Historiografia e re shqiptare, peng i qasjeve të vjetra

flshshq

Intervistë me historianin Ylber Hysa mbi studimin e tij më të fundit “Shqiptarët dhe të tjerët”, për të shkuar tej në histori, në një rrëfim mbi betejat ikonoklaste në shekullin e XII, truallin e fortë kristian deri tek procesi i asimilimit në mysliman dhe debatet mbi asimilimin e ortodoksëve në Maqedoni…për tu ndalur tek “molla e kuqe” …

ALDA BARDHYLI

Ylber Hysa, historian, tashmë dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, e rimerr historinë e “Mollës së kuqe”, një shprehje që ka qarkulluar shpesh në Ballkan, për ta vendosur në një kontonacion tjetër tashmë në shekullin e XXI. Në një kohë kur ka humbur besimi se historiografia shqiptare mund ta shkruajë siç duhet historinë, të mbushur nga librat e të huajve që shpesh e kanë shtjelluar më së miri të shkuarën tonë, një historian shqiptar sjell një libër model, ku nuk mungojnë faktet dhe metaforat. “Shqiptarët dhe të tjerët”, quhet studimi, botim i Institutit të Albanologjisë së Prishtinës i cili më shumë se një zbërthim i kodeve të “mollës së kuqe”, është një hulumtim serioz mbi shqiptarët në periudha kyçe të historisë, duke nisur që para shekullit të XI. Shfaqja e vonë e shqiptarëve në dokumentet e kohës, pavarësisht hershmërisë sonë në Ballkan, vijnë jo vetëm përmes mënyrës sesi na kanë parë të Tjerët, por dhe leximi që na tregon se historia mbetet gjithnjë lënda e preferuar për të udhëtuar jo vetëm në kohë….

Le ta nisim bisedën pikërisht nga titulli i studimit tuaj “Shqiptarët dhe të tjerët”. Çfarë keni dashur të sillni në këtë hulumtim në shekullin e XXI në raportin mes shqiptarëve dhe të tjerëve…?

Është një paraqitje shumë skematike, në traditën historiografike të fqinjëve për shqiptarët, por besoj edhe të shqiptarëve për vetën. Historiografitë nacionale ballkanike fenomenin e të ndeshurit me shqiptarët e shohin konform frymës së krijimit të shteteve të tyre nacionale, kur edhe krijohen institucionet e tyre të para akademike, zakonisht ato të shek XIX, që shpesh kanë një taban nacional-romantik për veten dhe tjerët. “Tjerët” në këtë rast shqiptarët (por, jo vetëm ata) shihen nga ky prizëm dhe ky skematizim realisht i ndanë ata në para dhe pas historisë osmane apo brenda saj, duke kontestuar një trashëgimi antike të shqiptarëve dhe ndërlidhjen me ilirë, duke mos parë veçanti shqiptare, apo duke i parë shqiptarët të izoluar vetëm në katërkëndëshin Shkodër-Prizren-Ohër- Vlorë, më shumë si malësorë gjysmë nomadë se sa aktorë politik, nganjëherë me apo pa qëllim! Këtë jam përpjekur të shënjoj si një qasje “horizontaliste”, të këtyre historiografive që spikatin “periudha të arta” të historisë së vetperceptuar nacionale, që nxirren nga një kontest më i gjërë dhe fare kompleks në kohë e hapësirë me aktorë nga më të ndryshimit, në procese të gjata historike të Ballkanit. Po kështu, edhe shqiptarët, me një vonesë më të dukshme në krijimin  shkollës së tyre historiografike, mundohen të kompensojnë “ngecjen” dhe nganjëherë me një përpjekje “vertikaliste”, mundohen të kundërvihen me argumentet e tyre të vjetërsisë, që thuaje pandryshueshëm e metafizikisht vendosen pingul në një proces të gjatë e të përbërë kohor.

