Hysen Shehu: Kërkoja babanë, por e gjeta pas 42 vitesh

Të pushkatuarit për bombën në ambasadën sovjetike

Nga Bleona Metushi

Djali i një prej të pushkatuarve për bombën në ambasadën Sovjetike rrëfehet për “Shekulli”-n. Si përjetova mungesën e babait dhe përpjekjet për ta gjetur atë pas shumë dekadash. Nga lindja, përballja me “armikun” dhe deri te arrestimi prej thesit me eshtra, një nga mijëra dramat e komunizmit

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë pak ditë më parë dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një kallëzim penal, për hetimin dhe zbulimin e autorëve të masakrës së ndodhur për ngjarjen e “Bombës në ambasadën Sovjetike”. Ngjarje për të cilën u pushkatuan 22 persona, ndër ta edhe një femër. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, djali i një prej të pushkatuarve, Tefik Shehu, Hysen Shehu, rrëfen historinë e tij të jetës. Në momentin e pushkatimit ishte ende në barkun e nënës, por kjo ngjarje ka lënë te ai pasoja për të gjithë jetën. Ndërsa tregon për ngjarjen në fjalë, me emocion tregon të gjitha momentet e vështira të internimit. Nga lindja në natyrë, te përplasja në tren kur ishte vetëm 10 vjeç me një prej personave që kishte marrë pjesë në arrestimin e të atit. Te rrëzimi i bustit dhe deri në “takimin” e tij të parë dhe të fundit me babanë që nuk e kishte njohur asnjëherë. Për ditën e rrëzimit të bustit, thotë se e konsideron si rilindjen e tij, por si një moment tjetër të veçantë përmend gjetjen e eshtrave të 22 të pushkatuarve. Rastësia e çoi te vendi ku ishin eshtrat, por dëshira e madhe dhe këmbëngulja bëri që ai t’i gjente ata. Ndërsa përballja me familjarët e tyre ishte një kënaqësi më vete, më shpjegon Hyseni. I cili thotë se ka shumë për të falënderuar në këtë histori, ndërsa shton se nëse jeta e tij do të ishte një libër, do ta titullonte “Fundi i një fillimi”.

Si ka qenë historia e bombës në ambasadë?

Në datën 19 Shkurt të vitit 1951, në orën 7 të mbrëmjes, në rrugën e Durrësit, në vendin ku ishte ambasada Sovjetike shpërthen një bombë. Nga ky shpërthim janë thyer disa xhama dhe ka pasur tronditje për qark zonës. Për këtë shpërthim, rreth orës 12 të natës troket dera, çohet mamaja ime dhe pyet se kush është. Pasi mamaja ime pyet kush është, ata i thonë që të hapte derën. Ata e pyesin: “Familja e Tefik Shehut?”. “Po” – i thotë mamaja ime dhe më pas ata, e pyesin për babin. Nuk e besuan mamanë time kur i tha se ishte në tualet dhe në mënyrë krejt arrogante, hapën derën e banjës dhe e pyesin “Ju jeni Tefik Shehu?”. Babai i pyet se çfarë kishte ndodhur, ndërsa ata ia kthejnë duke i thënë “S’e di ti se çfarë ka ndodhur?! Në emër të popullit je i arrestuar”. Ndërsa populli ishte në gjumë. Mamaja ime i pyet për çfarë, por ata ia kthejnë që do ta merrte vesh nesër. E kështu e morën dhe kur po zbrisnin për poshtë, në dhomën tjetër, dëgjohen disa ulërima, ata pyesnin babin, trego se kush e ka vënë atë bombë. E nga ana tjetër, babai i ka thënë se nuk ishte një terrorist, por një intelektual. “Nuk kam asnjë arsye të hedh bomba dhe të shkatërroj ambasada”. Pavarësisht kësaj e morën, e hipën në makinë dhe e çuan në degë. Dega ka qenë te Selvia. Kur shkon mamaja ime në mëngjes, i kishin lëvizur. I kishin çuar në burgun e Tiranës dhe me sa më ka thënë mamaja nuk e lejuan ta takonte. Kur është kthyer në shtëpi, ka pasur vetëm të qara dhe ulërima. Çdo gjë ishte shkatërruar.

