys Mertiri tha për studentët se: “ Ne nuk kemi vullnet për ti bërë gjërat. Politika ,njerëzit nuk e kanë marrë seriozisht veten e vet. Një popull nuk ka identitet nëse nuk vendos në peshore trashëgiminë e vet, të kaluarën e vet. Nuk ka qenë vetëm diktatura që ka dënuar. Jemi kompromentuar të gjithë. Gjithë komuniteti ishte i dhunshëm, armiqësor.”

Të përfshirë në diskutim ishin edhe studentët, të cilët shfaqën interes me pyetjet e tyre për të kuptuar se si akoma sot ka një nostalgji për atë periudhë. Angazhimi dhe interesi i të rinjve na le të kuptojmë se ata nuk janë aq pasivë sa thuhet për këto tema. Kështu përfshirja në këto projekte është një domosdoshmëri.

Postime të ngjashme