Në këtë përpjekje të izolimit të dyfishtë, shqiptarët thuajse nganjëherë shihen si aktorë anësorë, sekondarë, apo domosdoshmërisht jashtë historisë, ose së paku në segmente të caktuara kohore e zhvillimore, apo si aktorë “në anën e kundërt” të narcionit nacional historik të të tjerëve. Përmes disa eseve me tematika të përzgjedhura kam dashur të sfidojë  këtë koncept, duke treguar që shqiptarët kanë dhënë dhe marrë jashtëzakonisht shumë, mu në këto procese të gjata dhe me aktorë të përzier ne procese historike, politike, kulturore e shoqërore. Por, në paraqitjet e eseve të mia “shqiptarët” dhe “të tjerët”, nuk janë vetëm fqinjët, por edhe “tjerët” tjerë: perandoritë e aktorë të ndryshme, që nga Roma, Bizanti, Normanët, Venediku, Otomanët etj. Jo duke qenë vetëm anash, diku të izoluar në malet e tyre me një autonomi të përhershme të një “vertikaliteti të pacenueshëm” , por edhe duke qenë afër e pranë e brenda këtyre proceseve, forcave civilizuese dhe skemave perandorake, shqiptarët në fakt janë faktor historik i marrjes dhe dhënës në këto procese komplekse. Këtë me modesti jam munduar ta paraqes përmes eseve, që jo pa qëllim, shtjellojnë shqiptarët dhe herezitë, skllavopronarinë e tregtinë me robër të zi a të bardhë, piraterinë, “Madonën e Zezë”, apo kompleksin e “Mollës së Kuqe”…

“Shqiptarët kishin qenë një grup etnik që për një kohë të gjatë në histori kishte ndenjur anash, pa dhënë shenja të jetës popullore e shtetërore”,perifrazoni një historian serb në parathënien e librit. Në fakt nuk është vetëm ky historian serb i cili flet për një shfaqje të vonë të shqiptarëve në histori, diku në shekullin e XI. A mendoni se kjo shfaqje e vonë e jona ndoshta në librat historikë, apo letrat zyrtare ballkanike është peng i vetë historisë?

Ndoshta. Megjithatë është interesante se një popull me origjinë të lashtë, siç mendohet për shqiptarët, dalin vonë në skenë të dokumentuar historike me etnonim. Kjo ka krijuar dilemat dhe interpretimet e ndryshme për vetën dhe të tjerëve për ne. Edhe sot ka debate mbi “kulturën e Komanit”, prejardhjen dhe kontributin iliro-shqiptar, hallkën e hollë të mesjetës së hershme të këtij procesi, etj. Në fakt, shqiptarët mbase kanë hyrë në këtë ndryshim të madh të fundit të antikuitetit dhe të periudhës barbare të mesjetës së hershme, duke qenë pjesë e qytetarisë-shtetësisë romako-bizantine dhe si të tillë nuk veçohen si entitet apo etnikum jashtë kësaj megastrukture më të rëndësishme politike, e civilizuese  të kohës. Kështu, nuk është për shumicën e fqinjëve, që vijnë e vendosën në Ballkan dhe si të tillë, herë si semi-autonom, herë si pjesë e Bizantit apo formacioneve tjera politike të kohës, duhet akceptuar përmes një pacifikimi civilizues të gjatë që njeh përhapjen e krishterimit, pastaj të shkrimit nacional, sikurse që është fenomeni i krijimit të një alfabeti të veçante për sllavët përmes misionit të njohur të Shën Kirilit e Metodit. Shqiptarët, duke qenë brenda këtyre mega-strukturave të trashëguara Romake e Bizantine, janë pjesë e saj dhe mbase nuk theksohen si “të ndryshëm”. Kështu, mbase ndodh pikërisht gjatë përpëlitjeve për kontroll pushteti në shek XI, kur faktori shqiptar, parasëgjithash militar, renditet andej dhe këndej këtyre përpjekjeve për kontroll pushteti dhe paraqitet për herë të parë në burimet me etnonim- si albanoi…

Ky është syzheu historik nga njohuritë e tanishme historiografike dhe njëherësh edhe sfidë për t’iu qasur tutje problematikës. Por, kjo nuk do të thotë që dija apo interpretimi i sotshëm historiografik është edhe krejt realiteti historik i pandriçuar.