Familjarët tuaj kanë qenë në dijeni për momentin kur ndodhi pushkatimi?

Gjithmonë, nga tregimet e mamasë, ata nuk kanë ditur gjë. Pasi shkoi dy ditë rresht që ta takonte dhe nuk e lejuan, të tretën herë i thanë se i kishin larguar, i kishin çuar në ministrinë e Brendshme, ku do të pyeteshin nga hetuesit e veçantë. Dhe pikërisht në datën 26, i marrin dhe i hipin në makinë. Gjatë kohës që janë bërë këto gjëra, në ministrinë e Brendshme, “gjoja” është hedhur nga ndërtesa një prej të arrestuarve. Por ai nuk u hodh vetë, atë e hodhën për të frikësuar të tjerët, që kjo do t’ju gjejë edhe juve nëse nuk tregonin për bombën. Dhe ky person që kanë hedhur është Jonuz Kaceli. Në mbrëmje pasi kishte dalë një dekret që unë e kam gjetur, vjen makina, kamioni, ku ishin 20 meshkuj, një i vrarë dhe një femër që quhej Sabiha Kasimati. Me pak fjalë një tmerr i vërtetë. Pushkatimi ka ndodhur te ura e Beshirit. Në atë kohë në vendin e pushkatimit ka kaluar një banor i zonës. Ai ishte kryetar i këshillit, por që po i hiqnin të drejtën e emërtimit si kryetar, sepse gjatë luftës ky kishte qenë partizan ndërsa vëllai i tij ballist. Ata jetonin afër me shtëpi, por s’e dinin mirë historinë. Atë ditë, i kishin dalë policët para, dhe e kishin pyetur se ku shkon. Këtë histori do të ma tregonte më vonë, vetë ky person. “Në shtëpi” – i thotë ky. “Epo nuk duhet të kalosh këtej” – i kishin thënë. Por ky i kishte kundërshtuar me argumentin se ishte kryetar i këshillit. Dhe ky person ishte Kadri Hysa, ai më tregoi edhe vendin ku unë gjeta eshtrat. Një nga shefat i kishte thënë Kadriut, se nëse do të dëgjonte ndonjë batare, e kishte fjalën për gjuajtjen me armë, dhe nëse do ta pyesnin fshatarët, do t’u thuash që janë ekzekutuar disa kuajt të lodhur të ushtrisë. Gjatë rrugës, duke ecur, ata kanë qëlluar. Ndërsa me çfarë më ka treguar Kadriu, ata kanë ulëritur: Mos qëlloni!. Të gjithë ishin të lidhur me tel pvc, tela telefoni dhe tela me gjemba. I kam gjetur edhe te gropa, kur nxora eshtrat. I kanë hedhur të gjallë, pastaj i kanë mbuluar.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj pas pushkatimit?

Më datën 1 Mars të vitit 1951 është rrethuar shtëpia. Në këtë kohë i kanë marrë me zor familjarët, edhe gjyshen që ishte shumë e moshuar. Në këtë moment gjyshja pyet mamanë time, se ku po i çonin. “Pusho bushtër” – i ka thënë një nga ato oficerët që i shoqëronin, “se djalin ta pushkatuam”. Në atë moment, gjyshes i ka rënë të fikët dhe është paralizuar. I morën me vete, i kanë dhënë një dyshek tek për gjyshen dhe nënën, gjithmonë minus një. Për shembull, 3 lugë, 3 pirun dhe 3 pjata, i katërti do hante me te pjata e një personi tjetër. Edhe familjet e tjera i morën. Me sa më ka treguar mamaja, në makinën që i kishin hipur ishin, 4 policë me armë për t’i ruajtur dhe familjarët e personave të pushkatuar. Kur kanë qenë afër Vorës, kanë vënë re që mungonte një person, ai ishte një djalë i vogël, aty te 2 apo 3 vjeç. Ishte Lulzim Kodra, e kishin harruar nga shpejtësia, për të janë kthyer dhe e kanë marrë. Gjatë rrugës, mamaja më ka thënë që mendonin se mund t’i pushkatonin sepse ndalonin në vende jo shumë të mira. Në atë kamion udhëtonte, familja e Tefik Shehut, Haki Kodrës, Gafurr Jegenit, Zudi Errit dhe familja e Gjon Temalit. Ata kanë mbërritur në mbrëmje në qytetin e Vlorës dhe i kanë vendosur të gjithë siç ishin, në një magazinë të Degës së Brendshme.

