Konferencë e IDMC: Hebrenjtë në Shqipëri, vështrime të kryqëzuara

konferenca-jews

Kultura hebraike gjendet në vlerat e trashëgimisë shqiptare në disa forma. Prej më shumë se dy mijë vjetësh, gjurmë të saj hasen në arkeologji, në gjuhësi (toponimia e leksiku liturgjik), etnologji e folklor, në besim e rite, në objektet e kultit etj. Ka të paktën 300 vende ku gjenden faltore dhe përmendore të kulturës material-fetare hebraike në Shqipëri si dëshmi të saj dhe në trashëgiminë tonë të eposit të kreshnikëve.

Hebrenjtë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore përbëjnë një fakt të rëndësishëm historik në raportet mes dy popujve. Këtu gjetën strehë e shpëtim si rrallëkund në botë afro 3.000 persona prej katastrofës që shkaktoi judeofobia naziste. Megjithëse një periudhë e gjatë kohore e patrajtuar ose e trajtuar shkarazi nga studiuesit, pranisë së tyre kulturore sot mund t’i qasemi nga këndvështrime të ndryshme që kanë të bëjnë sa me ruajtjen e identitetit të tyre aq edhe me integrimin me kulturën e popullin e vendit pritës.

Si pjesë e projektit ndërkombëtar REMSHOA, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me LUISS dhe Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë organizoi më 27 Janar 2017, në ditën e Përkujtimit të Holokaustit, konferencën: Hebrenjtë në Shqipëri: Vështrime të kryqëzuara.

Përfaqësues të botës akademike, historianë dhe studjues sollën në këtë aktivitet këndvështrimet e tyre mbi rolin e kulturës hebraike në historinë, letërsinë, median, muzikën etj.  në Shqipëri. Ky aktivitet u organizua për të vendosur theksin te rëndësia e trajtimit të kësaj teme, dhe së dyti, edhe si një mesazh për rëndësinë e promovimit të diversitetit kulturor në shoqëritë që synojnë të promovojnë vlerat demokratike. Një vështrim mbi atë që është shkruar dhe nuk është shkruar mbi kulturën hebraike në Shqipëri deri më sot nxjerr në pah hapësirat ku duhet punuar më shumë në lidhje me këtë temë.

Postime të ngjashme