Ju flisni në libër për betejat ikonoklaste në territorin e Shqipërisë, apo përleshje tjetër fetare që në shekullin e XII, çka hedh dritë mbi një terren të fortë të krishterimit sidomos në Durrës, si një arterie e fortë bizantine…

Hapësira ku jetojnë shqiptarët përcaktohet nga arteria kryesore e aksit që lidh Perëndimin me Lindjen, Via Egnatia. Antropologu serb Cvijiq ka thënë njëherë për serbët, se e kanë shtëpinë mu në mes të rrugës. Në fakt, nuk di nëse kjo thënie, u përshtatet më shumë shqiptarëve. Por, në fakt “shtëpia” e shqiptarëve është në një rrethinë më komplekse e kontraverse: ajo është njëkohësisht mu në rrugë  (dhe pranë detit) por, dhe shumë afër malit. Ky diversitet drastik gjeografik (Mesdheu dhe Alpet Shqiptare) mbase kanë determinuar gjerësisht historinë e shqiptarëve. Duke qenë fare në rrugë të perandorive dhe faktorëve kryesorë globale historike e politike, ata nuk kanë mundur e të mos jenë pjesë e zhvillimeve më të mëdha të kohës, dhe Durrësi (sikurse Shkodra, Vlora, Prizreni, Shkupi) gjithsesi është epiqendër e këtyre zhvillimeve me shekuj. Por, njëkohësisht, afërsia me vargmalet e pakalueshme, janë një determinues qenësor i shqiptarisë, si një azil natyror që përkundër vendkalimit më të ngushtë të detit që lidhin Perëndimin e Lindjen (Otranti), mbase u lejojnë shqiptarëve që nga lart, të jenë edhe brenda edhe jashtë këtyre zhvillimeve duke qenë pjesë e tyre (në aspekt historik) dhe pjesë e vetes (në aspekt etnografik e antropologjik-kuturor). Ndoshta, nga këtu edhe vije skematizimi i thjeshtësuar i analizimit të fenomenit shqiptar në histori nga disa të tjerë dhe nga vetvetja.

Flisni për një dominim të shqiptarëve në Italinë Jugore, që akuzoheshin për herezi, ndërkohë elementi fetar duket shumë i rëndësishëm në përcaktimin e shqiptarëve që pas viteve 1763… Në kontekstin historik si e shihni rolin e religjionit në territorin shqiptar deri në instalimin e komunizmit në Shqipëri?

Shqiptarët historikisht, siç e thamë, kanë jetuar në një hapësirë që kanë qenë arenë e përplasjeve Lindje-Perëndim. Vija e Theodsit, Vija e Jeriqekut, ka kaluar mu përmes shqiptarëve dhe mu aty ka kaluar edhe ndikimi kulturor, politik pra, edhe fetar. Historikisht, herë Roma, e herë Bizanti, janë munduar që të kontrollojnë dy brigjet e Adriatikut për të shënuar një unitet të pretenduar politiko-kulturor dhe këtë episod janë munduar ta bëjnë edhe pasuesit, me episode të ndryshme, normanët, venedikasit, napolitanët, në daqit edhe Musolini, etj. Në fakt, për herë të parë një çimentim gjeopolitik i ndarjes për mes detit për herë të parë behët në periudhën otomane, sidomos pas shekullit XVI apo XVII, pra kur deti më shumë ndan se bashkon. Një periudhë tjetër kur shqiptarët disi ikin nga deti, është në kohën e komunizmit dhe të izolimit. Ajo që në fakt fol edhe për shqiptarët është mungesa centralizuese e një formacioni vetjak etatist që kontrollon hapësirën e shtrirjes etnike dhe kur kjo behët nuk është as gjithëpërfshirëse, e as edhe mbase demokratike. Shqiptarët në fakt jetuan së bashku vetëm brenda perandorive të ndryshme afatgjate të kohës. Këto janë rrënjët historike të një fenomeni më kompleks edhe të religjioneve ndër shqiptarë. Dhe si i tillë, shqiptarët janë i vetmi popull jo vetëm në rajon, që falë këtyre zhvillimeve gjeopolitike mban në vete një multifetarizëm, që e ka shquar madje, edhe si  një shtresim identiteti. Më duket se mohuesit e rolit të religjionit ndër shqiptarë janë po aq thjeshtësues të kuptimit historik, po aq sa edhe insistuesit të super rolit të tij.

Studiues apo historianë kanë folur shpesh për një asimilim të shqiptarëve në myslimanë, duke aluduar gjithnjë për një terren të fortë të kristianizmit më parë në territoret tona… A ka pasur një asimilim të tillë?

