“Fëmijët e diktaturës” vazhdon rrugëtimin e Kujtesës

femijet e diktaures foto

Nga Ben Andoni

Ata që kanë qenë mëdyshas ose vazhdojnë të jenë të tillë sa i përket së shkuarës, duhet që të qetësohen 45 minuta dhe të këqyrin dokumentarin “Fëmijët e diktaturës”. Në një subjekt të thjeshtë ke të koncentruar kalvarin e vuajtjes ose ajo që lidhet sot me Kujtesën e Diktaturës komuniste.

Historia e së shkuarës ose represionit komunist përcillet nëpërmjet 4 personave të ndryshëm, pjesëtarë të atij komuniteti të madh vuajtës, por edhe kampione reale humane të 4 gjeneratave të ndryshme shqiptare, që kanë qenë të mbyllur në kampet e internimit. Xhirimet janë bërë të gërshetuara në Tepelenë, Berat, Gradisht, etj., ku kanë qenë shtëpitë e tyre. Në dokumentar janë të gërshetuara shumë elementët e djeshme dhe të sotme, por nga ana tjetër shoqërohen edhe me material të plotë filmik.

Filmi ka qenë sfida e drejtoreshës së IDMK-së, Jonila Godole, që prej kohësh është një nga zërat institucionalë sa i përket evokimit të së shkuarës, përmes shikimit kritik të saj.
Në rolin e producentes, ajo i besoi regjisorit Besnik Bisha edhe idenë që ai e përcolli me katër pinjollë të represionit, por që e kishin jetuar në kohë të ndryshme. “Të lindur” armiq ata u përballën me këtë rrjedhë të panatyrshme të jetës së tyre, pasojë e angazhimeve të etërve dhe të afërmeve të tyre.

Në vijë logjike dokumentari fillon me Simon Mirakajn, i shkuar gati si bebe; Alma Liçajn, që u internua në moshën 10 vjeçare, kur kishte ditëlindjen, dhe është rritur në internim. Kurse më të rinjtë e këtij kalvari vuajtës janë çifti motër dhe vëlla, Ridvana dhe Lurian Mena.
Në vetën e parë të katër personazhet dëshmojnë kalvarin e familjes së tyre, duke shmangur krejtësisht shkakun pse ishin aty. Secili prej tyre shkon në vendin e internimit, por edhe në vende që e kanë shoqëruar këtë kalvar dhe shpjegon përcjelljen e kohës, si vinte persekutimi ndaj tyre, si reagonin asokohe njerëzit që i rrethonin dhe i konsideronin dhe këta të vegjël si armiq potencialë të regjimit!

Dokumentari e filloi rrugëtimin  e tij, teksa u emëtua në përvjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, porse deri ditët e fundit, ai ka shkuar në rrethe dhe shkolla të ndryshme, duke lënë të hapur në program dhe shkuarjen në vende të tjera.
Paradoksi është se paragjykimi është ende shumë i gjendur mes publikut shqiptar sipas bastioneve politike. Ata që përcjellin vlerat e PPSH-së, sot të ngulur zakonisht në partitë e majta jo vetëm i kanë bërë barrikadë por edhe e kanë pritur shumë keq filmin, kurse më të hapur dhe tejet reflektues janë treguar shkollat dhe të rinjtë.

Ideja e Godoles është për ta përcjellë filmin edhe në shkolla dhe rrethe të tjera, ku jo vetëm të njihet kjo trashëgimi e dhimbshme por edhe të reflektohet për të. Nuk është asnjëherë vonë…
Duket se qëllimi për ta revokuar sa më mirë këtë kohë ka ardhur, sepse regjisori Bisha ka ruajtur shumë mirë dhe kontrapunktin, që do të thotë se përveç përshkrimit të fëmijërisë së tyre, këto personazhe japin edhe mënyrën sesi jetojnë sot. Mësuesja Alma Liço, një nga personazhet do shpjegonte sesi e kanë hequr tashmë nga puna, duke treguar se kohët vërtetë ndryshojnë por e keqja vigjilon kudo.

Filmi është realizuar falë mbështetjes së Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer (KAS)
Besnik Bisha e ka realizuar filmin me tre ish-studentë të tij Endi Hoxha, Afrim Meposhi dhe Endri Delisula si edhe me ndihmën e katër personazheve që e kanë drejtuar kamerën, pikërisht në vendet e tyre të vuajtjes.

 

Burimi:  http://www.gsh.al/2017/05/01/femijet-e-diktatures-vazhdon-rrugetimin-per-te-sjelle-kujtesen/

 

 

 

Postime të ngjashme