Më keni thënë se lindjen tuaj nëna e kujtonte si një nga momentet më të vështira, çfarë iu ka treguar për atë ditë?

Pas dy muajsh qëndrimi në Degë, vjen momenti që nëna ime do të lindte. Jeta Jegeni, vajza e Gafurr Jegenit, shikon që nëna ime nuk ishte mirë dhe i thotë atyre të sigurisë që t’i hapnin qepenin, sepse mamaja ime nuk ishte mirë, ishte për të lindur. Më pas ka shkuar policë pas polici deri te personat përgjegjës, sepse ai aty poshtë ishte thjesht për ruajtje. Më pas janë shoqëruar me një polic që i çoi në këmbë për të lindur në maternitet, por aty nuk e pranuan nënën time. Ndërsa polici e ka lënë te shkallët e maternitetit, më pas Jeta, e ka marrë mamanë time e ka çuar në një vend në natyrë dhe aty kam lindur ku më kanë mbështjell me një përparëse. Por dua të tregoj edhe diçka, duke qenë se ne ishim të internuar, nuk pranonin të na regjistronin. Jo vetëm ne, por të gjitha familjet, sepse sipas tyre qytetet duhet të ishin të pastër. Dega në Tiranë i dërgonte në Vlorë, ata i dërgonin mbrapsht në Tiranë. Dhe kështu unë jam regjistruar në moshën 25-vjeçare. Më e bukura e gjithë kësaj është që më kishin vendosur vetë një emër më pas. Më kishin quajtur me emrin e gjyshit.

Si vazhdoi jeta juaj gjatë internimit?

Pasi na hoqën nga magazina ku na vendosën në fillim, kemi shkuar të jetonim pranë një familjeje në Vlorë. Në një barakë ishim të 5 familjet, gjithmonë sipas thënieve të mamasë. Dua të theksoj se ajo familje, pavarësisht gjendjes që ishte, nuk na ka pritur keq. Kështu ne u vendosëm të 20 e ca vetat në një barakë. Nga ajo që më ka thënë mamaja, si dhe nga një urdhër i Mehmet Shehut. Urdhër që e kam gjetur te arkiva e shtetit për ndërtim të qytetit të Vlorës. Ata u çuan aty të punonin. Ndërsa në urdhër qartësohej, që të çohen në qytetin e Vlorës të gjithë familjet e reaksionarëve dhe të punojnë sa për bukën e gojës. Dhe këtë kanë bërë të gjithë, punë sa për bukën e gojës. Gratë kanë punuar në punë të tilla të rënda, kryesisht në ndërtim, fortifikime. Nga Sazani në Karaburun, Porto-Palermo dhe te Kalaja e Ali Pashës. Gjithashtu hapnin edhe tunele për nëndetëset. Motra ime, kur u rrit, u fut në punë në Babicaj të Vlorës. Ishte fermë aty dhe ka punuar deri në vitin 1972.

Po me ju çfarë ndodhi?