Ka pasur një transformim që ka ndodhur për një kohë të gjatë dhe ai nuk ka qenë besoj aq linear në periudha kohore. Mbase konvertimi do të ishte një termin më shpjegues për pyetjen tuaj sepse nuk ka pasur asimilim të gjerë kombëtar. Sidoqoftë, ka ende për t”u thënë për këtë çështje. Rrënjët e kristanizmit ndër shqiptarë janë historike, që nga koha e apostujve edhe për arsyeje historike dhe gjeografike. Por,për aq sa qendrat e  hershme të krishterimit janë shumë prezentë në vendet ku kanë gravituar protoshqiptarët, sikurse Durrësi, Ulpiana (Justinaana Secunda), Shkodra, Lissusi, Ohri, Shkupi etj, kanë qenë edhe pjesët tjera të izoluara të lartësive shqiptare, ku format e krishterimit kanë mundur të mbijetojnë në një mënyrë paksa më autentike. Sidoqoftë, koekzistenca e feve të ndryshme ndër shqiptarë, si karakteristike, ka të bëjë edhe me diçka që mund të cilësohet edhe si kulturë popullore shqiptare.

Teksa flisni për gjurmët e ortodoksisë tek shqiptarët e Maqedonisë, ju vetë ngrini pyetjen në ka qënë asimilim i kryer apo trikonfesionalitet i ruajtur…? A ka pasur një asimilim të ortodoksëve në Maqedoni?

Në një tërësi hapësinore të frymimit etnik shqiptarë, pa llogaritur kufijtë e  sotshëm politik, shqiptarët shquhen për trikonfesionalitet. Nëse kjo është e vërtetë, për shumë shekuj në Shqipëri; e në Kosovë (ka ka shqiptarë myslimanë e katolikë); mu në Maqedoni, thuajse qëllimshëm harrohet të theksohet ky fenomen gjithëshqiptarë. Kjo, pa marrë parasysh relacioni i numrave brenda këtij trekëndëshi. Tek e fundit, e rishtaz shenjtëruara Nëna Tereza ka lindur mu në Shkup.  Dhe deri vonë, një pasqyrë e tillë e trashëguar historike kishte mbijetuar deri vonë, madje që të jetë më cinike, kishte mbijetuar për një kohë të gjatë edhe brenda vet Perandorisë Otomane. Ndërsa, më të dezintegruar ajo, fenomeni i shqiptarëve ortodoks i nënshtrohet një procesi të gjatë të asimilimit, në një periudhë të një gare të kishave nacionale ortodokse, serbe-bullgare-greke, e më vonë edhe maqedonase. Në këtë luftë për kontroll kishtar nacional, ndoshta edhe të një identiteti komb e shtetkrijues të Maqedonisë, ortodoksët shqiptarë thuajse behën një “dëm kolateral”.

Dëshmi të ndryshme të kontributit në kulturën kombëtare, që nga Bageri e  te Migjeni, i lëshojnë rrugë një asimilimi gati të përfunduar në komunizëm, kur me dekret shkollat fillore në vendet ku jetojnë shqiptarët ortodoks duhet domsdoshmërisht ”të zgjedhin” gjuhën joamtare, maqedonase, për gjuhë shkollimi. Ky proces është interesant se ndodh pas rënies së një perandorie thënë myslimane, si ajo otomane, në kohën e kombë-shtet-krijimit të ri të Maqedonisë dhe Kishës së saj nacionale ku markeri identitar fillon të përcaktohet përmes fesë e jo gjuhës. Një fenomen i tillë kompleks njeh edhe tendencën e asimilimit të pjesës myslimane të sllavofolësve në Maqedoni, në të tjerët- turq e shqiptarë, por përkundër kësaj, një komunitet i tillë vazhdon të mos jetë i asimiluar, sikurse ai i shqiptarëve ortodoks, të cilët gjatë kohës së komunizmit janë të mbyllur, pa asnjë komunikim me pjesën ortodokse shqiptare me Shqipërinë ateiste të kohës së Enver Hoxhës dhe nuk kanë as edhe një kishë të tyre ku mund të predikonin në gjuhën amtare. Ky asimilim nuk do thënë se është gjithnjë i dhunshëm por, edhe rrethanor me mungesë perspektive për komunitetin. Së fundmi, ka një tendencë që t’i kthehet identitetit kombëtar shqiptarë nga disa pjesëtarë të këtij komuniteti ortodoks, siç bënë më dëshmitë e tyre intelektuale Branko Manojlovski dhe Bransilav Sinadinoski. Por, kjo ende nuk paraqet një fenomen të gjerë. Andaj edhe pyetja me rëndësi:  Asimilim i kryer apo trikonfesionalitet i ruajtur…?  Besoj kjo pyetje është e rëndësishme për identitetin shqiptar.

