“Gra të njohura të trojeve shqiptare” – vepër për kujtesën kolektive

Grate-kopertina

Në veprën “Gra të njohura të trojeve shqiptare”, që është promovuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, janë përmbledhur 436 biografi të grave shqiptare që gjatë jetës së tyre kanë dhënë kontribut të shumanshëm për vendin ku kanë jetuar. Në “Gra…” botuar nga Botimet KOHA, zënë vend edhe emrat e 237 personaliteteve, veprimtaria e të cilave ka lënë gjurmë ndër shekuj. I ndarë në 18 kapituj, libri portretizon femra të profesioneve të ndryshme që nga mesjeta deri në kohët moderne. Monografia që numëron mbi 660 faqe nis me biografinë e nobelistes shqiptare, Nënë Tereza.

Recensentja e këtij botimi, arkeologia e poetja, Edi Shukriu, ka thënë se truri nuk ka gjini.
“Libri është një kontribut tejet i madh që përfshin gratë në shumë fusha. Disa që mbase janë harruar. Përmes veprës duket se femrat ende luftojnë për vete dhe pozitën e tyre”, ka thënë Shukriu, në përurimin i cili është hapur me këngën “Bilbili” të Limos Dizdarit interpretuar nga sopranoja Ylberina Avdyli e shoqëruar nga Erita Qafleshi në piano.

Sipas Shukriut, në ditët e sotme vëmendja duhet të jetë tek barazia gjinore.
“Kjo vepër i ka bazat shumë të shëndosha që të vazhdohet qoftë nga Hanëmshahja apo gjeneratat e reja. Mund të them i lumtë për guximin, mundin dhe veprën që na e solli. Një mirënjohje e veçantë u takon femrave që vepruan para nesh”, ka thënë Shukriu.

Publicisti e shkrimtari Halil Matoshi, i cili bashkë më Sulejman Dërmakun janë redaktorë të librit, ka thënë se vepra është një material mbi të gjitha monografik e leksikografik me rreth 500 biografi të grave të shquara shqiptare.

“Nënë Tereza dhe Majlinda Kelmendi na dëshmojnë forcën dhe guximin emblematik të gruas shqiptare. Libri i Hanëmshahe Ilazit shpalos një galeri të tërë të grave shqiptare të profesioneve të ndryshme. Princesha të sotme janë ato që na bëjnë që të ngrihemi në këmbë kur flamuri ngrihet në piedestal, duke na dhënë emër e duke na dhënë nder”, ka thënë Matoshi. Sipas tij ky botim është monument për gruan kosovare. Punën e bërë nga Hanëmshahe Ilazi e ka krahasuar me veprat për të cilat punojnë institutet kombëtare e grupe të mëdha autorësh.

Kleriku Dom Lush Gjergji ka thënë se vepra “Gra…” është mënyra më e mirë për të argumentuar se shoqëria shqiptare e çdo kohe veçmas prej mesjetës e deri sot është shënuar me kontributin e çmuar dhe tejet të dalluar të femrave pa të cilat shoqëria do të ishte më e zbehtë, më e mangët, më pak njerëzore e shqiptare, më me pak zemër e dashuri.

“Duke lexuar këtë monografi burimore ne gjejmë rrënjët tona të vjetra e të reja. Femra shqiptare është dhe mbetet simboli i flijimit dhe dhurimit, i dashurisë, jetës, edukimit deri tek rituali i lartë i luftës, martirizimit për ide, ideale e atdhedashuri shembullore”, ka thënë Gjergji, recensent i librit. Sipas tij s’ka lëmi dhe veprim ku nuk ka fytyra të ndryshme grash të çmuara dhe të dalluara që ia kanë zbardhur fytyrën vetvetes e gjithë popullit shqiptar.

“Edhe pse femra shqiptare shpeshherë ishte e ndrydhur nga tradita dhe botëkuptimi stereotip patriarkal, megjithatë ajo ia doli ta dëshmojë dhe ta tregojë veten dhe të japë kontributin e çmuar e shumë të dalluar në nivelin personal, familjar e shoqëror”, ka thënë Gjergji. Sipas tij problematika e grave nuk është aspak çështje femërore, por para se gjithash njerëzore dhe e të gjithëve. Ka thënë se padrejtësia më e madhe dhe dhuna e vazhdueshme ndaj gruas lind atëherë kur bota mashkullore atë e objektivizon apo e vegëlzon, e bën vetëm një mjet.

“Pra ajo para së gjithash është njeri e pastaj gjini. Pa e kuptuar dhe pranuar këtë se femra është jetë përbërëse e njeriut dhe njerëzimit, jemi në rrezik të gabojmë”, ka thënë Gjergji.
Sipas tij një libër sikurse “Gra…” meriton nderim, falënderim dhe mbi të gjitha hulumtim edhe në të ardhmen.
Vetë autorja Hanëmshahe Ilazi ka thënë se libri ia ka lehtësuar edhe gjendjen e saj shëndetësore.

“Kam qenë e sëmurë dhe sa herë e shihja reklamën në televizor forcohesha e shërohesha”, ka thënë Ilazi. Ka treguar se biografinë e Majlinda Kelmendit është detyruar ta rishkruajë disa herë shkaku i medaljeve të shpeshta që ajo i ka sjellë Kosovës.
“Librin ua kam kushtuar qindra e mijëra grave që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme për lirinë e atdheut dhe kanë mbetur anonime.

Pra guximtareve të kombit që nuk i rroki lapsi i kronistit, as vargu i rapsodit e as përkujdesjeve të zanave”, ka thënë ajo. U ka rekomanduar politikanëve që të lexojnë një pjesë të ditarit të heroinës Xhevë Lladrovci para se të nisen drejt Brukselit për të dialoguar me autoritetet serbe.

Burimi: http://koha.net

Postime të ngjashme