Unë pasi mbarova shkollën, pata një shans këtu në Tiranë. Ne kishim një burrë halle, i cili më ndihmoi që unë të bëja shkollën. Kur vinim në Tiranë, vinim me leje. Kishim një karton jeshil që unë nuk e merrja vesh për çfarë ishte. Në atë kohë çdo familje ka pasur një libër shtëpie, ku shënoheshin edhe vizitorët që i vinin. Dhe unë vija së bashku me motrën, por më shumë se 15 ditë nuk na qëndronim dot, se aq ishte leja. Por në bazë të sjelljes sime dhe burrit të hallës, policit që bënte këto kontrolle i vinte keq, kështu që më toleroi. Më lejoi që unë të vija dhe rrija më gjatë. Me shumë vështirësi dhe me të gjithë uljet dhe ngritjet e sistemit. Se herë bëhej i ashpër dhe herë sikur bëheshin disa lëshime, kështu unë kam përfunduar shkollën teknike. Shfrytëzova rastin e asaj shkolle. Një pjesë e profesorëve atje, ishin miq të babait tim. Kur e merrnin vesh më respektonin, një prej tyre profesor i degës elektrike, kishte qenë në burg, por ishte profesionist i mirë. Ai kishte qenë mik i babait tim dhe kur e mori vesh për mua, hyri në kontakt me të gjithë profesorët dhe i tha që isha çuni i filanit dhe kështu më kanë mbështetur. Shkollën arrita ta mbaroj me ndihmën e tyre, por me rezultate shumë të mira.

Kush është ai moment në jetën e tuaj gjatë kohës së internimit, që nuk do ta harroni kurrë?

Nuk do ta harroj kurrë atë ditë, bashkë me motrën u nisëm për në Tiranë për pushime verore. Donim që të tregonim në sy të banorëve që nuk ishim të internuar dhe për këtë vinim shpesh. Ishte një ditë që kishim mbaruar shkollën dhe do vinim për të ndenjur këtej. Kujtoj se nuk kishim bukë të hanim, se ishim me një rrogë punëtori. Ndërsa motra ime gjatë verës punonte, sepse ne nuk e kishim mbushur moshën për punë. Theksoj që ne ishim akoma të vegjël. Duke ardhur për në Tiranë, qëlluam në tren me shefin e degës së Vlorës, Gole Bashallin. Në trenin që morëm në Rrogozhinë, qëlluam ballë për ballë me të dhe bashkëshorten e tij. Ne të dy ishin fëmijë të bukur dhe nëna pavarësisht kohës dhe mundësisë, na mbante mirë. Ajo kishte mbaruar në Zagreb për Arkitekturë dhe Skulpturë, profesion që nuk e ushtroi asnjëherë dhe dinte të qëndiste dhe na bënte rrobat shumë të bukura. Gruas së tij i ramë në sy ne dhe na shikonte shumë egër, sikur donte të na hante. Si duket i tha ai se kush ishim, se në arrestim ka marrë pjesë edhe ai. Bashkëshortja e tij tha pak me zë më të ngritur: Po t’i kishit pushkatuar edhe këta të dy, të pjellët e tij. Motra po dridhej dhe unë i thashë të bënte sikur do të shkonte në tualet. Afër Golemit, u çua motra, shkova edhe unë pas saj dhe kemi ndenjur të dy në fund, te vagoni i mallrave, deri sa mbërritëm në Tiranë. Atë ditë nuk e harroj kurrë.

Kur jeni liruar nga internimi dhe si shkoi jeta juaj më pas?