Si historian si do ta vlerësojë mënyrën sesi është qasja jonë ndaj historisë, flas në trekëndëshin shqiptar -Shkup-Tiranë-Prishtinë?

Nuk dua të jem pretencioz dhe të vlerësoj një çështje të tillë me rëndësi që nuk më takon mua. Mundohem që të shpreh vetëm mendimin tim modest kur them që historiografia e re shqiptare thuajse vazhdon të mbetët peng e disa atavizmave, të qasjeve që mbase janë tejkaluar në konceptet e sotshme akademike në perëndim dhe se skematizmi nacional-romantik vazhdon të jetë funksional. Ajo që është e re shprehet përmes një  tendence të jashtësponzorizuar për një rishikim historiografik nga pozicionet ideologjike fetare. Sidomos neotomanizmit që shpesh shfaqet agresiv. Dhe këto, nuk lejojnë që edhe kur ka brumë serioz për debat, të këtë frymë të debatit të vërtetë. Përkundër kësaj, ka edhe përpjekje për të sjell rezultate dhe lexime shumë të ndryshme të së kaluarës, por kjo zakonisht po ndodh nga autorë të huaj (Malcom, Shmdit, Mazower, Kaser, etj).Kam respekt për pionierin e studimeve shqiptare në mënyrë analitike, si dikur Milan Schuflay. Më duket edhe se ne kemi një varshmëri nga një super fokusim tek historia politike, duke harruar segmente tjera me rëndësi nga jeta e shqiptarëve. Kam përshtypjen se ende nuk kemi një studim shtjerrës p.sh për kullata shqiptare, polifoninë, stradiotët shqiptarë etj.

Është folur shpesh për një protagonizëm të shqiptarëve në Ballkan, në fakt cili ka qenë roli i tyre real?

Nuk ka ndonjë vagë historike për ta peshuar rolin në përqindje. Por, shqiptarët besoj janë një fenomen karakteristik mbijetese, e një etnie të lashtë, që me gjuhën e saj nuk ka kushërinj as farefisni. Ashtu siç thamë që, shqiptarët si një popull i vjetër dokumentohen vonë në burime historike me etnonim krahasuar me lashtësinë e tyre, po kështu është interesante, që e njëjta gjë ndodh me dokumentimin e gjuhës. Edhe pse duke pas një nga gjuhët me specifike që përbënë grup të veçante në sistemin indoevropian, shqiptarët po ashtu kanë një gjurmë shumë të vonë të shkruar të gjuhës së tyre (Formulën e Pagëzimit). Të qënurit kështu gjithsesi shqiptarët i bënë specifik. Por, ata janë pjesë përbërëse e historisë së Ballkanit, që ngjashëm me grekët, madje në gjitha periudhat e tij. Në fakt, mu për këtë unë jam ithtarë i një qasjeje multidisciplinare në të studiuarit e historisë e lashtësisë shqiptare, duke inkorporuar edhe histori kulturore, antropologji, histori orale, studime folklori, etj.  Ky rol, një kohë të gjatë e komplekse njeh amplitudat e tij. Dhe kur flasim për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, mbase duhet bërë një distinkcion. Mendoj që shqiptarët duhen studiuar jo vetëm në aspektin territorial. Fenomeni i diasporës shqiptare, dhe inkorporimit të faktorit shqiptar në formacione të ndryshme politike e militariste, që nga Kalabria e Siqilia, roli i tyre si arvanitas në More e gjithë Greqinë, por dhe në Egjipt e hapësirat e dikurshme të Perandorisë Osmane, është tepër i madh dhe interesant.

Në fakt, roli i shqiptarëve në histori është nganjëherë më i madh jashtë, se sa në vet Shqipërinë apo territoret që sot i popullojnë shqiptarët. Këtë e tregon bukur edhe “Agjentët perandorak” të Noel Malcolm, ku familjet me origjinë shqiptare si Bruti e Brunët luajnë një rol gjithandej në historitë e Venedikut, Spanjës, Perandorisë Osmane, Polonisë, Moldovës, Austro-Hungarisë, Maltës etj. Mendoj që historiografia dhe kujtesa kolektive shqiptare u ka hy në hak personaliteteve si Merkur Bua, Brutti, Bruni, Sinan Pasha etj. Nganjëherë nuk mund ti studiosh shqiptarët pa studiuar të tjerët dhe e kundërta.