Ne jemi liruar në vitin 1972 dhe menjëherë me ndihmën e njerëzve të afërt, që na kishin ndihmuar edhe më parë, vendosëm të vinim në Tiranë. Probleme me letrat në gjendjen civile nuk kishim ne, se letrat tona vërtiteshin sa andej-këtej. Unë kisha mbaruar shkëlqyeshëm me shkollën dhe me anë të njerëzve të njohur që kishte burri i hallës, fillova punë në kombinatin e Elbasanit. Aty kam ndenjur rreth një vit, ku kam marrë një eksperiencë shumë të mirë. Pas kësaj erdha në Tiranë, mamaja ime hyri në ndërmarrje investimesh për rrethin e Tiranës, motra hyri në fermën “Gjergj Dimitrov”, nga Kodrat e Liqenit deri në Grabian të Tiranës te ura e Beshirit. Ka punuar edhe aty tek vendi i pushkatimit, por pa e ditur. Dua të theksoj se ai vend aty është i mbushur plot me pushkatime, rreth 1500 veta për të cilët unë i kam bërë njoftimet, që ia vend të ruhet dhe të krijohet një ekip për t’i nxjerrë. Kështu avash-avash, nëpërmjet punës nga Elbasani erdha në uzinën Tiranë, nga aty shkova në një ndërmarrje tjetër, e instrumenteve abrazivë. Aty kam punuar që nga 1973 deri në 20 shkurt të 1991 kur ra shtatorja.

Si ka qenë për ju rënia e shtatorja?

Ajo ditë është rilindja ime. Ndërsa përfshirja në lëvizje ka qenë diçka spontane, kushtet ishin krijuar dhe s’kishte çfarë prisnim. Më kujtohet se unë atë ditë kam shpërthyer derën e ndërmarrjes. Kanë qenë sindikatat që e organizonin dhe ishin në mbështetje të grevës së urisë së studentëve të dhjetorit. Mund të them që rrëzimi i statujës ka qenë një nga ditët më të lumtura për mua. Atë ditë shtatorja për pak sa nuk zuri poshtë nënën dhe motrën time, por për fat kanë shpëtuar. Pas kësaj kam marrë pjesën edhe në krijimin e shoqatës së ish-të përndjekurve.

Në çfarë moshe keni marrë vesh të vërtetën, në lidhje me babanë dhe për faktin që ishit të internuar?

Mund të ketë qenë rreth moshës 10-vjeçare, sepse unë vazhdimisht pyesja në lidhje me babanë. Shikoja që gjithmonë qanin në shtëpi për këtë punë dhe isha shumë kurioz. Plus që edhe reagimet e njerëzve të tjerë karshi nesh më dukeshin të çuditshme dhe e pyesja nënën gjithmonë, ka qenë ajo që mi ka treguar të gjitha. Dua të them se nëna ime ishte një njeri shumë i dëgjuar dhe e fisme, gjithmonë na edukonte me idenë e faljes. Gjithmonë më ka thënë se duhet të falësh në jetë, pasi kishte frikë edhe nga reagimi im, nuk donte të bëheshim problem. Dua të kujtoj, njëherë që kanë ngacmuar motrën dhe i jam kthyer, por më kanë ndihmuar edhe njerëzit e tjerë aty në lagje, sepse jo të gjithë kishin mendimin e keq për ne. Por më shumë se mua, kanë ngacmuar motrën time në lidhje me këtë çështje. Ndërsa donin ta denigronin dhe ta bënin traktoriste. Dhe te kursi për patentën çfarë nuk i krijonin, lloj-lloj problemesh. Edhe aty ajo ia ka dalë, sepse ishte shumë e shkathët dhe mësonte shpejtë. Edhe kur erdhëm në Tiranë na kanë vënë njerëz për të na ruajtur, kam bërë edhe kërkesë te autoriteti i dosjeve për ta parë se deri ku kanë vajtur ata duke na përgjuar. Ndërsa gjithmonë për festën e 1 Majit mua më ndalonin, më mbyllnin në rajonin e policisë dhe pastaj nga pasditja më lironin sërish.

Si ratë në gjurmët e eshtrave të babait tuaj?

Gjatë kohës që unë kërkoja për eshtrat, dy miq të mi punonin te ura e Beshirit me inertet. Në të njëjtin vend punonin edhe dy djemtë, e Kadri Hysës dhe Selim Hysës. Gjatë bisedave, bie muhabeti te pushkatimi i familjarëve. Aty Kadri Hysa tregon se mbante mend një ngjarje të tillë, por nuk ishte i sigurt se për pushkatim bëhej fjalë. Ai kishte treguar se kishin qenë një grup njerëzish që bërtisnin atë ditë dhe midis tyre edhe një femër. Kadriu e kishte fiksuar si zonë se ku kishte ndodhur dhe i thotë shkojmë ta shohim njëherë, më pas e kam takuar edhe vetë atë. Pasi më kanë shpjeguar historinë unë kërkova leje në Ministrinë e Punës për investime për gërmimet. Por aty na kërkonin ca gjëra, kështu që kam shkuar me bazat e mia ekonomike në kërkim të varrit. Kemi shkuar që ditën e nesërme nga momenti që e mora vesh. E pashë vendin. Motra ime kishte punuar aty, se unë kisha shkuar t’i çoja shpesh bukën. I lutem Kadri Hysës të më drejtonte, por ai kishte frikë, se ishte 1993 dhe ishte akoma e nxehtë situata, por pas disa lutjesh, iu dhimbsa dhe më ndihmoi. Kam gërmuar në 5-6 gropa dhe me ndihmën e disa personave të tjerë i kemi gjetur. Kemi filluar në 15 Janar dhe kemi përfunduar në 13 qershor kërkimet. Kemi marrë një ekskavator nga këta që punonin te lumi dhe kur futi kovën e nxori lartë dheun, nga aty ra një unazë. U hodha në gropë dhe mora unazën, ia kam treguar nënës që të mund ta identifikonte. Se intelektualët në atë kohë e njihnin njëri-tjetrin, aq ishin. Ajo duke parë inicialet e dalloi se kujt i përkiste. Ditën tjetër kam shkuar sërish dhe nuk kam lënë asgjë pa kontrolluar, duke nxjerr prej aty kafka dhe eshtra të shumta. Ndërsa për disa prej tyre, më ka ndihmuar mamaja t’i identifikoja. Më kujtohet mënyra se si i gjeta eshtrat grumbull, kjo është edhe një arsye se pse në bëmë një varr të përbashkët. Pasi ata kishin ndenjur për aq vite atje bashkë, ashtu si edhe ne familjarët. Vuajtën bashkë në një vend dhe nuk e shihnim të arsyeshme t’i ndanim. Gjatë gjithë kësaj historie, ka edhe gjëra të cilat kur i kujtoj, më bëjnë të qesh. Pas gjetjes së eshtrave, qeveria e asaj kohe bëri një ceremoni në vendin ku kishte ndodhur pushkatimi. Aty unë kisha lënë vetëm eshtrat e tetë personave, sa për ceremoninë. Më duhet të them që u zhvillua dhe pati një emocion të madh. Por pasi mbaroi, ata u larguan të gjithë dhe më lanë vetëm aty. Nënën e nisa me një makinë, ndërsa unë ngela vetëm me 8 eshtrat. I kam futur ato në një thes se do t’i çoja te Mjekësia Ligjore dhe dola në rrugë që të gjeja një autobus për të ardhur në Tiranë. Me kostum dhe me thes në dorë, gjeta një autobus dhe hipa aty. Kur pa u larguar shumë, policia e tatimeve ndaloi autobusin për kontroll. Më kërkuan që të hapja thesin. U thashë që s’mund ta hapja aty dhe mes këtyre diskutimeve zbritëm poshtë dhe e hapa. Pasi panë eshtrat më quajtën kriminel, vrasës dhe më arrestuan. Nuk e dinin se kush isha. Ua shpjegova situatën, por ata më shoqëruan në polici me gjithë thes. Edhe në komisariat më qëlluan dhe më thanë kriminel, deri në orën 4 kur Televizioni Shqiptar transmetoi ceremoninë. Dhoma e oficerit roje, ishte përballë me qelinë time. Kur shikoj kronikën i bie xhamit dhe i them shikojeni. E kështu u sqarua situata, më kërkuan falje dhe më çuan me makinë deri në Mjekësinë Ligjore.

Shekulli, 5 mars ’18

Postime të ngjashme