Nëse do ndaleshe në një periudhë të artë të historisë sonë, cila do të ishte?

Nuk di a më pëlqen koncepti i historisë së artë, sepse ajo është më shumë segment i ekstraktuar dhe i shkëputur i një procesi, që shpesh i ngjan një narracioni të kultivuar artificialisht nacional. Roma  e Cezarëve, Britania e Arturëve, Serbia e Nemanjqiëve, Arbëria e Skënderbeut, Bizanti i Vasilit II… më shumë më duken si perceptime të kultivuara letrare e publicistike, që nganjëherë i ngjanë top-listave të temave të pëlqyera, se sa vet historia në fjalë. Por, nëse ka diçka që vlen admirim dhe që kultivohet si e shkëputur nga trungu dhe lejon një kundrim jashtë procesit dhe retortës së përgjithshme të zhvillimit historik të shqiptarëve, atëherë këto më dukën diasporat historike: arbëreshët e  Italisë, arvanitasit në Heladë, Arbëreshët në Zarë, shqiptarët në Egjipt etj. Është për tu admiruar forca e tyre e brendshme për të mbijetuar që nga larg me një kulturë ndër shekuj në një mungesë totale të përkujdesit nga Ama, cilado që të ketë qenë ajo në histori.  Kjo flet në fakt, për fuqinë e jashtëzakonshme komunitare të të mbijetuarit përmes kultivimit të kulturës e frymës popullore shqiptare. Dhe mbase shqiptarët si fenomen, i shquan mu kjo mbijetesë kur shumë nga popuj të vjetër e të vegjël, nuk i kanë mbijetuar ndryshimeve të kohës.

Molla e Kuqe çfarë është? A mund të na penalizojë ende joshja ndaj saj?

Jam munduar ta shtjelloj “Mollën e  Kuqe”, jo vetëm përmes një traditë orale e mitizuese shqiptare, si një dhimbje mbi atë që grekët e quajnë “atdhetë e humbura”. Në fakt, kam dashur që atë ta dekonstruktoj edhe në një analizë komparative, përmes përvojës së ngjashme të të tjerëve me të cilët kemi qenë të lidhur në kohë e hapësirë, në një shtrat e periudhë historike. Kjo ndoshta ndihmon për ë parë që nuk jemi të vetmit që kemi përjetuar “Mollën e Kuqe”, muhaxherllëkun, dëbimin, persekutimin, humbjen, largimin, të qwnurit refugjatë, apo të shprehjes së një ambicie politike kombëtare të parealizuar, ose që edhe ndeshet me interesat e tjerëve.  Ajo që i ka dalluar shqiptarët në këtë vetkonceptim të një projekti nacional në kohën e dekompozimit osman, si Autonomi dhe Bashkim i Katër Vilajeteve, mbase nuk ka qenë i ndërtuar dhe qartazi indipendist e agresiv si i tjerëve për rreth. Ndonëse, secili i ka specifikat e të pasurit të “Mollës së Kuqe”, kam dashur të insistoj që në ketë “ne” dhe “të tjerët”, të mund të shohim më thellë e më gjerë, në qasjet tona për fenomene historike që ndoshta na shkaktojnë dhimbje në kujtesë kolektive. Por, një rishikim esëll i tyre konsideroj që është detyrë e historianëve në një debat intelektual refleksiv, më shumë se sa nxitës apo kujdestar, të një naracioni të vonuar.

Duket sikur të Tjerët kanë qenë përcaktues jo vetëm të politikës sonë, gjendjes sociale, por dhe të historisë, dhe duke na e shkruar atë…Shpesh librat më të mirë në këtë fushë i kemi nga Të tjerët…?

Nuk jam i sigurt që vetëm të tjerët kanë qenë përcaktues të fatit tonë. Shqiptarët kanë qenë aktorë të përfshirë në shumë nga ngjarjet me pasoja historike për vetën, aq sa edhe si popull i vogël i kanë ndarë efektet globale të shumë proceseve politike e historike të kohërave të ndryshme. Një qasje kritike për ta parë vetën në këto procese së bashku me tjerët, besoj përbënë parakushtin e një shoqërie të hapur, që ka guxim të debatoj mbi të kaluarën dhe pse jo, të reflektoj për të tashmen apo të ardhmen.

Burimi: http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/09/16/historiografia-e-re-shqiptare-peng-i-qasjeve-te-vjetra/

Postime të ngjashme